BallinaARTIKUJHadith dhe SunetHallalli është i qartë!

Hallalli është i qartë!

Nga Numan ibën Beshiri, radijallahu anhu, transmetohet të ketë thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë:

“Hallalli është i qartë gjithashtu edhe harami është i qartë, kurse mes tyre ka gjëra të dyshimta të cilat shumë njerëz nuk i njohin. Andaj ai që ruhet nga gjërat e dyshimta ai e ka ruajtur fenë dhe nderin e tij, kurse ai që bie në gjëra të dyshimta vërtetë ai ka rënë në haram. (Kjo i ngjanë) si shembullit të bariut i cili i ruan kafshët e tij rreth kufirit të tjetrit të cilat është shumë e mundur ta kalojnë atë kufi. Vërtetë çdo mbret i ka kufijtë e tij (që nuk dëshiron kush t’ia kalojë) kështu edhe Allahu i ka kufijtë e Tij të cilët janë haramet (dhe nuk dëshiron të tejkalohen). Në trup është një copë mishi e cila sikur të përmirësohet me të përmirësohet i tërë trupi ndërsa po të prishet ajo bashkë me të prishet edhe trupi, ajo është zemra”

Zinxhiri i hadithit:

Këtë hadith e transmeton Numan ibën Beshiri, gjithashtu ai përmendet edhe nga Abdullah ibën Omeri, Xhabir ibën Abdullahu Ibën Mesudi, etj. porse transmetimi i Numan ibën Beshirit është më i sakti nga të gjithë. 
Hadithit e shënon Buhariu, nr. 52, Muslimi, nr. 1599, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxhe, etj.

Hadithin e lartpërmendur dijetarët e konsiderojnë një nga tre, katër apo pesë hadithet bazë të gjithë fesë Islame rreth të cilëve ata përmendin se sillet e tërë feja. Kurse sa i përket dispozitave ligjorë të sheriatit ata përmendin se në këtë hadith, në mënyrë të përgjithshme, futen të gjitha dispozitat e Islamit

Komentimi i hadithit:

Fjala: “Hallalli është i qartë gjithashtu edhe harami është i qartë”
Me të është për qëllim se hallalli i qartë në të cilin nuk ka dyshim ai është i njohur për të gjithë njerëzit dhe askush nuk ka dilema rreth tij. Gjithashtu edhe harami i qartë në të cilin nuk ka dyshim ai është  i njohur për të gjithë njerëzit pa pasë nevojë për divergjenca rreth tij. Prej hallallit të qartë sa për ilustrim është edhe  ngrënia e ushqimeve të mira të cilat mbijnë nga toka, ngrënia e mishit të kafshëve të lejuara, si lopa, delja, dhia, etj. gjithashtu martesa e lejuar me kushtet e saj. Të gjitha këto dhe shumë tjera që nuk i përmendëm janë prej hallallit të qartë rreth të cilit asnjë njeri nuk ka dilemë dhe rreth të cilit askush nuk guxon të mos dijë duke preferuar që të mbesë injorant. 
Sa i përket haramit të qartë për ilustrim do të përmendi: pirja e alkoolit me të gjitha llojet e tij, ngrënia e ngordhësirave, e mishit të derrit, fajdeja, amoraliteti, vrasja pa të drejtë, etj.

Fjala në hadith: “Kurse mes tyre ka gjëra të dyshimta të cilat shumë njerëz nuk i njohin”

Pra në mes këtyre dy kufijve, atij të hallallit dhe të haramit ekziston një fushë e cila njihet me emrin: gjërat e dyshimta. Këtu futet çdo gjë rreth dispozitës së së  cilës dijetarët kanë dhënë dy apo më shumë mendime se a futet në radhët e hallallit apo haramit. Mirëpo një gjë për tu konsideruar e dyshimtë patjetër ajo duhet të jetë e tillë në mesin e dijetarëve ngase ata janë që i sqarojnë çështjet e fesë dhe fjala e tyre është e konsiderueshme në Islam, e jo dispozita e caktuar të jetë e dyshimtë në mesin e injorantëve ngase injorantët  në radhët e çështjeve të dyshimta fusin edhe shumë hallalle apo harame të qarta, kjo për arsye se ata janë injorantë dhe shpesh edhe gjërat e qarta i përziejnë me të dyshimtat.  
Këtu duhet të bëjmë sqarimin e faktit se në fenë e Allahut asgjë nuk ka të dyshimtë dhe të paqartë, përkundrazi Ai në Kurani apo përmes të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, çdo gjë e ka sqaruar dhe e ka qartësuar.

