BallinaAKTUALEAnalizaPj. 3 - Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në...

Pj. 3 – Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh (Rregulli i dytë)

 

RREGULLI I DYTË

Nëse shfaqen fitne dhe pështjellohen situatat, mos gjyko për asgjë që ka të bëjë me fitnen, derisa të kesh një përfytyrim të plotë dhe të qartë të asaj që ndodh, duke zbatuar kështu rregullin që thotë: Gjykimi ndaj një gjëje, vjen pas përfytyrimit të saj.

Këtij rregulli i janë përmbajtur të gjithë njerëzit e mençur para Islamit dhe pas Islamit. Ne si argument për të, kemi librin e Allahut që thotë: ‘Mos shko pas diçkaje, për të cilën nuk ke dijeni!’[11] Pra, për gjërat që nuk i di dhe nuk ke një panoramë të qartë për to, mos fol! E aq më keq të bëhesh i pari në to, apo të të vijnë të tjerët nga pas, e të bëhesh gjykatës për to.

 

‘Gjykimi ndaj një gjëje vjen pas përfytyrimit të saj’

Këtë rregull njerëzit e zbatojnë në çështjet e rëndomta të tyre dhe në mjaft probleme të ndryshme. Mendja njerëzore patjetër duhet t’i përmbahet një rregulli të tillë dhe asnjë veprim nuk është i drejtë, përderisa nuk i përmbahet një rregulli të tillë. Nëse njeriu nuk i përmbahet një rregulli të tillë, ai padyshim që do të gabojë. Feja e njeh dhe e urdhëron këtë rregull mjaft qartë. Po jap disa shembuj që të bëhet më e qartë:

Shembull: Nëse do të pyes ndonjërin prej jush, duke i thënë: Çfarë gjykimi jep Islami për shitjen el-murabaha (fitimprurëse)?

Ndonjëri mund të thotë: Fitimi është i lejuar dhe feja nuk e ndalon atë, ndaj edhe shitja el-murabaha është e lejuar.

Ndërkohë që gjykimi i tij është i gabuar, sepse ky njeri nuk ka pasur një përfytyrim të qartë, se çfarë kuptohet me fjalën shitje el-murabaha. Ai ka menduar se el-murabaha do të thotë fitimi që nxirret nga shitja dhe kështu nga ky përfytyrim i gabuar, edhe gjykimi fetar doli i gabuar.

Një gjykim fetar duhet të bazohet mbi një përfytyrim të saktë. El-murabaha është një lloj shitjeje që nuk lejohet dhe që përdoret nga disa banka islamike dhe joislamike, si hile për të fshehur fajden. Kjo shitje bazohet në autorizimin e dikujt tjetër dhe pas autorizimit, vendoset një premtim i detyruar për t’u kryer. Autorizuesi është i detyruar që t’i përmbahet premtimit që ai i ka bërë të autorizuarit të tij dhe kjo nuk lejohet me fe, ndaj dhe shitja el-murabaha nuk lejohet.[12]

Një shembull tjetër që sqaron rregullin ‘Gjykimi ndaj një gjëje,vjen pas përfytyrimit të saj’: ‘Nëse do të pyes ndonjërin prej jush: Çfarë gjykimi ka për grupimin ‘dëshmitarët e Jehovait’, çfarë do të thoni?’

Nëse ndonjëri ka njohuri, do të thotë se çfarë grupimi është dhe se cili është gjykimi i Islamit për të. Por ndonjëri mund të thotë: nuk e kam idenë se çfarë është ky grupim dhe nuk kam dëgjuar për të, më parë. Në këtë rast, nuk je në gjendje të gjykosh nga ana fetare, sepse nuk ke një përfytyrim për këtë grupim se çfarë është dhe se ç’parime ka, a është një grupim islam, i krishterë apo çifut? [13] Pra, nuk mund të japësh një gjykim për të, vetëm se pasi ta njohësh atë.

Një gjykatësi, myftiu apo një personi që flet për çështjet e fesë, që të ruajë veten nga gjynahet, të drejtat e muslimanëve dhe të mos flasë në emër të Zotit pa dije, i duhet të dijë dy gjëra:

E para: Të ketë një përfytyrim të plotë dhe të qartë për çështjen në fjalë, që të mos i ngatërrohet me ndonjë çështje tjetër. Ndodh që çështjet të ngatërrohen për shkak të ngjashmërisë dhe afërsisë që mund të kenë dhe kështu, gabimisht me mendjen tënde, mund të zhvendosesh te ajo, e rrjedhimisht do të gabosh në gjykim.

