BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiMESAZH NGA ZEMRA DREJTUAR TË AFËRMVE

MESAZH NGA ZEMRA DREJTUAR TË AFËRMVE

MESAZH DREJTUAR TË AFËRMVE

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

I afërmi im,

Eselamu alejkum ue rahmetullah!

Iu përvesha kësaj pune, duke dashur t’i përshkruaj në mënyrë sa më të shkurtër kushtet që Allahu i përcaktoi për njerëzit, të cilët dëshirojnë ta besojnë dhe ta respektojnë Krijuesin e tyre, në mënyrën më të mirë që Ai e meriton.

Ky artikull ka përmbajtje të shkurtër, ashtu siç është edhe Islami – i lehtë, i thjeshtë dhe i afërt për çdokënd. Ia dërgoj këtë mesazh të gjithë të afërmve të mi qofshin këta nga ana e babait apo nënës time. E bëj këtë për të hequr nga shpatullat e mia barrën që Allahu më ka ngarkuar, duke më dhënë mundësinë të studioj e praktikoj fenë e pastër islame. E bëj këtë për të qenë i larë me ju Ditën e Gjykimit, ditën kur nuk të bën më dobi pasuria e fëmija, ditën kur nëna do të braktisë foshnjën e saj, nëna nuk do të pyesë për fëmijën, e as fëmija për prindin.

Këto janë disa fjalë që jua dërgoj dhe lus Allahun që të ketë dobi, nëse dëshiron të dish më tepër apo të më pyesësh për diçka që nuk e kupton në lidhje me fenë, të lutem më telefono ose më shkruaj sepse me lejen e Allahut do të të përgjigjem. Nëse dëshiron literaturë islame për ta lexuar, e jo për të mbushur raftet, më kërko unë do të jem i gatshëm të plotësoj kërkesat e tua.

Zoti na udhëzoftë në të mira e na bashkoftë me të mira në këtë botë e në botën tjetër!

I Dërguari i Zotit, Muhamedi (alejhi selam) thotë:

“Vërtet feja është lehtësi, dhe kushdo që e vështirëson fenë, ajo e braktis atë!…”[1]

Kjo temë bazohet në ndodhinë që e ka transmetuar Umeri (Zoti qoftë i kënaqur prej tij):

“Një ditë ishim duke ndenjur tek i Dërguari i Allahut (alejhi selam), kur erdhi një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk dukeshin shenja udhëtari dhe askush prej nesh nuk e njihte. U ul pranë të Dërguarit të Allahut(alejhi selam), duke i mbështetur gjunjët e veta në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha: “ O Muhamed, më trego ç’është Islami?[2]

I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i tha: “ Islam është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, të kryesh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të vizitosh Qaben, nëse ke mundësi.”

Ai tha: “Të vërtetën the.”

Ne u çuditëm. Umeri thotë: “ E pyet dhe ia pohon fjalët sikur të dinte përgjigjen. Pastaj tha: “ Më trego ç’është imani?”[3]

I Dërguari i Allahut (alejhi selam) tha: “ Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin (kaderin) i mirë qoftë për ty, apo i keq, është prej Allahut.”

-Të vërtetën e the- tha ai, dhe shtoi: “Më trego ç’është ihsani?”[4]

Muhamedi (alejhi selam) tha: “Të adhurosh Allahun sikur ta shohësh, edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të shikon ty.”

Tha: “ Më trego kur është çasti (i fundit, Dita e shkatërrimit)?”

Muhamedi (alejhi selam) tha: “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai që po e pyet.”

Tha: “ Më trego mbi shenjat e tij?”

Muhamedi (alejhi selam) tha: “Kur robëresha të lindë padronen e saj, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si bëjnë gara në ndërtimin e godinave të mëdha.”

Pastaj ai shkoi – thotë Umeri. Pas disa kohësh i Dërguari (alejhi selam) më tha: “ O Umer, a e di se kush ishte pyetësi?”

Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.

Tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’iu mësojë ju fenë tuaj.[5]”

Kushtet Islamit janë:

1. Dëshmia (shehadeti)

2. Falja (namazi)

3. Zekati

4. Agjërimi

5. Haxhi në Mekë (për atë që ka mundësi)

Kushtet e nënshtrimit ndaj Zotit janë të përcaktuara për të gjithë njerëzit. Ata që i pranojnë këto kushte, marrin emrin “muslimanë” (të nënshtruar), duke u bërë kështu pjesëtarë të unitetit që (momentalisht) numëron rreth 1.5 miliardë besimtarë. Moskryerja e ndonjë prej këtyre kushteve, rezulton vuajtje (qoftë shpirtërore ose trupore) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër dënim të rreptë. Nga ana tjetër, kryerja e tyre vërteton sinqeritetin në nënshtrim ndaj Zotit, ndërsa në botën tjetër siguron shpërblimet e papërshkrueshme.

