BallinaAKTUALEKurioziteteA KEMI ARSYE TË MIRA PËR TË BESUAR?

A KEMI ARSYE TË MIRA PËR TË BESUAR?

 

A KEMI ARSYE TË MIRA PËR TË BESUAR?

 

PËRSE ËSHTË GJITHËSIA ASHTU SIÇ ËSHTË?

Një nga pyetjet më të rëndësishme që pothuajse të gjithë mendimtarët, filozofët dhe njerëzit si ju dhe unë kanë shtruar, është: “Përse ekziston gjithësia? Përse është ashtu siç është?”. Në përgjigje të kësaj pyetje, ka nga ata që thonë se gjithësia është e pashkaktuar, me fjalë të tjera: është e përhershme, që do të thotë se nuk ka fillim e as fund. Po të jetë kjo e vërtetë, atëherë duhet të ketë një histori të pafund të ngjarjeve të kaluara. Megjithatë, pafundësia në botën reale nuk është  mundur, pasiqë përfshin një sasi të pakufizuar. Le të marrim shembujt e mëposhtëm në konsideratë: Nëse do të kishte një numër të pafund të librave në një dhomë dhe të ishin larguar dy, sa libra do të mbeteshin? Përgjigja mund të jetë “pafund”, ose për ata që janë të prirur logjikisht “pafund minus dy”. Në secilin rast, përgjigja nuk ka kuptim, sepse edhe pse dy janë larguar nga pafundësia, ende mbetet pafundësi! Si pasojë, ne nuk mund t’i numërojmë librat e mbetur në dhomë. Prandaj, pafundësia të çon në kontradikta dhe thjesht nuk ekziston në botën reale (edhe pse ekziston në ligjërimet matematikore; prapseprap, ajo është e bazuar mbi aksioma dhe konventa të caktuara). Prandaj, logjikisht rrjedh se gjithësia duhet të ketë një histori të caktuar (finite) të ngjarjeve të kaluara, gjë që tregon se ajo duhet të ketë filluar të ekzistojë në një pikë të caktuar në kohë.

Çfarë u tha më lart, mund të tingëllojë shumë filozofike, por mbështetet edhe nga provat shkencore. Për shembull, Stefan Haking (Stephen Hawking), në leksionin e tij Zanafilla e Kohës thotë: “Përfundimi i këtij leksioni është se: gjithësia nuk ka ekzistuar përgjithmonë. Përkundrazi, gjithësia dhe vetë koha, kanë pasur fillim me Big Bengun, rreth 15 miliardë vjet më parë.”[1] Sipas kozmologëve bashkëkohorë, gjithësia ka filluar në kohën zero, me ndodhinë zakonisht të quajtur “Big Beng”. Kjo teori pretendon se gjithësia filloi si një “tipar i veçantë (singularitet)”, një njësi skajshmërisht e nxehtë dhe e dendur, që u zgjerua dhe më pas u ftoh, duke u shndërruar nga diçka tepër e vogël dhe e nxehtë, në madhësinë dhe temperaturën aktuale të gjithësisë sonë. Në dritën e këtyre fakteve, është me rëndësi të përmendet se nuk ka shpjegim shkencor për atë se çfarë ka ndodhur para kohës zero. Veç kësaj, teoria e Big Bengut mund të pretendojë se çfarë ka ndodhur vetëm 1×10(në fuqinë)-34 sekonda pas Big Bengut, por jo diçka para asaj kohe. Se çfarë ka ndodhur para kësaj pike të caktuar në kohë, është e panjohur.

Në kontekstin e diskutimit të më sipërm, mund të arrihet në përfundim, se në përgjithësi, fizikantët pajtohen se si rezultat i Big Bengut, u krijua koha dhe hapësira fizike, po ashtu edhe energjia dhe materia. Pra, dy preambula mund të nxirren nga të gjitha të lartpërmendurat:

  • Çfarëdo që fillon të ekzistojë, ka një shkak
  • Gjithësia ka filluar të ekzistojë, prandaj gjithësia ka një shkak.

Si arrimë në këtë përfundim? E pra, nëse çdo gjë që e dimë dhe e shohim se fillon të ekzistojë, ka një shkak, për shembull, një zhurmë në dhomë apo piramidat në Giza, atëherë edhe gjithësia – e cila gjithashtu filloi të ekzistojë – duhet të ketë një shkak.

 

SHKAKU I GJITHËSISË = ZOTI?

