BallinaAKTUALEAnalizaPj. 6 - Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në...

Pj. 6 – Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh (Rregulli i pestë)


RREGULLI I PESTË

Flamujt që ngrihen kur ndodhin fitne, qofshin këta flamuj shtetesh apo thirrësish, muslimani duhet t’i vlerësojë ato me peshoren e saktë të fesë, me kriteret e pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit. Ai që i mat gjërat me këtë peshore padyshim që vlerësimi i tij do të jetë i drejtë dhe i paanshëm në gjykim, ngjashëm me përshkrimin që Allahu i bën peshores së Tij: ‘Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi.’[22]

Edhe pasuesit e Sunnetit dhe Xhematit kanë kritere të drejta me të cilat vlerësojnë çështjet, mendimet dhe situatat. Këto kritere, siç sqarohen nga imamët dhe dijetarët pasues të Sunetit dhe Xhematit, ndahen në dy grupe:


Grupi i parë: Kritere që ndajnë Islamin nga kufri, pra që vlerësojnë se sa i saktë është pretendimi se ky apo kjo, ide, njerëz dhe grupe i përkasin Islamit apo jo.

Shumë flamuj që ngrihen i atribuohen Islamit, ndaj ato duhen vlerësuar. Nëse këta flamuj që ngrihen janë islam, atëherë për ta do të rezultojnë gjykime fetare të cilave duhet tu përmbahemi, duke iu bindur kështu urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.


Grupi i dytë: Kritere me të cilat vlerësohet sesa i plotë është islami i një njeriu grupi apo ideje dhe sa i mangët është ai. Vlerësohet ndjekja e drejtë e Islamit nga ndjekja jo e drejtë e tij.

Pra nga vlerësimet e grupit të parë dallohet besimi nga jo besimi, imani nga kufri. A është ky flamur që ngrihet islam apo jo? Ndërsa nga vlerësimet e grupit të dytë dallohet nëse një flamur është i drejtë dhe i udhëzuar ashtu siç dëshiron Allahu dhe i Dërguari i Tij, apo ka mangësi?

Nëse pas kësaj gjërat bëhen të qarta, si rrjedhim do të kemi edhe gjykime të caktuara të fesë të cilave duhet tu përmbahemi.


Për sa i përket grupit të parë me të cilin dallohet Islami nga kufri, kemi tre kritere:


Kriteri i parë: Të shikohet nëse ata që ngrenë një flamur në emër të Islamit a janë zbatues të teuhidit apo jo? Nën këtë flamur a adhurohet vetëm Allahu dhe zemrat i drejtohen plotësisht vetëm Atij, apo adhurimi i drejtohet edhe të tjerëve veç Allahut?

Allahu i lartësuar thotë: ‘Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” [23] dhe përsëri Ai thotë: ‘ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.’ [24]

Disa nga komentuesit e Kuranit thonë se shprehja ‘urdhërojnë kryerjen e veprave të mira’ do të thotë urdhërojnë në teuhid, dhe shprehja ‘pengojnë atë që është e mbrapshtë’ do të thotë ndalojnë nga shirku, sepse e mira më e madhe është teuhidi dhe e keqja më e shëmtuar është shirku. Ky është pra edhe kriteri i parë.


Kriteri i dytë: Të shikohet sesa realizohet dëshmia se Muhamedi është i dërguari i Allahut. Një nga kushtet që kjo dëshmi të plotësohet është edhe të gjykuarit me ligjin dhe fenë të cilën ka ardhur Muhamedi (salallahu alejhi ue selem).

Allahu i lartësuar thotë: ‘Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykatës për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.’[25]

Dhe përsëri Ai thotë: ‘A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?’[26] dhe thotë: ‘Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë.’[27]

Nëse sheh një flamur të ngritur pasuesit e të cilit gjykojnë me ligjin e Allahut në çështjet e njerëzve, atëherë dije se ky flamur i ngritur është flamur islam. Kjo sepse pasuesit e tij gjykojnë me ligjin e Allahut dhe kanë ngritur gjykata të sheriatit të cilat gjykojnë me atë që ka zbritur Allahu. Askujt nuk i takon që të gjykojë ndryshe nga ajo që ka zbritur Allahu, apo të jetë i kënaqur me një gjykim ndaj të cilit as Allahu dhe as i Dërguari i Tij nuk janë të kënaqur.