1. Dëshmia (shehadeti)

Me pranimin e Islamit, çdo njeri e ka për obligim që ta shprehë këtë edhe haptazi, duke e thënë dëshminë në gjuhën arabe:

“Eshhedu en la ilahe il Allah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu.”

“Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet zot tjetër përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi (alejhi selam) është rob dhe i dërguar i Tij.”

2. Falja (namazi)

Pasiqë vendos t’i nënshtrohet urdhrave të Krijuesit të Tij, muslimani e ka për obligim faljen e pesë namazeve në kohët e tyre:

Sabahut

Drekës

Ikindisë

Akshamit

Jacisë

Është obligim që namazet të falen në kohën fillestare, mirëpo në rast të mospasjes kohë për shkak të ndonjë pune të domosdoshme, gjumit, harresës etj, falja mund të shtyhet deri në fundin e intervalit të përcaktuar për faljen e atij namazi.

Sabahu falet në agim, që kur fillon dallimi mes errësirës së natës dhe dritës së zbehtë të mëngjesit dhe vazhdon deri para lindjes së diellit.

Dreka falet pasi dielli ka arritur në kupë të qiellit, deri në atë pozicion kur hija e objektit fiton gjatësinë e vet objektit.

Ikindia (pasditja) falet menjëherë pas mbarimit të kohës së përcaktuar për faljen e drekës dhe vazhdon deri para perëndimit të diellit.

Akshami fillon pas perëndimit të diellit deri në errësimin e horizontit.

Jacia (mbrëmja) falet pasi që horizonti errësohet plotësisht, deri para agimit.

Duhet theksuar se rreth faljes së namazeve ka lehtësime të mëdha për njerëzit e sëmurë, ata që kanë obligime, mysafirët etj, por lënia e namazeve me qëllim nuk justifikohet me asgjë, ndërsa në rast të lënies së ndonjë namazi pa qëllim, ose me harresë, namazi duhet të falet në momentin kur të kujtohet. Allahu i fal të gjitha mëkatet që bëhen paqëllim, ose nga padija, mirëpo, siç e kemi përmendur edhe më parë, për lënien e ndonjërit nga kushtet e Islamit qëllimisht, pason dënim i rreptë në botën tjetër, ndërsa për atë që mohon faljen e namazit ose një nga pesë kushtet e Islamit, qëndrimi Islam është se del nga feja dhe bëhet jobesimtar.

3. Zekati

Zekati është obligim për personin, pasuria e të cilit arrin kuotën, e cila për pasurinë në para dhe mall për tregti, arrin vlerën prej 85 gramë ari e më tepër, nga e cila duhet dhënë 2,5%, atëherë kur pasuria mbush një vit të plotë në pronësi të pronarit të saj.

Dobitë e zekatit janë të shumanshme: I pasuri jep të tepërtën, ndërsa i varfëri merr atë që i mungon, dhe kështu bëhet plotësimi i detyrës së njërit dhe nevojës së tjetrit.

4. Agjërimi

Një muaj në vit, gjatë muajit Ramazan, muslimani e ka për obligim agjërimin prej agimit (kur fillon të dallohet nata nga dita) deri në perëndimin e diellit. Gjatë ditës ndalohet çdo lloj ushqimi, pije dhe marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve, ndërsa gjatë natës këto lejohen.

5. Haxhi

Për muslimanët që e sigurojnë familjen e tyre nga varfëria dhe që kanë mundësi financiare për kryerjen e haxhit, kjo bëhet kusht i domosdoshëm.

Kryerja e haxhit sipas rregullave të caktuara dhe me sinqeritet, rezulton falje mëkatesh nga ana e Allahut. Një prej dobive tjera të haxhit për muslimanët është edhe se ai paraqitet në formën e një tubimi vjetor. Gjatë kohës kur ai mbahet, mes muslimanëve nga të gjitha viset e botës shkëmbehen mendime dhe përvoja nga më të ndryshmet.

Kushtet e besimit (Imanit) janë:

1. Besimi në Zotin

2. Besimi në melekët (engjëjt)

3. Besimi në librat e shpallura

4. Besimi në të dërguarit

5. Besimi në ditën e Gjykimit

6. Besimi në përcaktimin e Zotit

Imani – besimi, është shkallë e fesë kur njeriu fillon ta ndiejë kënaqësinë e asaj së cilës i është nënshtruar – Ligjit të përsosur të Zotit.

