A duhet të ngrihen duart gjatë tekbireve në namaz
Ekziston një polemikë e gjërë ndërmjet juristëve islam (fukahave), si në kohët e hershme, por edhe tani, rreth çështjes së ngritjes së duarve gjatë tekbireve në namaz. Ky është edhe shkaku se pse reflektohet kjo polemikë edhe në praktikën e muslimanëve që kohëve të fundit është prezente edhe në trojet tona. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është ta shtoj përçarjen apo diçka tjetër negative, por dëshirojmë që t`ua bëjmë me dije se në Islam çdo mospajtim nuk është përçarje[1]. Prandaj janë disa çështje ku lejohet të ketë mospajtim apo ndryshim të mendimeve ndërmjet dijetarëve dhe ai ndryshim të mos bëhet shkak që ata të largohen nga njëri tjetri, apo të përçahen dhe të krijojnë armiqësi ndërmjet tyre .
Kjo çështje është shumë pak e njohur te muslimanët në përgjithësi dhe kjo padituri vërehet shumë në vendin tonë. Prandaj, objektiva kryesore e këtij shkrimi mund të përmblidhet në këto pika:
1. Qartësimi se mospajtimi në këtë çështje, së pari, është evidente dhe nuk mund ta injorojmë dhe ta asgjësojmë, pastaj ky mospajtim është i lejuar dhe i pranuar te të gjithë fukahatë, prandaj nuk lejohet, asesi, të krijojë përçarje dhe fitne, por duhet të trajtohet ashtu siç është trajtuar te dijetarët që ne kemi dëgjuar për ta. Prandaj muslimanët kanë nevojë të fitojnë kulturë dhe edukatë, ta shohin këtë lloj të ndryshimit të mendimeve si të natyrshme dhe të pranuar.
2. Të shohim se shkak i mospajtimit është numri i madh i transmetimeve që kanë ardhur nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe sahabët e tij. Këto transmetime nuk janë përhapur te të gjithë muslimanët njësoj, kështu që, posaçërisht në kohët e mëhershme, disa hadithe që kanë qenë të njohura në një vend dhe dijetarët e atij vendi, ato hadithe nuk kanë qenë të përhapura në vendin tjetër[2]. Duke ia bashkangjitur kësaj, se ato transmetime nuk kanë qenë të njejtit rang të vërtetësisë dhe besueshmerisë, për shkak se siç e dimë ekzistojnë hadithe të sakta, të mira, të dobëta, të shpifura, etj.
3. Është e njohur te të gjithë muslimanët se në botë sot ekzistojnë katër medhhebe të pranuara që pasohen dhe dijetarët shkruajnë rreth çështjeve të fikhut duke i patur për bazë qëndrimet, mendimet, konkluzat e këtyre shkollave, por thuajse të gjithë janë të pajtimit se nëse ndonjë çështje, për të cilën ai hulumton, arrinë në përfundim se mendimi më i qëlluar dhe më i argumentuar është ndonjë mendim që nuk është mendimi i medhhebit të cilën ai pason, duhet ai të marrë mendimin që e ka vërtetuar, se është më i saktë[3].
Sqarim
Para se të filloj në shpjegimin e mendimit të dijetarëve, dëshiroj të cek një thënie të imam Neveviut si përgjigje ndaj atyre të cilët thonë së kjo çështje është sunet dhe e thjeshtë, prandaj nuk kemi nevojë të humbasim kohë në qartësimin e saj, a të praktikohet apo jo.
Imam Neveviu thotë: “Dije se kjo çështje është me rëndësi të madhe, për shkak se çdo musliman ka nevojë për të gjatë ditës disa herë, posaçërisht kërkuesi i ahiretit, ai i cili fal namaze shumë, prandaj dijetarët i kanë kushtuar kujdes të veçantë kësaj çështje, derisa imam Buhariu shkroi një libër rreth kësaj…”[4].
Mendimet e dijetarëve në lidhje me këtë çështje
Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se është sunet ngritja e duarve gjatë tekbirit fillestar, prandaj edhe shumë nga ata rrëfejnë se për këtë çështje ka ixhma (koncenzus)[5].
Mospajtimi ndërmjet tyre është në ngritjen e duarve para shkuarjes në ruku, ngritjes nga rukuja dhe ngritja nga ulja e parë për në rekatin e tretë, nëse është nga namazet tri rekatëshe apo katër rekatëshe[6].