 

 Diskutimi ynë, deri më tani, ka dhënë arsye të mira për të besuar se duhet të ketë patur një shkak të gjithësisë. Megjithatë, nuk na shpjegoi shumë për atë se çfarë është ky shkak. Por, në qoftë se mendojmë thellë për natyrën e shkakut – e njohur si analizë konceptuale -, mund të konkludojmë se duhet të jetë shumë i fuqishëm, pasi që ai solli në ekzistencë tërë gjithësinë dhe, ai duhet të jetë:

 

NJË

Shkaku i gjithësisë duhet të jetë një shkak i vetëm, për disa arsye. Një argument tërheqës për të mbështetur këtë pohim, është përdorimi i parimit racional të quajtur “Brisku i Okamit”. Ky parim, zakonisht përkufizohet si “Shpjegimi më i thjeshtë, është shpjegimi më i mirë”. Në terma filozofikë, parimi urdhëron që entitetet të mos shumohen përtej nevojës. Kjo do të thotë se, ne duhet t’i mbështesim shpjegimet të cilat nuk krijojnë më shumë pyetje se sa përgjigje. Në rastin e shkakut të gjithësisë, nuk kemi dëshmi për të pohuar shumëllojshmëri të tij, me fjalë të tjera, më shumë se një shkak, por edhe sikur të pretendonim një gjë të tillë, do të fitonim më shumë pyetje se sa përgjigje.

 

I PASHKAK DHE I PËRHERSHËM

Shkaku i gjithësisë duhet të jetë i pashkak, në sajë të absurditetit të një prapavajtjeje të pafund, me fjalë të tjera, një zinxhiri të pacaktuar shkaqesh. Për të ilustruar këtë më mirë: Sikur shkaku i gjithësisë të kishte një shkak, dhe ky shkak të kishte një shkak ad infinitum (deri në pafundësi), atëherë nuk do të kishim një gjithësi për ta diskutuar në rradhë të parë. Për shembull, paramendoni sikur një shitës aksionesh, në një podium tregtie, në vendin e shkëmbimit të aksioneve, të mos ishte në gjendje të shiste ose të blinte aksione para se të kërkonte leje nga investitori, pastaj ky investitor të duhej të kërkonte leje nga investitiori i tij dhe kështu të vazhdonte përgjithmonë. A do t’i shiste tregtari ndonjëherë aksionet e tij, ose a do të blinte ndonjë? Përgjigja është “Jo!”. Në dritë të ngjashme, në qoftë se e zbatojmë këtë logjikë mbi gjithësinë, do të duhej të përcaktonim një shkak të pashkak, në sajë të kësaj domosdoshmërie racionale.

Megjithatë, disa filozofë dhe shkencëtarë, pretendojnë dhe thonë: “Pse shkaku të mos jetë vetë gjithësia?” dhe “Pse të mos mbarojë shkaku me vet gjithësinë?” E pra, problemi me këto pretendime është se, këto do të nënkuptonin se gjithësia e ka shkaktuar vetveten, gjë që është absurde, sepse, si mundet që diçka të ekzistojë dhe të mos ekzistojë në të njëjtën kohë? Përfundimisht, do të ishte iracionale të pretendojmë se çdo gjë që fillon të ekzistojë, e shkakton vetveten!

 

JOMATERIAL

Shkaku duhet të jetë jomaterial, pasi që ai krijoi çdo gjë. Nëse logjikoni mbi ndonjë gjendje të ekzistencës fizike, do të vini në përfundim se ajo gjendje e ekzistencës fizike, i detyrohet një gjendjeje tjetër të saj, ndërsa ajo gjendje, i detyrohet një gjendjeje tjetër dhe, do të vazhdoni kështu, por nuk do të mund të shkoni prapa deri në gjendje tw pafundme të ekzistencës fizike. Duhet të ketë një fillim për tërë gjendjen e existencës fizike. Prandaj, konkluzioni logjik është se, origjina e gjithë krijimit, duhet të jetë një gjendje jo-fizike.

Pas të menduarit në lidhje me natyrën e shkakut të gjithësisë, vijmë në një kuptim të mrekullueshëm, i cili i përmban të gjitha atributet themelore tradicionale të Zotit monoteist, pra se, Ai është një, i përhershëm dhe jomaterial. Por, çfarë arsye kemi, që të pohojmë se një fe e caktuar është e vërtetë? Kjo na shpie të diskutojmë mbi Kuranin, librin që e besojnë muslimanët, i cili është arsyeja jonë e tretë që na shtyn të besojmë.

