BallinaAKIDEAkide të ndryshmeDallimet e besimit në mes sunive dhe shiitëve

Dallimet e besimit në mes sunive dhe shiitëve

 

Dallimet e besimit në mes sunive dhe shiitëve

 

Sektarizmi, armiku më i keq për muslimanët shqiptarë

Muslimanët shqiptarë tradicionalisht i përkasin Islamit sunit, që nga ardhja e Islamit në trojet shqiptare e deri më sot. Sunitët përbëjnë pjesën dërmuese të muslimanëve në të gjithë botën, mbi 80 % e tyre, dhe vetëm një pakicë u përkasin sekteve dhe rrymave jashtë sunizmit. 

Nga këto sekte në pakicë, sekti që ka numrin më të madh të pasuesve, që nuk i përkasin sunizmit, është shiizmi. Ky sekt ka një shtrirje të kufizuar gjeografike. Ai gjendet me shumicë në Iran, Irak dhe Liban, ndërsa me pakicë në disa prej vendeve arabe si edhe në Pakistan e Indi. Në mesin e shqiptarëve tradicionalisht nuk ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë traditë e mirëfilltë shiite dhe për rrjedhim, nuk do t’ia vlente të trajtoheshin tema për tolerancë ndërsektare, siç mund të thuhej për shembull për ndonjë vend tjetër, si Iraku a Libani. Sot në trojet shqiptare ka interesa të caktuara nga qarqe të ndryshme, që kërkojnë të ndryshojnë raportet shekullore të Islamit shqiptar. Në mes tyre janë edhe shiitët e ardhur nga Irani, të cilët nën emrin e fondacioneve të tilla si “Saadi Shirazi” apo “Fondacioni i Kuranit” etj., kërkojnë të shiitizojnë Islamin shqiptar dhe ta bëjnë atë një kopje të variantit revolucionar iranian. Ata, duke mos gjetur një traditë shiite mes shqiptarëve janë duke u munduar të përdorin si platformë për propagandën e tyre edhe tarikatet sufiste shqiptare. Veç kësaj, duhet thënë se ata janë duke përfituar edhe nga papërgjegjshmëria e theksuar fetare që shfaqin edhe drejtues të Komunitetit Musliman, të cilët s’e kanë për gjë t’i hapin dyert e bashkëpunimit kësaj propagande të rrezikshme jo vetëm për mbarëvajtjen fetare, por edhe për interesat tona kombëtare. Përhapja e sektit shiit në mesin e sunijve shqiptarë do të rezultonte me pasoja tepër të dëmshme në të ardhmen e afërt ose të largët për vetë Islamin shqiptar. Ne shqiptarët suni duhet të jemi të ndërgjegjshëm për aktualitetin tonë dhe nuk duhet të heshtim para këtij realiteti të ri, që shfaqet në formën e botimit të librave, simpoziumeve, gazetave dhe revistave, që bëjnë propagandë të hapur apo të fshehtë shiite. Për më tepër shiitët po ribotojnë librat e hoxhallarëve shqiptarë të traditës sunite për t’u popullarizuar e faktorizuar në mjedisin shqiptar, duke përdorur si pasaportë lejen publike të Komunitetit Musliman. Lejet publike për “përvetësimin” e trashëgimisë fetare sunite, ashtu si edhe lajmet se Komuniteti Musliman u ka dorëzuar organizatave iraniane administrimin e një shkolle fetare (medreseje) apo ndërtimin e disa xhamive, bien ndesh me pretendimet se Komuniteti Musliman interesohet për mbarëvajtjen dhe ruajtjen e Islamit tradicional dhe harmonisë fetare në vend, kur në fakt po ndihmojnë rrënjosjen e strukturave të një sekti të huaj për traditën dhe të rrezikshëm për harmoninë fetare, sekt që instrumentalizohet nga një shtet revolucionar dhe luftënxitës si Irani. Shpresojmë që drejtuesit e sotëm të Komunitetit Musliman do ta kuptojnë në kohën e duhur këtë rrezik dhe do të jenë në lartësinë e detyrës që kanë marrë përsipër, për të ndërprerë sa më parë bashkëpunimin me organizatat iraniane, bashkëpunim që e kemi trashëgim nga vitet e turbullta të tranzicionit e për të cilin ata nuk janë përgjegjës.