Kriteri i tretë: Të shikohet nëse ka lejim të harameve? Apo nëse ndodhin harame ato urrehen dhe kritikohen?

Nëse një gjë e ndaluar, për të cilën është rënë dakord mes dijetarëve, shfaqet atëherë kemi dy qëndrime: e para ose këtë gjë e shohin si të lejuar, dhe kjo padyshim që është kufr- Zoti na ruajt, ose e dyta nuk e shohin si të lejuar, por ajo gjendet dhe ekziston. Ata që kanë ngritur këtë flamur e pranojnë se ajo është e keqe dhe e ndaluar, atëherë nga këtu kuptojmë që ky flamur është islam dhe pasuesit e tij janë muslimanë.

Këto janë edhe tre kriteret e grupit të parë që janë sqaruar nga dijetarët dhe imamët tanë, Allahu i mëshiroftë.

Grupi i dytë ka të bëjë me kriteret me të cilat dallohet sesa i plotë është islami i dikujt apo sa i mangët është ai.

Profeti (salallahu alejhi ue selem) Islamin e pranoi dhe e zbatoi të gjithin, ashtu siç i erdhi nga Allahu i madhëruar. Ai është i udhëzuari që merret si pishtar i udhëzimit, për të tillë e ndoqën atë kalifët e drejtë që erdhën pas tij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Por vitet rrodhën dhe pak nga pak zbatimi i plotë i Islamit u rrallua, deri në ditë tona, siç qe shprehur edhe Profeti (salallahu alejhi ue selem): ‘Çdo kohë që do të vijë më pas për ju do të jetë edhe më e keqe se ajo që shkoi, derisa të takoni Zotin tuaj.’[28]

Kriteret në këtë rast janë të shohësh sesi realizohen çështjet e fesë? Si e realizon namazin? Si e realizon ndalimin nga e keqja? Si e realizon urdhërimin për të mira dhe ndalimin nga e keqja, për sa i përket farzeve dhe ndalimit të harameve?

Sa më të plota apo të mangëta të jenë këto aq edhe i plotë apo i mangët është ky flamur.

Këto kritere që përmendëm janë të rëndësishme dhe duhet që patjetër t’i mbash në mendje dhe në zemër, asnjëherë mos iu largo atyre, që të mos humbasësh dhe të lajthisësh atëherë kur ndodhin këto gjëra, që të mos të të ngatërrohen çështjet në kohë fitnesh dhe trazirash.

Nëse i ke të qarta të gjitha këto që thamë dhe arrite të dallosh ndërmjet një flamuri islam dhe një jo të tillë, atëherë e ke për detyrë fetarisht që të përkrahësh dhe mbështesësh flamurin islam që ngrihet me drejtën dhe të vërtetën. Kjo sepse Allahu i madhëruar ka urdhëruar që t’i duam dhe përkrahim besimtarët dhe ka nxitur që të kapemi pas litarit të Allahut dhe të mos përçahemi.

Kështu që së pari që të përkrahësh dhe të mbështesësh një flamur të drejtë islam duhet që dashuria, ndihma dhe përkrahja jote të jenë për atë flamur që ngre Islamin e saktë dhe të pastër, pa pasur në të devijime, paqartësi dhe mëdyshje. Sepse o është Islam ose është kufr! Nëse është Islam, prej kësaj rrjedhin edhe norma të fesë që duhet të zbatohen.

Nuk i lejohet një muslimani që për shkak të një gjynahu t’ia lejojë vetes të mos i bindet asaj që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, që t’i dojë dhe përkrah besimtarët, t’i dojë dhe përkrah ata që luftojnë e përpiqen për hir të Allahut.

Së dyti të këshillosh me gjithë zemër ngritësit dhe pasuesit e këtij flamuri islam. Pasuesit e Sunneti dhe Xhematit dallojnë nga bidatçinjtë që duan përçarjen, sepse pasuesit e Sunnetit këshillojnë ata që Allahu ka caktuar të jenë prijës të tyre, dhe i shtojnë lutjet për ta edhe nëse shohin prej tyre gjëra që nuk u pëlqejnë. Ata i këshillojnë njerëzit dhe nuk duan nëpërmjet kësaj as lëvdata e as shpërblime, por gjithçka e presin prej Allahut dhe prej askujt tjetër. Nëse këtë e kemi në zemër atëherë me të vërtetë jemi prej pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit.

