AJO PËR TË CILËN DEBATOJNË MELAIKET E LARTA
Vëllezër dhe ju o motra! Sot do të qëndrojmë me një hadith të madh, me një hadith prej të cilit rrëqethen mishrat dhe dridhen zemrat.
Ky është një hadith i cili mbart përgëzime dhe sihariqe për çdokënd i cili beson në Allahun dhe të dërguarit e Tij.
Përcillet nga Muadh bin Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një mëngjes Profeti, salallahu alejhi ue selem, u vonua nga namazi i sabahut aq sa për pak doli dielli, ndërkohë Profeti doli dhe e shpejtoi faljen e namazit. Pasi dha selam u tha njerëzve:
-Qëndroni në vendet tuaja, do t’u tregoj për shkakun i cili më bëri të vonohem sot. U ngrita natën për t’u falur dhe fala sa munda, më pas duke qenë në namaz më zuri një kotje, kur ajo u bë më e rëndë pash një ëndërr ku Zoti im më tha:
-O Muhamed! A e di se për çfarë po diskutojnë Melaiket e larta?
-Nuk e di, – tha Profeti salallahu alejhi ue selem.
Allahu këtë pyetje ia drejtoi tre herë dhe përgjigja e Profetit ishte po e njëjta; nuk e di. Më pas thotë Profeti, salallahu alejhi ue selem, Allahu më frymëzoi dhe u njoha me të gjitha gjërat dhe sërish më pyeti:
-Për çfarë po diskutojnë Melaiket e larta?
-Po diskutojnë për ato se çfarë u falin gjynahet njerëzve dhe ato me të cilat rriten në grada.
-Cilat janë veprat që ua falin gjynahet atyre?
-Veprat që falin gjynahet janë: qëndrimi në xhami pas kryerjes së namazit, të ecurit në këmbë deri në xhami (për t’u falur me xhemat) dhe marrja e abdesit në formë të mirë edhe kur kjo është e vështirë. Ndërsa veprat që rrisin gradat janë: ushqimi i fukarenjve, të folurit mirë dhe të falurit natën, atëherë kur njerëzit flenë.
Më pas Allahu më tha:
-Kërko o Muhamed!
Atëherë unë u luta: “O Zot, të lutem Ty të më mundësosh veprimin e punëve të mira, dhe braktisjen e të këqijave, t’i dua fukarenjtë, të më falësh e të më mëshirosh, e nëse kërkon ta sprovosh ndonjë popull, të më vdesësh para se të më arrijë kjo sprovë!
Të lutem të më dhurosh dashurinë Tënde dhe dashurinë e atyre që të duan Ty, si dhe dashurinë e çdo vepre që më afron drejt dashurisë Tënde!
Pastaj Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: “Këto janë fjalë të vërteta prandaj studiojini e më pas mësojini ato.” Ahmedi, Tirmidhiu, Bezari dhe Ibnu Huzejme.
Ky hadith zë vend thellë në zemër aq sa përzihet me të, ai na merr e na çon atje lart ku janë Melaiket që të përjetojmë disa momente me krijesat e ndershme.
Padyshim që, ky është një hadith që shpalos kuptime madhështore, ai vendos pikat mbi “i”, dhe bën lidhjen mes tokës e qiellit.
Këtë ngjarje dhe këto gjëra Profeti Muhamed, salallahu alejhi ue selem, i pa në ëndërr, e, dihet se ëndërrat e Profetëve janë shpallje, e shejtani nuk mund të influencojë e të ndikojë në to. Madje kontakti i parë i Profetit, salallahu alejhi ue selem, me shpalljen kanë qenë ëndrrat të cilat i dilnin realitet si drita e agimit.
Profeti, salallahu alejhi ue selem, tregon se Allahu e ka pyetur rreth asaj që diskutojnë melaiket e larta, vallë ç’është ajo që i shqetësojnë melaiket që të debatojnë, cila është ajo që po i shqetëson? Melaiket janë krijesa të bindura, ato kurrë nuk mëkatojnë. Janë krijesa të larta, me grada dhe pozitë te Krijuesi i tyre, vallë ç’është ajo që i preokupon?
Eh, mor vëllezër, melaiket diskutojnë, debatojnë e shqetësohen për atë që na bën dobi ne jo atyre, debatojnë ata që janë pa gjynahe se cilat janë ato vepra që na falin ne gjynahet. Melaiket debatojnë për atë që shumica prej nesh tregohet neglizhent edhe pse bën gjynahe ditën dhe natën; Melaiket na duan ndoshta më shumë se ne vetvetet ndaj dhe debatojnë se cilat janë ato punë e vepra që na i rrisin gradët, që Ditën e Gjykimit të jemi në strehimet e larta dhe Xhenetet e bukura, atje ku melaiket do t’i rrethojnë banorët e saj nga çdo anë, ku do t’i përshëndesin me selame dhe do t’i përgëzojnë për këtë fitore.
Burimi:
burimijetes.info
Bledar Tefik Haxhiu