BallinaARTIKUJHadith dhe SunetShkatërruesi i kënaqësive

Shkatërruesi i kënaqësive

 

 


Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: 
“Shpeshtojeni përmendjen e shkatërruesit të kënaqësive- pra, vdekjes”. 
Shkruan: Lulzim SUSURI
Hadithin e përcjell Ebu Hurejre, Ebu Seidi, Abdullah ibën Omeri dhe Enesi, radijallahu anhum. Atë e shënojnë: Tirmidhiu, në Sunenin e tij, nr. 2307, kurse me disa shtojca të dobëta e shënon edhe tek numri: 2460, Nesaiu, nr. 1824, Ibën Maxhe, 4258, Ibën Ebi Shejbe në “Musanef” 8/128 dhe 129. Bejhekiu në “Sunen Kubra” 1/601 si dhe në “Shuabul iman”, nr. 839, 840, 10163,  Taberani në “Muxhem kebir” 11/302. Albani në librin e tij: “Sahih tergib ue terhib” nr. 3333 përmend se e shënon edhe Ibën Hibani në Sahihun e tij, si dhe Taberani në: “Muxhemul eusat”. 
Sa i përket gradës së saktësisë së tij Tirmidhiu e konsideron Hasen sahih (të mirë të saktë) mendim të cilin e mbështet Albani në Sunenet e lartpërmendura, pra, atë të Tirmidhiut, Nesaiut dhe Ibën Maxhes. Kurse në librin: “Mishkat el-mesabih” 1/ 362, nr. 1607  përmend se hadithi është i saktë. Mendoj se qëllimi i përmendjes së fjalës “Sahih” pa fjalën tjetër “Hasen” tek Albani domethënë, se hadithi apo teksti i tij është i saktë (sahih) e jo edhe zinxhiri. Shpesh ndodh që Albani në librat e tij të përmendi fjalët “hasen sahih” së bashku, ku sipas mendimit të disa studiuesve dhe asaj që kam vërejtur tek librat e tij shpesh me to ka si qëllim, se zinxhiri i transmetimit është “hasen –        i mirë”, kurse teksti i tij i bazuar edhe në zinxhirë të tjerë transmetuesish arrin në shkallën “sahih – i   saktë”. Allahu e di më së miri! 
Komentimi i hadithit: 
Vdekja është fenomeni më i urryer për njeriun, që do ta godasë patjetër secilin prej nesh dhe për të nuk ka ilaç. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kishte një urtësi për shkak të së cilës edhe i udhëzoi besimtarët ta përmendin vdekjen sa më shpesh. Përmendja e vdekjes është shkak për ta ndaluar njeriun nga haramet, për ta shtyrë tek punët e mira dhe për ta mbajtur gjithmonë të vetëdijshëm në llogaritjen paraprake të punëve të cilat ai dëshiron t’i bëjë. Për këtë shkak përmendet se rasti në të cilin Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, e përmendi këtë këshillë ishte fakti, se ai një ditë doli nga shtëpia e tij tek vend-falja dhe i pa shokët e tij duke qeshur aq shumë, sa disa prej tyre u dukeshin edhe dhëmballët. Ai me të parë gjendjen e tyre, e cila pa dyshim ndikonte pak a shumë në largimin nga përmendja e Zotit, humbja e kohës, pakujdesia etj., atëherë ju tha: “Sikur  ta shpeshtonit përmendjen e shkëputësit të kënaqësive do t’u largonte nga gjendja në të cilën po ju shoh, prandaj shpeshtojeni përmendjen e vdekjes”. Fjala me të cilën fillon kjo këshillë profetike është: 
“Shpeshtojeni” 
Kjo këshillë në fakt është urdhër profetik, për shkak se hadithi fillon në mënyrë urdhërore: “Shpeshtojeni!” nga i cili kuptojmë qartë, se nuk kemi të bëjmë me një këshillë, e cila mbetet në dëshirën dhe vullnetin e lirë të njeriut, nëse dëshiron ai e vepron e nëse do e lë pa kurrfarë përgjegjësie. Jo, këtu kemi të bëjmë me një këshillë, e cila përmban në vetvete një urdhër, i cili nuk guxon të anashkalohet, të harrohet apo të përbuzet, aq më tepër nga besimtari, i cili shpreson shpërblimin e botës tjetër dhe ruhet nga dënimi i saj. 
Në këtë rast te kjo fjalë do të përmendja edhe disa pika:

  1. Është urdhër  që siç thamë, duhet patjetër ta përfillim.
  2. Përmendja e vdekjes nuk mjafton vetëm me rastin e ceremonive mortore, ku për shkak të situatës së tillë shpesh jo nga dëshira për të marrë mësim, por nga situata e krijuar përmendet vdekja. Përmendje kjo e cila bëhet për ta arsyetuar pjesëmarrjen në këso tubimesh dhe për shkak se rasti nuk lejon biseda të tjera. Vdekja duhet përmendur gjithmonë dhe sa më shpesh bile përmendja më e mirë, më e dobishme dhe për të cilën besimtari shpërblehet më shumë duhet të bëhet në kohët dhe çastet më të lumtura, sepse zakonisht në raste të tilla njerëzit e harrojnë Zotin, vdekjen dhe botën tjetër.
  3. Lind pyetja: përmendja e vdekjes kur konsiderohet e mjaftueshme?

Ajo nuk mjafton të jetë vetëm disa herë në jetë e as edhe në vit. Gjithashtu nuk mjafton që njeriu ta kënaqë vetveten me pretendimin, se përmendja e tij e vdekjes është e bollshme, ngase njeriu për fat të keq shpeshherë e kënaq vetveten, duke i ndihmuar edhe shejtani për ta bindur atë se mirë i ke punët. Përmendje quhet atëherë kur kjo gjë, kam si qëllim përmendjen e vdekjes, ndikon në jetën e njeriut si këshilltar i tij për ta mbajtur atë gjithmonë nën kontroll të vlerave të veta, të cilat i bën. Sa herë që dëshiron të bëjë diçka të keqe e kujton vdekjen dhe nga frika e saj ndalet nga ajo e keqe, sa herë që përton të bëjë një vepër të mirë e kujton vdekjen dhe errësirën e varrit e kështu fillon punën e mirë pa kurrfarë përtese, sa herë dëshiron të bëjë ndonjë adhurim edhe këtu e kujton vdekjen dhe e përmirëson qëllimin e adhurimit të tij, e kështu me radhë. Pra, në këtë mënyrë shpeshtimi i përmendjes konsiderohet i dobishëm dhe i përmbushë standardet e kërkuara e jo të jetë vetëm cekje kalimthi dhe shumë e rrallë.
Fjala: “përmendjen”- Fillimisht na duhet të kuptojmë: se çfarë do të thotë fjala: përmendje. Çfarë është si qëllim të kujtosh diçka së pari me mendje e zemër e pastaj edhe cekje e saj me gjuhë dhe me zë. Pra, përmendja nuk është vetëm meditim i zemrës e as fantazi e kokës, por përmendje me gjuhë e asaj që po mendon. Tek fjala e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem,shpeshtojeni përmendjen” do të ndalesha tek disa pika:

  1. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, na mëson me këtë fjalë, që vdekjen ta përmendim sa më shumë e të mos mjaftohemi vetëm me meditimin rreth saj.
  2. Përmendja e vdekjes të jetë reale, e jo e zbukuruar kjo, për arsye se njeriu kur përmend diçka e sidomos para të tjerëve mundohet ta përmendë sa më realisht, kurse kur imagjinon në vetvete ka kohë dhe mundësi që t’i zbukurojë dhe t’i imagjinojë gjërat, ashtu si dëshiron ai vetë.
  3. Me përmendje të vdekjes është si qëllim: përmendja e saj realisht, duke e kujtuar çdo moment të frikshëm të saj, siç edhe thuhet në fund të hadithit, se ajo t’i ndërpret të gjitha kënaqësitë, ëndrrat dhe planet.
  4. Ka njerëz, të cilët kanë aq shumë frikë nga vdekja, sa edhe kurrë nuk dëshirojnë të mendojnë rreth saj. Nëse ndodh që t’u shkojë mendja rreth saj ata menjëherë largohen nga ai mendim, duke e zëvendësuar me mendime të bukura. Ky realitet është mjaft i keq, sepse këta njerëz jo vetëm që kundërshtojnë një urdhër profetik, por ata edhe frikësohen nga një fenomen pa të cilin nuk bën, një fenomen që do t’i godasë të gjithë ata që duan dhe që nuk duan; ata që e përmendin, si dhe ata që kanë frikë nga të menduarit rreth saj.
  5. Përmendja e vdekjes shpesh duhet të bëhet së bashku me njerëzit e tjerë, ashtu si edhe u përmend në fillim të shkakut pse e kishte thënë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem. Të përmendet së bashku me ta, duke u këshilluar dhe duke marrë mësim nga ky kujtim. Këtu nuk duhet të lë pa përmendur se në këtë urdhër profetik futet edhe të përmendurit e vdekjes para të tjerëve, atëherë kur ata janë të pakujdesshëm. Pra, besimtari e ka detyrim që përveçse ta kujtojë për vete vdekjen, ai duhet t’ua kujtojë edhe të tjerëve dhe t’i përmendë të harruarit.
  6. Lind pyetja: ka raste kur disa njerëz nuk e duan vdekjen dhe e urrejnë atë, kjo a do të thotë se ata patjetër kanë probleme me besimin, siç u përmend më lart?  Në këtë rast themi:  urrejtja e vdekjes ndahet në dy lloje; urrejtje, e cila ngrihet nga mosbesimi dhe lloji i dytë i urrejtjes që vjen nga frika natyrale, të cilën mund ta kenë shumë njerëz.

