BallinaAKTUALEMjekësia dhe IslamiÇaji i gjelbër – Camellia Sinensis - për uljen e...

Çaji i gjelbër – Camellia Sinensis – për uljen e kolesterolit

Çaji  i gjelbër – Camellia Sinensis – për uljen e kolesterolit

 

Çaji i gjelbër është një çaj i cili konsumohet shumë në Kinë dhe pjesët Aziatike, mirëpo kohët e fundit ka gjetë pranim të gjerë në botë dhe konsumohet me të madhe. Është prej çajrave më të studiuar ku janë bërë shumë hulumtime rreth përbërësve të tij, dhe është gjetur se posedon veti shumë të mëdha shëruese dhe parandaluese për shëndetin tonë.

Çaji i gjelbër janë gjethet e bimës që njihet me emrin latin, Camellia Sinensis, Familja Theaceae, Rendi Ericales.

Camellia sinensis është me origjinë nga Kina, mirëpo kultivohet në shumë vende tropike dhe subtropike. Është një shkurre, shumëvjeçare. Lulet janë të bardha me 7 ose 8 petale.

Varësisht nga niveli i oksidimit prej së njëjtës specie, prodhohen çaji i zi, i bardhë, si edhe çaji i gjelbër më i rëndësishmi në këtë rast.

Do t’i përmendi shkurtimisht disa prej vetive të shumta të këtij çaji për shëndetin tonë, dhe për të gjitha kam lexuar hulumtime klinike që janë kryer dhe ekzistojnë detajet e kumtesave shkencore. Çaji i gjelbër përdoret si pije por ekzistojnë edhe suplemente të përbërësve të tij. Krahasuar me çajrat e tjerë përmban më pak kafeinë, përmban amino acidin teaninë i cili i jep efektet e dobishme për trurin. Vetive të dobishme të tij i atribuohen substancat antioksiduese të llojit të katekinave ( flavonoide) sikurse epigallokatekin-3-gallati, gallokatekin gallati etj.

Çaji i gjelbër ka veti antioksiduese, zvogëlon inflamacionin, forcon sistemin imun dhe mbron nga kanceri. Prej dobive të tjera duket se dhe mbron nga sëmundjet kardiovaskulare, është i dobishëm për shëndetin e eshtrave dhe mbron nga osteoporoza, i dobishëm për shëndetin oral, mbron nga sëmundjet periodontale. Është gjetur se lehtëson simptomat e artritit, diabetit, hepatitit. Përbërësit e çajit të gjelbër poashtu janë gjetur të jenë neuroprotektiv, dhe mund të paraqesin mbrojtje nga sëmundja e Alzheimerit si dhe format e tjera të çrregullimeve kognitive, sidomos tek moshat e vjetra.

Është gjetur se mbron syrin nga sëmundjet e ndryshme për shkak të vetive antioksiduese të katekinave. Poashtu ka një efekt mbrojtës edhe në glaukomë.

Një studim japonez ka treguar se personat të cilët konsumonin çajin e gjelbër jetonin më gjatë. Kjo vije si rezultat i vetive antioksiduese duke ofruar mbrojtje për sistemin kardiovaskular dhe sistemin nervor (Annals of Epidemiology Vëllimi 19, botimi i 10-të, faqet 732-739 (Tetor 2009). Çaji i gjelbër është gjetur të ndihmojë në humbjen e peshës, kjo vije si pasojë e stimulimit të metabolizmit, duke bërë djegien e yndyrave, sidomos dobitë janë në zvogëlimin e yndyrës abdominale nga përbërësit e çajit të gjelbër. ( Obesity (2009) ).

Çaji i gjelbër është gjetur të zvogëlojë rrezikun nga kanceri i stomakut, sidomos tek femrat, kjo vije si rezultat i vetive antioksiduese si edhe vetive antibakteriale. (Inoue M,Sasazuki S,Wakai K, et al. Green tea consumption and gastriccancer in Japanese: a pooled analysis of six cohort studies. Gut 2009;58:1323-1332. ).

Së fundi, një meta analizë e katërmbëdhjetë provave të rastësishme të kontrolluara klinike që përfshinin 1000 persona sugjeron se çaji i gjelbër mund të ul kolesterolin total si edhe LDL kolesterolin. Hulumtuesit konkluduan se pijet e çajit të gjelbër dhe ekstraktet prodhonin ndryshime të dobishme në nivelin e kolesterolit. Kjo mbështet një studim të gjerë epidemiologjik të më shumë se 40,000 burrave. Ata të cilët kishin pirë së paku dy filxhanë çaj të gjelbër në ditë për 10 vite, kishte rrezik të zvogëluar për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare krahasuar me burrat të cilët nuk pinin çaj.

 [American Journal of Clinical Nutrition, online June 29, 2011]

Çaji i gjelbër ka një shije të hidhur, pjesërisht rrudhëse – astringjente – dhe mund t’i shtohet limon, mjaltë, xhenxhefil për ta bërë më të shijshëm. Nëse e përdorni çajin e gjelbër në filtër, ujin e vluar lëreni të ftohet 5 minuta sepse uji shumë i nxehtë mund t’i dëmtojë përbërësit.

 

Përgatiti: Meriton M.

Burimi: http://www.islamifejaevertete.com/

 

Must Read