 

KURANI

Kurani nuk është libër i zakonshëm. Ka qenë përshkruar nga shumë njerëz – të cilët janë marrë me të – si tekst imponues, por mënyra se si i imponohet lexuesit nuk është negative, madje është pozitive. Kjo për shkak se përpiqet që të merret pozitivisht me mendjen dhe emocionet tuaja dhe e arrin këtë duke bërë pyetje të rëndësishme, të tilla si: “Prandaj, nga po ia mbani? Ai (Kurani) është veçse këshillë për botët: për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë.”[2] dhe “Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete?”.[3]

Mirëpo, Kurani nuk ndalet këtu, në fakt, sfidon tërë njerëzimin në lidhje me autorësinë e tij hyjnore; me shumë guxim thotë: “Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.[4]

Kjo sfidë ka të bëjë me mrekullitë e ndryshme në Kuran, madje edhe brenda kapitullit të saj më të shkurtër, që na japin arsye të mira për të besuar se është prej Zotit. Disa nga këto arsye janë historike dhe shkencore.

 

HISTORIKE

Ka shumë deklarata historike në Kuran, që na japin arsye të mira për të besuar se ai është prej Zotit. Një prej tyre është se, Kurani është i vetmi tekst fetar që përdor emra të ndryshëm për sundimtarët e Egjiptit në kohë të ndryshme. Për shembull, kur flet për sunduesin e Egjiptit në kohën e Profetit Jusuf (Jozef), është përdorur fjala “El-Melik” (arab. الملك), që i referohet një mbreti (shënim: gjatë mbretërisë së mesme të vjetër, Egjipti qeverisej nga famijlet aziatike Hyksos dhe ata nuk e përdornin titullin “Faraon”, siç e përmend Kurani: “Mbreti tha: “Sillmani atë!””).[5]

Në anën tjëtër, sunduesi i Egjiptit në kohën e Profetit Musa (Mojsi), është i përmendur si “Faraon” (Fir’aûn; arab. فرعون). Ky titull i veçantë filloi të përdorej në shekullin e 14-të para erës sonë, gjatë sundimit të Amenhotepit IV. Kjo është pohuar edhe nga Enciklopedia Britanika (Encyclopaedia Britannica), e cila thotë se fjala “Faraon” ishte titull respekti, i përdorur nga Mbretëria e Re (duke filluar me dinastinë e 18-të; 1539-1292 para erës sonë) deri në dinastinë e 22-të (945-730 para erës sonë). Pra, Kurani është historikisht i saktë, meqë Profeti Jusuf jetoi të paktën 200 vjet para asaj kohe dhe fjala “Mbret” ishte përdorur për mbretërit Hyksos, e jo për Faraonin.

Në dritën e kësaj që u tha, si mund të ketë ditur Profeti Muhamed një hollësi kaq të imët historike? Sidomos kur të gjitha tekstet e tjera fetare, si Bibla, e përmendin Faraonin si një titull për të gjitha kohërat? Gjithashtu, pasiqë njerëzit në kohën e shpalljes nuk e dinin këtë informacion e hieroglifet ishin një gjuhë e vdekur, çfarë na thotë kjo për autorësinë e Kuranit? Nuk ka asnjë shpjegim natyror.

 

SHKENCORE

Kurani, gjithmonë e përmend natyrën si një shenjë për ekzistencën e Zotit, Fuqinë dhe Madhështinë e Tij. Sa herë që këto shenja përmenden, pasqyrohen me një saktësi të madhe dhe gjithashtu na japin informacione që nuk kanë mundur të jenë të njohura në kohën e Profetit Muhamed. Një nga këto shenja përfshin funksionin dhe strukturën e maleve.

Kurani përmend se malet kanë strukturë si “shtylla” dhe se ato janë ngulitur në tokë për ta stabilizuar atë, një koncept i njohur në gjeologji si izostasi. Kurani përmend: “Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit…”[6] dhe “A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat e malet si shtylla?!”[7]

Përshkrimet elokuente Kura’nore të fakteve të përmendura më lart, janë pohuar edhe nga shkenca moderne vetëm në fund të shekullit 20-të. Në librin “Toka” (Earth), nga Dr. Frank Press, ish-drejtor i Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, thotë se malet janë si kunje dhe janë të futura thellë nën sipërfaqen e Tokës.[8]

Në lidhje me rolin thelbësor të maleve, më parë mendonin se malet ishin thjesht ngritje që ngriteshin mbi sipërfaqen e Tokës. Megjithatë, shkencëtarët kuptuan se kjo nuk ishte e vërteta, por se pjesët e njohura si rrënjë të malit, zgjaten poshtë nga 10 deri në 15 herë më shumë se lartësia e tij. Me këto veçori, malet luajnë rol të ngjashëm me një gozhdë apo kunj që e mban në mënyrë të vendosur një tendë, e, kjo është zbuluar nga kërkimet moderne gjeologjike dhe sizmike, koncept që njihet si izostasi.[9]

Në përfundim, si mund ta shpjegojmë këtë, duke e pasur parasysh se kjo është zbulim i shkencës gati më të fundit (duke mos e ditur askush këtë informacion në kohën e shpalljes së Kuranit)? Çfarë na thotë kjo për autorin e Kuranit? Përsëri, nuk ka asnjë shpjegim natyror.

