Allahu i Lartmadhërishëm e krijoi Iblisin i cili është baza e çdo degjenerimi, prej të cilit buron çdo prishje në këtë botë, qoftë në fe, besim, ego e dyshim. Iblisi është shkak për dëshpërimin e robërve dhe është shkak që ata të bëjnë vepra që e zemërojnë Allahun e Lartësuar. Megjithatë ai është mjet për ekzistimin e shumë gjërave të dashura dhe urtësive të mëdha.
Para se të flasim për këto urtësi, është e udhës që të tërheqim vërejtjen rreth një çështjeje të rëndësishme: nuk është e domosdoshme kur të pohohen veprimet e Allahut se kanë urtësi dhe dobi, të dihet urtësia e çdo vepre dhe çështjeje. Mirëpo është obligim që muslimani të besojë se Allahu i Lartësuar ka urtësi të qarta.
Allahu i Lartmadhërishëm nuk ua ka mundësuar krijesave të Tij të dinë urtësinë e çdo gjëje, mirëpo u mësoi atë që deshi, ndërsa atë që ua fshehu është më e shumtë sesa ajo që e dinë. Andaj, është obligim për muslimanin të besojë se veprimet dhe urdhrat e Allahut kanë urtësi të mëdha, që mendjet i hutojnë: mbase mund t’i perceptojnë ato, mbase jo.
Urtësitë e Allahut rreth krijimit të Iblisit
Nëse meditojmë rreth krijimit të Iblisit, gjejmë urtësi të shumta:
Urtësia e parë: Që robërve t’u shfaqet fuqia e Allahut të Lartësuar, se Ai ka mundësi t’i krijojë gjërat e kundërta mes vete dhe që janë përballë njëra-tjetrës. E krijoi këtë qenie (Iblisin), që është qenia më e poshtër dhe shkak i çdo të keqeje. Përballë tij e krijoi qenien e Xhibrilit, që është qenia më e çmuar e më e dëlirë dhe është bazë e çdo të mire. I lartësuar qoftë Ai që i ka krijuar këta të dy! Gjithashtu fuqia e Tij është shfaqur në krijimin e natës dhe ditës, sëmundjes dhe ilaçit, vdekjes dhe jetës, së bukurës dhe së shëmtuarës. Bukurinë e së kundërtës e shfaq e kundërta (lexo: bukuria e monoteizmit njihet kur dihet shëmtueshmëria e idhujtarisë). Ky është argumenti më i madh që tregon fuqinë, krenarinë, mbretërinë dhe pushtetin e Tij të plotë.
Urtësia e dytë: Që të dashurve të Tij t’ua plotësojë ubudijen (të qenët robër të Allahut). Kjo realizohet duke e luftuar Iblisin dhe partinë e tij, duke e zemëruar me adhurimin që ia kushtojnë Allahut, duke kërkuar mbrojtje tek Allahu kundrejt tij dhe duke u drejtuar tek Allahu për t’i mbrojtur prej Iblisit dhe kurtheve të tij.
Prej kësaj del në pah se dashuria, kthimi tek Allahu me pendim, mbështetja, durimi, kënaqësia e të ngjashme janë llojet më të dashura të adhurimit tek Allahu. Kjo realizohet dhe jetësohet duke e luftuar nefsin (egon) dhe duke i dhënë përparësi dashurisë së Tij kundër dashurisë së çdokujt tjetër. Kështu, krijimi i Iblisit ishte shkak për ekzistimin e këtyre çështjeve.
Urtësia e tretë: Allahu e krijoi Iblisin që të jetë qendër sprovimi me të cilin njerëzi sprovohen, që të diferencohet i keqi nga i miri.
Urtësia e katërt: Shfaqja e gjurmëve të emrave të Allahut të Lartësuar, gjërave që aludojnë për emrat e Tij dhe që kanë lidhje të ngushtë me Të. Prej emrave të Tij është er Rafi (Lartngritësi), el Hafid (Mposhtësi), el Muizz (Krenarbërësi), el Mudhil-l (Poshtëruesi), el Hakem (Gjykuesi), el Adl (i Drejti).
Këta emra i patjetërsojnë ato gjëra që kanë lidhje me to, gjë që bën të shfaqen dispozitat e tyre në to.
Kështu, krijimi i Iblisit është shkak i shfaqjes së gjurmëve të këtyre emrave, se, po të ishin krejt njerëzit të nënshtruar dhe besimtarë, nuk do të shfaqeshin gjurmët e këtyre emrave.
Shejh Dr. Abdurrahman El AkliPërktheu: Burim Halit Koçinaj
Boton: Sh.b. Fjala e Bukur – Botime