Dialog Demokratik
(debat i imagjinuar)
Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Lavd-falënderimi i takon Allahut ndërsa paqja dhe lavdërimi i Tij qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Rrëfimtari thotë: Në një prej rasteve e pashë një shok timin të cilin nuk e kisha takuar kohë të gjatë. E dija që kishte pasion temën e demokracisë dhe lirive, ndaj mes nesh ndodhi ky dialog:
Ai më tha: Pse nuk i lejojmë të krishterët të përhapin besimin e tyre në vendin tonë ndërsa ata na lejojnë që të përhapim besimin tonë në vendet e tyre?
Me plot komoditet i thashë: Për shkak se kushtetuta e tyre na lejon neve atë ndërsa kushtetuta jonë nuk e lejon një gjë të atillë për ata, ndërkohë që e drejtë e çdo populli është të zbatojë kushtetutën që dëshiron.
Më tha: Atëherë, pse u ngrit gjithë ai inat te muslimanët kur u bë ndalesa e nikabit në Francë?
I thashë: Inati jonë nuk ka të bëjë thjeshtë me ndalesën e nikabit, zemërimi jonë ndodhë për shkak të asaj demokracie të falsifikuar, e cila lejon lirinë e zhveshjes kurse nuk lejon lirinë e nikabit. I gjykuam sipas ligjeve dhe parimeve të tyre që i pretendojnë dhe jo sipas ligjeve tona.
Vazhdova: Që të jem më i qartë, Perëndimi është penduar shumë që ka lejuar liritë fetare në vendet e tyre, sepse ato liri kanë ndihmuar shtrirjen e Islamit, pavarësisht epërsisë së civilizimit që kanë dhe tendencave për të shëmtuar Islamin që bëjnë. Liria është fushë pjellore për të përhapur Islamin sepse ai është E VËRTETA që mposhtë çdo të pavërtetë dhe këtë e kuptoi tashmë Perëndimi dhe filloi të shkurtojë liritë për të ndalur shtrirjen e Islamit.
Mirëpo unë besoj se Perëndimi nuk kishte zgjedhje tjetër, meqë qëllimi i atyre lirive ishte vjelja e kokave të mençura nga çdo skaj i botës, dhe atë që deshi e arriti, koka të cilat më vonë ishin shkaku kryesor që kontribuoi në ndërtimin e civilizimit të tyre, mirëpo Allahu e ka thënë të vërtetën ne ajetin: “Allahu do ta plotësojë dritën e Tij edhe nëse jobesimtarët nuk duan” (Saf 8).
Bashkëbiseduesi më tha: Atëherë, pse edhe ne nuk ofrojmë liritë për njerëzit që të vjelim kokat e mençura?
I thashë: Është e pavërtetë të thuhet se në Islam nuk ka hapësirë për liri absolutisht. Njerëzit e feve të ndryshme gëzonin siguri nën hijen e pushtetit islam dhe për shkak të atyre lirive u tubuan kokat e mençura nga e gjithë bota dhe u shfaq civilizimi islam në kohët e mëparshme.
Islami u dha besën çifutëve të Medinës, u dha siguri të krishterëve të Kudsit, këshilloi për mirësjellje me koptët e Egjiptit ndërsa nga ana tjetër në Andaluzi (Spanjën e sotshme) u bë inkuizicioni, xhamitë u shndërruan në ahure të kuajve.
Pra, Islami ka pranuar ekzistimin e jobesimtarit mirëpo vendosi rregulla me qëllim që të mos humbë identiteti i komunitetit. Librat e dijetarëve janë përplot me dispozita për të drejtat e dhimmiut dhe ehli kitabit. Madje, toleranca naive nga disa muslimanë gjatë historisë ishte shkak në përhapjen e kancerit të çifutëve në trupin e Umetit.
