Përqendrimi në namaz

Përqendrimi në namaz

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave, i Cili na ka urdhëruar t’i kërkojmë ndihmë me durim dhe namaz për vështirësitë e ndryshme. Gjithashtu, na ka treguar se kjo është një çështje shumë e madhe vetëm për të devotshmit (ata që e kanë frikë Allahun). I ka cilësuar Allahu besimtarët me cilësinë e të përqendruarit në namaz, si dhe e bëri këtë cilësinë kryesore të tyre. Allahu thotë në suren Muminun ajeti 1-2: “Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar (të frikësuar)”. E falenderoj dhe e madhëroj Atë me më të lartin dhe me më të mirin madhërim. Deshmoj se nuk e meriton askush tjetër me të drejtë adhurimin veç Allahut, i cili është i Vetëm dhe nuk nevojë për ortak. Dëshmoj se Muhamedi (alejhi selam) është njeri, i dërguar, ftues për në kënaqësinë e Allahut. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë për të, për familjen e tij dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri ne Ditën e fundit.

O ju njerëz! Kini frikë Allahun dhe dijeni se përqendrimi në namaz është ai që e lartëson dhe e bën atë të vlefshëm. Allahu i ka cilësuar profetet dhe njerezit e Tij vepërmirë duke thënë për ta në Kuran: “…Ata përpiqeshin për punë të mira, na u luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh”. (Enbija,90) Po kështu dhe në suren Fatir ajeti 28, thuhet: “Dijetarët janë ata të cilët i frikësohen më tepër Allahut nga robërit e Tij.” Si dhe në suren Isra ajeti 107-109: “…atyre të cilëve u është dhënë dijeni para tij, kur u lexohet atyre, ata bien me fytyrë duke bërë sexhde. Dhe thonë: ‘I Lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është i realizuar, dhe duke qarë bien me fytyra ( kur e dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton edhe më tepër devotshmërinë (khushunë).” Baza e të përqendruarit është është butësia e zemrës, qetësia dhe modestia e saj. Nëse përqendrohet zemra, menjëherë përqendrohen dhe gjymtyret e gjithë trupit, sikurse thotë dhe hadithi i Muhamedit (alejhi selam): “Me të vërtetë, në trupin e njeriut është një copë mishi, nëse rregullohet ajo, atëherë është i rregullt i gjithë trupi, e ajo është zemra.” (Buhariu dhe Muslimi) Nëse dikush e ka përqendrimin vetëm në gjymtyrë e jo dhe në zemër, ky është përqendrim hipokrizie. Një ditë Umeri pa një djalë i cili e mbante kokën ulur dhe i tha: “O ti, ngrije kokën sepse frika (khushja) nuk tregohet me uljen e kokës dhe se ky veprim nuk ia shton përqendrimin zemrës, por frika e cila arrin në zemër është vetëm ajo e cila arrihet me njohjen e madhështisë së Allahut. Kush e njeh Allahun më shumë i frikësohet më tepër Atij.” Ndër shkaqet kryesore për të arritur frika në zemër është të thelluarit në të kuptuarit e fjalëve të Allahut (Kuranin). Allahu i Lartësuar thotë në suren Hashër, ajeti 21: “Sikur Ne ta zbrisnim këtë Kuran në ndonjë kodër do ta shihje atë të strukur e të çarë nga frika e Allahut.” Allahu i Lartësuar i ka cilësuar besimtarët e librave të mëparshëm me fjalën, të frikësuar, të përqendruar kur i dëgjonin ajetet e Kuranit. Këtë e vërteton fjala e Allahut në suren Isra ajetet 107-109, ku thuhet: “…atyre të cilëve u është dhënë dijeni para tij, kur u lexohet, ata bien me fytyrë duke bërë sexhde. Dhe thonë: ‘I Lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar, dhe duke qarë bien me fytyra ( kur e dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton dhe më tepër devotshmërine (khushunë).” Allahu i ka qortuar ata që i kanë zemrat e tyre të ngurta ndaj ajeteve të Kuranit. Allahu thotë në suren Hadid ajeti 16: “A nuk është koha që zemrat e atyre të cilët besuan të zbuten me përkujtimin e Allahut dhe me atë të vërtetë që zbriti, e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangen, e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.” Si dhe ajeti 22 në suren Zumer: “…Të mjerët ata që i kanë zemrat e tyre të ngurta nga përkujtimi i Allahut, ata janë në një hubmje të qartë”. Profeti (alejhi selam) i kërkonte mbrojtje Allahut prej zemrës e cila nuk frikësohet. Transmeton Muslimi se i dërguari (alejhi selam) ka bërë këtë dua: “O Allah, unë të kërkoj mbrojtje nga dija e cila nuk ka dobi prej saj, nga zemra e cila nuk frikësohet, nga vetja e cila nuk ka të ngopur dhe nga duaja e papranueshme!” Allahu i Lartësuar i ka obliguar robërit e Tij me obligime ku të shfaqet përqendrimi i zemrës dhe i gjymtyrëve. Ndër më të mëdhatë e këtyre është namazi. Prandaj dhe i ka lavdëruar ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar duke thënë: “Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar.” (Muminun,1-2) Thotë Muxhahidi, një komentues i Kuranit nga tabiinët: “Kur ndonjeri nga dijetarët çohej për të falur namazin, kishte frikë prej Allahut të çonte shikimin në diçka, të kthente kokën, të luante me guraleca apo të mendonte në diçka nga çështjet e dynjasë, vetëm se në harresë, deri sa të ishte në namaz.” Muslimi vërteton një hadith nga Othmani se i dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ndonjë musiman që kur vjen koha e namazeve farze, e merr abdesin në mënyrën më të mirë, e shton përqendrimin (khushunë), e përmirëson rukunë, vetëm se Allahu ia fal të gjitha përveç gjynaheve të mëdha, e kjo është e gjithë koha (periudha e shkruar).”

