Umar Mita, ekonomist (Japoni)
Gjatë tre vjetëve të fundit, me Mëshirën e All-llahut, jam duke kaluar një jetë të lumtur muslimane. Rruga e drejtë e jetës, siç na mëson Feja Islame, më është treguar nga vëllezërit misionarë pakistanezë, të cilët e vizituan atdheun tim (Japoninë), e ndaj të cilëve jam shumë mirënjohës.
Shumica e popullit tonë janë budistë, por ata janë budistë vetëm me emër. Ata nuk e zbatojnë Budizmin e as që kanë njohuri fetare. Arsyeja kryesore për këtë gjendje apatike është fakti se Budizmi paraqet një filozofi të ndërlikuar dhe nuk ofron diçka praktike. Për njeriun e thjeshtë, i cili është i ngarkuar me problemet e jetës, ështe i paarritshëm, i pakuptueshëm dhe i pazbatueshëm. E kjo nuk ndodh me Fenë Islame.
Mësimet e Fesë Islame janë të thjeshta, përparimtare dhe shumë praktike. Ato na drejtojnë në të gjitha fushat e jetës, e formulojnë mendimin e njeriut dhe kur të menduarit është i kthjellët, veprimet e pastra ndiqen vetvetiu. Mësimet islame janë aq të thjeshta, të lehta dhe aq praktike, saqë çdo njeri mund t’i kuptojë e t’i zbatojë në jetë. Ato nuk janë monopol i priftërinjve, siç ndodh në religjionet e tjera. Feja Islame në Japoni ka një ardhmëri që premton. Japonezët po bëhen përditë e më tepër materialistë dhe më të dëshpëruar. Atyre duhet t’u tregohet se paqja e vërtetë është në Fenë Islame, që është një kod i përsosur për jetë dhe udhërrëfyese e të gjitha fushave të jetës.
Nëse Islami do të ketë sukses në Japoni, për të cilin jam fare i sigurt se një ditë do të ketë, të gjithë ata që e duan Fenë Islame do të duhet të mendojnë për këtë çështje dhe të përpi-qen e të bashkëveprojnë për këtë qëllim.
Jeta praktike e muslimanëve të këtillë, që janë besimtarë të vërtetë, mund të jetë shembull për të tjerët. Ata duhet ta vizitojnë Japoninë dhe ta mësojnë e udhëzojnë popullin në Fenë Islame. Populli ynë është i etshëm për paqe, për të vërtetën, për sinqeritetin dhe për çdo të mirë në jetë, andaj unë kam besim e shpresë se Islami mund ta shuajë etjen e pjesëtarëve të tij.
Islam do të thotë Paqe dhe s’ka popull në botë që e dëshiron paqen më shumë se japonezët. Paqja e vërtetë mund të vendoset vetëm duke e pranuar Fenë e Paqes (Islamin). Paqe me vetveten, paqe me njerëzit dhe paqe me Zotin. Vëllazërimi në Fenë Islame është një parim i veçantë dhe në të qëndron shpëtimi i njerëzimit.
Me mëshirën e All-llahut, pastaj me ndihmën e vëllezërve misionarë pakistanezë, e pranova Fenë Islame dhe në këto tri vitet e fundit jam duke jetuar një jetë të lumtur muslimane.
Burimi: http://www.islamifejaevertete.com/