BallinaAKTUALEAnaliza“AVATAR”, një film që idealizon idhujtarinë

“AVATAR”, një film që idealizon idhujtarinë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“AVATAR”, një film që idealizon idhujtarinë

 

 

Islami është feja e njësimit të Zotit, është kulti monoteist më i pastër që ekziston mbi këtë lëmsh dheu dhe si i tillë, misioni i kurdohershëm i tij është të mbajë të gjallë dhe aktive frymën e këtij nocioni xheloz në jetën e njerëzve, nga çdo prekje e idhujtarisë.

 

Allahu i Lartësuar, me Urtësinë e Tij sublime, ka përcaktuar për këtë ekzistencë, atë që çdo krijesë e Tij e përjeton natyrshëm, si ligji i shkakut-e pasojës. Asgjë në këtë botë nuk del jashtë këtij ligji, edhe pse shpesh njerëzit nuk janë në gjendje të kuptojnë apo zbulojnë të gjitha hallkat e këtij zinxhiri të pandërprerë, që vepron në mënyrë organike. Edhe vetë parashkrimi hyjnor i ngjarjeve dhe përfundimi i gjithçkaje që ndodh dhe do të ndodhë, është përcaktuar të jetësohet po nëpërmjet këtij ligji. Kjo është një bindje e kulluar islame; asgjë nuk del jashtë caktimit të Zotit dhe asgjë nuk ndodh pa pasur një shkak.

 

Ne besojmë, ashtu si çdo njeri i thellë, se jeta e njeriut është një kompleks bashkëveprimi ndërmjet individit dhe ambientit që e rrethon dhe pikërisht edhe identiteti i qenies njerëzore mbruhet nga ato qindra e mijëra ndijime dhe ngacmime, të jashtme dhe të brendshme, që ai i përjeton çdo ditë. Këtë të vërtetë vetëm të menduarit e shterpët dhe një cektësi sipërfaqësore e deviacionit doktrinar kryeneç mund ta mohojë.

 

Nisur nga ky këndvështrim islam i qashtër për botën, neve si muslimanë nuk mund të mos na bëjë përshtypje propaganda e ethshme me elemente pagane, që qarqe të caktuara kulturore përçojnë me ose pa vetëdije në drejtim të njerëzve. Pikërisht duke kapur këtë anë shqetësuese për ne, jemi të detyruar që prodhimeve kulturore që përhapen me shpejtësi sot në botë, t’u shohim edhe anën e tyre negative, e për më tepër, kur kjo anë është kaq blasfemuese ndaj besimeve qiellore, sa i ndot qoftë edhe në sfond anët e tjera pozitive të mesazheve, që këto prurje sjellin për njerëzimin sot.

 

Nuk dua të bëjmë nihilistin, por nuk mund të heshtim, as në mënyrë naive ndaj një fenomeni propagandistik, gjithsesi të tërthortë, që bëhet nëpërmjet filmave artistikë për të rritur dhe atyre vizatimorë për fëmijë, ku elementë të idhujtarisë, në formën e animizmit apo panteizmit, shfaqen dukshëm pozitivisht në këto filma, por njëkohësisht edhe si të vërteta, të cilat të kontaktuara nga njerëz me kulturë që trashëgojnë një fe hyjnore nuk hasin asnjë lloj rezistence, përkundrazi respektohen, simpatizohen apo edhe përqafohen prej këtyre njerëzve modernë, zotërues të teknologjisë, por që na zbulojnë neve, se janë të zbrazët nga ana shpirtërore.

 

Këtu do të marrim në shqyrtim një film me subjekt tejet imagjinar,fantastiko-shkencor, të titulluar “AVATAR”, film i cili këto ditë është duke bërë xhiron e botës dhe ku natyrisht, nuk mund të mos bjeri në sy ana e fortë komerciale, e qindra milionë dollarëve të shpenzuar për realizimin e tij dhe e po aq të fituarve në mbarë globin nga shitja e tij.     

