BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaArgumentet mbi obligueshmërinë e mbulesës(Shamisë)

Argumentet mbi obligueshmërinë e mbulesës(Shamisë)

Argumentet mbi obligueshmërinë e mbulesës(Shamisë)

Falënderimet i takojnë të madhit Zot që krijoi njerëzimin. Ai e ndau llojin njerëzor në mashkull dhe femër “Dhe Ai është që krijoi llojet – mashkullin dhe femrën.”[1] Për të dhënë kontributin në jetën e kësaj bote çdo njëri nga këndi i tij. Feja nuk bën dallime mes mashkullit dhe femrës përveç në disa dispozita në bazë të natyrshmërisë së këtij lloji njerëzor.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” [2]

Caktimi hyjnor e përcakton dallimin mes llojit njerëzor mashkull dhe femër “…E mashkulli nuk është si femra.”[3] dhe këto dallime i argumenton sheriati, mendja e shëndoshë dhe shkenca. Sheriati islam parasheh disa dispozita që femra dallohet me to nga mashkulli dhe këto duke u mbështetur në bazë të nevojës së natyrshmërisë së këtij lloji njerëzor. Njëra nga këto dispozita është hixhabi apo mbulesa.

Mbulesa në kuptimin e gjerë:

Hixhabi në kuptimin e gjerë do të thotë: pengesë, mbulim. Mbulesa është detyrim për çdo mashkull dhe femër. Mashkull me mashkull, femër me femër apo anasjelltas. Mashkullit i detyrohet t’i mbulojë pjesët e trupit nga kërthiza e deri në gjunjë, qoftë në prezencën e meshkujve apo femrave përveç gratë, që ai i ka nën kurorë. Islami i urdhëron besimtarët dhe besimtaret ta ulin shikimin nga këto pjesë të trupit, të cilat ngjallin epshin. Kjo është etika e sheriatit, që e largon nefsin për të mos rënë në haram.

Mbulesa në kuptimin e ngushtë:

Islami i detyron të gjitha gratë besimtare, që të mbulohen me mbulesën islame nga koka e deri tek këmbët, duke mbuluar kokën dhe trupin e tyre dhe stolitë që ato zotërojnë nga çdo burrë i huaj. Kjo duke u bazuar në Kuran, Sunet dhe konsensusin praktik prej grave besimtare nga koha e Pejgamberit paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi to, e duke kaluar në periudhën e kalifatit dhe brez pas brezi deri në kohën tonë.

Përkufizimi i hixhabit, mbulesës: Mbulesa në aspektin gjuhësor sillet rreth kuptimit: pengesë , mbulim.

Mbulesa në aspektin e sheriatit:

Mbulimi i gruas, trupit dhe stolive të saj, që i pengon burrat e huaj të shohin diçka nga trupi apo stolitë me të cilat zbukurohet ajo. Kjo mbulesë arrihet me petka apo duke qëndruar në shtëpi. Mbulimi i stolive, është mbulimi i të gjitha stolive, që femra i vendos për t’u zbukuruar. “…të mos zbulojnë stolitë e tyre…”[4].

Me çfarë duhet të jetë hixhabi, mbulesa?

Hixhabi përbëhet nga dy gjëra:

Një: Hixhabi duke qëndruar në shtëpi; ngase kjo ia mundëson femrës, që të largohet nga shikimet e meshkujve të huaj dhe përzierjes me ta.[5]

Dy: Hixhabi me petk, që femra duhet të mbulojë të tërë trupin e saj me përjashtim të fytyrës dhe duarve.