Meqë shiitët e Iranit sot janë faktor në politikën botërore, interesi mbarëislam, sipas disave, e do që të bashkëpunohet me ta, mirëpo kjo nuk do të thotë që edhe ne si shqiptarë t’u hapim atyre dyert, madje edhe atë të mundësimit që suninjtë shqiptarë të konvertohen në shiitë! Ne shqiptarët duhet të jemi më realistë për fatet e Islamit tonë lokal, dhe nuk duhet të na duket vetja se kemi ndonjë rol në arenën ndërkombëtare, e për rrjedhim u dashka të përfshihemi në ato lëvizje dhe ide, që kërkojnë bashkime shiite-sunite! Të tillë ‘internacionalizma’ vetëm se do të favorizonin kushtet për shtimin numerik të shiitëve mes shqiptarëve dhe për rrjedhojë, mbas njëfarë kohe relativisht të gjatë apo të shkurtër do të shikonim se si mes nesh do të rritej një minorancë e konsiderueshme shiitësh, të cilët sado vëllazërorë që të jenë do të krijonin probleme të natyrës përçarëse mes muslimanëve shqiptarë, përçarje, e cila do të na sillte të tilla probleme, të cilat askush nga ne nuk i dëshiron. A nuk na mjaftojnë problemet e shumta që ne kemi, por duhet t’u hapim derën edhe halleve të tjera në të ardhmen?! Armiqtë e Islamit të trojeve shqiptare janë të shumtë dhe nuk do të lënë rast që t’u ikë nga dora, me qëllim që të na dëmtojnë në çdo kohë, e të gjithë e dimë sesa lehtë shfrytëzohet arma e sektarizmit dhe për këtë kemi shembull të gjallë Irakun.

Bashkësitë Islame Shqiptare ashtu si edhe mjaft individë me zë në mes suninjve shqiptarë janë të vetëdijshëm për dallimet serioze mes suninjve dhe shiitëve, por e keqja është se ata mendojnë që edhe muslimanët e thjeshtë janë të imunizuar dhe të ndërgjegjshëm për këto ndasi dhe ndoshta mendojnë, se ata nuk do të bien pre’ e propagandës shiite! Gabimi i tyre është i dyfishtë: nga njëri krah ata nuk luajnë një rol aktiv në mbrojtjen e doktrinës sunite, kundrejt asaj shiite, dhe në krahun tjetër me heshtjen e tyre, ndonjëherë edhe me deklarimet dhe qëndrimet e tyre luajnë rolin e pro-shiizmit pasiv. Kjo duket qartë në bashkëpunimin që Bashkësia Islame Shqiptare kryen p.sh. me “Fondacionin e Kuranit”, një fondacion shiit ky i financuar nga Irani, një shtet i cili, jo vetëm në aspektin fetar vazhdon traditën e tij të hershme të asimilimit të suninjve, por edhe në aspektin politik është kundërshtar indirekt i interesave kombëtare shqiptare.

Historia e afërt e vendeve të tilla si Iraku apo Libani, na tregon mjaft qartë se si po i shkatërron këto vende ndasia sektare mes sunive dhe shiitëve. Ndaj, ne duhet të jemi më të vetëdijshëm për rreziqet që na kanosen si muslimanë shqiptarë, jo vetëm në të ardhmen e afërt, por edhe në atë të largët. Ruajtja e unitetit doktrinar për ne muslimanët shqiptarë është jetike.

 

Çfarë besojnë shiitët ndryshe nga suninjtë?