 

Filmi në fjalë, trajton ngjarje imagjinare që zhvillohen në vitin 2154 dhe fokusohet në një konflikt epik në Pandora, një satelit natyror imagjinar, në madhësinë e tokës, satelit i planetit imagjinar të quajtur Ciklop, dhe ku ky i fundit ndodhet në orbitën e yllit më të afërt me diellin tonë, në Alfa Centaur. Që në fillim të bie në sy përdorimi i emërtimeve me origjinë greke pagane (çka tregon në fakt edhe lidhjen e fortë që ka qytetërimi perëndimor me këtë kulturë), ku sipas mitologjisë greke, Ciklopi është biri i perëndisë Gea (toka) me Uranin (qielli), ndërsa Pandora është një krijesë e Zeusit, e cila u dërgua për t’i sjellë njerëzimit fatkeqësi dhe sëmundje. Nuk mundet të mos dallosh lehtë simbolikën që kanë këto emra në film.

 

Në planetin Pandora jetojnë kolonët njerëz dhe banorët vendas, të quajtur na’vi, të cilët janë qenie të ngjashme me njeriun. Këta humanoidë imagjinarë, kanë trupa të mëdhenj dhe janë të gjatë 2.7 metra, kanë bisht dhe lëkurë ngjyrë blu! Na’vit janë krijesa që jetojnë në harmoni me natyrën, ata adhurojnë “perëndinë nënë”, ose ndryshe natyrën e planetit të tyre, të cilën ata e quajnë Eywa, e cila “është forca udhëheqëse dhe hyjnore e Pandoras dhe e Na’vi-t. Na’vit besojnë se Ejua vepron për të mbajtur ekosistemin e Pandoras në një ekuilibër perfekt.”

 

Njerëzit e ardhur nga toka janë një kompani kërkimesh, të cilët kanë zbuluar një mineral të veçantë me veti të jashtëzakonshme në këtë planet, të cilin duan ta nxjerrin për ta shitur më pas në tokë me çmime marramendëse. Vetë kompania ironikisht quhet Pandora, emër të cilin ata ia kanë vënë edhe planetit ku kanë zbarkuar. Kompania Pandora ka pajtuar edhe një ushtri mercenarësh, për të përmbushur qëllimet e saj, nëse asaj do t’i duhet të përdorë forcën ndaj banorëve vendas. Bashkë me ta gjenden edhe një grup studiuesish, të cilët studiojnë florën dhe faunën e këtij vendi. Këta të fundit për të komunikuar me na’vit, të cilët nuk afrohen me të ardhurit nga toka, kanë krijuar trupa të ngjashëm me ta, të përzier gjenetikisht me njerëzit, të cilët nëpërmjet një procesi telekomandimi, bazuar në inxhinierinë gjenetike, vendosin mendjen e tyre në këto trupa dhe sillen si të ishin të lindur në to!

 

Pikërisht ky proces mishërimi, në thelb pagan, nga regjisorit i filmit emërtohet avatar, që “nënkupton teknologjinë njerëzore, e cila në të ardhmen, –sipas tij- do jetë e aftë të injektojë inteligjencën njerëzore në një trup të largët të komanduar në distancë, një trup biologjik ky”! Pikërisht edhe titulli i filmit e merr emrin nga ky fenomen. Vetë fjala avatar, vjen nga sanskritishtja dhe sipas konceptit hinduist, do të thotë mishërimi i një perëndie në trupin e një njeriu.

 

Na’vit, që paraqiten si humanoidë, që jetojnë në gjendje primitive, nuk janë aspak objekt kërshërie për drejtuesit e kompanisë Pandora, madje ata duan t’i largojnë na’vit nga vendbanimi i tyre, një pemë gjigante kjo, ku ata jetojnë në zgavrat natyrale të saj në formën e një bashkësie fisnore, sepse poshtë saj gjendet një rezervë e madhe e mineralit të çuditshëm. Për këtë ata ngarkojnë me mision një nga njerëzit që shoqëron grupin e studiuesve si roje, i cili me anë të “avatarizmit” komandon një trup na’vi. Njeriu në fjalë depërton në radhët e fisit dhe fiton besimin e tyre, mësohet të jetojë si ata dhe madje bie në dashuri me vajzën e kreut të fisit, e cila i qëndronte pranë për t’i mësuar jetën dhe kulturën e tyre. Ajo i mëson atij të jetojë si një na’vi, i mëson atij se si të përshtatet fizikisht dhe shpirtërisht me këtë kulturë animiste pagane dhe si ta ndjejë dhe ta adhurojë atë.