Kushtet e hixhabit, mbulesës sipas sheriatit islam:

Në bazë të ajeteve kuranore, haditheve të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem dhe gjurmëve të të parëve tanë të mirë na sqarohet, se femra nëse del nga shtëpia e saj detyrohet ta mbulojë tërë trupin e saj dhe stolitë përveç fytyrës dhe duarve[6] me çfarëdo petku duke përmbush këto kushte[7]:

1. Mbulimi i tërë trupit përveç fytyrës dhe duarve.

2. Që petkat mos të jenë të zbukuruara.

3. Mos të jenë të tejdukshme.

4. Të jenë të gjera, mos të jenë të ngushta.

5. Mos të jenë të parfumuara.

6. Mos t’i përngjasin veshjeve të burrave.

7. Mos t’i përngjasin veshjeve të jobesimtareve.

8. Mos të jenë nga veshjet shuhreh[8].

Argumentet e detyrimit të hixhabit, mbulesës për gratë besimtare:

Argumentet për detyrimin e hixhabit, që janë të përjetshme për të gjitha gratë besimtare janë përmendur në dy ajete në suret Nur dhe Ahzab. Argumenti i parë:

“O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, prandaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni fjalë të matura. Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme…”[9] Ky ajet iu drejtohet grave të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, për shkak të pozitës dhe afërsisë së tyre me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue selem, por i përfshin të gjitha gratë e besimtarëve.

Argumenti i dytë: “Ajeti i hixhabit, mbulesës”:

“O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe, vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush; Allahu nuk i turpërohet realitetit. E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk ju takon ta mundoni të Dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek Allahu mëkat i madh. E shprehët ju haptazi ose fshehtazi ndonjë send, s’ka dyshim se Allahu çdo send e di. Nuk është mëkat për ato(gratë të jenë të pambuluara) ndaj etërve të tyre, as ndaj djemve të tyre, as ndaj vëllezërve të tyre, as ndaj djemve të vëllezërve të tyre, as ndaj djemve të motrave të tyre, as ndaj grave të tyre, e as ndaj robëreshave të tyre. E, frikësohuni (o ju gra) Allahut, Allahu është pranë çdo sendi.” Ky ajet njihet si ajeti i hixhabit, ngase e ka bërë detyrim hixhabin për Nënat e Besimtarëve dhe grave të besimtarëve. Ka zbritur në muajin Dhul Kade në vitin e pestë të hixhretit.

Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve:

Na përcillet nga hadithi i Enesit, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, se ka thënë: Omeri, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij ka thënë: I thashë: “O i Dërguari i Allahut, tek ty hynë i miri dhe i keqi, sikur t’i urdhëroje Nënat e Besimtarëve (gratë e tua) të mbulohen. Atëherë Allahu i Madhëruar zbriti ajetin e hixhabit, mbulesës.” (Shënon Ahmedi dhe Buhariu). Kur zbriti ajeti i mbulesës Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem i mbuloi gratë e tij nga burrat e huaj dhe besimtarët i mbuluan gratë e tyre, duke i mbuluar nga koka e deri tek këmbët dhe stolitë e tyre. Mbulesa është detyrim i përgjithshëm për çdo besimtare nga mosha e pubertetit dhe është detyrim i përjetshëm deri në Ditën e Kiametit.

Argumenti i tretë: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë(mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.”[10] Sujuti Allahu e mëshiroftë thotë: “Ky është ajeti i mbulesës dhe është për të gjitha gratë…”

Argumenti i katërt: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të tyre, ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyredhe robëreshave, të cilat i kanë nën pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt, të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat, ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.”[11]

Allahu subhanehu ue teala i ka urdhëruar gratë e besimtarëve, që të mbulohen me një petk, i cili mbulon të tërë trupin dhe bukuritë e tyre para burrave të huaj, duke e llogaritur një gjë të tillë adhurim; shpërblehet nëse e vepron dhe ndëshkohet nëse nuk e vepron (nuk mbulohet). Prandaj zbulimi ka qenë nga gjërat e ndaluara (haram), e cila të shpie drejt mëkateve të mëdha, si përzierja me burra dhe sprovimi i të tjerëve. Gratë e besimtarëve duhet t’i përgjigjen ajetit dhe të ecin sipas asaj që i ka urdhëruar Allahu subhanehu ue teala, duke u mbuluar me mbulesën islame dhe duke qenë të ndershme, për t’iu nënshtruar Allahut subhanehu ue teala dhe të Dërguarit të Tij.