Shiitët janë një sekt që pretendojnë se Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, kushëriri i Profetit, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhëndri i tij, një nga muslimanët e parë dhe një nga miqtë e tij më të afërt është i vetmi që gëzonte të drejtën për të trashëguar udhëheqjen politike dhe fetare të muslimanëve, ose siç njihet ndryshe, Kalifatin. Për këtë arsye, për shiitët, Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani, Allahu qoftë i kënaqur me ta, janë grabitës dhe uzurpatorë të kësaj pozite![1] Madje shumë prej tyre kanë shkuar deri atje sa t’i konsiderojnë ata dhe të gjithë muslimanët, që ua njohin këtë pozitë historike dhe fetare, si jomuslimanë![2] Shiitët e kanë shndërruar Kalifatin fetar apo ndryshe Imametin (prijësinë fetare), si një nga çështjet themelore të besimit të tyre. Sipas tyre, Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka caktuar me urdhër të Allahut, që Aliu dhe dymbëdhjetë pasardhës të tij do të jenë Imamë për muslimanët për t’i udhëzuar ata në rrugë të drejtë.[3]Çuditërisht përveç Aliut dhe djalit të tij Hasanit, asnjë nga pasardhësit e tjerë, të cilët ata i konsiderojnë si imamë, nuk kanë pasur postin e Kalifit! Për këtë edhe shiitët janë detyruar të pohojnë se ata ngelen prijës pavarësisht se nuk morën pushtet politik, ndonëse sipas tyre vetëm atyre u takonte! Ata besojnë se i dymbëdhjeti prej këtyre imamëve, i cili sipas disa burimeve shiite, as që ka lindur fare është futur në një qilar në Samara (në Irak), që në moshë të vogël dhe prej aty është zhdukur dhe jeton edhe sot e kësaj dite, mbas qindra vjetësh, i fshehur për të dalë një ditë dhe për të marrë frenat e Kalifatit në dorë![4] Shiitët, ndryshe nga suninjtë besojnë se këta imamë janë të pagabueshëm, si Profeti, paqja qoftë mbi të, dhe si engjëjt.[5] Shiitët besojnë se imamët e tyre kanë grada më të larta se engjëjt dhe Profetët.[6] Ata shkojnë deri atje sa t’u luten këtyre njerëzve dhe të besojnë se ata janë ndërmjetës në mes njerëzve dhe Allahut.[7] Ky është shirk (t’i bësh Zotit ortak në adhurim) dhe Allahu e ka ndaluar rreptësisht këtë gjë, Ai thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim etj), ka bërë gjynah të tmerrshëm.”[8]

Ky sekt, një pjesë të madhe të veprimtarisë fetare të tij ia kushton lavdërimit të këtyre njerëzve, varreve të tyre, që i konsideron si vende të shenjta, vajtimit për vdekjet e tyre dhe mallkimit të atyre, që ata i konsiderojnë si kundërshtarë fetarë të këtyre imamëve.[9] Por ekstremizmi i ithtarëve të këtij sekti nuk ndalet me kaq. Ata për çdo vit në Ditën e Ashures përkujtojnë vrasjen e nipit të Profetit, Hysenit, me rituale gjakatare, duke masakruar veten e tyre, madje edhe fëmijët e vegjël, me zinxhirë e kama, si shfaqje e hidhërimit për vdekjen e tij! Dhe skena të tilla makabre shfaqen çdo vit nëpër televizionet e botës, sa herë që vjen dita e Ashures! Një ritual i tillë jo vetëm që nuk gjen aspak mbështetje në fenë tonë, por një mynxyrë e tillë është kategorikisht e ndaluar dhe tërësisht e dënueshme.[10]

Një tjetër dallim shumë i rëndësishëm në mes të shumicës së muslimanëve dhe shiitëve është edhe besimi në ruajtjen e Kuranit. Në librat bazë të besimit shiitë, si dhe në disa dhjetëra thënie të dijetarëve të tyre të hershëm, konstatohet se shiitët nuk besojnë se Kurani është ruajtur ashtu siç na e ka lënë Profeti, salallahu alejhi ue selem, por ai është ndryshuar nga shokët e Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe nga të tjerët më pas! Për këtë ata japin edhe shembuj të shumtë![11] Këtë doktrinë ata e kanë ruajtur për shekuj me radhë, siç dëshmojnë edhe vetë librat e shiitëve, por sot ata e mohojnë që një gjë e tillë të ketë qenë besimi i tyre! Por kjo është vetëm një përpjekje për të fshehur të vërtetën, karshi muslimanëve të tjerë, pse jo edhe ndaj ndjekësve të thjeshtë të shiizmit. Ndaj edhe deklarimet, edhe aktivitetet e tyre, që pasqyrojnë të kundërtën e këtij besimi që kanë trashëguar janë një maskë, për vetë faktin se një nga pikat e besimit të tyre është edhe fshehja e doktrinës shiite, apo e pjesëve të saj karshi atyre që nuk janë shiitë, kjo jo vetëm kur rrezikohen, por edhe për qëllime propagandistike.[12]

Veç këtyre dallimeve doktrinale, shiitët dallojnë me shumicën e muslimanëve edhe në një pjesë të praktikave fetare, si në thirrjen e ezanit, marrjen e abdesit, faljen e namazit etj.[13] Po ashtu edhe në disa çështje sociale, siç është lejimi që ata i bëjnë martesës së përkohshme, gjë që ka shkaktuar probleme sociale me fëmijët që lindin nga këto “martesa”, në vendet shiite ku është e përhapur më së shumti kjo praktikë.[14] 