Në këtë çështje dijetarët kanë dy mendime:
1. Ngritja e duarve është sunet, në këto tri vende. Ky mendim është i njohur nga shafijtë dhe disa dijetarëve të tjerë, të cilët do t’i përmendim më poshtë.
2. Sunet është e kundërta, pra mosngritja e tyre. Ky mendim njihet nga hanefitë, është një nga thëniet e imam Malikut dhe es`habu re`jit ( është fjala për dijetarët e Kufës dhe vendeve tjera të Irakut).
1. Mendimi i parë:
Ky qëndrim transmetohet nga këta sahabë: Abdullah ibën Umeri, Abdullah Ibën Abasi, Xhabir ibën Abdullahu, Ebu Hurejre, Abdullah ibën Zubejri, Enes ibën Maliku.
Përveç këtyre transmetohet edhe nga Ali ibën Ebi Talibi, Umeri, Uail ibën Huxhur, Malik ibën Huuejrith, Sehl ibën Sadi, Muhamed ibën Mesleme, Ebu Musa, Xhabir ibën Umej Lejthi dhe Ebu Seid Huderi.
Kurse nga tabinët: Hasan Basriu, Atau, Tavusi, Muxhahidi, Salimi ibën Abdullah, Said ibën Xhubejri, Nafiu dhe të tjerë.
Dhe nga dijetarët: Abdullah ibën Mubareku, imam Shafiu, Is`haku, imam Maliku në njërën nga thëniet e tij, Imam Ahmedi, Lejth Ibën Sadi, Ebu Theuri, imam Buhariu, Muslimi, Neveviu, ibën Haxheri dhe dijetarë të shumtë të tjerë[7].
Argumentet e mendimit të parë
1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri se ai ka thënë: “E kam parë Resulullahun (salallahu alejhi ue selem), kur falte namazin i ngrinte duart deri te supet, e bënte këtë kur e bënte tekbirin për të shkuar në ruku, kur ngrihej nga rukuja dhe thoshte: ‘Semiallahu limen hamideh’, kurse kur shkonte në sexhde nuk i ngrinte (duart)”[8].
Buhariu thotë, pas citimit të hadithit, se ka thënë Ali Medini, i cili ka qenë më i dituri i kohës së tij: “Është e nevojshme për muslimanët t`i ngrenë duart e tyre, për shkak të këtij hadithi.”
2. Transmeton Halidi nga Ebu Kilabe se e ka parë Malik ibën Huejrithin (sahab i njohur) kur falej, në tekbirin fillestar ngrinte duart, kur shkonte në ruku i ngrinte duart, kur ngrihej nga rukuja i ngrinte duart. Ai tregoi se i Dërguari (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) vepronte ashtu”[9].
3. Transmeton Nafiu se Ibën Umeri kur hynte në namaz bënte tekbirin dhe ngrinte duart, kur shkonte në ruku ngrinte duart, kur thoshte ‘semiallahu limen hamide’ ngrinte duart dhe kur ngritej nga rekati i dytë (pas uljes së parë dhe fillonte rekatin e tretë) ngrinte duart, pastaj tregoi se kështu vepronte i Dërguari (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!)”[10].
4. Transmeton Muhamed ibën Amr ibën Atau (ky ishte prej tabiinëve) derisa ishte ulur me një grup të sahabëve, u përmend namazi i Profetit, pastaj tha Ebu Humejd Saidiu ( ky është sahab) se ka thënë në prezencen e këtyre sahabëve ndër ta (sahabët) ishte edhe Ebu Katade do t`ua tregoj formën e namazit të Resulullahit (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!), ata thane na e trego:…( hadithi është i gjatë, në të përshkruhet forma e namazit e të Dërguarit dhe përmendet se i ka ngritur duart gjatë tekbirit fillestarë, shkuarjes në ruku, ngritjes nga ajo dhe kur ngrihej për në rekatin e tretë). Ata sahabë që ishin prezent ia vërtetuan këtë formë të namazit me ngritjen e duarve”[11].
5. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur falte namazin bënte tekbirin fillestar dhe i ngrinte duart deri te supet dhe vepronte ashtu kur përfundonte leximin e donte të shkonte në ruku, kur ngritej nga rukuja, kurse nuk i ngrinte duart kur ishte ulur (në sexhde) dhe kur ngritej për në rekatin e tretë vepronte ashtu (pra i ngrinte duart)”[12].
