Udhëheqëset e grave në Xhenet
Dr. Omer S. El-Eshkar, Profesor i Ligjit Islamik – Universiteti i Jordanisë
Gratë më të mira janë ato që i arrijnë kënaqësitë e xhenetit. Gratë e xhenetit janë të gradave të ndryshme, ndërsa udhëheqëset e grave në xhenet janë Hadixhja, Fatimja, Merjemja( Marija) dhe Asija. Imam Ahmedi njofton me një zinxhir autentik të transmetuesve se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vizatoi katër vija dhe u tha shokëve të tij,
“A e dini se çfarë janë këto?” Ata thanë,”Allahu dhe i dërguari i tij e dinë më së miri.”Ai pastaj tha, “Gratë më të mira nga gratë e xhenetit janë Hadixhja e bija e Huvejlidit, Fatimja e bija e Muhamedit, Merjemja e bija e Imranit, dhe Asija e bija e Muzehimit ( gruaja e Faraonit).”
Merjemja dhe Hadixhja janë më të mirat nga të katërtat. Imam Buhariu tregon nga Ali Ibn Ebu Talibi radiAllahu anhu se Resulullahi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Më e mira e grave është Merjemja dhe më e mira e grave është Hadixhja.”
Merjemja e bija e Imranit
Merjemja është “Zonja e Parë”, më e mira e të gjitha grave. Et-Taberani rrëfen nga Xhabiri se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Udhëheqëset pas Merjemes bijës së Imranit, të grave të xhenetit do të jenë Fatimja, Hadixhja, dhe Asija gruaja e faraonit
Arsyeja se përse Merjemja është më e mira e të gjitha grave është qartazi e cekur në Kur’an,
Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet hebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. ( Ali Imran 42).
Si mund të mos jetë ajo më e mira e grave kur i Gjithëfuqishmi, Allahu, ka thënë qartazi,
Zoti i saj e pranoi premtimin e saj ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë…( Ali Imran 37).
Këto katër gra janë shembuj të bukur të grave të përkryera dhe të drejta. Merjem bint ‘Imran është lavdëruar nga Allahu në Kur’an,
Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt, e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme.( Et-Tahrim 12).
Hadixhja e bija e Huvejlidit
Hadixhah es-Sidikah (besimtarja e vërtetë), i besoi të Dërguarit të Allahu pa asnjë hezitim; ajo e përkrahi dhe e mbështeti atë në çdo mënyrë. Zoti i saj i tha asaj myzhde gjatë jetës së saj për një vend në xhenet ku nuk do të kishte zhurmë dhe as lodhje.
Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre se: “ Xhibrili alejhis selam erdhi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha, “O i dërguar i Allahut, Hadixhja është duke ardhur për tek ti duke bartur një tabak me ushqim dhe pije. Kur të vijë ajo tek ti, përcilli përshëndetje të selamit nga Zoti i saj dhe nga unë, dhe jepi myzhde për një shtëpi në xhenet në të cilën nuk do të ketë as zhurmë e as lodhje.
Asija, gruaja e faraonit
Asija, gruaja e Faraonit, i nënçmoi mundësitë dhe lukset e kësaj bote dhe refuzoi faraonin dhe pretendimet e tij të rreme të natyrës hyjnore, saqë burri i saj e torturoi derisa shpirti i saj iku dhe u kthye tek Krijuesi i saj.
E atyre që besuan, Allahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: “Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në xhenet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!” (Et-Tahrim 11)
Fatimja e bija e Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem
Fatimah ez-Zehra, e bija e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte e durueshme dhe e vetëpërmbajtur, dhe ajo ia kishte frikën Allahut. Ajo ishte sikurse babi i saj në secilën mënyrë. Ajo mësoi prej sjelljeve të tij dhe jetoi me porositë e tij.
Është dëftuar se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë, “Fatimja është një pjesë e imja, dhe çfarëdo e lëndon atë më lëndon edhe mua”( Muslimi).
Ajo ishte një degë nga druri i pastër, e rritur nga vet edukatori i njerëzimit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Referenca: El-Eshkar, Omer S. Xheneti dhe Xhehenemi në dritën e Kuranit dhe Sunnetit. Shtëpia Botuese Islamike Ndërkombëtare (IIPH) 2003
Përktheu: Meriton Muriqi
Burimi: www.islamifejaevertete.com