1. Besimi në Zotin

Nga përvoja e dimë se çdo send që ka formë, ka formuesin e vet. Projektin e ndërtesës e ka vizatuar arkitekti, tavolinës ia ka dhënë formën përfundimtare zdrukthëtari, gota është ndërtuar në fabrikë, etj. Mirëpo, përsëri diçka mbetet e paqartë: a thua është e njëjtë dhënia e formës me krijimin e materies së parë? Këtu hasim dy shprehje: formim dhe krijim. Formim do të thotë t’i japësh formën asaj që ka ekzistuar më parë, ndërsa krijim do të thotë të shpikësh diçka që nuk ka ekzistuar kurrë. Punëtori i cili ndërton një shtëpi, e ndërton atë prej tullave, dhe në këtë rast ai është formues e jo krijues. Prejardhja e tullave është nga dheu, pra përsëri bëhet fjalë për dhënien formë të materies e cila ka ekzistuar më parë, pra dheut, ndërsa qëllimi i këtij shkallëzimi pyetjesh është se: kush krijoi dheun – tokën? Pastaj kush krijoi ajrin, ujin dhe të gjithë atë që e shohim – gjithësinë?! Kush krijoi materien e parë prej së cilës u formuan të tjerat???

Për këtë çështje njerëzit, e madje edhe shkencëtarët më të mëdhenj ndahen në dy grupe. Njëri grup nuk e di përgjigjen në pyetjen përfundimtare ose thotë se krijimi i materies ka ndodhur rastësisht, ndërsa grupi tjetër thonë se Krijues i të gjitha këtyre është Zoti-Allahu.

Ata që thonë se gjithçka është krijuar rastësisht, bien në kundërshtim me logjikën e pastër dhe shkencën, sepse nga asgjëja nuk mund të krijohet diçka.[6][6] Pastaj, ligjet të cilave u nënshtrohet gjithësia nuk janë aspak të thjeshta: planetet nuk janë vetëm topa të mëdhenj që rrotullohen andej-këndej pa qëllim të caktuar, madje edhe për atomin (struktura e të cilit i ngjan shumë strukturës së një sistemi planetar) vlejnë ligje të ngjashme, siç janë ato të planetëve.[7] E gjithë kjo sinjalizon se ato i ka krijuar një Krijues-Zoti. Shkencëtari amerikan Cressy Morrison[8] jep një shembull mjaft të mirë për këtë. Ai thotë: “Merri dhjetë kokrra fasule dhe në çdonjërën prej tyre shëno numrat prej 1-10. Futi ato në xhep, përzieji me dorë dhe përpiqu që ta nxjerrësh kokrrën me numrin 1. Mundësia për ta bërë këtë do të jetë një me dhjetë (1:10). Nëse do të përpiqeshe t’i nxjerrësh me radhë numrat një dhe dy, mundësia për këtë do të ishte një me njëqind (1:100), mundësia e nxjerrjes së numrave 1, 2, 3, dhe 4 me radhë do të ishte një me dhjetë mijë (1:10.000), ndërsa mundësia e nxjerrjes së dhjetë numrave prej një deri dhjetë me radhë do të ishte një me dhjetë bilion: 1:10.000.000.000 !!!”

Kur dihet se trupat në gjithësi lëvizin me një precizitet të madh, duke mos u ndeshur njëri me tjetrin, me këtë rast mundësia e ndeshjes së tyre nuk është sikur t’i nxjerrësh dhjetë groshë prej xhepit me radhitje të parapërcaktuar, por kjo mundësi është shumë më e madhe, atëherë përgjigjja se gjithësia është krijuar rastësisht dhe udhëhiqet me ligj të rastësishëm, vërtet duket e dalë nga goja e njeriut që nuk ka menduar mjaft për t’u përgjigjur, por është përgjigjur rastësisht.

Këto janë vetëm disa nga argumentet më të thjeshta që dëshmojnë ekzistencën e Krijuesit dhe Ligjdhënësit të së gjithë asaj që ekziston, asaj që shihet dhe që nuk shihet. Argumente të tjera njeriu sheh në çdo hap të jetës, por prej tij varet se a do t’i pranojë ato apo do t’i refuzojë, ai zgjedh vetë se cilit prej dy grupeve do t’i takojë.