Ata që e urrejnë duke mos qenë të kënaqur me këtë fenomen dhe duke u munduar me çdo kusht që të mos vdesin, ku edhe ka prej atyre, që Zoti na ruajt, nuk janë të kënaqur me Zotin për krijimin e këtij fenomeni, kjo lloj urrejtje padyshim konsiderohet kufër. Lloji tjetër: ai i urrejtjes nga frika natyrale themi se nëse njeriu është i kënaqur dhe i nënshtruar ndaj Zotit për fenomenin e krijimit të vdekjes, por në anën tjetër ai nuk ka dëshirë të vdesë dhe e urren vdekjen e vet, atëherë ky njeriu padyshim është besimtar, por urrejtja e vdekjes në këtë rast konsiderohet jo mbështetje e duhur tek Allahu, e cila nuk duhet të ekzistojë tek besimtari dhe kjo gjë e fut në mëkat, për aq sa ekziston kjo urrejtje. Sa i përket frikës nga vdekja ajo parimisht nuk futet në radhët e mëkatit, nëse nuk shoqërohet me urrejtje ndaj saj. 
Besimtari duhet të frikësohet nga mëkatet e tij dhe t’i urrejë ato ku nëse i përmbahet këtij parimi, atëherë nuk ka pse të frikësohet, as nga vdekja dhe vështirësitë e saj, as ta urrejë atë. Sa i përket dëshirës për të vdekur, si dhe lutjes për ta goditur vdekja, për shkak të problemeve të shumta: njeriut nuk i lejohet ta lakmojë e as të bëjë lutje që ta godasë ajo. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, rreth kësaj çështje thotë: “Askush nga ju të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të problemeve që e kanë kapluar. Nëse duhet të lutet patjetër, atëherë le të thotë: O Zot ma mundëso të jetoj, nëse jeta është më e mirë për mua, ose ma merr shpirtin, nëse vdekja është më e mirë për mua.” (Buhariu, nr. 5239, 5874, Muslimi, nr. 4840).
Fjala: “shkatërruesit të kënaqësive- pra, vdekjes”- Fjala: “Shkatërrues, Shkëputës” në gjuhën arabe është përmendur me dy transmetime: “hadhim” kurse e dyta “hadim”, edhe pse e para është cekur më shumë nëpër transmetime, megjithatë që të dyja kanë thuajse kuptim të përbashkët mbi të cilët edhe ngrihet komenti i kësaj fjalie. Kuptimi i të parës do të thotë: “Shkëputës, ndërprerës…”, kurse ai i të dytës do të thotë: “Shkatërrues”. Është e vërtetë se vdekja i shkëput dhe i shkatërron të gjitha kënaqësitë e kësaj bote. Të gjithë që e përmendin vdekjen mërziten, a thua pse? Për shkak se që të gjithë e dinë se do t’i godasë, se e kanë përpara dhe patjetër do të vijë dita e saj. Pra, ajo bën dobi tek çdokush, por problemi është se ajo kujtohet shumë pak, ose aspak. 
Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, në këtë këshillë të tij përdori një urtësi shumë të madhe, siç e ka zakon ai dhe mu ashtu si i takon atij, flijofsha për të babanë dhe nënën time, që veçoi me përmendje vdekjen e jo ndonjë fatkeqësi tjetër, e cila mund ta godasë njeriun. Pse kështu? Allahu e di më së miri, por për vetë faktin se njerëzit zakonisht për çdo fatkeqësi kanë një shpresë, dhe gjithmonë mendojnë se do të kenë një zgjidhje. Nëse do të ishte përmendur sëmundja njerëzit do të thoshin: ndoshta mua nuk më godet, por të tjerët po, ose kur e godet do të shpresojë tek të hollat e tij, që të shërohet me to, do të shpresojë se do ta gjejë një mjek të mirë, që do ta ndihmonte etj., shumë