 

“Na’vi-t kanë vende të shenjta, ku ata thonë se e ndiejnë më thellësisht lidhjen me natyrën. Gjatë filmit bëhet tërësisht e qartë se perëndia e na’vit, Ejua është diçka reale, po aq sa dhe çdo qenie tjetër në këtë planet. Pemët, bimët dhe kafshët kanë lidhje reale me njëri-tjetrin, duke formuar lidhje të përbashkëta në një botë gjigante mendore, një mendje, e cila e manifeston vetveten si një pikë kyçe nga ku duhet vrojtuar panorama e kësaj bote, në atë mënyrë që nuk të lë asnjë mëdyshje, nëse “ajo” ekziston apo jo.” Vajza na’vi i mëson heroit njeri të filmit se ata, edhe kur janë të detyruar të gjuajnë kafshë për t’u ushqyer, i bëjnë një lutje falënderimi nënës natyrë, e cila u mundëson të ushqehen prej saj. E thënë më ndryshe, ajo i mëson atij se si të respektojë natyrën e planetit, ose ndryshe perëndinë e tyre dhe të jetojë në harmoni me të.

 

Për na’vit, Ejua është krijuesja dhe perëndia që përkujdeset për ta. Ndonjëherë, ajo teorizohet materialisht nga shkencëtarët e tokës, ku çdo gjë e gjallë në Pandora lidhet me të nëpërmjet një sistemi neuro-transmetues, gjë që shpjegon pse edhe na’vit mund t’u hipin kafshëve të tyre të egra, të kalërojnë apo fluturojnë me to menjëherë, pa pasur nevojë për një periudhë të gjatë e të nevojshme për zbutjen e tyre, siç ka ndodhur me kafshët shtëpiake, dikur të egra, në tokë.”

 

Në gjithë sa thamë, duken qartë elementet e një besimi panteist natyror, ku çdo krijesë është pjesë e së tërës dhe një shpirt i vetëm i përshkon të gjithë, pikëpamje këto që përputhen me filozofinë Gaia, ku kjo e fundit, siç e përmendëm edhe më lart, sipas mitologjisë greke përfaqëson perëndinë tokë, nga e cila rrodhën edhe perënditë greke dhe të gjithë krijesat e tjera. Këto pikëpamje janë huazuar sot edhe nga neo-paganizmi, apo siç njihet ndryshe edhe si Epoka e Re (New Age).

 

Pandora ka një pamje mahnitëse, një gjelbërim të harlisur, me një bimësi mjaft të bukur dhe tërheqëse, me bimë fluoreshente që ndriçojnë natën, aq magjepsëse, sa as në tokë nuk e gjen, shkurt ajo na paraqitet si një parajsë natyrore. Skenaristi dhe regjisori i filmit me sa duket me anë të kësaj panorame kërkon të idealizojë natyrën, përderisa krijesat inteligjente që jetojnë në të e shohin atë si të shenjtë dhe idhullin e tyre.

 

Por asgjë nga këto nuk u ngjall kërshërinë drejtuesve ushtarakë dhe civilë të misionit Pandora, të cilët falë teknologjisë së përparuar që zotërojnë e shohin veten superiorë dhe duan ta kthejnë vendin në një kantier shfrytëzimi, qoftë kjo edhe duke i detyruar na’vit me forcë ta braktisin banesën pemë të tyre. Duke qenë se misionari avatar dështon në misionin e tij, madje ai tradhton, duke u dashuruar mbas jetës dhe kulturës së na’vit, kompania vendos të përdorë forcën e armëve, kështu që ajo shkatërron me armë pemën gjigante, duke djegur dhe vrarë për pasojë edhe shumë prej banorëve na’vi. Këtu lind edhe konflikti në mes tyre dhe të ardhurve nga planeti tokë dhe bashkë me ta do të bëhen edhe grupi i studimit, të cilët vihen në mbrojtje të na’vit dhe së bashku organizohen për të përzënë me luftë nga vendi i tyre tokësorët.