Këtu vijnë në kundërshtim të madh grupet e lartpërmendur. Grupi i cili mohon ekzistencën e Zotit thotë se nëse Ai vërtet ekziston, atëherë përse Atë askush nuk mund ta shohë? Për këtë ekziston një përgjigje mjaft logjike. Nëse Zotin do të mundej ta shikojë çdokush, atëherë çfarë qëllimi do të kishte krijimi i gjithësisë? Nëse Ai do të dukej, të gjithë njerëzit do ta besonin ekzistencën e Tij dhe do të mbretëronte paqja dhe harmonia absolute. Por, qëllimi i krijimit të gjithësisë është që të dallohen mosbesimtari dhe dyfytyrëshi nga besimtari, ndërsa në Ditën e Gjykimit do të ndahen këta dy grupe (njëri për dënim, e tjetri për mëshirë) dhe çdokush do ta fitojë atë që e ka merituar sipas besimit dhe veprave.

2. Besimi në melekët (engjujt)

Melekët janë qenie që Zoti i krijoi nga drita. Ata kanë për detyrë kryerjen e detyrave që ua jep Zoti, dhe i kryejnë ato pa hezituar.

Prej detyrave të tyre mund të numërohen: bartja e erërave, furnizimi, marrja e shpirtrave (në momentin e caktuar), shënimi i veprave të njeriut etj.

Një ndër dallimet esenciale mes njerëzve dhe melekëve është se njerëzit kanë lirinë e zgjedhjes së rrugës jetësore; mund të zgjedhin besimin ose mosbesimin.

3. Besimi në librat e shpallura

Për t’ua treguar njerëzve rrugën e besimit dhe të mirësisë, Zoti nuk i la ata të bredhin nëpër tokë ashtu siç duan vetë, por u dërgoi shpallje, ligje me anë të njerëzve të zgjedhur. Profet (i dërguari nga Allahu) pranonte shpalljet nga Zoti në formë inspirimi dhe ia përcillte popullit dhe kështu në mesin e popullit formohej një grup besimtarësh. Shpalljet janë shkruar në gur, dru, lëkurë etj. Në dallim nga besimtarët, gjithmonë ka pasur njerëz që shpalljet nuk i kanë besuar, e madje kanë luftuar për zhdukjen e tyre. Kështu origjinaliteti i shpalljeve është humbur, por Zoti vazhdimisht ka dërguar shpallje të tjera, për ta ripërtërirë besimin në mesin e njerëzve.

Është e njohur se çdo Lajmëtar i Zotit ka qenë i frymëzuar nga Zoti, ndërsa si shpallje më të përmendura njihen shpalljet e Ibrahimit (alejhi selam), Musait (alejhi selam), Daudit (alejhi selam), Isait (alejhi selam) dhe në fund, Muhamedit (alejhi salatu ue selam).

Të gjitha këto shpallje janë humbur ose deformuar nga dora e njeriut, përveç shpalljes së fundit, Kuranit, të cilin kishte nder t’ua transmetojë njerëzve i zgjedhuri Muhamed (alejhi selam). Pra, nga kushtet e besimit është të besuarit se Zoti ka dërguar shpallje, prej të cilave vetëm Kurani mbeti i padevijuar, me të cilin duhet të udhëhiqet jeta në tokë.

4. Besimi në të dërguarit

Më lart cekëm disa nga të dërguarit dhe qëllimin e dërgimit të tyre: transmetimin e ligjit të Zotit njerëzve. Besimtari duhet të besojë në të gjithë të Dërguarit e Zotit, prej Ademit (alejhi selam), (Ibrahimin (alejhi selam), Nuhun (alejhi selam), Musain (alejhi selam), Isain (alejhi selam) etj.) deri në Muhamedin (alejhi selam), pa bërë dallim mes tyre.

