BallinaARTIKUJHadith dhe SunetIslami dhe kotësitë

Islami dhe kotësitë

 

Transmeton  Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Zotit, salallahu alejhi ve selem, ka thënë:

“PREJ ISLAMIT TË MIRË TË NJERIUT ËSHTË LËNIA E GJËRAVE QË NUK I INTERESOJNË”

Zinxhiri i transmetimit:

Ky hadith transmetohet nga sahabiu Ebu Hurejre gjithashtu edhe nga tabiiu Ali b. Husejn (b. Ali b. Ebi Talibi) i cili e përcjellë direkt nga Profeti, salallahu alejh ve selem.
Hadithin me këtë kuptim por me zingjirë të ndryshëm transmetuesish e shënojnë Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. 2318. Ibën Maxhe, nr. 3976. Maliku në “Muvetta” nr. 1402, Ahmedi në “Musned” 1/201,ibën Hibani nr. 229,  Bejhekiu në “Shuabul iman”, Ebu Nuajmi në “Hilje”. 
Hadithi sipas imam Tirmidhiut konsiderohet hasen-i mirë, kurse bazuar në bashkimin e të gjithë  zinxhirëve të këtij hadithi e saktëson Ibën Hibani në “Sahihun” e tij nr. 229, ibën Abdulberri në “Temhid, 9/197, Neveviu dhe Albani në sunenin e Tirmidhiut, nr. 2317-2318.

Rëndësia e hadithit:

Ky hadith është bazë e haditheve që flasin rreth edukatës islame dhe njëri prej haditheve i cili i vendosë rregullat apo bazat e moralit dhe shkencës së etikës.  Muhamed ibën ebi Zejdi, njëri ndër imamët e medhhebit maliki, thotë: “Hadithet mbi të cilat qëndron mirësia dhe dhe përmblidhet në to i tërë hajri janë katër: I pari: (Kush beson Allahu dhe Ditën e Gjykimit le të fletë fjalë të mira ose le të heshtë), i dyti: (Prej Islamit të mirë të njeriut është lënia e gjërave që nuk i interesojnë), i treti: (Këshilla e Profetit, salallahu alejhi ve selem; “Mos u hidhëro”), i katërti: (Besimtari vëllait të tij –besimtarë- duhet t’ia dojë atë të mirë që ja do vetes së vet).

Komentimi i hadithit:

Fjala e Profetit, salallahu alejhi ve selem:  
Prej Islamit të mirë të njeriut”