Këto janë disa prej dallimeve kryesore në mes shumicës së muslimanëve dhe shiitëve, ku për çdonjërën prej tyre kemi përmendur burime nga literatura e tyre, disa prej tyre edhe në shqip.[15]

Duhet të theksojmë se vërtetësia e doktrinës sunite mbështetet tërësisht në Librin e Zotit, Kuranin, si dhe në traditën autentike, që muslimanët kanë trashëguar nga Profeti i Zotit, traditë kjo e ruajtur me fanatizëm në mënyrë të pandërprerë për katërmbëdhjetë shekuj me radhë. Është pikërisht kjo traditë që shprehet në mënyrë të qartë, se e vërteta e Islamit do të mbetet gjithmonë brenda grupimit të shumicës së muslimanëve.[16] Kjo shumicë, përherë dhe kahmoti u përket muslimanëve suninj! E lusim Zotin t’i udhëzojë të gjithë muslimanët!


Përgatiti: Justinian Topulli

Burimi: http://albislam.com/

http://www.islamifejaevertete.com/

 

 

 


[1] “Bihar el-Enuar” te komenti i ajetit 25, Sure El-Enfal, po ashtu v.101 fq. 107. etj. (arab). Për shiitët është i njohur mallkimi dhe sharja që ata i bëjnë në veçanti Ebu Bekrit dhe Omerit, si për shembull në atë që quhet “Duaja ndaj dy idhujve të kurejshëve” ku nënkuptojnë këta dy sahabe! (shih “Nefehat el-lahut” e Kerekit, “Fi miraatul ukul” 4/356 e Mexhlisit…etj). Gjithashtu edhe libri “Shtegu i elokuencës”, që padrejtësisht i atribuohet Aliut, përmban akuza të pavërteta ndaj shokëve të tjerë të Profetit!

[2] “Tefsir el-kumij” te komenti i ajetit 40, Sure El-Araf, Hashijetu el-amili ala bejdaui, te komenti i ajetit 74 Sure Et-teube, Elenuar en-numanije vol. 2, fq. 278 etj. 

[3] Shih “Ç’është Islamizmi” i Ajetullah Imam Es-sejid Muhamed El-Shirazi fq. 35. Libër shiit i përkthyer nga Vullnet Merja, drejtues i “Fondacioni i Kuranit”.

[4] “Ç’është Islamizmi” fq. 38. Kjo doktrinë është kaq e përhapur në mes shiitëve, saqë janë shkruar shumë libra që flasin për këtë imam të humbur, si “El-gijbetu” (mungesa) e En-Numanit, “El-gijbetu” e Et-Tusit etj.

[5] “Ç’është Islamizmi” fq. 27, fq. 36.

[6] ‘El-hukumetu El-islamijetu’ i Homejnit fq. 93, botimi i dytë.

[7] ‘Misbahul hidaje ilet hilafeti uel uilaje’ në fq. 145

[8] Sure En-Nisa: 48.

[9] “Ç’është Islamizmi” fq. 93-97, 109, “Masakra e Kerbelasë” fq. 59-63, etj.

[10] Shih sure El-Bekare: 195, El-Maide: 6, El-Haxh: 78., hadithin 32 tek “Dyzet hadithet e Neveviut”.

