BallinaAKTUALEKurioziteteKalon provimin me 99.95 për qind – dhe ankohet!

Kalon provimin me 99.95 për qind – dhe ankohet!

 

Kalon provimin me 99.95 për qind – dhe ankohet!

 

Një studente në Australi është bërë objekt talljeje pasi e ka kaluar provimin e saj të maturës me rezultat 99.95 për qind – i dyti më i lartë i mundshëm – dhe më pas ka apeluar kundër tij.
Sarah Hui Xin Wong, ish-nxënëse e një shkolle elitare private për femra në Sidnei, ka thënë se ka pasur një problem me kyçin e dorës, se është përballur me diskriminim dhe se rezultati i saj duhet të kishte qenë 100 për qind.
Rezultati i saj, për pranim në universitet, nënkupton se ajo i ka mundur 99.95 për qind të studentëve të tjerë, por ajo beson se do të kishte marrë maksimumin nëse do të ishte trajtuar ashtu si duhet.
Zonjusha Wong është përqeshur për apelin e saj kundër rezultatit të provimit të maturës, ashtu sikurse edhe e ëma e saj, e cila kishte paraqitur ankesën fillestare në bordin e studimeve.
“Çka do të ndryshojë 0.05 përqindëshi i mbetur?”, ka thënë një komentues në ueb-sajtin “news.com.au” të gazetave të kompanisë “News Limited”. “Nëna duhet të zmbrapset”.
Një tjetër ka thënë se “kjo me gjasë është një marifet për publicitet nga prindërit e saj që të tjerët të marrin vesh për talentin e saj”. Zonjusha Wong, tani 21-vjeçare, e ka humbur apelin e saj në një gjykatë shtetërore, pasi ka pohuar se do të kishte arritur rezultat më të mirë nëse do t’i ishte dhënë kohë shtesë apo do t’i ishte lejuar përdorimi i kompjuterit.
Studentja ka probleme me kyçin dhe me dorën e saj, andaj ka argumentuar se bordi i studimeve nuk i ka ofruar ndihmë gjatë provimeve të saj të anglishtes dhe të historisë.
Wong, e cila tani studion për të marrë një diplomë të kombinuar në shkencë dhe mjekësi në Universitetin e Sidneit, më të vjetrin në vend, ka thënë se ka pranuar se rezultati i saj ishte i mirë për një “person normal”, por se beson se problemet e saj fizike nuk janë marrë parasysh nga testuesit. Ajo ka thënë se ka humbur shenja vitale gjatë fundit të provimit, ngaqë dora e saj ishte mpirë dhe shkrimi në letër ishte bërë i palexueshëm.
“Puna nuk është se kam punuar keq”, i ka thënë ajo gazetës “The Sydney Morning Herald” më parë këtë vit. “Kam punuar mirë. Mirë siç mund ta konsiderojë një njeri normal. Por, njeriu do që problemet e tij fizike t’i merren parasysh, që të mund të jetë në gjendje që t’i shprehë ato gjëra që i di, përndryshe nuk është test i drejtë i njohurisë”.
Pretendimi i çuditshëm i Wongut, e cila ka përfunduar shkollën “Abbotsleigh” në veri të Sidneit, është raportuar dhe përqeshur në shumë medie të botës. (The Daily Telegraph) (Zëri)

Must Read