Allahu për këtë çështje në Kuran thotë: “Ne ty ta zbritëm Librin (Kuranin) qartësues për çdo gjë” (S. Nahël, 69)  ndërsa për komentimin e Kuranit Allahu e la shpjegues të Dërguarin e Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, ku edhe përmendi në Kuran: “Ne ty ta zbritëm përkujtuesin (sunetin) përmes të cilit ti do tua qartësosh njerëzve atë që atyre u është zbritur (Kuranin)” (S. Nahël, 44)
Kurse Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Ju kam lënë në rrugë të qartë-bardhë, ku nata e sajë është e qartë po ashtu sikurse edhe dita, pas të cilës askush nuk devijon (nëse e pason) përpos atij që është vërtetë i devijuar” (Ibën Maxhe, nr. 43, Hakimi, 1/96, Ahmedi, 4126, etj. me sened të saktë. Shiko: Silsile sahiha, 2/648) 
Pra Kurani dhe Suneti  janë burimet e fesë të cilët e kanë qartësuar çdo gjë duke mos lënë vend për dyshime e as divergjenca. Megjithatë Allahu e dinte, e Ai është i Ditur për çdo gjë, se ka njerëz të cilët nuk do t’i kenë të qarta të gjitha gjërat duke pasur dyshime për çështje të caktuar andaj edhe përmendi rregullin; se njerëzit që kanë dyshime rreth gjërave të caktuara atëherë më mirë për ta është që të largohen prej tyre e kështu të jenë të sigurt nga devijimi.

Fjala: “të cilat shumë njerëz nuk i njohin”
Kjo na jep të kuptojmë se gjërat e dyshimta  nuk janë të tilla për të gjithë njerëzit por ka prej tyre dijetarë që në fakt i dinë ato. Pak më lartë përmendëm se për tu konsideruar diçka e dyshimtë ajo patjetër si e tillë duhet të jetë në mesin e dijetarëve ndërsa me këtë pjesë të hadithit kuptohet se njëra palë nga këta dijetarë patjetër duhet ta dinë të vërtetën rreth asaj çështje. Kjo për arsye se umeti i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, assesi nuk lejon Allahu që të bien dakord për të qenë të devijuar në asnjë çështje të fesë përkundrazi,  në çdo kohë dhe vend, do të ketë njerëz që përveç se e njohin hallallin dhe haramin e qartë ata i njohin edhe gjërat që janë të dyshimta për shumicën e njerëzve.  Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Umeti im nuk pajtohen për asnjë çështje nëse ajo është devijim” (Tirmidhiu, me sened të saktë. Shiko sahih xhamius-sagir, nr. 1848) 
Pra, fillimisht njerëzit që mund të kenë gjëra të paqarta rreth fesë janë njerëzit e thjeshtë, por ka raste ku edhe dijetarët janë të dy mendimeve rreth çështjeve të caktuara, megjithatë patjetër njëra palë është duke  besuar dhe duke e thënë të vërtetën. 
Sa i përket shkaqeve pse dijetarët mund të vijnë deri tek kundërshtimet mes vete rreth çështjeve të caktuara të fesë ndër to më kryesoret do të veçonim:

  1. Ndodhë që argumenti i caktuar të mos arrijë deri tek dijetarë të caktuar ku si pasojë e saj ata të bien në kundërshtim me palën tjetër që ju ka ardhur argumenti i caktuar.
  2. Të vijnë dy argumente të kundërta për të njëjtën çështje, ku njëri e lejon e tjetri e ndalon punën e tillë. Shkak i kësaj ndodhë që njërës palë t’i arrijë argumenti që e lejon punën e tillë kurse me palën tjetër të ndodhë e kundërta.
  3. Ka kundërshtime që kanë ardhur si pasojë e mos pasjes argument të qarë për atë çështje mirëpo dijetarët kanë përmendur dispozita për ato çështje duke u bazuar në argumentet e përgjithshme të fesë ose në analogji-kijas (krahasim) ku si shkak i saj kanë qenë mendimet e ndryshme secili sipas dijes, aftësive dhe rregullave që i ka përdorur gjatë konkluzionit të tij.
  4. Ndodhë që në çështje të caktuar të përmendet argumenti që ndalon ose ai që urdhëron punën në fjalë por  ka raste që disa dijetarë argumentet e ndalesës apo urdhrit nuk i marrin haptas ashtu si janë cekur por  ata, bazuar në rregulla të tyre të caktuar, urdhrin nuk e konsiderojnë farz por vetëm punë të pëlqyer-mustehab ndërsa atë të ndaluarin e konsiderojnë vetëm të urryer-mekruh, e jo më shumë.

