Ajete dhe hadithe për 73 grupet, muzikën dhe dhënien e dorës gjinisë tjetër
Pyetja:
Selam alejkum të nderuar!
Dëshiroj të di për disa çështje e më interesojnë ajete dhe hadithe të sakta, sepse, po të hyj e të hulumtoj në Kuran e në Rijadusalihin, nuk do mund të lexoj shumë, pasi jam sëmurë prej syve. U drejtova këtu, që të mund të m’i shkruani disa ajete dhe disa hadithe me numra; nëse është e mundur filan sure e filan ajet dhe, nëse ka mundësi, edhe hadithet me transmetime për:
1. 73 grupet, njëri prej të cilëve ka për të hyrë në xhenet, ndonjë ajet a hadith nëse mundeni;
2. vetëvrasjet, përkatësisht në luftëra;
3. muzikën;
4. çështjen e dorës, tek dhënia e dorës nga mashkulli femrës dhe femra mashkullit.
Kaq të nderuar. Nëse ka mundësi të më dërgoni disa ajete e hadithe si përgjigje për këto pyetje që i kam shkruar. S’po kërkoj fetva, por vetëm ajete dhe hadithe që flasin në mënyrë të qartë për këto çështje. Selam alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Me emër të Allahut, do të mundohemi t’ju gjejmë ajete dhe hadithe që flasin rreth çështjeve që ju kërkoni, por paraprakisht dëshirojmë t’ju bëjmë të ditur se do t`ju përmendim vetëm disa nga citatet të cilat flasin rreth atyre çështjeve e jo të gjitha ato që ekzistojnë, pasi për këtë nevojitet një qasje më e thellë dhe kohë.
1. Citate rreth ndarjes së umetit në 73 grupe
Sa i përket citateve që aludojnë për përçarjen dhe ndarjen e muslimanëve, kemi disa, por citati që e qartëson se umeti i Muhamedit salallahu alejhi ue selem do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe është hadithi të cilin e ka transmetuar Abdullah ibn Amr, i cili thotë se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë:
–Do të shfaqen në umetin tim ato veprime që u shfaqën te çifutët. Ata do të ecin me veprimet e tyre paralel me atë që bënë Beni Israilët, aq sa nëse ka pasur mes Beni Israilëve të tillë që u vinin nënave të tyre haptazi (d.m.th. bënin zina me nënat e tyre), do të ketë në umetin tim që do të veprojnë në këtë mënyrë. Vërtet Beni Israilët u përçanë në 72 grupe dhe ky umet do të përçahet në 73 grupe, të gjithë do të jenë në zjarr, përveç njërit.
-Kush është ky grup, o i Dërguari i Allahut (na e përshkruaj atë)?- i thanë shokët e tij. I Dërguari u tha:- Janë ata që e zbatojnë Islamin kështu si unë dhe shokët e mi.
Hadithin e shënon Tirmidhiu dhe Albani thotë hadithi është hasen. Ky hadith ka ardhur me disa transmetime, por në përgjithësi kuptimi është i njëjtë me disa ndryshime të vogla.
2. Citate rreth sulmeve vetëvrasëse
Për sulmet vetëvrasëse nuk kemi gjetur ndonjë citat të drejtpërdrejtë në Kuran apo në hadith, ku përmenden këto. Pasi juve ju interesojnë vetëm citatet që kanë të bëjnë me çështjet që dëshironi të kuptoni, ne nuk kemi çfarë të sjellim këtu.
3. Citate rreth muzikës dhe dëgjimit të saj
Rreth muzikës do të mundohemi të sjellim disa citate. Së pari, citate nga Kurani që kanë të bëjnë me muzikën:
Thotë Allahu i Lartësuar: “Po ka nga njerëzit që blenë tregime boshe e me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës se Allahut po pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet e) Allahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.” (Llukman, 6)
Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, është pyetur rreth domethënies së fjalës “tregime boshe”, e ai është përgjigjur: “Betohem në Allahun, përveç të Cilit s’ka zot tjetër, kuptimi i kësaj është “kënga”.
Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ajo (tregime boshe) është kënga dhe të ngjashmet me të.”
Muxhahidi dhe Akreme kanë thënë: “Tregime boshe” është dëgjimi i këngës dhe të kotave të tjera të ngjashme me të.”
Po të njëjtën fjalë kanë edhe krerët e komentuesve të Kuranit, siç janë: Akreme, El-Hasani, Seid bin Habiri, Katadeja, Ibrahim en-Neha’iu etj..Hasan el-Basri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ky ajet është shpallur në lidhje me këngën dhe instrumentet muzikore.” (Tafseer Ibn Katheer, 3/451)
b) Fjala e Allahut të Madhëruar: “(Zoti) Tha: “Shko, e kush prej tyre vjen pas teje, shpërblimi i juaj është xhehenemi, shpërblim i plotë. Dhe me atë alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre,…” (El-Isra, 63-64). Ibën Abbasi dhe Muxhahidi kanë thënë: “Zëri i shejtanit është kënga, fyejt dhe zbavitjet-argëtimet.”
c) Fjala e Allahut të Madhëruar: “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur kalojnë pranë të kotës (lagv), kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.” (Furkanë, 72)
Dijetarët dhe komentuesit e Kuranit, ndër të cilët është edhe Muxhahidi, Muhamed bin Hanefije dhe ibën Rexhebi, kanë thënë: “El-lagv është kënga.” Ndërsa Kurtubiu thotë: “El-lagv është çdo gjë e përçmuar prej fjalëve dhe veprave. Në këtë hyn edhe kënga, argëtimet etj..”
Së dyti, citate nga hadithi që kanë të bëjnë me muzikën:
a) Hadithi të cilin e transmeton Ebu Malik El-Esh’ariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të vijë një popull që do ta lejojë amoralitetin, mëndafshin, verën dhe mjete muzikore (el-meazif-muzika).” Kurse me një rivajet tjetër, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Nga umeti im me siguri do të ketë prej atyre që do ta bëjnë të lejuar zinanë, mëndafshin, alkoolin dhe veglat muzikore…” (Hadith i saktë, transmeton Buhariu si mualek 5590, Teberaniu, Bejhakiu, kurse e kanë klasifikuar sahih Sheikh Albani, Ibni Kajjimi dhe të tjerët.)
El-Xhevheriu (nga dijetarët e njohur të gjuhës) ka thënë: “El-meazif janë kënga dhe veglat (muzikore) argëtuese. “El-meazif” i thuhet çdo këngë dhe çdo loje argëtuese. Ndërsa “do ta lejojnë” do të thotë se do ta veprojnë sikur të ishte e lejuar, megjithëse është e ndaluar. Pra, ata i lejojnë defet dhe dëgjimin e këngëve dhe të muzikës, edhe pse ajo është e ndaluar.”
b) Hadithi të cilin e transmeton Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të ketë në këtë umet nënçmim, shpifje dhe shëmtim dhe kjo do të ndodhë kur të pinë verë, të luajnë me këngëtare dhe të luajnë me këngë-muzikë (el-meazif).” (Hadith i saktë, e nxori Termidhiu etj., dhe i vërtetuar nga Albani.)
c) Hadithi, të cilin e transmeton Ebu Malik El-Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me atë) se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nga umeti im do të ketë njerëz që do ta pinë verën duke e emërtuar me tjetër emër dhe do të luajnë me këngë e muzikë e Allahu do ta shafitë(lëshojë) tokën dhe prej tyre do t’i shndërrojë në majmunë dhe derra.”(Hadith i vërtetë, i nxjerrë nga Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu Ahmed Ibn Hanbeli, ibën Maxhe dhe Et-Taberaniu, Nesaiu, Imam Maliku, kurse e vërtetuan hadithin Sheikh Albani, Ibni Hibani, Ismaili, Ibni Salahi, Imam Neveviu, Ibn Tejmija, Ibn Kajim el Xheuzije, Ibni Azi Esanani, Ibni Kethiri, Ibni Haxher Eskalani, Imam Sahavi, Emir Salani.)