6. Nga Enes Ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i ngrinte duart para se të shkonte në ruku, gjithashtu e njejta transmetohet nga Ebu Hurejre[13].
7. Transmetimet për ngritjen e duarve janë të shumtë. Imam Buhariu e shkroi një libër ku përmend shumë transmetime nga sahabë, tabiinë dhe dijetarë për ngritjen e duarve. Aty përmend se këto transmetime arrijnë shkallën e muteuatirit[14], gjithashtu edhe Imam Bejhakiu përmbledh një numër të konsiderueshëm të transmetimeve, kurse ne po mjaftohemi me këto që i përmendëm.
Mendimi i dytë:
Mendimin e dytë e përmbajnë këta dijetarë: Imam Sufjan Theuri, Ebu Hanife dhe dy nxënësit e mëdhenj të tij Ebu Jusuf dhe Muhamed Haseni dhe të gjithë nxënësit e tjerë të tij, imam Maliku në njerën nga thëniet, Ibrahim Naheiu, Ibën Ebi Lejla dhe të gjithë es`habu rrejit ( me këtë term janë njohur dijetarët e Kufës dhe disa vendeve tjera të Irakut)
Kurse argumentet e tyre janë:
1. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “A dëshironi t’ua fal namazin e Resulullahit (salallahu alejhi ue selem). Ai ua fali atyre dhe nuk i ngriti duart vetëm se herën e parë (në tekbirin filestarë)”[15].
2. Transmetohet nga Bera ibën Azib (sahabi i njohur) se i Dërguari (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) i ngrinte duart në fillim të namazit, pastaj nuk e përsëriste (ngritjen e tyre)[16].
3. Nëse kemi kundërshtime ndërmjet haditheve të profetit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!), atëherë kanë thënë se të vepruarit me këto dy hadithe të sipërpërmendura (hadithi i Ibën Mesudit dhe Bera Ibën Azibit) kanë më shumë prioritet, sepse Ibën Mesudi ka qenë transmetues i haditheve dhe dijetar (fakih), shoqërues i përpiktë me Profetin (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!), i dinte rastet e tij dhe gjendjet, prandaj transmetimet e tij kanë përparësi nga transmetimet e tjerëve (sahabëve) që nuk kanë qenë si ky.
4. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Jam falur pas Ebu Bekrit, dhe Umerit dhe ata nuk i kanë ngritur duart, përveç se në fillim”[17].
5. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i ngrinte duart në tekbirin fillestar, pastaj nuk i ngrinte në asnjë vend tjetër”[18].
6. Transmetohet nga Xhabir Ibën Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: I Dërguari thotë: “Pse jeni duke i ngritur duart si bishtat e kalit në diell? Qëndroni qetë në namaz”[19].
7. Transmetohet nga Abdullah Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Mos i ngrini duartë vetëm se në shtatë vende, në fillim të namazit, kur të kthehemi nga kibla, në Safa, në Merva, në Arafat,…”[20].
8. Në librin “Euxhezil Mesalik ila Muveta – Imam Malik”, Muhamed Zekiria Kandehleviu përveç këtyre argumenteve të lartpërmendura, që i përmendin edhe dijetarët e tjerë në librat e tyre, përmend edhe dhjetra transmetime nga Ibën Abasi, Ibën Mesudi, Ebu Hurejra, Ibën Umeri, Aliu dhe nga dhjetë (sahabëve) të përgëzuar me xhenet (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!) se nuk i ngrenin duart përveç në fillim të namazit. Gjithashtu të njejtën e transmeton edhe nga disa tabiinë, që edhe ai pranon se në këto transmetime ka dobësi. Ai thotë se derisa me këto hadithe kanë punuar dijetarë si Ebu Hanife, dy nxënësit e tij dhe shumë dijetarë të Kufës dhe Imam Theuriu, ato tek unë janë të sakta[21].
9. Namazi në fillim kur është bërë e obliguar ishin të lejuara disa sende si biseda, kthimi i selamit, ecja, lëvizjet e ndryshme, pastaj dalëngadalë janë ndaluar këto gjëra që u përmendën dhe çdoherë që kemi transmetime kontradiktore si lëvizja e duarve apo moslëvizja, duhet të marrim atë që është më e afërt, qetësisë dhe jolëvizshmërisë[22].