 

Një moment i rëndësishëm në film, për atë që po trajtojmë, që tregon elementet pagane të tij, është edhe çasti kur heroi i filmit, avatari na’vi-njeri, i drejtohet pemës së shenjtë, duke lutur perëndinë “nënën e të gjithëve”, që ta ndihmojë në këtë luftë, pasi ai e di mirë se armët primitive të na’vit nuk mund të përballen me teknologjinë shkatërruese të ardhur nga toka. Dhe pikërisht atëherë kur lufta midis vendasve dhe të ardhurve po përfundonte tragjikisht në dëm të na’vi-t, të gjitha kafshët e Pandoras, të thirrura nga nëna natyrë, sulmojnë tokësorët imperialistë, duke shkatërruar ushtrinë dhe armët e tyre. Kështu pra, ata shpëtojnë ekzistencën e tyre, në sajë të një renegati human, por “edhe për shkak të besimit të tyre tek perëndia Ejua, “nëna e të gjithëve”. Në fund, na’vit bashkë me heroin e tyre njeri dhe një grup të vogël tokësorësh të tjerë, të cilët vendosin të jetojnë në Pandora, e detyrojnë me forcë kompaninë dhe gjithë njerëzit e saj të largohen nga planeti i tyre.

 

Filmi mbyllet me zhvendosjen përfundimtare të mendjes së heroit njeri në trupin e na’vit, që ai e përdorte si avatar dhe braktisjen e atij tokësor, tashmë jo përkohësisht, siç bënte më parë me anë të teknologjisë inxhinierike, por në sajë të një rituali fetar midis fisit të na’vit dhe idhullit të tyre natyrë.

 

Filmi po ashtu, fokusohet qartë në temat e imperializmit, bio-diversitetit dhe mbrojtjes së natyrës nga shkatërrimi njerëzor, si pasojë e makutërisë njerëzore dhe e teknologjisë shkatërrimtare. Por ndër të tjera ky film, siç shprehet skenaristi dhe regjisori i tij, ndan pikëpamje të ngjashme që trajtohen edhe në filma të tjerë siç janë: “Duke luajtur në fushat e Zotit”, “Pylli smerald” dhe “Vallëzim me ujqërit”, ku edhe në këto filma animizmi dhe idhujtaria e popujve primitivë shfaqet dukshëm.

 

Ia vlen të përmendim këtu, se edhe vetë regjisori i filmit shprehet se e idealizon jetën e këtyre njerëzve imagjinarë, duke thënë: “na’vi-t përfaqësojnë diçka që është vetja jonë e lartë, apo aspirata e vetes sonë, çfarë ne do të kishim dëshirë të mendonim se jemi”?!     

 

Natyra ku na’vit jetojnë dhe kultura e tyre primitive paraqitet si e përkryer dhe magjepsëse, falë edhe teknologjisë së lartë 3-D kinematografike. Filmi mund të tërheqë lehtësisht në trillin e tij shpirtrat e zbrazët njerëzorë dhe në veçanti brezin e ri dhe njerëz të tjerë emocionalisht të dobët, jo thjesht për ta pranuar paganizmin të jetojë si një “vlerë” njerëzore, por pse jo edhe për ta shijuar e ndoshta përqafuar këtë lloj kulture idhujtarie. Pikërisht edhe efekti më negativ i këtyre filmave dhe i kësaj kulture postmoderne, është fryma e bashkëjetesës paqësore dhe respektuese ndaj idhujtarisë dhe shirkut që këto filma mbartin, duke u përçuar njerëzve që besojnë në një Zot të vetëm dhe transcendent, një herezi të patolerueshme. Sipas një kritiku të “The New York Times”,  “Avatar-i” është një apologji e gjatë për panteizmin –një besim ky që e barazon Zotin me natyrën dhe e fton njerëzimin në një bashkësi lidhëse fetare me botën natyrale.” Ai vazhdon më tej dhe shprehet për panteizmin në prurjet e sotme kulturore amerikane, se ai “është një sajesë metafizike që shfaqet edhe nëpërmjet filmave vizatimorë të Disney-t, të tillë siç janë “Mbreti Luan” dhe “Pokahontas”.