d) Transmeton Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut subhanehu ue te’ala ka thënë: “Shndërrohen popuj nga ky umet në kohët e fundit në majmunë dhe derra.” I thanë sahabët: “O i Dërguar i Allahut, a nuk janë ata pjesëtarë të fjalës “la ilahe ilallah muhamedun resulullah”?” Tha: “Gjithsesi, bile edhe agjërojnë, falen dhe bëjnë haxhin.”Ata thanë: “E si është puna e tyre?” Tha: “Përdorin mjetet muzikore, defet dhe këngëtaret luajnë duke pirë pije alkoolike dhe duke u dëfryer, pastaj zgjohen dhe veç janë shndërruar në majmunë dhe derra.” (Igathul Elehfan, f. 262 v.1, të Ibn Kajjimit)
e) Hadithi të cilin e transmeton Abdullah bin Amëri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë, Allahu xh.sh. ia ndaloi umetit tim verën, bixhozin, daullen dhe verën e hurmës.”(Hadith i saktë, i nxjerrë nga Et-Taberaniu dhe El-Bejhekiu, i vërtetuar nga Albani.)
f) Transmetohet se Naafi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ibn Umeri dëgjoi një instrument fryrës dhe vendosi gishtat e tij në veshë dhe u largua nga ajo rrugë. Ai më tha: “O Naafi, a dëgjon diçka?” Unë i thashë: “Jo.” Kështu, ai largoi gishtat nga veshët e tij dhe më tha: “Isha me të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem dhe ai dëgjoi diçka ngjashëm me këtë dhe veproi kështu.” (Sahih, Ebu Davud)
Së treti, citate nga sahabët rreth muzikës:
a) Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kënga dhe veglat muzikore janë fyejt e shejtanit.”
b) Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kënga mbjell hipokrizi në zemër.”
c) Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Defi është haram, veglat muzikore janë haram, daullja është haram dhe fyelli është haram.”
d) El-Kasim bin Muhamed (nga tabiinët) ka thënë: “Kënga është bosh (e pavlerë) dhe çdo (gjë) boshe është në zjarr.” Gjithashtu ka thënë El-Kasimi: “Kënga është pjesë e gënjeshtrës.”
Ai po ashtu ka thënë: “Kënga dhe veglat muzikore janë të ndaluara me ixhma.”
4. Citatet rreth dhënies së dorës meshkujve të huaj
a) Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë në një hadith, të cilin e transmeton Makal ibni Jesari, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Më mirë për ju është që të goditeni me një shufër (gjilpërë) hekuri, sesa të prekni gruan që nuk ju lejohet.” (Shënon Taberani dhe Bejhakiu.)
b) Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton: “Vallahi, nuk e ka prekur dora e Pejgamberit alejhi selam kurrë dorën e ndonjë femre (që nuk i lejohet).”
c) Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dy sytë bëjnë zina dhe zinaja e tyre është të shikuarit (e haramit). Dy veshët bëjnë zina dhe zinaja e tyre është të dëgjuarit (e haramit). Gjuha bën zina dhe zinaja e saj është të folurit (haram). Edhe dora bën zina dhe zinaja e saj është të prekurit (e haramit). Këmba bën zina dhe zinaja e saj është të ecurit (në haram). Zemra dëshiron dhe shpreson një gjë të tillë, ndërsa organi(seksual) e pranon ose e përgënjeshtron.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Këto ishin disa nga citatet që arritëm të sjellim rreth çështjeve që ju u interesuat të dini. Në fund, vetëm dëshirojmë të theksojmë se këto citate nuk janë të vetmet që ekzistojnë rreth këtyre gjërave, prandaj, nëse dëgjoni nga dikush ndonjë ajet apo hadith tjetër me të cilën argumenton mbi këto çështje, kjo nuk duhet të krijojë te ju hutim dhe paqartësi. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
11.5.2007
Burimi: http://www.klubikulturor.com