Këto ishin argumentet e mendimit të dytë.
Përgjigjet e mendimit të dytë ndaj argumenteve të mendimit të parë
Dijetarët të cilët kanë mbajtur qëndrimin se nuk është sunet ngritja e duarve në këto tri vende u janë përgjigjur argumenteve të mendimit të parë kështu:
1.Të gjitha hadithet ku tregohen për ngritjen e duarve edhe pse janë të sakta dhe të transmetuara në koleksionin e Buhariut dhe Muslimit ato të gjitha konsiderohen të anuluara (mensuh) me hadithet e lartpërmendura, (është fjala për hadithin e Ibën Mesudit, Bera ibën Azib dhe të gjitha hadithet që i kanë përmendur si argumente)[23].
2.Pasi në këtë rast kemi kundërshtim të haditheve (pra disa aludojnë në ngritjen e duarve, disa në mosngritjen) përparsi duhet të kenë ato hadithe që tregojnë mosngritjen, për shkak se nëse është e vërtetë ngritja e duarve, atëherë neve vetëm kemi lënë një sunet (që është ngritja e duarve), kurse nëse ndodh e kundërta (se mosngritja është e saktë), atëherë neve kemi bërë bidat (risi) (me ngritjen e duarve) dhe lënia e sunetit ka më përparësi se të vepruarit e bidatit me pajtimin e të gjithë dijetarëve, prandaj ka përparësi mosngritja e tyre[24].
Këto ishin përgjigjet e mendimit të dytë ndaj mendimit të parë që përmendin dijetarët në librat e tyre.
Përgjigjet e mendimit të parë ndaj argumenteve të mendimit të dytë
Në vazhdim do të shihni edhe përgjigjet ndaj argumenteve të mendimit të dytë, duke filluar nga hadithet me të cilat kanë argumentuar ata.
1. Së pari, sa i përket hadithit të parë i Ibën Mesudit, mund të themi se ky është argumenti më i fortë që mund të gjindet rreth mosngritjes së duarve. Në vazhdim do të shohim se çfarë kanë thënë dijetarët e hadithit rreth këtij hadithi.
Këtë hadith Tirmidhiu e ka bërë hasen (të mirë) dhe Ibën Hazmi thotë se është i vërtetë. Gjithashtu, nga dijetarët bashkëkohorë Ahmed Shakir e bënë hadithin të saktë.
Të gjithë muhadithinët e tjerë, përveç këtyre që i përmendëm e konsiderojnë këtë hadith të dobtë dhe nuk preferojnë të punuarit me të. Transmeton Bejhikiu se Abdullah ibën Mubareku thotë: “Hadithi i Ibën Mesudit tek unë nuk është i vërtetuar.” Buhariu e bën të dobtë hadithin dhe tregon në librin e tij “Reful jedejni fi salat” se atë e kanë cilësuar si të dobtë Ahmed ibën Hanbeli, Jahja ibën Ademi, gjihashtu atë e bëjnë të dobtë Darekutni, Bejhakiu, Ebu Daudi dhe të tjerë, kurse Ibën Hibani thotë: “Ky hadith është më i forti me të cilën dijetarët e Kufës mundë të argumentojnë me të për mosngritjen e duarve në namaz, por në realitet ky hadith është më i dobëti që mund të bazohemi në të, për shkak se ka dobësi të shumtë. Ata dijetarë që e kanë dobësuar këtë hadith e kanë bërë këtë për shkak se në zinxhirë gjindet Asim Ibën Kulejbi”[25].