e shumë shpresa. Kurse kur vjen në pyetje përmendja e vdekjes, që të gjithë i humbin shpresat dhe u vdesin ëndrrat. Përmendja e vdekjes në krahasim me kënaqësitë e kësaj bote është njësoj si njeriu, i cili ndërton një shtëpi shumë të bukur dhe ëndërron të kënaqet me të, por harron se e ka ndërtuar në një vend ku bien shpesh tërmete të forta dhe deri atë ditë e ka shkatërruar çdo ndërtesë tërësisht. Një njeri i tillë sado që të gëzohet gjatë ndërtimit të shtëpisë në momentin që i kujtohet fenomeni i tërmetit shkatërrues, që shkatërron çdo ndërtesë sado e fortë të jetë i prishet i tërë humori dhe shpresat. Ai që është i mençur në këto çaste, pra, në çastet e ndërtimit duhet të ndërmarrë diçka, e cila do të ndalonte që ndërtesa të shkatërrohej dhe që do ta siguronte njeriun nga humbja dhe falimentimi në ndërtim. Kjo është edhe gjendja me njeriun, që po kalon një jetë të shfrenuar. Ai duhet të kujtojë shpesh, se kjo jetë është veç ndërtim i një shtëpie, e cila do të forcohet me punë të mira, ose do të shkatërrohet me ardhjen e shkatërruesit të vërtetë, pra vdekjes. Prandaj kushdo prej nesh duhet të punojë, që shtëpinë e tij të botës tjetër ta ndërtojë aq të fortë, sa të mos ia prishë asgjë. Besimtarit edhe pse vdekja ia ndërpret lezetet e kësaj bote ai gjatë tërë jetës ka ndërtuar me punët e tij të mira një shtëpi të fortë, e cila e pret në botën tjetër, ku me ardhjen e shkatërruesit të lezeteve, atij vetëm se ky shkatërrues (vdekja) në fakt ia ka hapur dyert e lezeteve të mëdha, atyre lezeteve të vërteta, të cilat janë të posaçme vetëm për besimtarin e për askënd tjetër. 
Do ta përmbyllim këtë temë me një urtësi të përmendur tek imam Tirmidhiu në të cilën thuhet: “Shpeshtojeni përmendjen e shkatërruesit të lezeteve-pra, vdekjes. Varri çdo ditë flet duke thënë: “Unë jam shtëpia e huaj për njerëzit, jam shtëpia e vetmisë, shtëpia prej dheu, jam shtëpia e krimbave”. Kur varroset besimtari, varri i thotë: “Mirë se erdhe, rri i qetë, ti ke qenë njeriu më i dashur për mua kur ecje mbi shpinën time. Sot që ke ardhur në përgjegjësinë dhe miqësinë time do të shohësh se sa mirë do të sillem me ty.”, atëherë i zgjerohet varri aq larg sa i sheh syri dhe i hapet një derë kah Xheneti. Ndërsa kur vdes qafiri varri i thotë: “Mjerë për ty, mos rri aspak i qetë, ti ishe njeriu më i urryer që ecje mbi shpinën time, sot që kam marrë përgjegjësinë mbi ty do të shohësh sa keq do të sillem”. Pastaj i ngushtohet aq shumë sa i futen kockat njëra në tjetrën. Varri është kopsht prej kopshteve të Xhenetit, ose gropë prej gropave të Xhehenemit.” (Tirmidhiu, nr. 2460) .

Për shkak se dijetarët e konsiderojnë të dobët këtë hadith, nuk kam dashur që ta përmend në temë si hadith, por jam mjaftuar me përmendjen e tij si urtësi. Shpesh ka raste kur disa dijetarë bashkëkohorë shumë hadithe të dobëta i përmendin si urtësi, nëse në tekstin e tyre ka domethënie të mira, prej këtyre dijetarëve nuk dua të lë pa përmendur të parin e tyre shejh Abdulkadër Arnautin, Allahu e mëshiroftë.

 

Lulim MEHMET Susuri

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

Must Read