[11] Ja disa referenca shiite për këtë: El-kulejni në librin ‘Usul min El-kafi’ v. i parë fq: 412-414, 416, 417, 418, 421-424, 429, 432-434 botimi i katërt v. 1392 h/1972 e.s), Elmufid në ‘Euail el-mekalat’ (fq. 13, 54 botimi i dytë 1379h/1959e.s.) si dhe në librin ‘El-ihtisas’ (fq. 123 botim Mektebetu besireti Kum pa datë botimi), El-Kumi në komentin e tij të Kuranit në hyrje (fq. 10) dhe vende të tjera (shih volumi i parë faqe: 29, 48, 58, 79, 100, 109, 110, 136, 141, 142, 196, etj. volumi i dytë faqe: 35, 111, 125. botim i dytë Kum 1968 e.s), El-Kashani në komentin e tij të Kuranit ‘Es-safi’ në hyrjen e gjashtë (fq. 24-37), si dhe shumë ajete të ndryshuara sipas tij (shih volumi i parë faqe: 96, 114, 118, 182, 183, 202, 257, etj. botim Kitabfrushi islamijetu, Iran, pa datë botimi), El-Bahrani autori i komentit ‘El-burhan’ (shih volumi i parë faqe: 50, 102, 104, 125, 129, 130, 140, 170, 208, 231, etj. botimi i dytë, Iran), Et-Tabersi në librin ‘El-Ihtixhaxh’ (volumi i parë fq. 223-228, botim Fondacioni En-Nu’man, Bejrut, pa datë botimi), El-Xhezairi në librin ‘El-enuar en-numa’nije’ (vol i parë fq. 97, dhe i dytë fq. 357, botim 1378 h./1958 e.s. Tibriz), El-Mexhlisi në librin ‘Tedhkiretu el-eimetu’ (fq. 9), në librin ‘Hajat el-kulub’ (vol. 2 fq.681) dhe në librin ‘Mir’atu el-ukul’ (vol. 12 fq. 525 botim 1400h./1980 e.s. Iran) në këtë libër ai madje është i mendimit se transmetimet që flasin për deformimin e Kuranit janë kaq të shumta, dhe se mohimi i tyre do të thotë të mohosh edhe transmetimet e imametit, e që për shiitët është thelbi i Islamit! Mirza Husejn En-nuri Et-Tabersi në librin e tij të famëkeq ‘Fasl el-khitab fi ithbat tahrif kitab rabi el-erbab’ Libër në të cilin autori i tij ka mbledhur me qindra thënie nga dijetarët shiitë dhe muxhtehidët e tyre nëpër shekuj, se Kurani është ndryshuar!!! Libër që u botua në Iran në vitin 1298 h./1881 e.s., i cili duke qenë se është pak a shumë i vonshëm, vetëm një shekull e ca më parë, kohë kur shiitët ishin të mendimit se një gjë e tillë duhet mohuar për ta, ashtu siç bëjnë edhe sot shkaktoi një zhurmë të madhe në mes vetë shiitëve, disa prej të cilëve e kundërshtuan. Por autori në fjalë jo vetëm që nuk hoqi dorë, por vetëm dy vjet para se të vdiste nxori një libër tjetër me titullin ‘Redu badu eh-shubuhat an ‘Fasl el-khitab fi ithbat tahrif kitab rabi el-erbab’, ku mbron qëndrimin e tij në librin e parë. Madje edhe ky, si El-Mexhlisi është i mendimit se transmetimet që flasin për deformimin e Kuranit janë të shumta dhe se mohimi i tyre do të thotë të mohosh edhe transmetimet e imametit, gjë që shiitët nuk mund ta bëjnë!

[12] El-Kulejni në “El-Kafi”, një kapitull i tërë për fshehjen e besimit (tekijes) “Kapitulli i Tekijes”, Khomeini në “Keshf El-Esrar” fq. 129… etj.

[13] Në ezan ata shtojnë shprehjen se “Aliu është miku i Allahut” dhe “ejani në punë të mira” një risi (bidat), që nuk i përket traditës profetike. Gjatë abdesit nuk i lajnë këmbët (edhe nëse janë të zbathura), por vetëm i prekin me dorë të lagur, si kokën, ndërsa mes’hin mbi meste ose çorape nuk e lejojnë. Në namaz ata preferojnë të bien mbi sexhde mbi një copë baltë të pjekur nga dheu i Qerbelasë, nuk japin selam, por rrahin me duar kofshët… si dhe shumë bidate të tjera.  

[14] Nuk ka ndonjë kohëzgjatje të caktuar të kësaj “martese” te shiitët, ajo mund të jetë edhe një ditë apo një orë! Në këtë “martesë” detyrimi financiar karshi “bashkëshortes” është i reduktuar. Shih. El-Furu të Kulejnit, si dhe çdo libër tjetër, ku trajtohen çështjet e fikhut.   

[15] Për informacione më të hollësishme mund të vizitoni forumin http://groups.yahoo.com/group/alb-muslimstudents

[16] Shih “Sunen Ibn Maxhe” nr. 3992, “Sunen Ebu Daud” nr. 4596, “Xhamiu Tirmidhi” nr. 2640, “Sunen Nesai” etj. Po ashtu për thënie të tjera të Profetit, që mbështesin këtë doktrinë “Sahih Buhari” nr. 6881, “Sahih Muslim” nr. 1921 etj.  

 

Must Read