Nga ajo që u tha pak më herët rreth këtij hadithi kuptuam se një numër i madh i dijetarëve të hadithit e cilësojnë këtë hadith si të dobët dhe nuk lejojnë të punuarit me të, posaçërisht derisa ky hadith është në kundërshtim me hadithet e tjera që janë shumë më të forta për nga besueshmëria, vërtetësia dhe numri i shumtë i tyre. Por, edhe nëse e pranojmë si të vërtetë këtë hadith, Zejleiu (nga dijetarët hanefi) përcjell nga disa dijetarë të tjerë se kanë thënë: “Nuk është çudi nëse Ibën Mesudi ka harruar këtë (së ngritja e duarve në këto vende ishte praktikë e Profetit (salallahu alejhi ue selem)), për shkak se nga ai (Ibën Mesudi) transmetohet se kishte harruar se dy suret e fundit (Felek dhe Nas) janë pjesë (sure) nga Kurani, por mendonte se ishin vetëm nga lutjet e Profetit (salallahu alejhi ue selem), pastaj ai kishte harruar formën e saktë të rukusë, pastaj ai kishte harruar se Profeti (salallahu alejhi ue selem) kishte falur namazin e sabahut në Arafat me kohë, pastaj kishte harruar se si të radhiten dy vetë në saf pas imamit dhe disa raste e vepra të tjera. Prandaj, nëse Ibën Mesudi veçohet me këtë vepër, atëherë përparsi kanë vepra e shumicës së sahabëve, të cilët e kanë praktikuar ngritjen e duarve[26], siç vërtetohet kjo pa kurrfarë dyshimi nga një numër i konsiderueshëm i sahabëve.
Këtë të tërën mund ta themi vetëm atëherë, nëse gjykojmë se hadithi është i saktë, por siç e pamë hadithi cilësohet i dobët nga shumë muhadithin që konsiderohen bazë në këtë fushë dhe të cilët i shpjegojnë edhe arsyet e dobësimit.
2. Sa i përket hadithit të dytë të Bera ibën Azib, imam Neveviu thotë: “Përgjigja rreth argumentimit me hadithin e Bera ibën Azibit është me disa pikëpamje. E para: Është ajo përgjigje që ia kanë bërë imamët e shkencës së hadithit dhe hafizat e tij (hadithit) se hadithi është i dobtë me pëlqimin e të gjithëve, prej tyre ka që kanë cituar se është i dobtë, prej tyre është: Sufjan Ibën Ujejne, imam Shafiu, Abdullah Humejdi (mësuesi i Buhariut) Ahmed ibën Hanbeli, Jahja ibën Meini, Darimiu, Buhariu dhe të tjerë nga të vjetrit (dijetarë) e këta konsiderohen baza e hadithit dhe dijetarë të tij. Kurse nga dijetarët më të rinjë ka shumë. Shkak se hadithi është i dobtë është ajo se në zinxhirin e transmetimit është Jezid ibën ebi Zijadi. Ibën Ujejne (dijetar i hadithit) thotë se Jezid ibën ebi Zijadi (që është një nga personat në zinxhirin e transmetimit) më ka transmetuar këtë hadith pa fundin “…, pastaj nuk e përsëriste (ngritjen e tyre)”. Kur erdhi në Kufë e dëgjova që e përmende hadithin duke ia bashkangjitur edhe këtë pjesë të fundit. Dhe mendoj se ata të Kufës i kanë thënë ta shtoj atë”[27].
Kurse Humejdi (mësuesi i Buhariut) thotë transmetuesi Jezid ibën Ebi Zijad nga fundi i jetës së tij humbi përpikmërinë në mbajtjen mendë dhe i përziheshin (hadithet)” Gjithashtu deklaron edhe Shafiu, Darimiu, Ahmed ibën Hanbeli etj,…[28].
3. Argumenti i tretë, gjithashtu, nuk është i saktë, për shkak se pretendimi se Abdullah ibën Mesudi është më i dijshëm se disa sahabë, të cilët transmetojnë ngjarjet dhe veprat e Profetit (salallahu alejhi ue selem) edhe nëse themi se kjo është e vërtetë, themi se transmetimi i Ibën Mesudit nuk është i vërtetuar, sikur që janë të vërtetuar transmetimet e tjera. Gjithashtu më shumë se dhjetra sahabë transmetojnë me saktësi se Profeti i ngrinte duart dhe kjo, padyshim, ka përparësi nga ajo që pretendohet, duke ia bashkangjitur se ndër ta është Abdullah ibën Abasi (që konsiderohet nga më të diturit prej sahabëve), pastaj Abdullah ibën Umeri, i cili transmeton Buhariu me zinxhir të saktë në librin e tij “Reful jedejni” se kur shihte ndonjë njeri që nuk i ngrinte duartë gjatë shkuarjes në ruku dhe kur ngrihej nga ajo e gjuante me gurë.”