E dyta: Të njohësh vendimin e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij për këtë çështje dhe jo për ndonjë çështje tjetër të ngjashme me të.

Nëse kjo u bë e qartë, këtu lind një pyetje e rëndësishme: Si mund ta arrij unë një përfytyrim të tillë? Si mund të kem një pamje të qartë për këtë çështje dhe nga kush mund ta marr këtë përfytyrim?

Çështjet shpeshherë janë të paqarta dhe shëmbëllejnë me njëra-tjetrën, e për disa të tjera, nuk do të gjej njeri të m’i bëjë të qarta ashtu siç duhet.

Përgjigjja për këtë është: Përfytyrimi mbi të cilin bazohet edhe një vendim i fesë, është ai që vjen:

Së pari: Nga ai që e kërkon fetvanë (gjykimin e fesë). Ky person është ai që përjeton një realitet të caktuar, e nëse pyetet dhe e shpjegon çështjen, nga kjo përftohet përfytyrimi i kërkuar. Ai që jep fetva, e jep këtë në bazë të përfytyrimit që i ka dhënë kërkuesi i fetvasë.

Dhe së dyti: Ky përfytyrim duhet të vijë nga muslimanë të drejtë e të paanshëm, të përpiktë dhe të besueshëm, të tillë që i përcjellin lajmet pa gabime, përndryshe nëse nuk do të jenë të tillë, do të gabojmë edhe në gjykimin e një çështjeje. E pra, patjetër që përcjellësi duhet të jetë i drejtë dhe i përpiktë në këtë çështje.

Në raste fitnesh dhe situata trazirash p.sh., nuk lejohet të marrim për bazë fjalët e mosbesimtarëve. Ata, mund të përmendin p.sh. përfytyrimin dhe analizat e tyre në ndonjë stacion apo revistë çfarëdo. Nga ana fetare, nuk lejohet që ne mbi të, të bazojmë një vendim të fesë, pasi një vendim i tillë, duhet të bazohet vetëm nga përcjellja e një muslimani të drejtë dhe të përpiktë.

Hadithet e Profetit (salallahu alejhi ue selem) nuk pranohen nga kushdo që i tregon ato, por vetëm në rastet kur zinxhiri i transmetimit (isnadi) nga fillimi deri në fund, përbëhet nga transmetues të drejtë dhe të përpiktë. Nëse në zinxhirin e transmetimit gjendet një njeri i prishur (fasik),[14] pra, me moral jo të mirë islam, apo ndonjë që nuk është i përpiktë dhe i ngatërron gjërat, nga ky person hadithi nuk pranohet dhe ky hadith nuk merret si bazë për të nxjerrë një gjykim fetar. Pra, është e domosdoshme që të zbatohet me kujdes një rregull i tillë.

Nëse do ta përmbledhim, mund të themi se rregulli që thotë: ‘Gjykimi ndaj një gjëje, vjen pas përfytyrimit të saj’, thelb të tij ka përfytyrimin, i cili mund të konsiderohet i drejtë nga ana fetare, vetëm nëse vjen nga një musliman i drejtë dhe i përpiktë, ose ka të bëjë me vetë atë që e kërkon fetvanë, edhe në qoftë fasik.



Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)

Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com


www.islamifejaevertete.com

VAZHDON…


________________________________________

[11] Sure El-isra: 36.

[12] Për ta sqaruar më tepër këtë lloj shitblerje, po japim një shembull: një person do të blejë një mall të caktuar, por duke mos pasur mundësi, e kërkon këtë nga banka, të cilës i premton dhe i ngelet peng, i detyruar që t’i paguajë asaj me këste, një shumë më të madhe sesa ajo me të cilën banka e ka blerë mallin. (sh.përkth)

[13] Ky material është shkruar vite më parë dhe në një vend ku nuk ekzistojnë dëshmitarët e Jehovait, Zoti na lëntë pa ta! (sh.përkth)

[14] Me termin fasik, sipas fesë konsiderohet ai person që kryen gjynahe të mëdha ose nuk u ndahet gjynaheve të vogla. (sh.përkth)

Must Read