Lexoni librat e besimit të pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit, do të gjeni në to kapituj të veçantë që flasin për të drejtat që ka prijësi ndaj xhematit dhe të drejtat që ka xhemati ndaj prijësit. Kështu duke u plotësuar këto të drejta arrihet që ne të jemi pjesë e pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit.

Këshilla që duhet tu japim prijësve musliman dhe mbarë muslimanëve është detyrë, siç na këshillon edhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) në hadithin e mirënjohur që thotë se feja është këshillë.


Si bëhet këshilla dhe sqarimi?

Ashtu siç na tregohet në Sunnet dhe jo siç na thotë mendja jonë.

Në një hadith autentik profetik thuhet se Ijadh ibn Ganem i tha Hisham ibn Hakimit (radijallahu anhuma): A nuk e ke dëgjuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem): ‘Kush dëshiron të këshilloj atë që ka pushtet, mos ta fillojë këshillën në mënyrë publike, por ta marrë për dore të veçohet me të dhe nëse ia pranon: kjo është ajo që kërkohet, nëse jo ai e ka kryer detyrën e tij.’ [29]

Dëgjojeni Sunnetin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), sepse padyshim që ju doni ta pasoni Sunnetin, ashtu si pasuesit e Sunnetit dhe Xhematit e zbatojnë atë.

Nëse sipas kritereve të mësipërme dallohet një flamur islam nga një jo i tillë, atëherë prej tyre rrjedhin detyra fetare të rëndësishme. Një nga këto detyra të rëndësishme e cila del më në pah në kohë fitnesh dhe trazirash është edhe këshilla që përmendëm.

Profeti (salallahu alejhi ue selem) tha: ‘Kush dëshiron të këshilloj atë që ka pushtet, mos ta fillojë këshillën në mënyrë publike, por ta marrë për dore të veçohet me të dhe nëse ia pranon: kjo është ajo që kërkohet, nëse jo ai e ka kryer detyrën e tij.’

Pasimi i këtij sunneti na jep qetësi e siguri dhe na vendos në radhën e ndjekësve të Profetit dhe me dëshirën e Allahut ne do të jemi të shpëtuar.

Nëse nuk e pasojmë Sunnetin atëherë edhe dalja nga rruga e pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit do të jetë në atë masë për sa nuk i jemi bindur Sunnetit.

Nëse këto kritere nuk mund të dallohen qartë nga një musliman i thjeshtë apo edhe një nxënës dije, atëherë ç’duhet bërë? Në këtë rast pikë referimi janë dijetarët. Dijetarët janë ata që i matin çështjet dhe i vlerësojnë ato më drejtë dhe më saktë, janë ata që gjykojnë më drejtë se kushdo me gjykimin e saktë fetar.

Për këtë arsye gjykimi se diçka i përket Islamit apo jo, gjykimi se kemi të bëjmë me iman apo kufr, pikë referimi për këtë janë dijetarët e Sunnetit dhe Xhematit dhe jo dikush tjetër që nuk është dijetar, të cilët mund të dinë diçka dhe nuk dinë diçka tjetër apo edhe përgjithësojnë gjëra që nuk lejohet të përgjithësohen.

Gjykatës për atë njeri që nuk është në gjendje të masë drejtë me peshoren e saktë të fesë është dijetari. Fjalët e tyre duhen pasuar në vlerësimin e imanit apo të kufrit, përderisa ata përdorin ato kritere që përmendëm…


Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)

Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com


www.islamifejaevertete.com

VAZHDON…


_______________________________________

[22] Sure El-enbija:47.

[23] Sure En-nahl: 36.

[24] Sure El-haxh: 41.

[25] Sure En-nisa: 65.

[26] Sure El-maide: 50.

[27] Sure El-maide: 44.

[28] Transmeton Buhari.

[29] Transmeton Ibn Ebi Asim dhe është sahih.

Must Read