O robërit e Allahut!

Përqendrimi në namaz ka disa shkaqe, prej të cilave më kryesoret janë:

Përkujtimi i madhështisë së Allahut para të Cilit po qëndron, përkujtimi se Allahu është afër robit të Tij, e sheh dhe e dëgjon atë, di se ç’ka në zemrën dhe ndërgjegjen e tij, si dhe turpërimi nga Zoti i Tij. Shkaqe të tjera që ndikojnë në përqendrimin në namaz është dhe vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën dhe vendosja e të dyjave mbi gjoks në shenjë nështrimi përpara Allahut të Madhëruar. Kur është pyetur Iman Ahmedi për këtë veprim u përgjigj se kjo paraqet nështrimin para Krijuesit të Madhëruar. Prej shkaqeve të përqendrimit në namaz është dhe eliminimi i lëvizjeve që s’janë pjesë e namazit. Një nga besimtarët e mëparshëm kur shikonte dikë që i lëvizte duart e tij jashtë lëvizjeve të duhura i tha: “Sikur të ishte e përqendruar zemra jote do të ishin të përqendruara dhe gjymtyrët e tua.” Këtë fjalë e kishte dëgjuar nga i dërguari (alejhi selam). Ka disa njerëz që kur falen i lëvizin së tepërmi këmbët, duart apo fërkojnë hundët, sa që shqetësojnë edhe të tjeret, e kjo tregon për mospërqendrim në namaz. Gjithashtu, nga shkaqet e përqendrimit në namaz është dhe prezantimi i zemrës në të dhe moszënia e saj me çështjet e dynjasë dhe problemet e saj. Pra qëndrimi përpara Allahut me zemër të frikësuar dhe të larguar nga diçka jasht namazit. Largimi i vëmendjes nga namazi është i ndaluar. Shpërqëndrimi nga namazi, sipas dijetarëve është dy llojesh:

1.Shpërqendrimi i zemrës nga Allahu duke e zënë atë me punët e dunjasë, duke mos e përqendruar atë në Allahun e Madhëruar. Transmeton Muslimi në librin e saktë të tij një hadith nga Muhamedi (alejhi selam) ku flitet për mirësinë e abdesit: “… e nëse ai falet, e falenderon Allahun, e nderon dhe e madhëron Atë me atë që Ai e meriton, pastaj e largon zemrën e tij nga çdo gjë tjetër, pastrohet nga gjynahet sikurse ka qenë në ditën kur e ka lindur nëna.”

2. Shpërqendrimi duke e hedhur shikimin majtas ose djathtas duke e ditur se mbajtja e shikimit në vendin e sexhdes ndikon për përqendrimin në namaz dhe për mos shkëputjen e vëmendjes tek objektet që na rrethojnë.

Muslimi transmeton se Aishja e pyeti të dërguari (alejhi selam) se ç’është shpërqendrimi nga namazi, ai iu përgjigj: “Shpërqendrimi është vjedhje me të cilën shejtani mundohet t’ia pakësojë sevapet njeriut.”

Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë një hadith nga Harith el Esharij nga i dërguar (alejhi selam) se ai ka thënë: “Allahu e udhëzoi Jahjan, të birin e Zekerijas me pesë fjalë që të punonte me to dhe të urdhëronte beni israilët që të punonin me to, përmendi prej tyre: Allahu ju urdhëron të falni namazin, sepse me të vërtet, Allahu vazhdon ta mbajë shikimin në fytyrën e robit të Tij, derisa njeriu të mos shpërqendrohet nga namazi, prandaj kur të faleni mos e largoni vëmendjen prej tij.”

Ahmedi transmeton nga Ebu Dherri se i dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Allahu vazhon të qëndrojë përball robit të Tij kur është në namaz, deri sa të mos shpërqendrohet nga namazi, e nëse e largon vëmendjen prej tij, atëhereë edhe Allahu e largon shikimin nga robi i Tij.”

O robër të Allahut!

