Jetëshkrimi i autorit
Ai është dijetari i madh Shemsuddin Ebu Abdullah Muhamed Ibn Ebu Bekër Ibn Ejub Ibn Sa’d el Zer’i Ed-Dimashki, juristi i njohur hanbeli, interpretuesi i Kuranit, gjuhëtari dhe apologjeti i shquar si Ibn Kajjim el Xheuzije.
Në librin “El Shudhurat” thuhet se ai ishte jurist me kompetenca të plota’ (muxhtehid mutlak).
Ibn Rexhepi ka thënë: “Shejhu ynë ka lindur në vitin 691 h (1292 e.s.).
Ka shoqëruar shejh Takijuddin Ibn Tejmijen dhe ka marrë shumë prej tij.
Është specializuar në të gjitha dijet islame.
Tefsir-in (interpretimin e Kuranit) e njihte shumë mirë; askush nuk krahasohej me të.
Për sa i përket njohjes së usul ud-din-it (bazave të fesë), në kohën e vet ishte më i miri.
Në dijen e hadithit, njohjen e kuptimeve, të rregullave dhe ideve që nxirren prej tij, nuk e kishte shokun.
Në fushën e fikh-ut (të së drejtës islame), usul el fikh-ut (parimet e së drejtës islame), të arabishtes, ilm-ul kelam-it: (apologjetikës) dhe të tesavvufit (etikës dhe mistikës islame) arriti grada shumë të larta.
Për një periudhë kohore u burgos për shkak se mohoi ligjshmërinë e pelegrinazhit te varri i Ibrahimit (alejhis-selam).
Shquhej si adhurues i madh, që falej shumë natën dhe që e zgjaste pafund namazin.
Nuk kam parë asnjë si ai, për sa i përket adhurimit dhe diturisë së thellë mbi Kuranin, hadithin dhe të vërtetat e besimit.
Gjithsesi, ai nuk ishte i mbrojtur nga gabimet, por si ai nuk më kanë zënë sytë.
Shumë herë është burgosur dhe torturuar. Herën e fundit u burgos me shejhun e Islamit, Takijuddin Ibn Tejmijen, në kala, në një qeli të veçantë.
Nga burgu u lirua vetëm pas vdekjes së Shejhut.
Gjatë kohës së burgut merrej me lexim dhe me përsiatje të Kuranit, gjë që i solli shumë mirësi, duke krijuar tek ai një gjendje të lartë shpirtërore dhe ndjesi fetarisht të drejta.
Kjo gjendje dhe këto ndjesi të drejta mbizotëruan në shumë vepra të tij, ku ka cekur dhe është thelluar në dijet dhe paqartësitë e njerëzve të kësaj fushe (tesavvufit).
Ka shkuar shumë herë në haxh, dhe për një periudhë ka jetuar në Mekë.
Banorët e saj habiteshin se sa shumë kohë kalonte ai duke bërë adhurim dhe tavaf rreth Qabesë.
Para tij kam recituar poemën e tij të njohur “El Nunije”, e cila flet rreth Sunetit, dhe disa nga veprat e tij të tjera.
Prej tij kanë marrë dijen shumë njerëz që në gjallje të mësuesit të vet, Ibn Tejmijes, dhe kanë përfituar shumë.”
Kadiu Burhanuddin el Zer’i ka thënë: “Nuk ka njeri poshtë qiellit me njohuri më të gjera se ai.”
Ka studiuar në shkollat El Sadrijja dhe Umm el Xheuzijja.
Me dorën e vet ka shkruar aq vepra, sa nuk numërohen, në të gjitha llojet e diturisë, aq sa askush tjetër.
Disa prej tyre janë:
1- “Tehdhib Sunen Ebu Daud ue idahu mushkilatih” (Përpunim i “Sunenit” të Ebu Daudit dhe sqarimi i problemeve të tij).
2- “Sefer-ul hixhratejn” (Udhëtimi i dy emigrimeve).
3- “Merahil-us-sairin” (Sezonet e shtegtarëve).
4- “El Kelim-ut-tajjib” (Fjala e mirë).
5- “Zad-ul musafirin” (Zahireja e udhëtarëve).
6- “Zad-ul me ‘ad” (Rezerva për jetën tjetër), një libër i mrekullueshëm me katër vëllime.
7- “Nakdul mankul” (Kritika e teksteve të transmetuara).
8- “I’lam-ul muvakki’in an rabbil alemin” (Lajmërim për nënshkruesit në emër të Zotit të botëve), me tri vëllime.
9- “Beda ‘iul faua ‘id” (Dobi unikale), me dy vëllime.
10- Poema e njohur si “El Nunija” ose “Esh-Shafija-tul Kafijah.”
11- “El Saua ‘ikul murselah ala-l xhehmijah uel mu ‘attilah” (Rrufetë e drejtuara kundër xhehmi-ve dhe muatil-eve’].
12- “Hadi-l erua”hile bilad-il efrah” (Udhërrëfyesi i shpirtrave drejt vendit të gëzimeve).
13- “Nuz’het-ul mushtak” (Shëtitja e të përmalluarit).
14- “Ed-Da’u ued-daud” (Sëmundja dhe ilaçi).
15- “Miftah dar-is sa ‘adah” (Çelësi i derës së lumturisë), libër me një vëllim të madh dhe me një stil të çuditshëm.
16- “Ixhtima ‘ul xhujushil islamija” (Bashkimi i ushtrive islame).
17- “El Turukul hukmija” (Mënyrat e qeverisjes).
18- “Udatus-sabirin ue dhekhirat-ush-shakirin” (Premtimi i durimtarëve dhe zahireja e mirënjohësve).
19- “Igathet-ul lehafan” (Ndihma ndaj të dëshiruarit).
20- “Er-Ruh” (Shpirti).
21- “El Sirat-ul mustekim” (Rruga e drejtë).
22- “El Fet’h-ul kudsij” (Frymëzime nga Kudsi).
23- “El Tuhfet-ul mekkija” (Kryevepra mekase).
24- “El Fetaua” (Fetva) etj.
Ai vdiq më 13 rexhep të vitit 751 h (1350 e.s.) dhe u varros në varrezën “El Bab El Sagir”, pasi më parë i ishte falur xhenazja në vende të ndryshme.
Para se të vdiste, kishte parë në ëndërr shejhun e tij, Ibn Tejmijen, dhe e kishte pyetur për gradën që kishte arritur.
Ai i kishte treguar se kishte arritur grada shumë të larta, edhe më lart se shumë të mëdhenj.
Pastaj i kishte thënë Ibn Kajjimit: “Për pak sa nuk na arrite, por tani je në shtresën e Ibn Huzejmës.”
Xhehmi-të dhe muatil-ët janë sekte muslimane, të shquara për mohimin apo shtrembërimin e teksteve kuranore dhe të haditheve që flasin për cilësitë e larta të Allahut (shën. i përkthvesit).
(Marrë nga libri “Xhela’ul Ajnejn” i Sejjid Nu ‘man el Alusi el Bagdadi)