BallinaARTIKUJHadith dhe SunetDashuria dhe urrejtja - pjesë e besimit

Dashuria dhe urrejtja – pjesë e besimit

I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, thotë:

“Kush jep apo ndalon, dashuron apo urren dhe marton vetëm për hir të Zotit, atij njeriu besimi i është plotësuar”

Zingjiri dhe grada e hadithit:

Hadithin e shënon Tirmidhiu në “Sunenin” e tij, nr. 2521, imam Ahmedi, 3/439, nr. 15702,  3/340, nr. 15723, Hakimi, Bejhekiu etj. të gjithë e transmetojnë nga Muadh b. Enes Xhuheniu. 
Në disa dorëshkrime të librit të Tirmidhiut në fund të hadithit shënon se ai këtë hadith e konsideroi të dobët. Mirëpo në dorëshkrimet tjera për të njëjtin ceket se është hadith “i mirë”, mendim të cilin e mbron edhe Albani, në po të njëjtin libër të lartpërmendur. Hakimi në “Mustedrek” thotë se “zingjiri i hadithit është i saktë”, kurse recenzori i “Musnedit të Ahmedit” Shuajb Arnauti për të thotë se me bashkimin e rrugëve të tij hadithi arrinë gradën e “sahihut” por i varur nga të tjerët. Komentuesi i librit të Tirmidhiut Mubarekfuri pasi cekë konkludimet e dijetarëve thotë: “Nuk kam mundur të arrij të kuptoj pse dikush nga dijetarët e konsideroi këtë hadith të dobët”. Sido që të jetë hadithi nuk bie nga grada e atij të mirit me të cilin lejohet argumentimi.

Rëndësia e hadithit:

Ky hadith tregon rëndësinë e veprave nëse bëhen ato për hir të Allahut. Tregon se besimi vazhdon të mbetet i paplotësuar përderisa njeriu vazhdon t’i bëjë veprat e tij për interesa të ndryshme e jo duke shpresuar shpërblimin e Zotit. Andaj njeriu duhet pasur kujdes që çdo vepër pa marrë parasysh a është e dynjasë apo e ahiretit të mos bëhet ndryshe veçse së pari duhet shikuar qëllimin e tij a është për Zotin apo për ndonjë interes tjetër. Gjithmonë ta rifreskojë, ta kontrollojë dhe përmirësojë këtë qëllim ngase çdo vepër sado e thjeshtë të jetë nëse bëhet për Zotin atëherë aq sa ka qenë vepra e rëndësishme aq edhe do t’i plotësohet besimi i tij.

Komentim i hadithit:

Fjala e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem;

Kush jep apo ndalon”

Është për qëllim çdo dhënie. Këto dhënie mund t’i ndajmë në dhënie të dynjasë dhe dhënie të ahiretit. Dhëniet e dynjasë janë të gjitha ato të cilat në origjinë nuk janë pjesë e fesë dhe nuk pritet prej tyre shpërblim, qofshin ato dhënie me kthim apo pa kthim, si p.sh. dhënia e të hollave borxh, dhurata për raste të caktuara si martesa, fejesa…, dhënia e mjeteve për shërbim si; makina, çekiçi, celulari etj. Dhënia e dytë është dhënia e ahiretit ose më ndryshe mund t’i quajmë gjërat të cilat janë pjesë e fesë. Kjo e fundit ndahet në obligative (farz)  dhe vullnetare (synet). Në farz hyjnë zekati, ushqimi i familjes… e në ato synete futen; sadakaja e përgjithshme, ndihma e fesë me të holla, etj.  
Të gjitha këto lloj dhëniesh çofshin ato të dynjasë apo ato të fesë nëse nuk bëhen për hir të Zotit atëherë prej tyre nuk ka kurrfarë shpërblimi, edhe pse disa prej tyre në origjinë janë obligim fetarë, si p.sh. zekati është obligim fetarë por nëse jepet jo për hir të Allahut atëherë jo që vetëm nuk ka shpërblim por përkundrazi dënohet për një qëllim të tillë. E kundërta e kësaj që u cek është se nëse çdo dhënie bëhet për hir të Allahut atëherë për to shpërblehet sepse qëllimi është për hir të Zotit, qoftë kjo dhënie edhe prej çështjeve të dynjasë për të cilat në origjinë njeriu nuk shpërblehet.  Shembull i gjithë kësaj që cekëm është dhënia e zekatit dhe dhënia e makinës për shërbim. E para nëse jepet për lavdërim atëherë dënohet për një vepër të tillë, kurse e dyta nëse bëhet për hir të Zotit atëherë shpërblehet më shumë se vepra e parë edhe pse origjinë është se zekati bënë pjesë në farze e dhënia e makinës në çështjet jo obligative në origjinë.