Argumenti i pestë: Justifikimi i grave të moshuara për ta hequr hixhabin, mbulesën.

“E gratë e moshuara, të cilat nuk dëshirojnë martesë më, për to nuk është mëkat ta heqin petkun mbulues të tyre, po duke mos qenë zbuluese të bukurive, megjithëqë më së miri është për to të jenë të përmbajtura. Allahu dëgjon, di.”[12] Allahu i Madhëruar i ka justifikuar gratë e moshuara, të cilave ju është ndërprerë cikli menstrual dhe lehonia dhe të cilat nuk lindin, që ta heqin petkun-hixhabin me të cilin kanë qenë të detyruara më herët. Ky justifikim është i lejuar me dy kushte:

Kushti i parë: Që gratë e moshuara të jenë nga ato të cilave nuk u ka mbetur bukuria apo kanë humbur shpresën për kurorë.

Kushti i dytë: Që mos t’i shpalosin stolitë e tyre.

Argumentet nga Suneti:

Argumentet nga udhëzimi profetik janë të shumta, që aludojnë për detyrimin e mbulesës.

Një: Përcillet nga nëna e besimtarëve Aishja Allahu qoftë i kënaqur ndaj saj, se ka thënë: “Njerëzit kalonin pranë nesh e ne ishim me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue selem, ishim në ihram[13], kur burrat u afronin afër nesh lëshonim vellon mbi fytyrat tona e kur iknin i zbulonim ato.” (Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe.)

Dy: Përcillet nga Umu Atije Allahu qoftë i kënaqur ndaj saj, se ka thënë: Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem,urdhëroi që edhe gratë të dilnin për faljen e namazit të bajramit ato i thanë: O i Dërguari i Allahut, njëra nga ne nuk ka xhilbab “petk për mbulim”. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem tha: “Le ta veshë xhilbabin[14] e motrës së saj.”(Buhariu, Muslimi)

Tre: Përcillet nga Aishja Allahu qoftë i kënaqur ndaj saj, se Esma bint Ebu Bekër Allahu qoftë i kënaqur ndaj saj dhe babait të saj, kur hyri tek Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem kishte veshur rroba të holla. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem i tha: “Oj Esma! Femra kur të arrijë moshën e pubertetit nuk i lejohet t’i shihet përveç kësaj.” Dhe aludoi tek fytyra dhe duart. (Ebu Daudi)

Qëndrimi i medhhebeve ndaj hixhabit :

– Katër medhhebet, Hanefi, Maliki, Shafiji, Hanbeli kanë rënë në pëlqim, se femra muslimane është e detyruar ta mbulojë të tërë trupin e saj nga burrat e huaj. Pa marrë parasysh se a e llogarisin, se duhet të mbulohet fytyra dhe duart apo jo.

– Dijetarët kanë rënë në ujdi, se gratë duhen të mbulohen nga burrat e huaj. Ibën Haxheri Allahu e mëshiroftë ka përcjellë nga Ibën Mundhiri Allahu e mëshiroftë. “Kanë rënë në ujdi, se gruaja e cila është në ihram të veshë rroba të qepura…”

– Kjo është argument për atë që është në ihram gjatë kryerjes së haxhit, e ajo e cila nuk është në ihram për te është edhe më e detyruar.

– Hixhabi, mbulesa ka qenë njëra prej shenjave me të cilën janë dalluar gratë besimtare në të gjitha kohët.

– Ibën Tejmije Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Ka qenë rrugë e besimtarëve në kohën e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, që gruaja të mbulohet…”.

– Imam Ibën Reslani Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Muslimanët kanë rënë në ujdi, që të pengohet gruaja të dalë e pambuluar.”

Must Read