Çdoherë duhet ta kujtojmë se ne jemi robër të Allahut dhe nuk jemi të lirë në çdo sjellje tonën, ndryshe nga perëndimori i cili u zhveshë nga shumë vlera fetare dhe morale. Madje, edhe në të gjitha sistemet njerëzore nuk ekziston diçka me emrin Liri absolute por me dallime në ligje të caktuara.
Bashkëbiseduesi më tha: Po atëherë, pse u bë detyrim xhihadi? A nuk është ai detyrim i njerëzve për të hyrë në Islam? A nuk ka thënë Allahu: “Nuk ka dhunë në Fe”?
I thashë: Xhihadi nuk u detyrua për t’i dhunuar njerëzit të hyjnë në Islam, porse u bë për t’i hequr qafe tagutët të cilët pengojnë lirinë e njoftimit të njerëzve me Islamin. Islami lufton për t’i liruar njerëzit nga padrejtësia dhe mendjemadhësia e tagutëve. Pastaj Perëndimi akoma nuk ka shpallur qartësisht pengimin e përhapjes së Islamit, mirëpo unë besoj se këtë do ta bëjë së shpejti, sepse përhapja e Islamit po kërcënon ekzistimin e tij: “Nuk do të kënaqen me ty çifutët e as të krishterët përderisa nuk bëhesh si ata” (Bekare 120).
A nuk i përdori Perëndimi të gjitha format e fuqisë ushtarake, ekonomike dhe mediatike për të na detyruar me demokracinë e saj, pse të jetë e ndaluar përhapja e parimeve tona?
Si dhe, të gjitha ligjet e Islamit – o shok i nderuar – janë të lidhura ngushtë me mundësinë, “Allahu askënd nuk e ngarkon përtej mundësive që ka”; ndërsa sot Umeti ankon nga një dobësi dhe padrejtësi e madhe… ai nuk po ka mundësi të çlirojë veten nga tagutët e tij, e lëre më të çlirojë perëndimin apo lindjen nga tagutët e tyre.
Më pyeti: A nuk është demokracia e dobishme për ne?
Thashë: Ndoshta, mirëpo çka është demokracia? A më pyet për filozofinë e demokracisë apo për mjetet dhe realitetin e saj?
Tha: Për mjetet dhe realitetin e saj.
Thashë: Shembulli i demokracisë është sikurse shembulli i çdo lëmi perëndimor, nga të cilat marrim çfarë na bën dobi dhe braktisim çfarë bie ndesh me fenë tonë. Sikurse komunizmi që kishte të këqijat e saja, ashtu ka edhe demokracia.
Ndërsa duke parë realitetin e saj, unë besoj se demokracia ka mangësi të madhe, madje popujt e perëndimit kanë filluar rishikojnë atë. Ata që kandidohen në zgjedhjet e tyre janë njerëzit e biznesit dhe medies, kështu që popujt u transferuan nga diktatura e njerëzve të armës te diktatura e njerëzve të parasë dhe medies. Nga aspekti ekonomik, krizat botërore të njëpasnjëshme po vërtetojnë dështimin e sistemit kapitalist që ngrihet mbi kamatë. Këtë e dëshmon Bovis Vincent kur shkroi editorialin e revistës Challenge’s: “Mendoj se gjatë kësaj krize më shumë kemi nevojë të lexojmë Kuranin sesa Biblën për të kuptuar se çfarë po ndodhë me ne dhe me bankat tona”. Gjatë këtyre ditëve dolën mijëra protestues në Nju Jork me moton “Pushtojeni Wall Street-in” për të ndaluar lakminë e kapitalistëve dhe pronarët e bankave. (jazeera.net)
Tha: Por Islami na nxitë që të përfitojmë nga përvojat e të tjerëve?!
I thashë: Po, mund të përfitojmë nga disa përvoja, mirëpo të marrim një sistem të tërë për ta aplikuar në një ambient tjetër, kjo nuk është në rregull.