Fjala e të Dërguarit, salalllahu alejhi ve selem:

dashuron apo urren dhe marton vetëm për hir të Zotit”
Në fjalën dashuri dhe urrejtje futet çdo lloj dashurie apo urrejtje, ajo fetare dhe ajo instinkte, e besimtarëve apo e qafirëve. Mirëpo qëllim kryesorë me këtë hadith synohet dashuria dhe urrejtja fetare pra dashuria e besimtarëve dhe urrejtja e qafirëve. 
Para se të flasim për këtë pjesë të fundit të dashurisë dhe urrejtjes dua të ndalem tek ajo e përgjithshmja që të mundohemi sado pak të sjellim disa informacione rreth saj. 
-Lejohet çdo lloj dashurie e cila është e ngritur mbi parime fetare, qoftë dashuri fetare apo ajo e dynjasë. P.sh. është obligim ta duam Kuranin, xhaminë, besimtarët… po ashtu lejohet ta duam prindin, fëmijën, gruan, makinën, shtëpinë, lloj ushqimi të lejuar, etj. 
-Çdo dashuri që është e ngritur mbi epshe dhe në kundërshtim të parimeve fetare, është e ndaluar, si p.sh. teqetë, tyrbet, amoraliteti, alkooli, mishin e derrit, festat e tyre, siç janë; krishtlindjet, viti i ri, shtatë dhe tetë marsi, dita e Shën Valentinit… etj. 
-Çdo dashuri e cila është e ngritur mbi epshe apo kundërshtim të fesë ndalohet edhe nëse njeriu pretendon se qëllimi i tij është i mirë apo e bënë atë për hir të Zotit. P.sh. sado që pretendon se e do tyrben, apo feston vitin e ri jo për diç tjetër por për hir të Allahut atëherë kjo dashuri është haram ashtu siç është haram edhe ky qëllim i cili, kinse, është për hir të Zotit.  
-Çdo rregull i lartpërmendur që u cek për dashurinë vlen edhe për urrejtjen, andaj duhet pasur parasysh. 
Çështja që është më e rëndësishme për tu cekur dhe për të cilën ndoshta është edhe qëllimi kryesor i këtij hadithi dhe kësaj teme, është dashuria e besimtarëve vetëm për hir të Allahut dhe urrejtja e qafirëve gjithashtu vetëm për hir të Tij. Kjo është thelbi i dashurisë dhe peshoja e saktë me të cilën vërtetohet besimi apo jo besimi i njeriut. Gjithashtu kjo është tema më e rëndësishme për të cilën flasin dijetarët e shkencave të besimit (akides).
Në fenë Islame cilësia e quajtur me emrin “dashuri” duhet të ekzistojë vetëm për besimtarët  dhe cilësia tjetër me emrin “urrejtje” duhet të ekzistojë vetëm për qafirët. 
Besimtari për shkak të fesë së tij duhet të duhet nga vëllai i tij, kjo gjë duhet të jetë bazë tek secili prej nesh. Pastaj mund të ndodhë që atë ta urrejmë për ndonjë cilësi të caktuar apo për ndonjë mëkat të caktuar mirëpo duhet urryer aq sa ka mëkate duke pasur kujdes që themeli apo baza e dashurisë ndaj tij të ekzistojë. Pra, pasi të ekzistojë dashuria bazë për secilin mysliman ajo shtohet dhe mungohet në bazë të devotshmërisë apo mëkateve të tyre. Aq sa tjetri punon mirë duaje dhe aq sa punon keq urreje. Mos e duaj pa masë atë tek i cili gjinden vetëm disa adhurime dhe mos e urrej pa masë atë tek i cili gjinden disa mëkate. Kështu që me këtë që cekëm kuptojmë se tek ti lejohet të bashkohet dashuria dhe urrejtja për një mysliman sipas veprave të tij, pasi të jetë prezentë dashuria farz ndaj tij, por mos harro që krejt kjo të jetë vetëm për hir të Zotit. Pra, ashtu siç bashkohen sevapet dhe mëkatet tek një njeri ashtu bashkohet dhe shumohet tek besimtari dashuria dhe urrejtja për të. 
Kjo dashuri e obligon besimtarin që vëllain e tij mos ta tradhtojë, mos ta mashtrojë, përgojojë e as mos ta shesë tek jobesimtarët. 
