BallinaAKTUALETë ndryshmeRasti i hoxhallarëve të arrestuar merr kahe të re

Rasti i hoxhallarëve të arrestuar merr kahe të re

Rasti i hoxhallarëve të arrestuar merr kahe të re

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Kosovë e cila ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore për paraburgimin e 11 imamëve kosovarë që dyshohen për vepra terroriste, duket se i jep një kthesë të re çështjes së bujshme të arrestimeve.

Dosjet e tyre janë kthyer në Gjykatën Themelore, për mungesën e arsyetimit të dyshimeve, për të cilat janë arrestuar.

Top News ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit përmes së cilit vërtetohet se aksioni i Policisë dhe parashkrimi i lëndës ndaj të pandehurve nga ana e prokurorit nuk është shoqëruar me asnjë fakt apo provë që vërteton dyshimet se imamët kanë rekrutuar njerëz për të quar në Siri apo vepra tjera terroriste.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, kur një prokuror beson se duhet caktuar masa e paraburgimit ndaj një personi, ai i paraqet gjykatës së procedurës paraprake kërkesë e cila përfshin përshkrimin e provova që mbështesin dyshimin e bazuar se personi i arrestuar ka kryer veprën penale.

“Pra sipas kësaj dispozite, kushti elementar që duhet të përmbushet për ta caktuar apo vazhduar gjykata ndaj një personi paraburgimin është dyshimi i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale, kusht ky që në rastin konkret Prokurori as Gjykata nuk ka arritur ta vërtetojnë, ashtu siç me të drejtë pretendohet në ankesa”, thuhet në vendim të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka thënë se dyshimet e ngritura për të dyshuarit se kanë kryer vepra terroriste, apo se nxitur njerëz të shkojnë në luftime në Siri, nuk bazohen askund dhe nuk përmbajnë fakte.

“Në dispozitivin e aktvendimit në përgjithësi për të gjithë të pandehurit që dyshohen për këto vepra penale vetëm thuhet se përmes ligjëratave apo predikimeve të tyre kanë mbështetur luftën në Siri, kanë përcjellë mesazhe për të shtytur persona që tu bashkëngjiten grupeve terroriste apo kanë nxitur urrejtje ndërmjet grupeve fetare, kanë rekrutuar persona për të marrë pjesë në grupet terroriste apo përmes thirrjeve kanë bërë ftesë personave për të marrë pjesë në grupe terroriste. Por nuk theksohet në cilin vend, në ç’kohë dhe në ç’mënyrë të pandehurit kanë shtyrë, kanë bërë thirrje apo kanë dërguar mesazh. Aq më tepër nuk përshkruhet asnjë provë që vërteton dyshimin e bazuar përkitazi me këto veprime”, thuhet më tutje në vendim të Gjykatës.

Gjykata e Apelit ka shprehur habinë se si prokurori i kësaj çështje nuk ka paraqitur asnjë lloj prove derisa ka kërkuar paraburgim për imamët.

Kjo Gjykatë pasi ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Themelore për paraburgimin e imamëve kosovarë, ka kërkuar nga ajo që gjatë rishikimit të vendimit të kërkojë nga prokurori i rastit prova për të gjitha dyshimet e ngritura, e pasi t’i shoh dhe vërtetoj ato, të marr vendim për masën e mëtejme ndaj imamëve të arrestuar.

Tani Gjykata Themelore pritet që të marrë një vendim të ri për rastin e 11 imamëve të arrestuar, ndërsa një ditë më parë e njëjta Gjykatë ia ka vazhduar hoxhës Shefqet Krasniqi paraburgimin deri më 17 tetor.

Sipas Bajram Tmavës. Avokat i Shefqet Krasniqit, veprimet e prokurorëve dhe gjykatësve në Gjykatën Themelore lidhur me rastet e imamëve janë veprime qesharake, të pa bazuara dhe pa asnjë fakt.

Nga 15 imamë që u arrestuan në muajin shtator, 2 imamët e Mitrovicës Enis Rama dhe Ekrem Avdiu po mbrohen në liri, ndërsa imami i Pejës Enes Goga është liruar nga të gjitha akuzat. Ai u lirua te enjten, pas kthimit te vendimit nga gjykata e apelit. (Top News)

 

 

Must Read