 

A ËSHTË JETA PA ZOTIN ABSURDE (E PAKUPTIMTË)?

  

Shkrimtari Loren Eiseley ka thënë se njeriu është jetim kozmik. Kjo është mjaft e rëndësishme, meqë njeriu është krijesa e vetme në gjithësi që pyet: “Përse?”. Kafshët tjera kanë instinkte me të cilat udhëzohen, kurse njeriu është mësuar të bëjë pyetje. Nëse Zoti përjashtohet nga shumica e këtyre pyetjeve të parashtruara nga njeriu, atëherë përfundimi është i thjeshtë: ne jemi derivatet (prodhimet) aksidentale (të rastësishme) të natyrës, si rezultat i materies plus kohës plus mundësisë. Nuk ka arsye për ekzistencën tuaj dhe krejt çfarë ne përballim është vdekja. Njeriu modern ka menduar se, kur do të hiqte qafe Zotin, do ta lironte veten nga gjithçka e shtypte dhe e ndrydhte atë. Përkundrazi, në vend të kësaj, ai kuptoi se me “vrasjen” e Zotit, ai kishte vrarë vetveten.

Nëse nuk ka Zot, atëherë njeriu dhe gjithësia janë të kota. Njëjtë si të burgosurit e dënuar me vdekje, edhe ne presim ekzekutimin tonë të pashmangshëm. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se vetë jeta është absurde (e pakuptimtë). Do të thotë se jeta jonë është pa një kuptim, vlerë apo qëllim përfundimtar. Për shembull, sipas botëkuptimit ateist, kjo jetë është e paqëllimtë, ose më mirë, ekziston vetëm sa për ta përhapur ADN-n tonë. Mënyra se si disa ateistë nxirren nga kjo çështje, është duke thënë se ne mund të krijojmë qëllime për veten tonë. Megjithatë, kjo është thjesht një vetëmashtrim, për shkak se përpiqemi të gjejmë qëllime duke ia atribuar qëllimin gjërave që ne bëjmë në jetë, ndërsa ia heqim qëllimin vetë jetës sonë. Gjithashtu, pa Zotin, jeta jonë nuk ka ndonjë kuptim përfundimtar. Nëse përfundimi ynë është i njëjtë, në atë se vetëm ndalojmë së ekzistuari (vdesim), çfarë kuptimi i jep kjo jetës sonë? Çfarë rëndësie ka ekzistuam ne apo jo? Sikur gjithësia të mos ekzistonte kurrë, çfarë dallimi do të kishte në fund të fundit?

Ekzistencialistë si Jean-Paul Sartre dhe Albert Camus kuptuan realitetin e pakuptimtë të jetës, në mungesë të njohjes së qëllimit të ekzistencës sonë. Kjo është arsyeja pse Sartre shkroi për neverinë (novela Neveria; origj. frëngjisht La Nausée) e ekzistencës dhe Camus e pa jetën si absurde, duke treguar se gjithësia nuk ka asnjë kuptim. Filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, diskutoi në deklarata të qarta dhe koncize, se bota dhe historia njerëzore nuk kanë asnjë kuptim, asnjë rregull apo qëllim racional. Nietzsche diskutoi se ekziston vetëm një kaos i pamend, një botë e paorientuar e prirë drejt pafundësisë. Nuk është për t’u çuditur që filozofi Arthur Schopenhauer ka thënë se ai do të dëshironte që bota të mos kishte ekzistuar kurrë. Të gjitha këto pikëpamje mbi botën, janë përfundime absurde (të pakuptimta), të gdhendura nga botëkuptimi ateist.

 

 

 

[1] http://www.hawking.org.uk/index.php/lectures/publiclectures/62

[2] Kurani: kaptina 81, vargjet 26-28

[3] Kurani: kaptina 30, vargu 8

[4] Kurani: kaptina 2, vargjet 23-24

[5] Kurani: kaptina 12, vargu 50

[6] Kurani: kaptina 21, vargu 31

[7] Kurani: kaptina 78, vargjet 6-7

[8] Frank Press dhe Raymond Siever, “Toka”, edicioni i 3-tw. (San Francisko: W. H. Freeman & Company: 1982)

[9] M. J. Selby, “Sipërfaqja Ndryshuese e Tokës (Earth’s Changing Surface), (Oksford: Clarendon Press: 1985), 32.

 

 
Burimi:

Një Arsye

http://facebook.com/NjeArsye

Must Read