Sa i përket qafirit ai duhet të urrehet dhe nuk lejohet të merret për mik sado të jetë i mirë. Lejohet të falënderohet dhe të shpërblehet për punët e tij të mira, por të miqësohet dhe të duhet assesi nuk lejohet. Urrejtja e qafirit nuk nënkupton sjelljen arrogante, padrejtësi, mos respekt si komshi apo myshteri, vjedhje të pasurisë etj. Duhet të jemi korrekt me ta dhe t’i kryejmë obligimet, si fetare apo edhe ato njerëzore, edhe ndaj tyre duke pasur parasysh që kjo nuk nënkupton dashuri dhe miqësi fetare ndaj tyre. përkundrazi besimtari nuk i merr qafirët për miq dhe i urren me zemër mirëpo kjo assesi nuk nënkupton që kjo urrejtje gjithmonë të vërehet edhe në vepra. Zemra mbetet me një qëndrim ndaj tyre kurse ana e jashtme apo ajo fizike ndryshohet sipas nevojës dhe gjendjes, vare a është kohë lufte apo paqe, a janë qafirë që shikojnë punët e tyre apo përzihen në punët e myslimanëve dhe nuk i lënë rehat, janë qafir që jetojnë në shtetin Islam dhe të nënçmuar ja japin tatimin këtij shteti apo ndoshta janë qafirë të cilët interesohen shumë për Islamin dhe janë duke lexuar rreth tij dhe duke e simpatizuar atë ku edhe pritet që të futen në fe. Andaj, t gjitha këto raste duhet pasur parasysh lidhur me qëndrimin e jashtëm të besimtarit ndaj qafirëve. Por në të gjitha gjendjet baza e urrejtjes së tyre e cila kërkohet patjetër nga Allahu duhet të ekzistojë ndaj secilit prej tyre. Pasi ekziston urrejtja bazë lejohet të rritet apo të zvogëlohet sipas mëkateve de sfidave apo armiqësive të atij qafiri i cili ja bënë besimtarëve apo fesë Islame. 
Në këtë urrejtje ndaj qafirëve bën pjesë edhe urrejtja e festave të tyre, qofshin ato festa fetare, kombëtare apo shtetërore. Kjo për shkak se kur e urren dikë atëherë duhet urryer edhe punët, veset, traditat, festat… e tij. Për fat të keq shumë mysliman janë bërë pre e festave të qafirëve, bile ndodhë t’i festojnë më shumë se edhe vet ata jomysliman. Kremtimi i festave ty tyre jofetare është mëkat por festim i atyre fetare i shtohet mëkati edhe më tepër ngase me dallohen ata të cilët i takojnë asaj feje. E kush ju përngjanë atyre ai edhe është prej tyre, siç thotë i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, në një hadith të tij të saktë. Po ashtu Zoti, në gjuhën e të Dërguarit të Tij thotë: “Ju mbajeni fenë tuaj kurse unë timen” S. Kafirun, 6. Siç nuk lejohet pasimi i fesë së tyre asht nuk lejohet edhe pasim i festave të fesë së tyre, apo edhe i festave tjera në përgjithësi me të cilat ata dallohen. Është turp për myslimanin të festojë një festë për të cilën nëse pyetet ndodhë të mos e dijë nga e ka prejardhjen dhe e kujt është ajo. Ai duhet të ndihet krenarë me fenë e vet dhe me festat të cilat Allahu ja dhuroi, nëse vepron kështu atëherë tek ai vërehet se është krenarë me identitetin e tij, vërehet tek ai dashuria dhe urrejtja për hir të Zotit të cilat nëse gjinden tek besimtari atëherë përmes tyre plotësohet edhe besimi i tij. Andaj kujdes festat e tyre, kujdes festimin e vitit të ri sepse nuk është pjesë e identitetit tënd por të është imponuar me dashje apo pa dashje me dituri apo injorancë, sido që të jetë në momentin që e kupton dashurinë dhe urrejtjen e Allahut atëherë edhe largohet prej kësaj dhe shumë festave tjera.