Vazhdova: A nuk ndërhyri Islami në sistemimin e jetës individuale të njeriut, në sistemimin e hajes, pijes, uljes, madje edhe te rregullat e kryerjes së nevojës?
U përgjigj: Ashtu është!
E pyeta sërish: Logjikisht, si ka mundësi që Krijuesi të shpallë sistem që rregullon jetën personale të individit ndërsa t’i anashkalojë çështjet e komunitetit, politikës, pasurisë, shtetit dhe gjyqësisë duke i lënë pa sistem?
Ai më tha: Ti pra, je duke e bërë haram demokracinë edhe si filozofi?
E pyeta: Çfarë nënkupton demokracia?
U përgjigj: Demokracia nënkupton pushtetin e popullit apo gjykimi i takon popullit.
I thashë: Krahas definicionit… unë jam njeri i rëndomtë dhe më intereson realiteti dhe rezultati e nuk më intereson terminologjia, në përkufizimin e të cilës njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme. Pyetja ime është kjo: Çfarë do të bëjmë nëse populli kërkon anulimin e ndëshkimit të atij që pi alkool, ndëshkim i cili është vendim i Allahut?
U përgjigj: Zbatojmë vullnetin e popullit.
I thashë: Po atëherë çfarë bëjmë me ajetin: “Kush nuk gjykon me ligjin e Allahut, ata janë jobesimtarë” (Maide 44).
Tha: Mirëpo muslimanët në Tunizi dhe Egjipt nuk kanë mundësi t’i aplikojnë ligjet e ndëshkimit të sheriatit, derdhjen e alkoolit dhe zbatimin e dispozitave tjera mbi një popull që jetoi larg Islamit për një kohë të gjatë.
I thashë: Ajo është situatë e veçantë dhe vlerësimin e saj e bëjnë dijetarët e atyre vendeve. Mund që ajo situatë të jetë nën ombrellën e rregullave: “Allahu nuk e ngarkon asnjë shpirt përtej mundësive që ka ai shpirt”; “bërja e të keqes më të vogël”; “sjellja e sheriatit shkallë-shkallë”. Nëse ashtu e vlerësojnë dijetarët ajo është situatë e veçantë pra, gjërat e zorit vlerësohen varësisht nga zori dhe dispozita e saj anulohet kur zhduket shkaku që solli deri aty.
Tha: Por vështirë se mund të gjesh një komunitet të kompletuar?!
I thashë: Prandaj, Allahu e bëri farz urdhërimin në të mira dhe ndalimin nga të ligat, madje atë e bëri sekret të mbetjes dhe mirësisë së këtij Umeti: “Ju u bëtë Umeti më i mirë që keni dalë për njerëzimin, meqë urdhëroni në punë të mira dhe ndaloni nga të këqijat” (Ali Imran 110).
Tha: Mirëpo urdhërimi në të mira, ndalimi nga të këqijat dhe detyrimi i njerëzve me sheriat do të prodhojë një komunitet dyfytyrësh?!
I thashë: Kurse zhdukja e urdhërimit në të mira dhe e largimit nga të këqijat do të prodhojë një komunitet të shfrenuar, pasi do t’u lejë hapësirë njerëzve të prishur për ta përhapur shthurjen.
Është e natyrshme që në shoqëritë konservatore të përhapet dyfytyrësia dhe gënjeshtra; meqë njeriu e shfrytëzon dyfytyrësinë kur shtresa e njerëzve të mirë janë të fortë ndërsa shtresa e të prishurve janë të nënçmuar.
Komuniteti jonë nuk është më i pastër sesa komuniteti i Profetit, brenda të cilit u gjendën dyfytyrëshat më të rrezikshëm, të cilët nuk arrinin t’i pranojnë ligjet e Islamit që i bëri të detyrueshme Muhamedi, alejhi salatu ue selam. Madje ai, alejhi salatu ue selem, i cili ishte njeriu i urtë dhe i sjellshëm “me besimtarët i butë dhe i mëshirshëm” (Teube 128) deshi që t’ua djegë shtëpitë atyre që nuk faleshin me xhemat, edhe pse ajo vepër nuk është nga shtyllat e Fesë.
