BallinaTEZKIJEThirrje për përmirësimTesti i filtrimit të trefishtë

Testi i filtrimit të trefishtë

Testi i filtrimit të trefishtë

I Dërguari i Allahut –lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!- ka thënë:

“Shmanguni paragjykimeve, sepse paragjykimet janë gënjeshtra më e madhe.” [Sahihul Buhari]

Gjatë periudhës Abaside njëri nga dijetarët e Bagdadit u vizitua nga një i njohur i cili posa e përshëndeti, i tha: “A e di se çfarë kam dëgjuar për shokun tënd?”

Dijetari, ia ktheu: “Prit një minutë, përpara se të më tregosh diçka, do të doja të bëjmë një test të vogël. Ky quhet testi i filtrimit të trefishtë.”

– Burri i çuditur, pyeti: “Testi i filtrimit të trefishtë?”

Dijetari: “Saktë! Përpara se të më tregosh për shokun tim, do të ishte mirë që të ndalemi për një çast dhe të filtrojmë atë për të cilën dëshiron të më tregosh. Për këtë arsye e quaj testi i filtrimit të trefishtë. Filtri i parë është e Vërteta. A je siguruar plotësisht se ajo që do të më tregosh është e vërtetë?”

– Burri, ia ktheu: “Jo, Unë kam dëgjuar diçka dhe…”

Dijetari, e ndërprenë dhe i thotë: “Në rregull, ti nuk e din se a është e vërtetë apo jo. Tani, le të provojmë filtrin e dytë, filtrin e Mirësisë. Ajo e cila dëshiron që të më tregosh për shokun tim a është diçka e mirë?”

– Burri i hutuar, thotë: “Jo, përkundrazi…”

Dijetari prapë e ndërpret: “Pra, ti dëshiron që të më tregosh diçka të keqe për të dhe bile, nuk e di a është e vërtetë apo jo?! Ti ke akoma shans që ta kalosh testin, sepse akoma na ka mbetur edhe një filtër: Filtri i Dobisë. Pra, ajo e cila do të më tregosh për shokun tim a është e dobishme për mua apo jo?”

– Burri i shastisur, tha: “Në të vërtetë, jo.”

Dijetari i qetë e përmbyllë: “Mirë, ti po dëshiron të më tregosh diçka e cila nuk është as e vërtetë, as e mirë dhe bile as e dobishme, atëherë, pse të lodhesh dhe të ma tregosh fare?”

 

Allahu i Madhëruar na tërheq vërejtjen: O ju që keni besuar! Shmanguni prej shumë dyshimeve, meqë disa dyshime janë mëkat. Mos i hulumtoni të metat (e njëri-tjetrit) dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur, e juve kjo u është e neveritshme! Druajuni Perëndisë! Me të vërtetë, Perëndia është pranues i pendimit dhe mëshirues. [Kur’an (49):12]

 

Le të përdorim këtë test të trefishtë përpara se të dëshirojmë të flasim për diçka apo për dikë. Dhe le të aplikojmë këtë filtër të trefishtë përpara se dëgjojmë gjëra të dëmshme nga të tjerët!

 

Allahu na bëftë prej të devotshmëve!

 

Përkthim

www.islamifejaevertete.com

Must Read