Fjala e të Dërguarit, salalllahu alejhi ev selem:

“marton vetëm për hir të Zotit”

Besimtari kur martohet apo e marton dike kur ja merr vajzën apo ja jep dikujt nuk e bën ndryshe vetëmve për hir të Allahut dhe zgjedhja e tij është për shkak të fesë ku feja tek ai është shkaku kryesorë për këtë martesë. E kundërta e martesës edhe divorci duhet të ndodhë vetëm me këtë qëllim. Besimtari nuk martohet për shkak të bukurisë, pasurisë apo pozitës, të gjitha këto i tejkalon dhe zgjedhë gruan fetare. Por pas kësaj zgjedhje nëse gjendet edhe diç nga këto veti atëherë kjo nuk është e ndaluar. Edhe divorci nuk duhet të ndodhë për shkak të bukurisë, pasurisë, autoritetit… por nëse ndodhë atëherë duhet të ndodhë vetëm për hir të Allahut.

– Në këtë hadith përmendja e dhënies,dashurisë, urrejtjes, ndalesës, martesës, janë vetëm shembuj të cilët i Dërguari, salallahu alejhi ev selem, i ceki vetëm si shembuj me të cilat nuk nënkupton se gjërat tjera nuk hyjnë në këtë rregull, por çdo vepër që bëhet apo lihet për asgjë tjetër por vetëm për Allahun atëherë futet në këtë rregull.  Në të hyjnë ngrënia, pirja, gjumi, të folurit, heshtja… Allahu në Kuran thotë: “Thuaj; namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun Zotin e gjithësisë”, S. En’am, 162.

Fjala  e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem:

“atij njeriu besimi i është plotësuar”
Kjo pjesë e hadithit tregon se besimi plotësohet mu ashtu siç mëngohet, dhe kjo bindje është pjesë e besimit të pastër Islam e bazuar në Kuran dhe synet. 
Pra besimi mbetet i pa plotësuar përderisa besimtari nuk e punon çdo punë vetëm për Zotin e tij, çdo lëvizje, çdo heshtje, sa edhe gjumin e tij. Çdo vepër është e rëndësishme të bëhet për hir të Zotit por në këtë rast veçoj dashurinë e besimtarëve dhe urrejtjen e qafirëve pasi ajo u cek në këtë hadith dhe ky ishte qëllimi i temës që besimtarët çdo gjë ta bëjnë vetëm për Zotin e tyre dhe nga Ai të presin shpërblimin.

Lulzim Mehmet Susuri

 

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

Must Read