Nga kjo pjesë e hadithit gjithashtu kuptohet se njeriu kurrë nuk duhet të mendojë se i di të gjitha gjërat përkundrazi shumica e njerëzve kanë gjëra nga më të ndryshmet që nuk i dinë por disa njerëz i dinë ca gjëra të caktuara e disa të tjerë gjërat tjera. Në anën tjetër njeriu nuk duhet kurrë të dorëzohet duke menduar se nuk mund ta mësojë një çështje të caktuar pasi shumica e njerëzve nuk e dinë sepse kjo nuk do të thotë që asnjë nxënës dije nuk mund të arrijë ta njohë atë gjë. Njerëzit nuk duhet larguar nga kërkimi i dijes për çështje delikate të fesë sepse nëse mundohet për hir të Zotit atëherë do të arrijë tek e vërteta ngase hadithi na jep të kuptojmë se patjetër dikush do t’i mësojë gjërat që janë të fshehta për shumë njerëz. E nëse ndodhë që ky studiues të mos jetë ai që do ta mësojë atë çështje të panjohur për shumicën e njerëzve atij  i mjafton shpërblimi i Zotit që do t’ia jep për mundin e bërë.

Fjala: “Andaj ai që ruhet nga gjërat e dyshimta ai e ka ruajtur fenë dhe nderin e tij, kurse ai që bie në gjëra të dyshimta vërtetë ai ka rënë në haram”
Larimi nga gjërat e dyshimta është prej obligimeve të fesë sonë. Njeriu nëse dyshon në ndonjë punë a është hallall apo jo atëherë duhet të largohet prej saj. 
Këtu duhet pasur  kujdes që gjërat e dyshimta vërtetë të jenë të tilla-të dyshimta, të jenë gjëra rreth të cilave ai ka dëgjuar disa mendime dhe nuk di kë ta apsojë, apo nuk i kanë ardhur argumente e as fetva të dijetarëve rreth dispozitës së asaj mesele. Nuk i lejohet askujt që për shkak të vesveseve të tij të largohet nga shumë urdhra fetare. Apo të mos kërkojë dituri e as të mos pyesë dijetarët për mesele dispozitat e të cilave janë të qarta. Pra preferon të mos pyes duke dashur që gjithmonë rreth tyre të mbetet i dyshimtë dhe në anën tjetër të largohet prej atyre obligimeve fetare me pretekst se është në dyshim për ta, andaj edhe po largohem që ta ruaj fenë time. Pra për tu shpërblyer njeriu nga distancimi prej një vepre të caktuar, kushtëzohet që vërtetë të jetë prej çështjeve të dyshimta në fe. 
Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, nëse ndodhte ta gjejë ndonjë hurmë në tokë e merrte në dorë dhe thoshte: “Sikur të mos frikësohesha se mund të jetë prej hurmave të sadakasë, atëherë do ta haja” e pastaj ja jepte ndonjë shoku të tij pasi atij dhe familjes profetike u ishte ndaluar ngrënia nga sadakaja.  Profeti u pyet edhe për përdorimin e enëve të qafirëve të cilët në to përgatitin mish derri dhe ushqime e pije tjera të ndaluara,  ai ju tha: “Nëse nuk gjeni enë tjera atëherë lani mirë dhe përdorni ato” pra i mësoi të largohen maksimalisht nga gjërat e dyshimta e nëse duhet patjetër t’i përdorin atëherë të jenë sa më të kujdesshëm në pastërtinë e tyre. Dy rastet e mësipërme nga jeta profetike në të njëjtën kohë neve na shërbejnë si mostër se çfarë gjërash për besimtarin duhet të jenë të dyshimta që ai të largohet prej tyre e jo çdo gjë të ai mendon se është e dyshimtë edh të largohet. 
Nga fjalia kuptojmë se largimi nga dyshimet sa është obligim fetarë aq është edhe obligim moral, ku me largimin nga ai dyshim njeriu e vërteton besimin dhe nderin e tij. Ndërsa në anën tjetër kush bie në gjëra të dyshimta ai akuzohet në fe dhe në nderë. Nga kjo gjithashtu kuptojmë se besimtari haramet dhe dyshimet duhet t’i lë për shkak të fesë por edhe anën etike të tij ta ketë parasysh. Ai edhe nderin e tij duhet ta ruaj dhe maksimalisht të largohet nga çdo punë e cila mund të prekë në nderin e tij, në autoret apo respekt nga të tjerët. Shpesh nuk mjafton që njeriu të jetë i pastër vetëm tek Zoti por për rrethana të ndryshme ai duhet të mundohet që kësaj pastërtie para Allahut t’ia bashkëngjitë   edhe atë para njerëzve ngase ky rregull kërkohet.
Njeriu që e ka parasysh këtë rregull shpëton nga paragjykimet dhe përgojimi i të tjerëve ku si rezultat i saj është rehatia në jetë dhe lehtësimi në adhurim ndaj Allahut. Këtë rregull e vërteton rasti i Profetit, sal-lallahu alejhi e selem, i cili pas namazit të jacisë në Ramazan ishte duke e përcjellë gruan e tij Safijen për në shtëpi pasi ajo e kishte vizituar burrin e saj që po qëndronte në itikaf në xhami. Në ato çaste dy vetë po kalonin aty pari të cilët sapo e panë Profeti me një grua, të cilën nuk e njihnin u larguan menjëherë për t’i lënë të qetë ata dy. Mirëpo Profeti, alejhi salatu ue selam, kur e pa se po largoheshin i thirri e pasi erdhën ju tha: “Kjo është gruaja ime Safija…” dy kalimtarët ju arsyetuan duke i thënë: Ne nuk dyshojmë në ty o i Dërguar. Por ai ua ktheu: “Ju tregova sepse shejtani lëvizë nëpër venat e njeriut ashtu si lëvizë gjaku”( Buhariu dhe Muslimi)  d.m.th. ai mund të fusë dyshime tek ju e kështu të krijoni mendime të këqija për mua andaj edhe desha ta ruaj nderin tim nga shpifje të mundshme. 
Gjithashtu përmendet nga Enes ibën Maliku se ishte vonuar në namazin e xhumasë e duke shkuar në xhami e pa xhematin se po dilnin nga xhamia e ai me të shpejtë u fsheh prej tyre dhe tha: “Ai që nuk turpërohet prej njerëzve ai nuk turpërohet as prej Allahut” (Taberani në: Eusat, 7159)

