BallinaAKTUALEAnalizaPj. 4 - Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në...

Pj. 4 – Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh (Rregulli i tretë)


 

RREGULLI I TRETË

 

Muslimani duhet të jetë në çdo rast i drejtë dhe i paanshëm.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: ‘Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj!’[15] dhe ‘Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut!’[16]

Kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe është sqaruar në mënyrë të plotë nga ana e fesë. Është e domosdoshme që të mbahet drejtësia në çdo gjë që thuhet dhe gjykohet. Një njeri që nuk tregohet i drejtë në fjalët dhe gjykimet e tij, nuk e ka ndjekur fenë aq sa të ketë shpresë për shpëtim.

Ç’do të thotë drejtësi? Ç’do të thotë të jesh i paanshëm, sipas këtij rregulli?

Do të thotë që të marrësh në shqyrtim të mirat dhe të këqijat, anën që të pëlqen dhe atë që nuk të pëlqen dhe pasi t’i peshosh të gjitha së bashku, mund të gjykosh. Të jesh i bindur se marrja parasysh e të dyja anëve së bashku, të ruan që të mos i atribuosh fesë, Allahut të Lartësuar, apo edhe ndonjë ligji të Tij në natyrë, një gjykim të padrejtë, gjë që bie ndesh me drejtësinë e urdhëruar nga Vetë Allahu.

Pra, është e domosdoshme që të ballafaqohen në mendje, të mirat dhe të këqijat, të bukurat dhe të shëmtuarat, në mënyrë që të arrihet në një gjykim sa më të drejtë fetar. Kështu dhe me përfytyrimin, fjalët, të kuptuarit dhe opinionet e tua në raste fitnesh, do të jesh i shpëtuar, inshallah.

Ky rregull është shumë i rëndësishëm dhe duhet që patjetër të praktikohet, sepse ai që nuk i përmbahet këtij rregulli, do të bëhet i njëanshëm dhe zemrën do t’ia pushtojnë trillet, dhe më e keqja është, se ai mund të bëhet shkak që edhe të tjerët t’i shkojnë nga pas, e kështu do të përfshihet nga fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem): ‘Ai që fut në Islam diçka të keqe, mbi të do të bjerë gjynahu i saj dhe i atyre që e veprojnë atë, deri në Ditën e Kijametit.’[17]

Fatkeqësia më e madhe ndodh atëherë, kur këtë veprim të gabuar e kryen një njeri që shihet si i ditur dhe në rrugë të drejtë, sepse veprimet e tij i pasojnë njerëzit e paditur dhe ata gjysmë të ditur.

Siç edhe kuptohet, është më se e domosdoshme që t’i përmbahemi këtij rregulli në të gjitha çështjet tona dhe kush u shpëton pasioneve pa krye, Allahu do ta shpëtojë atë në këtë botë dhe në tjetrën.



Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)

Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com


www.islamifejaevertete.com

VAZHDON…


________________________________________

[15] Sure El-en’am: 152.

[16] Sure El-maide: 8.

[17] Transmeton Muslimi, Nesaiu etj.

Must Read