Kjo fjali bartë në vete disa njohuri ë cilat do t’i përfitonim prej saj ndër to do veçonim:
Fjala: “Prej Islamit” është për qëllim sqarimi i faktit se Islami është një mori rregullash, kërkesash, obligime, ndalesa etj. pra Islami është një bashkësi e madhe e cila ndërtohet së pari mbi besim, adhurim, bashkëpunim mes njerëzve e pastaj mbi moral. Në këtë hadith përmendet fjala “prej” që nënkupton se kjo veti e mirë vërtetë është e kërkuar nga besimtari por assesi nuk duhet keqkuptuar se ai është i tërë Islami e kështu njeriu të mundohet që vetëm atë ta praktikojë dhe t’i lërë anash kërkesat tjera. Asnjeri nuk duhet të arsyetohet për mos adhurime e këtë pjesë të hadithit duke thënë se unë i shikoj punët e mia dhe nuk më interesojnë të tjerët e kështu me këtë pretendim t’i sakrifikojë të gjitha adhurimet duke u munduar që shpesh edhe t’i kritikojë njerëzit e devotshëm se si ai nuk është askush. 
-“Prej Islamit” gjithashtu ka për qëllim se nëse njeriu  nuk i lë anash gjërat që nuk i interesojnë për shkak të Islamit por për shkaqe tjera atëherë nga kjo veti e tij nuk do të ketë shpërblim në botën tjetër kurse sa i përket kësaj bote mund të përfitojë në mënyra të ndryshme prej kësaj veti e ky përfitim është shpërblim nga Zoti për të në dynja që në botën tjetër mos t’i mbetet asgjë. Në këtë rregull futen të gjitha punët e mira që bëhen nga jomyslimanët qofshin ato punë fizike, ideologjike, bamirësie etj. e personat e tillë lejohet të falënderohen për veprat e tyre ngase falënderimi i secilit për punën e tij është edukatë Islame, mirëpo nuk lejohet lutja për ta nëse dihet sigurt se kanë vdekur jomysliman.   
-“Prej Islamit të mirë” kuptohet se njeriu mund të ketë Islam apo të themi më mirë mund të pretendojë se ka Islam në veten e tij por në realitet veprat e tij e vërtetojnë të kundërtën tek ai. Nuk është me rëndësi të pretendojë njeriu se ka Islam në vete por me rëndësi është fakti që Islami i tij të jetë i mirë. Me fjalën “Islam i mirë” nuk kam për qëllim të vërtetoj se ka Islam të mirë dhe të keq sepse kjo nuk është aspak e vërtetë ngase Islami origjinal i zbritur nga Allahu i tëri është i mirë e në të nuk ka asgjë të keqe. Me Islamin jo të mirë është për qëllim Islami të cilit disa nga “besimtarët” e praktikojnë dhe e propagandojnë tek të tjerët. Islam ky jo mirë i kuptuar nga ata praktikues e pastaj është shumë normale që të interpretohet nga vet ata shumë më keq se që është kuptuar. Fakt ky i cili vërehet qartë tek disa myslimanë të cilët në vend se t’ua lakmojnë të tjerëve fenë, e cila është për tu lakmuar dhe për tu pasur zili, ata ja gërditin atë si jo myslimanëve ashtu edhe disa myslimanëve fillestarë dhe jostabil në fe. Të jesh shkaktarë për t’ia lakmuar dikujt Islamin është pasuri, kurse të jesh shkaktarë për ta shëmtuar atë atëherë kjo është humbje për njeriun dhe personi i tillë konsiderohet kriminel kundër Islamit dhe kundër njerëzimit. Jo muslimanët secilin njeri e marrin shembull duke menduar se ashtu është Islami dhe veprat e individëve nuk i konsiderojnë si punë private të njeriut të caktuar por në të njëjtin thes i fusin të gjithë besimtarët. Në këtë pikë nuk dua t’i lë pa i përmendur edhe disa dashamirës dhe praktikues të sunetit të cilët duke dashur ta praktikojnë një traditë të caktuar të Profetit, salallahu alejhi ve selem,  bien në ndesh me shumë tradita apo sunete tjera. Fenomen ky i cili aspak nuk është për tu marrë lakmi.

Fjala e të Dërguarit, salallahu alejhi veselem;
“Është lënia e gjërave”

Gjërat ndahen në dy grupe kryesore, gjëra që kanë të bëjnë me fenë dhe tjerat që kanë të bëjnë me dynjanë. Gjërat që kanë të bëjnë me fenë ndahen në tre grupe kryesore: besim me zemër, vepër me gjymtyrë dhe shprehje me gojë. Ndërsa gjërat e dynjasë ndahen në dy grupe kryesore vepra me gjymtyrë dhe shprehje me gojë. Lëna e gjërave që nuk i interesojnë njeriut ka për qëllim gjërat e llojit të dytë pra ato të dynjasë e jo ato të fesë. Kjo për arsye se njeriut gjërat që kanë të bëjnë me fenë patjetër duhet t’i interesojnë.