4-5. Sa i përket hadithit të Aliut dhe hadithit të Ibën Mesudit se është falur pas Ebu Bekri, Umerit… janë të dobtë. Dijetarët që e kanë bërë të dobtë hadithin e Aliut janë: Buhariu, Sufjan Theuriu, Bejhakiu, Darimiu dhe thonë se transmetimi i këtij hadithi me këtë zinxhir të transmetimit është jo i saktë.” Gjithashtu edhe Shafiu thotë se nuk janë të sakta se Aliu dhe Ibën Mesudi janë falur duke mos i ngritur duart, vetëm në tekbirin filestarë. Duke patur parasysh se nga Aliu Transmetohet e kundërta se i ka ngritur duart në këto vende siç cekëm hadithin që e transmeton Tirmidhi dhe e bënë të vërtetë[29].
6. Argumentimi me hadithin që është në sahihun e Muslimit nga Xhabir ibën Semure nuk është me vend dhe nuk ka të bëjë fare me çështjen e ngritjes së duarve në këto vende që ne po i diskutojmë. Këtë e kanë sqaruar të gjithë ata që kanë folur për këtë çështje në librat e tyre: imam Buhariu, Neveviu dhe të tjerët, për shkak se ai rast, për të cilën ndalon Profeti ngritjen e duarve është në uljen e fundit gjatë dhënies selam, ashtu siç ka qenë e njohur në fillim, kjo vërtetohet me transmetimin e po të njejtit hadith te Muslimi me transmetim tjetër nga i njejti sahib, Xhabir Ibën Semure ku thotë: “Kur faleshim me Resulullahun dhe thonim: “Selam alejkum ue rahmetullah” bënim me dorë nga të dy anët, Atëherë Profeti na tha: “Kujt po i bëni me dorë si bishtat e kuajve në diell, ju mjafton juve që vetëm ta vendosni dorën në kofshë dhe të jepni selam atij që është në anën e djathtë dhe të majtë.” Kështu, transmeton Muslimi dhe ky hadith nuk ka të bëjë fare me çështjen që po diskutohet këtu[30].
7. Hadithi i ibën Abasit është i dobët për shkak se është hadith i shkëputur, ate e transmeton tabini direkt nga Muhamedi e ky hadith quhet Mursel. Hejthemiu e përmendë se hadithi është i dobët, gjithashtu Zejleiu e cek se hadithi në këtë formë është Garib[31].
8. Pretendimi i dijetarit të njohur Muhamed Zekeria Kandehlevi nuk është i saktë, për shkak se nëse ne i pranojmë çdo transmetim se filan dijetar ka punuar me të, atëherë nuk do të kishte kurfarë efekti zingjiri i transmetimeve dhe shkenca e cila studion vërtetësinë (besueshmërin) e transmetuesve (Ilmu xherhi ue ta`dil), prandaj çdo njeri edhe nëse është dijetar ka mundësi të gabojë.
9. Është e vërtet se në namaz në fillim ishin të lejuara disa gjëra që më vonë u ndaluan, si kthimi i selamit, etj. Por të gjitha këto dihen se janë ndaluar me argumente të qarta, qoftë nga Kurani, siç është rasti i ndalimit të të shikuarit nga qielli (lartë) në namaz (kjo është ndaluar me ajet), qoftë nga hadithi. Dhe për secilën vepër që ne pretendojmë se është ndaluar më vonë pasi ka qenë e lejuar, kemi nevojë për argument të qartë dhe të prerë për të. Në këtë rast argumentet e sakta dhe të prera aludojnë të kundërten, se ngritja e duarve është sunet. Prandaj një pretendim i tillë është vetëm një paragjykim i pabazë.
Përgjigja ndaj pretendimit se të gjitha hadithet që tregojnë ngritjen e duarve janë të anuluara (deroguara)
Thënia se hadithet të cilat transmetojnë ngritjen janë të anuluara (deroguara) me hadithet e sipërpërmendura, është gjithashtu pretendim që nuk ka bazë të shëndosh, për shkak se për t’u anuluar një vepër apo një hadith me tjetrin duhen disa kushte të përmbushen patjetër, si të dihet saktësisht se hadithi i cili anulon hadithin e parë duhet të jetë më i vonshëm e kjo nuk është realitet i këtyre haditheve, siç pamë në argumentin e katërt, të cilin e transmeton Buhariu, ngjarja ka ndodhur pas vdekjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem).