Mirëpo ka raste kur disa njerëz i dinë dispozitat e çështjeve të caktuara edhe pse për shumicën e popullit ato punë janë të dyshimta, ky person e ka të lejuar ta punojë veprën e tillë për të cilën është i bindur me argument se lejohet të punohet e me këtë rast personi ai nuk ka mëkat nëse e punon atë punë sepse ai nuk është duke punuar vepër të dyshimtë por vepër të njohur për të, pa marrë parasysh si konsiderohet tek të tjerët. Ky është rregulli i përgjithshëm në këtë çështje, mirëpo nëse të vepruarit e asaj pune është shkak për të dyshuar të tjerët në fenë apo nderin e tij, ngase për ta puna e tillë është e dyshimtë, atëherë më mirë është të largohet prej saj së paku  duke mos e vepruar në sy të tjerëve.  
Bazuar në këtë që përmendëm deri tani arrijmë të kuptojmë se njerëzit rreth çështjeve të dyshimta ndahen në tre grupe: ata që i punojnë dyshimet duke e ditur si të tilla. Ky lloj njeriu dënohet për veprën e tij. Lloji i dytë janë njerëzit që i dinë këto vepra si të dyshimta dhe largohen prej tyre për ta ruajtur fenë dhe nderin e vet. Ky lloj njeriu shpërblehet se e ka ruajtur veten, dhe lloji i tretë i njerëzve në këtë pikë është ai njeri i cili e studion veprën e dyshimtë dhe pas analizave maksimale të tij arrin në përfundimet e tij të caktuara ku pastaj në bazë të analizave të tij e punon apo largohet nga ajo vepër. E punon se e sheh të lejuar apo largohet se e sheh të ndaluar e jo vetëm të dyshimtë. Ky lloj i tretë i njerëzve është më i miri nga të gjithë, kjo për arsye se ky fillimisht ka studiuar duke mos u mjaftuar që të largohet vetëm nga një vepër e dyshimtë. Ai ose e ka punuar sepse e ka ditur se është hallall apo është largua se ka qenë i bindur se është haram. Andaj bazuar në mundin dhe dijen e arritur  personi i tillë është më i vlefshmi nga të gjithë.