Fjala e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem;
“Që nuk i interesojnë”
Besimtari nëse dëshiron që të konsiderohet prej atyre të cilët bartin në vete Islam të mirë ashtu si e kërkon vet feja atëherë duhet të largohet nga gjërat që nuk i interesojnë atij. Është e arsyeshme të lind pyetja se nga cilat gjëra duhet larguar sepse ka shumë gjëra, bile edhe të mira, të cilat ka raste kur dikujt nuk i interesojnë? Për ta sqaruar këtë pikë së pari do të bëjnë një ndarje të gjërave që nuk i interesojnë. Më lart cekëm se vet gjërat në përgjithësi ndahen në dy grupe: ato që kishin të bënin me fenë dhe ato që kishin të bënin me dynjanë. Tani do të përmendim ndarjen e gjërave që nuk na interesojnë dhe prej cilave prej tyre duhet larguar. Gjërat njeriut mund të mos i interesojnë për shkak të epshit ose për shkak të fesë. Ato që nuk i interesojnë nga epshi i tij nëse i lë dhe nuk i vepron nuk shpërblehet për to, kjo për arsye se nuk i ka lënë për hir të Zotit, por i ka lënë se nuk i pëlqejnë nga natyrshmëria e tij si p.sh. dikujt nuk i pëlqen mishi, apo alkooli dhe nuk i përdorë ato ngase gërditet prej tyre jo se i bën për adhurim. 
Këtu futet lënia e  të dy llojeve të  gjërave, ato të fesë dhe ato të dunjasë. Gjërat e dynjasë nëse i lë për shkak të epsheve parimisht nuk shpërblehet e as nuk dënohet, kurse për lënien e gjërave fetare për shkak të epshit pa dyshim se dënohet. Kjo ngase është duke i lënë disa nga adhurimet e Allahut. 
Kurse lloji i dytë, mos interesimi për disa gjëra për shkak të fesë, nëse ato i lë jo pse nuk ja kënda qejfi, ngase ai ndoshta ato mund t’i dojë ato gjëra shumë, mirëpo i lë për Allahun pa dyshim se shpërblehet për to. Në këtë mosinteresim për shkak të fesë futen të gjitha llojet e shirkut, haramit, bidatit, mekruhit edhe mubahit (kur ai teprohet). Në këto lloje futen si shirku me zemër ashtu edhe ai me gojë dhe me gjymtyrë. (E njëjta vlen edhe për haramin dhe të tjerat pas tij)
Dijetarët kur e komentojnë fjalën “nuk i interesojnë” ndër të tjera cekin edhe këto fjalë: 
– Mulla Ali el-kariu thotë: “Janë gjërat për të cilat nuk ka nevojë njeriu, nuk lidhet për to feja e as dynjaja e tyre, janë ato të cilat nuk e qojnë tek kënaqësia e Allahut. Janë gjërat e dynjasë pa të cilat njeriu mund të jetojë, dhe pa të cilat besimi i tij nuk do të dobësohej” (Mirkat el-Mefatih, 8/585) 
– Ibën Rexhebi thotë: “Gjërat që nuk i interesojnë janë ato për të cilat nuk ka plan e as qëllime, nuk vrapon pas tyre, nëse njeriut i përmirësohet Islami në zemrën e vet atëherë duhet të largohet nga çdo gjë e cila nuk i intereson qofshin ato harame, dyshime në besim, gjëra të urryera, dhe shumë tjera të cilat në fakt edhe pse janë të lejuara mund ta pësojë prej tyre nëse e tepron në to” (Xhamiul ulumi vel hikem, fq. 201)
– Gazali thotë: “Kuptimi i asaj që nuk i intereson njeriut është p.sh. të flasësh për gjëra të cilat sikur të kishe heshtur për to nuk do të mëkatoje, nuk do të bëhej dëm në trup e as pasuri, si shembull për të do të përmendja njeriun i cili ulet me shokët e tij dhe fillon t’ju tregojë për udhëtimet e tij, çfarë ka parë në to nga malet dhe lumenjtë, ngjarjet tua, ushqimet dhe rrobat e pëlqyera … gjëra këto për të cilat po të heshte nuk do bënte mëkat. Të folurit në këtë rast nëse nuk përzihet me gënjeshtra, zmadhime të ngjarjeve, lavdërim të vetes, mos marrje nëpër gojë të personave tjerë etj, do të mjaftonte mëkat të humbje kohën duke folur dhe se për çdo fjalë do të japësh llogari Ditën e Gjykimit. Në vend se të flisje këto gjëra po ta përmendje Allahun me dhikër, po ta madhëroje Atë, po të meditoje rreth krijesave të Tij do të përfitoje aq shumë sa mund të hapej porta e mirësive të Zotit e kështu të përfitoje aq shumë derisa të mëshiroheshe nga Ai. Sikur ta përmendje Allahun vetëm me fjalën “Subhanallah” për secilën prej tyre do të ndërtohej nga një pallat në xhenet” (Tuhfetul ahvedhij, 7/ 23)

Lulzim Susuri
19/3/2009.

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

Must Read