5. Besimi në ditën e Gjykimit

Në këtë botë bëhen shumë padrejtësi. Kur dihet se çdo kënd i gjithësisë udhëhiqet me një ligj të përsosur dhe harmonik, të cilin e ka vendosur Zoti, është çudi si ky ligj nuk vlen edhe për njerëzit në tokë? Përse vetëm në tokë ka padrejtësi, gjakderdhje, luftëra, uri dhe sëmundje? Kjo arsyetohet me atë se vetëm njeriu ka lirinë e të zgjedhurit. Nuk ka dyshim se Zoti, Ligjdhënësi më i Drejtë, drejtësinë e vet do ta realizojë një ditë, e kjo është Dita e Gjykimit, kur çdokush do ta japë llogari, se si e ka kaluar jetën në këtë botë: prindi do të shpërblehet se e ka ushqyer fëmijën, fëmija do të shpërblehet se e ka dëgjuar prindin, i sëmuri do të shpërblehet se i ka duruar dhembjet dhe mundimet e sëmundjes, i dëmtuari do të shpërblehet se i është mbështetur Zotit kur e kanë dëmtuar… Nga ana tjetër, dijetari do të dënohet po të ketë mësuar vetëm që njerëzit të thonë se është i ditur, heroi do të dënohet po të ketë treguar trimëri vetëm që të thonë se është guximtar, ndërsa pasaniku do të dënohet po të ketë dhënë lëmoshë vetëm që të thonë se është bujar. Çdokush do ta japë llogarinë se si e ka kaluar jetën në këtë botë: në besim, duke bërë vepra të mira vetëm për hir të Zotit, ose në mosbesim dhe duke i bërë veprat për hir të tjetërkujt përveç Zotit, qofshin ato vepra të mira ose të këqija.

Pra kjo është ajo ditë kur realizohet drejtësia absolute.

6. Besimi në përcaktimin e Zotit

Allahu kohë pas kohe ia ka treguar njeriut udhëzimin mes shpalljeve të Tij. Përsa i takon besimit, njeriu gjithmonë ka patur lirinë e zgjedhjes. Në Kuran thuhet: “…kush do, le të besojë, e kush do, le të mohojë…”[9]

Mirëpo, gjithmonë kanë ekzistuar disa çështje për të cilat njeriu nuk ka pasur fuqi që t’i ndryshojë, si p.sh. ligjet “natyrore”, momentin e lindjes dhe vdekjes, furnizimin, etj. Këto përcaktime njeriu edhe të përpiqet, nuk mund t’i ndryshojë. Prandaj, besimtari e ka për obligim që të besojë se çdo gjë që i ka ndodhur, qoftë e mirë ose e keqe, i ka ndodhur me lejen e Allahut. Urtësia e këtij kushti të besimit shpjegohet në këta ajete:

“Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime para se të ngjajë, e kjo për Allahun është lehtë, ashtu që të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka ndodhur, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai ju ka dhënë, se Allahu nuk e do asnjë arrogant, lavdidashës.”[10]

Pra, me besimin e këtij kushti, në rast fatkeqësie besimtari fiton vullnet për të vazhduar jetën, ndërsa në gjendje të mirëqenies nuk jepet shumë pas gëzimit, sepse nuk e di se ç’mund t’i ndodhë të nesërmen, dhe kështu ia jep respektin e duhur Zotit të vet në të dy rastet.

Kushti i mirësisë (Ihsanit)”

Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh, edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të shikon ty.

Ihsani është kulminacioni i fesë. Kjo është gjendja kur njeriu është më i bindur më i palëkundshëm në ekzistencën e Zotit të vet dhe e adhuron Atë ashtu siç është i urdhëruar, me këtë rast fitohet kënaqësia dyanëshe dhe harmonia mes krijesës dhe Krijuesit të vet.

E lus Allahun që të na e mundësojë këtë shkallë të besimit!

Së fundi ju kujtoj se unë e bëra detyrën time, tani mbetet që ju të reagoni ndaj kësaj që lexuat. Nëse ke nevojë për më shumë, mos hezito të kërkosh. Kjo jetë është e shkurtër.

Falënderimi i takon Allahut që na e mundësoi shkrimin e këtij mesazhi, paqja dhe mëshira qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (alejhi selam), mbi ne dhe mbi të gjithë besimtarët!

Përgatiti: Besnik Kasemi
Burimijetes.info

[2] Islam do të thotë nënshtrim, dorëzim.

[3] Iman do të thotë besim, bindje.

[4] Ihsan do të thotë mirësi, etikë.

[5] Transmeton Muslimi (gjithashtu gjendet në “Rijadus-Salihin”, hadithi n. 61)

[6] Luj Pasteri e vërtetoi rreth një shekull më parë këtë fakt shkencor me metodën që sot mban emrin “pasterizim”.

[7] P.sh: rrotullimi i elektroneve rreth bërthamës atomike i ngjan shumë rrotullimit të planetëve të sistemit tonë rreth diellit.

[8] Cressy Morrison shkroi librin “MAN DOES NOT STAND ALONE” ku vërteton me argumente shkencore ekzistencën e Allahut, si përgjigje librit të Julian Huxley-t “MAN STANDS ALONE”, në të cilin ai pretendon se shkenca mohon ekzistimin e Zotit.

[9] Kehf: 29

[10] Hadid: 22, 23

Must Read