Fjala në hadith: “(Kjo i ngjanë) si shembullit të bariut i cili i ruan kafshët e tij rreth kufirit të tjetrit të cilat është shumë e mundur ta kalojnë atë kufi”
Me këtë shembull Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kishte për qëllim njeriun i cili afrohet tek kufijtë e tokës së tjetrit, aty e afron kafshën e cila pa dyshim se do të hajë nga ara e tjetrit, kjo ndodhë patjetër e sidomos nëse kafsha qëndron kohë të gjatë aty afër ngase bariu ndodhë të jetë jo i kujdesshëm me të. Ngjashëm me këtë rast është edhe shembulli i njeriut që i afrohet veprave të dyshimta ngase ato janë afrim tek harami, e nëse ndodhë që njeriu t’i punojë, duke besuar se janë të dyshimta për të, atëherë ai e ka punuar një haram sepse ka qenë në gjendje t’i futet një pune që nuk e di dispozitën e fesë rreth saj.  Kështu njeriu që i punon dyshimet ai dalëngadalë do t’i afrohet edhe haramit. Për këtë arsye dijetarët e selefit e përmendnin fjalën e tyre: “Futja në dyshime është urë që e dërgon njeriun deri tek harami”

Fjala: “Vërtetë çdo mbret i ka kufijtë e tij (që nuk dëshiron kush t’ia kalojë) kështu edhe Allahu i ka kufijtë e Tij të cilët janë haramet (dhe nuk dëshiron të tejkalohen)”

Kjo pjesë e hadithit është sqarim me shembull nga jeta e përditshme për ta kuptuar  pse Allahu ka vënë kufij të cilët nuk ka dëshirë të tejkalohen. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, përmes këtij shembulli ja qartësoi gjithsecilit urtësinë e kësaj ngjarje. 
Mirëpo shembulli i kufijve të Allahut dhe mbretërve të kësaj bote dallon shumë mes vete. Kjo për vet faktin se mbretërit e kësaj bote vendosin kufij për interesa të tyre personale ku shpesh kufijtë e tillë janë shkak për dëmtimin e të tjerëve. Ndërsa Allahu i ka vendosur këto kufij dhe nuk dëshiron të shkelen për asgjë tjetër vetëm për interesat e vet njerëzve. Ai nuk përfiton nga mos shkelja e tyre nga ana e njerëzve por ata që përftojnë janë vetë robërit e Tij.

Fjala: “Në trup është një copë mishi e cila sikur të përmirësohet me të përmirësohet i tërë trupi ndërsa po të prishet ajo bashkë me të prishet edhe trupi, ajo është zemra”

Kjo na jep të kuptojmë se lëvizjet e njeriut janë të varura të gjitha nga lëvizjet e zemrës. Zemra nëse është e mirë edhe gjymtyrët do të jenë të tilla dhe e kundërta.  Për këtë shkak përmendet thënia se zemra është mbreti i të gjitha gjymtyrëve kurse ato janë ushtarë të saj të cilat punojnë sipas urdhrave të dhëna nga ajo dhe assesi nuk mund ta kundërshtojnë, andaj nëse mbreti është i devotshëm të tillë do të jenë edhe ushtria e tij e nëse mbreti është i keq atëherë nuk do t’i urdhërojë ushtarët pos për keq.  Për arsye se zemra është pjesa kryesore e të gjitha gjymtyrëve edhe është përmendur në Kuran se tek Allahu ajo është me rëndësi të veçantë t cilën secili njeri duhet të ketë kujdes që të shkojë tek Allahu me zemër të shëndoshë, pra me zemër të bindur ndaj Allahut fuqiplotë.
Zoti thotë: “Atë Ditë nuk do të bëjë dobi pasuria e as fëmijët. Përpos ai që vjen tek Zoti me zemër të shëndoshë” (S. Shuara, 88-89)

Lulim MEHMET Susuri
21,03,2010

 

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

 

Must Read