BallinaAKIDEAjo që e kundërshton AkidenA lejohet të punohet të martave?!

A lejohet të punohet të martave?!

Çfarë domethënie kanë këto?

A lejohet të punohet me pune dorë të martave dhe a kanë ndonjë domethënie lëvizjet e ndryshme të pjesëve të trupit, si p.sh.: lëvizja e syrit,kruarja e hundës ose e dorës?

Përgjigja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit

Këto dy pyetje që kanë ardhur në redaksinë tonë nga lexues të ndryshëm, kanë të bëjnë me çështjen e njejtë dhe pasiqë ekzistojnë disa botëkuptime rreth veprave që po i përmendin të dy pyetësit dhe veprave të ngjashme me to, e pamë të nevojshme që të bëjmë sqarime. Rreth këtyre veprave se nëse ndodh kështu, atëherë ajo aludon në këtë apo nuk lejohet të bëhet kjo vepër, pa shpjeguar arsyen, për të cilat dëgjojmë posaçërisht nga më të vjetrit si p.sh.: nuk lejohet të bëhet punëdore të martave, pastaj të pastrohemi apo prejmë thonjët të marteve, nuk lejohet të martohet njeriu ndërmjet dy bajrameve, nuk lejohet varrja e rrobave në tërësi pas perëndimit dhe thënie të ngjashme e të shumta. Të gjitha këto janë bestytni.

Me fjalën bestytni nënkuptojmë pretendimi se disa veprime nuk janë të lejuara të veprohen apo duhet të veprohen pa ditur shpjegimin e arsyes së ndalimit apo lejimit. Në bestytni, gjithashtu, hyjnë edhe të besojmë (të jemi të bindur) se disa ngjarje te vecanta ndodhin në një mënyrë që nuk mund të sqarohen (shpjegohen), por ngjarjet e tilla sjellin fat të keq apo të mirë.

Shembuj për llojin e dytë kemi shumë, sa për ilustrim sjellim faktin se shumë nga njerëzit besojnë se nëse dikush merr një rrugë dhe atij ia prenë rrugën macja e zezë ajo do t`i sjellë fat të keq, apo kur të nget lemza, atëherë dikush po të përmend në ato momente, kruarja e dorës së djathtë apo të majtë kinse aludon se do të marrësh apo japësh para, pastaj kruarja e hundës dhe shembuj të shumtë.

Të gjitha këto që u përmendën dhe veprimet e ngjashme që nuk kanë sqarim, por njerëzit thjeshtë i marrin ashtu dhe veprojnë pa shpjeguar esencën e tyre janë bestytni që duhet të largohemi nga ato.

Nëse dëshirojmë të flasin rreth bestytnive të tilla se nga e kanë origjinën, pse ndikojnë shumë shpejtë te njerëzit, atëherë duhet të kuptojmë se ne flasim rreth disa bindjeve që mbizotërojnë te njerëzit ku këto bindje i zëvendësojnë zbraztirën që e kanë njerëzit e këtillë të cilët janë larg bindjes dhe besimit të shëndosh. Prandaj i shohim se shumë nga ata shkojnë pas këtyre bestytnive dhe janë të varrur pas tyre ose janë njerëz që nuk janë besimtarë, ose janë njerëz që pranojnë se besojnë, por besimi i tyre është i zbehtë dhe nuk është i mbushur me njohuri të sakta rreth besimit të vërtetë. Dhe kjo rezulton që ai atë besim të mangët ta përmbush me bindje ndaj bestytnive të tilla. Për këtë shohim shumë nga ata që besojnë në këto bestytni, mendojnë se këto janë nga Islami dhe janë të bazuara nga mësimet islame, gjë që nuk është fare e saktë.

Bestytnitë kanë qenë të njohura dhe përhapura edhe tek arabët para shpalljës së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Kur erdhi Islami e mohoi atë, e ndaloi dhe sqaroi dëmet e saj dhe se kjo formë e besimit është koncept i atyre që janë kundër asaj me të cilën kanë ardhur profetët (shpalljen nga Allahu i Lartësuar).

Metodologjia se si e shëroi këtë ves të keq te njerëzit Islami ishte duke e mësuar muslimanin të ketë mendim të mirë ndaj Allahut, t’i mbështetet Atij pasi çdo gjë ndodh me caktimin dhe urdhërin e Tij. Në anën tjetër të largojë nga vetja konceptin e të varurit me gjëra dhe veprime të tilla, duke e pasur parasysh se ato veprime në vete as nuk mund të bëjnë dëm, as dobi e as të ndryshojnë ndonjë gjë.

Profeti (salallahu alejhi ue selem) me një lutje tregon shumë mirë qëndrimin që duhet të ketë njeriu ndaj këtyre bestytnive që e bëjnë atë pesimist se do ta godasë ndonjë fatkeqësi, ai thotë: “O Zoti im nuk ka pesimizëm (që mund të na shkaktohet neve nga këto bestytni) përveç pesimizmit që mund të shkaktohet nga Ti, nuk ka ndonjë të mirë përveç të mirës tënde dhe nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Teje. O Zoti im, nuk sjell të mira dikush tjetër përveç Teje dhe nuk i largon të këqijat dikush përveç Teje. S`ka ndryshim as forcë përveç Tij.”

Për këtë njeriu i cili beson në këto bestytni, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me sjelljen e fatkeqësive është një njeri që është i ngushtë në zemër, nuk ka ambicie, frikësohet për çdo moment që ndodh diçka nga këto ndodhitë që ai i beson edhe nëse është në kulminacionin e ndonjë suksesi. Prandaj, është më se e qëlluar thënia se në çdo bestytni të mençurit shkojnë pas budallenjëve.

Së fundi, themi se këto bestytni të gjitha janë të ndaluara dhe nuk lejohet të lidhemi me to por t`i largojmë nga vetja, duke i zëvendësuar këto me besim të pastër dhe mbështetje në Allahun e Lartësuar. Për shkak se siç thamë më lartë se ata që bazohen në këto e bëjnë këtë për shkak të zbrazëtirës që kanë zemrat e tyre.

Por më duhet këtu të bëjë edhe një sqarim të nevojshëm se edhe disa nga ngjarjet apo veprimet të cilat kanë bazë në Islam nga disa njerëz mund t’i konsiderojnë bestytni pasi ata nuk kanë njohuri rreth esencës së tyre, si p.sh.: hyrja në shtëpi me këmbën e djathtë, apo të filluarit e kryerjes së disa punëve nga e djathta. Veprimet të tilla nuk janë bestytni por janë nga suneti i Resulullahut (Paqja dhe bekimi qofshin mbi të!). Këtu pra kuptojmë domosdoshmërinë e zgjerimit të njohurive tona rreth Islamit dhe asaj çka lejohet e çka jo.

Hoxhë Alaudin Abazi

Must Read