Me të vërtetë, namazi me të gjithë pjesët përbërëse të tij, si: qëndrimi në këmbë, në sexhde, dhikri që bëhet në këto pozicione është nështrim ndaj Allahut të Madhëruar.” Në suren Bekare ajeti 238, thuhet: “… dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze). Si dhe ajetin 43, po në suren Bekare: “… dhe bini në ruku (përkuluni) me ata që e bëjnë rukunë”. Sepse me te vertete rukuja (përkulja) është bindje ndaj Allahut dhe nështrim para Tij me githë trupin. Prandaj dhe mendjemëdhnjtë refuzuan t’i përkulen Allahut të Madhëruar për këtë arsye iu tërhoq vëmendja duke u thënë: “Dhe kur u thuhej atyre: ‘Përkuluni!’, ata nuk përkuleshin. Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan.” Po kështu dhe sexhdja është një prezantim më i madh i nështrimit që robi i bën Zotit të tij. Kur njeriu vendos pjesët e tij më të nderuara në tokë, duke e nështruar dhe zemren e tij për Allahun e Lartësuar në shenjë modestie dhe frike ndaj krijuesit të tij. Një veprim i tillë e bën besimtarin të jetë më afër Zotit të tij, siç ka thënë dhe i dërguari (alejhi selam): “Me të vërtetë, njeriu është më afër Zotit të tij kur është në sexhde.” Allahu i Lartësuar ka thënë të dërgurit (alejhi selam): “… vazhdo me sexhde dhe afrohu Zotit tënd!”

Iblisi pasi refuzoi t’i bënte sexhde Ademit (alejhi selam) meritoi mallkimin dhe përçmimin e Allahut. Politeistët dhe politeistet refuzuan t’i bënin sexhde Allahut në këtë botë, për këtë arsye nuk do t’u mundësohet rënia në sexhde ditën kur do ta takojnë Zotin e tyre, siç thonë edhe ajetet 42-43 në suren Kalem: “Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm (në Kiamet), e ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk munden. Shikimet e tyre janë të përulura dhe ata i kaplon poshtërimi, kur dihet se ata kanë qenë të ftuar të bëjnë sexhde sa ishin të shëndoshë (e ata talleshin).” Buhariu transmeton nga Ebu Seid el Hudri se ka dëgjuar të dërguarin duke thënë: “Kur shfaq Zoti ynë Kërcirin e Këmbës së Tij, i bien në sexhde të gjithë besimtarët dhe besimtaret, mbetet vetëm ai që ka rënë në sexhde në këtë botë sa për t’u dukur dhe t’u dëgjuar, kur shkon për t‘i bërë sexhde Allahut shpina e tij transformohet në një pjesë të vetme (e palëvizshme). Ibn Kethiri thotë se ky është një hadith i njohur të cilin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerë veç tyre.

Ndër shkaqet që ndikojnë në përqendrimin në namaz është dhe përkujtimi i cilësive të larta të Allahut të Lartësuar si, i Lartësuari, i Madhëruar kur të jesh në sexhde apo ruku. Kur kujton këto cilësi duket sikur thua: O Allah, unë ndaj teje jam i nështruar dhe i bindur ndërsa Ti je i Madhëruar i Lartësuar, prandaj dhe duhet thënë në ruku “Subhane Rabi el adhijm” (larg nga të metat është Zoti im i Madhëruar), në sexhde të themi “Subhane Rabi el ala” (larg nga të metat je o Zoti im i Lartësuar).

O muslimanë!

Të menduarit në kenaqësinë dhe në sevapin që merr njeriu gjatë namazit të tij, e bën atë t’ia ndiejë lezetin (ëmbëlsinë) namazit. I dërguari (alejhi selam) thotë: “E arrij qetësinë time në namaz.” Allahu thotë në suren Bekare ajeti 45: “Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz, vërtetë, ajo është një çështje e madhe (vështirë), por jo për ata që kanë frikë (Zotin)”. Në suren Ankebut thuhet: “… e fal namaz, me të vërtetë, namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat…”. Por kur njeriu e harron shpërblimin dhe kënaqësinë e namazit, i duket sikur është në burg dhe mezi pret të dalë prej tij. Këtë e tregojnë dhe leëvizjet e shumta si dhe parakalimi i imamit në veprime. Kush i gjen këto në veten e tij ai del nga namazi pa përfituar asgjë dhe nuk ka dëshirë të falet përsëri, por falet vetëm për hirë të zakonit ose për qejf.

Kini frike Allahun në namazin tuaj, o robërit e Allahut sepse ai është shtylla e Islamit, të ndalon nga veprat e shëmtuara dhe gjynahet, si dhe është gjëja e fundi për të cilën ka porositur i dërguari (alejhi selam) para shkëputjes nga dunjaja.

O robërit e Allahut, namazi është gjëja e fundit që i mbetet njeriut nga feja e nëse e lë dhe namazin nuk ka më fe.

I kërkoj mbrojtje Allahut të Madhëruar të më ruaj nga shejtani i mallkuar: “Me të vërtetë kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar.” 1-2 “Ata janë trashgimtarët, të cilët e trashëgojnë Firdeusin dhe aty janë përgjithmonë.”(Muminun, 10-11)

Allahu më begatoftë mua dhe ju me Kuranin madhështor!

Përktheu: Driton Lekaj

Must Read