Pastaj hadithi me të cilin anulojmë hadithin e mëparshëm duhet të jetë gjithashtu i saktë, kurse hadithet me të cilat pretendohet se kanë anuluar hadithet që gjinden në Buhari, Muslim dhe koleksionet e tjera, të gjithë dijetarët e hadithit i kanë cilësuar për të dobët, përveç hadithit të Abdullah ibën Mesudit, për të cilin kemi përmendur se Tirmidhiu e bënë të mirë dhe Ibën Hazmi të saktë, kurse të gjithë dijetarët e tjerë e cilësojnë si të dobët. Dhe nuk ka asnjë dyshim se ky hadith nuk mund të anulojë ato hadithe për të cilat ka koncenzus në vërtetësinë e tyre te dijetarët.
Kësaj mund t`ia shtojmë edhe atë se Hasan Basriu dhe Humejd Hilali (bashkëkohas të sahabëve) rrëfejnë se ngritja e duarve ishte praktikë e të gjithë sahabëve dhe nuk e përjashtuan ata askë nga kjo (as Abdullah Ibën Mesudin)[32].
Bejhakiu i cili transmeton hadithin se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i ngrinte duart në këto vende (i cili është i vërtetë) shton se Profeti (salallahu alejhi ue selem) vazhdoi me këtë vepër (pra me ngritjen e duarve) derisa vdiq[33].
Komente rreth argumenteve të të dy mendimeve
Deri këtu lexuam argumentet e të dy palëve rreth kësaj çështjeje, gjithashtu edhe përgjigjet ndaj argumenteve të secilës palë, që përmendin dijetarët e nderuar në librat e tyre. Mendoj se kuptuam se mospajtimi në këtë çështje është i gjërë dhe siç thash në fillim qëllimi im ishte ngritja e vetëdijes te muslimanët e trojeve tona se mospajtimet e tilla kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë edhe më tej dhe ne nuk do të mundemi t`ia vendosim kapakun këtyre, përderisa nuk e kanë arritur ta bëjnë këtë edhe ata që kanë qenë shumë më të ditur dhe më të devotshëm se ne.
Më në fund nuk na mbetet vetëm të theksojmë qëndrimin tonë rreth kësaj çështjeje. Ajo është se qëndrimi më i saktë është mendimi i parë për shkak të fuqisë së argumenteve dhe përgjigjeve që i kanë dhënë ndaj argumenteve të mendimit të dytë. Por kjo nuk do të thotë se e injorojmë dhe e mospërfillimin mendimin e e dytë, për shkak se këtë mendim e kanë mbajtur dijetarët, për të cilët ka dëshmuar umeti për dijen e tyre.
Prandaj, çdo tendencë e përkrahjes apo ndihmeses së njërit mendim me fanatizëm, anim të padrejtë, pretendime të pargumentuara, në anën tjetër duke mospërfillur, fyer apo injoruar mendimin tjetër është zullum dhe përçarje.
Kjo nuk do të thotë që ne mos të këshillohemi dhe diskutojmë për këto gjëra, por kur të bëhet kjo le të bëhet pa paragjykime dhe tendenca.
Prandaj, këshilla ime ndaj të gjithë atyre që ballafaqohen me vëllëzërit e tyre në këto mospajtimesh është që të kuptojnë se mospajtimi në gjërat e tilla ishte evidente edhe te dijetarët e mëhershëm, por kjo nuk ndikoi në largimin nga njëri tjetri, prandaj kërkohet nga ata të tregojnë mirëkuptim, mëshirë dhe t’u largohen grindjeve, nxitjes së përçarjes dhe fitnes dhe ta kursejnë këtë gjallërim të rinisë islame te ne.
Përgatiti: Alaudin Abazi
Burimi: http://www.klubikulturor.com/
http://www.islamifejaevertete.com/
[1] Mospajtimet në Islam, kryesisht, ndahen në dy lloje:
a) Mospajtim i ndaluar, ku muslimanët nuk kanë të drejtë të jenë të ndarë në atë çështje si mospajtimet ndërmjet grupacioneve dhe sekteve në Islam.
b) Mospajtim i lejuar, ku ndryshimi i mendimit në atë çështje është i lejuar dhe i pranuar, si ndryshimet në mes mendimeve të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Malikut (Allahu i mëshiroftë!). Është një lëmi e njohur te dijetarët ku quhet “Fikhu Ihtilaf” (Fikhu i mospajtimeve), ku kanë shkruar dhe ekzistojnë libra të shumtë që shpjegojnë gjërat që kanë të bëjnë me ndryshimin e mendimeve dhe mospajtimeve dhe shpresojmë në të ardhmen ta gjejmë njërën nga këto libra të përkthyer në gjuhën shqipe.