 

Ndërsa ne do të shtonim këtu, se edhe filma të tjerë vizatimorë e artistikë, me të cilët ushqehen sidomos fëmijët sot janë të mbushur me trillime magjish e magjistarësh, perëndish pagane me origjinë antike dhe të sajuara, të tilla si serialet e “Harri Poterit”, “Zoti i unazave” dhe një mori e shumtë vizatimorësh, të mbushura me forca e qenie të mbinatyrshme, të cilët personifikohen në faraonë të ringjallur, dragonj e përbindësha të tjerë, në trajtë perëndish dhe gjysmë perëndish, të cilët ndikojnë fuqishëm në formimin identitar të brezit të ri dhe që për fat të keq mbushin përditë ekranet tona televizive. Sipas kritikut në fjalë: “Ka të dhëna që tregojnë se ka shumë amerikanë, madje edhe të vetëquajtur të krishterë, të cilët mbartin në mendje besime rreth “energjisë shpirtërore” të pemëve dhe maleve, gjë e cila është shprehur mjaft mirë edhe tek indigjenët na’vi.”

 

Tek lexojmë të tilla konstatime që na vijnë nga një botë përhapëse e modernizmit, menjëherë na shkon mendja tek trashëgimia iliro-pagane, që ruhet në forma të ndryshme e gjallë edhe mes shqiptarëve, si mbeturina të adhurimit të natyrës, siç është rasti i kurbaneve që i bëhen malit Gjallicë në zonën e Lumës, “Baba Tomorit” në zonën e Skraparit etj.

 

Kritiku amerikan vazhdon dhe shprehet se si ky lloj paganizmi ka gjetur strehë edhe tek njerëz, të cilët si qëllim kanë kritikën ndaj zhvillimit të pakontrolluar teknologjik që shkatërron ambientin biologjik, duke thënë: “Sot ka të tjera forca, të cilat përhapin apelin e panteizmit amerikan. Ne trishtohemi për atë që kemi lënë pas dhe hyjnizojmë botën natyrale, si një mënyrë reagimi për të shprehur mosmiratimin tonë ndaj një shoqërie super-teknologjike. Kërcënimi i ngrohjes globale, ndërkohë ofron kultin e shenjtërimit të natyrës, për çdo religjion që kërkon të ketë një fushatë sensibilizuese të suksesshme, për t’i thënë një “Jo” të prerë atyre që duan të na shkaktojnë një apokalips skajshmërisht të nxehtë.”

 

Më pas, kritiku vë në pah se si panteizmi mëton të zmbrapsë monoteizmin e trashëguar nga fetë qiellore duke thënë: “Në të njëjtën kohë panteizmi hap një rrugë për përjetime shpirtërore, për njerëz që nuk ndihen rehat me mendësinë e fjalëpërfjalshme të feve monoteiste – me mrekullitë, Zotin dhe librat e tyre të shenjtë… Ashtu siç edhe filozofi polakLeszek Kolakowski vë në pah, se t’ia atribuosh hyjnitetin botës natyrale do të thotë “ta sjellësh Zotin më afër eksperiencës njerëzore” dhe ndërkohë “Atij i heq karakteristikat e mirënjohura personale.” Ai e mbyll duke thënë: “Për çdokënd që brengoset për transcendencën, por tërhiqet përpara idesë që kërkon besimi në një Zot të Plotfuqishëm, i Cili ndërhyn në punët e njerëzve, panteizmi është një kombinim ideal.”

 

Nga ky shpjegim është e lehtë të kuptojmë edhe aleancën e natyrshme që ka lindur mes shekullarizimit dhe përhapjes së kësaj kulture idhujtarie panteiste, ku në fakt që të dyja nuk janë gjë tjetër vetëm se një tentativë për të mos miratuar praninë e Zotit të vërtetë në jetën e krijesave dhe për të kurorëzuar këtë të fundit si Perëndi të vetme të botës.  

 

 

 

Shkroi: Justinian Topulli

 

Burimi: http://www.albislam.com

 

http://www.islamifejaevertete.com/

 

 

 

Burimet:

 

 http://en.wikipedia.org/wiki/Avatar.htm

 

 http://www.nytimes.com/file/avatar%20Heaven%20and%20Nature.htm

 

 http://www.goodnewsfilmreviews.com/2009/12/movie-trailer-avatar.html

 

– Babylon Britannica Concise Encyclopedia.

 

– etj…

 

Artikulli paraprakKujt i thonë këta Vehabi?
Artikulli tjetërSi meritohet fitorja?

Must Read