[2] Si p.sh.: hadithet që kanë qenë të përhapura dhe të njohura në Kufë, nga këto hadithe ka pasur që nuk kanë qenë të njohura tek dijetarët e Shamit apo Medinës dhe kështu me radhë.
[3] Kjo është porosia e katër dijetarëve më të mëdhenjë të medhhebeve dhe të gjithë dijetarët e mirfilltë thërrasin dhe praktika e tyre aludon në këtë.
[4] Shih “Mexhmu” Neveviu, vëll. III, f. 255. Vetë Neveviu ia kushton disa faqe kësaj çështjeje, po ashtu edhe dijetarë të tjerë.
[5] Përmendet kjo në “Bedaiu sanaiu” Kasani vëll. II, f. 22 etj.
[6] Ekzistojnë edhe disa raste të tjera, për të cilët disa dijetarë kanë deklaruar se është sunet ngritja e duarve, por nga frika e zgjerimit nuk do t’i trajtojmë ato.
[7] Shih “Mugni”, Ibën Kudame, vëllimi II, f. 170-171, “Fet`hul bari” Ibën Haxher, vëll. III, f. 278-280; “Mexhmu”, vëll.III, f. 252-254 etj.
[8] Transmeton Buhariu. Shih: “Fet’hul bari”, Vëll. II, f. 279; Muslimi, Vëll II, f. 192. Që të dy e transmetojnë këtë hadith me disa transmetime të ndryshme, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxheh, Darimiu, Maliku, Ahmedi.
[9] Transmeton Buhariu. Shih: “Fethul bari”, Vëll. II, f. 279.
[10] Këtë hadith imam Buhariu e transmeton me disa zinxhirë te transmetimeve të gjitha të sakta. Shih. “Fet’hul bari”, Vëll. II, f. 282.
[11] Transmeton Buhariu, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih, Ibën Maxheh
[12] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu e thotë hadithi është hasen sahih.
[13] Transmeton Buhariu në librin me titull “Libri mbi ngritjen e duarve”
[14] Shih librin “Kitabu reful jedejni fi salat”- “Libri mbi ngritjen e duarve në namaz”.
[15] Transmeton Ebu Davudi, Nesaiu, Imam Ahmedi në Musnedin e tij, gjithashtu e transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadithi është hasen, kurse ibën Hazmi thotë se hadithi është sahih.
[16] Transmeton Ebu Davudi (dhe thotë nuk është i vërtetë) dhe Imam Ahmedi.
[17] Transmeton Darekutniu dhe Bejhikiu, shih “Mexhmu” Neveviu, vëll.III, f. 255-258.
[18] Transmeton Bejhakiu; shih “Mexhmu” Neveviu.
[19] Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu.
[20] Transmeton Taberaniu
[21] Shih Euxhezil Mesalik ila Muveta – Imam Malik”, Muhamed Zekiria Kandehleviu, vëll. II, f. 49-53
[22] Shih “Euxhezil Mesalik ila Muveta – Imam Malik”, Muhamed Zekiria Kandehleviu, vëll. II, f. 49-53
[23] Kjo është përgjigja ndaj mendimit të kundërt të tyre dhe këtë përgjigje e përmendin pothuajse të gjithë ata që kanë folur për këtë çështje, më gjërësisht shih, “Bedaiu sanaiu” vëll. II, f. 51 dhe “Euxhezil Mesalik ila Muveta – Imam Malik”, Muhamed Zekiria Kandehleviu, vëll. II, f. 49-53
[24] Shih “Bedaiu sanaiu”, vëll.II, f.51-52
[25] Shih “ Mexhmu” , “Reful jedejni”, “Bediu sanaiu” Vëll.II, f. 47 etj.
[26] Shih “Fikhu suneh”, vëll. II, f.10
[27] “Mexhmu” Neveviu, Vëll. III, f. 258.
[28] Neveviu vazhdon në sqarimin e mangësive në hadith, por ne po ndalemi këtu, kurse për ata që dëshirojnë të vazhdojnë, le ta vazhdojnë në librin “Mexhmu” N