Pra, ekzistimi i dyfytyrëshave nuk është sinjal se shoqëria është e metë, përkundrazi mund të aludojë se muslimanët praktikojnë ligjet e Fesë në formën e duhur.
Gjithashtu e ke parasysh se jo çdoherë frika është shtytësi në dyfytyrësi, sepse njeriu mund të bëhet dyfytyrësh edhe për interesa të kësaj bote, siç janë pasuria, posti, fama etj. Ja si i koriti Allahu, në suren Nisa 141: “E, nëse ju vjen fitorja nga Allahu, ata thonë: “A nuk ishim vallë ne me ju”” E, nëse qafirët arrijnë fitore, hipokritët u thonë mohuesve: “A thua nuk ju ndihmuam deri në fitore dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve”.
Si dhe, jo çdonjëri që fshihet për të bërë një gjynah quhet dyfytyrësh, madje njerëzit që kanë vendosmëri të dobët Islami i ka nxitur që t’i fshehin gabimet e tyre. Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Gjithë Umetit tim do t’i falen gjynahet, përveç atyre mëkatojnë publikisht” (Buhariu) A thua pse? Sepse me mëkatimin publik ata dëmtojnë komunitetin duke normalizuar çështjen e mëkateve dhe dëmtojnë vet mëkatarin i cili nuk do të heqë dorë nga mëkati pasi të koritet para njerëzve, në atë rast do ta ketë shumë vështirë të shpëtojë nga mëkati që bën.
Pra, Islami synon ruajtjen e pamjes së përgjithshme të komunitetit dhe zhdukjen e shfaqjes së shthurjes, meqë bërja e mëkateve publikisht dhe lehtësimi për t’i bërë ato shton shtrirjen e tyre. Prandaj, gjykatësi e ka të lejuar t’ia vështirësojë gjendjen dilerëve dhe përdoruesve të drogës, jo thjeshtë për t’i ruajtur ata, por për ta ruajtur komunitetin. Nuk do të merremi në pyetje për kënaqësinë e atyre njerëzve të sëmurë ndërsa do të merremi në pyetje për pjesën tjetër të komunitetit që të mos merr guximin të bëjë gabime.
Po ashtu shumë prej gjynahqarëve kërkojnë kush do t’u ndihmojë kundër pavendosmërisë së tyre për të shpëtuar nga mëkatet që bëjnë d.m.th. ndalesa dhe imponimi zyrtar shkurton shthurjen dhe gabim është të mendohet se përqindja e viktimave të drogës në një vend ku ndalohet shitja e drogës është e njëjtë me përqindjen e viktimave të vendin që e lejon apo bën lehtësime lidhur me shitjen e saj.
Të gjithë ne praktikojmë metodën e imponimit në edukimin e përditshëm të fëmijëve tanë, prishja e gjumit të tyre për t’i çuar në shkollë çdo ditë është gjë e urryer për fëmijën, mirëpo nuk e marrim parasysh kënaqësinë e tij por e detyrojmë të bëjë atë që i themi derisa ajo gjë t’i bëhet e zakonshme, natyrale dhe ta dojë atë. Kësaj nuk i themi dyfytyrësi. Njashtu edhe në ligjet e Allahut, Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, na porositi që t’i urdhërojmë fëmijët ta falin namazin kur janë shtatë vjeç dhe t’i rrahim kur të jenë dhjetë vjeç, megjithëse nuk e kanë farz duhet të detyrohen me qëllim që të mos e kenë vështirë kur të hyjnë në pubertet. Cili injorant mund të merr guximin të thotë se kjo metodë profetike mbjellë dyfytyrësinë te fëmijët muslimanë?!
Bashkëbiseduesi më tha: Mirëpo, urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga të këqijat është jodemokratike.
I thashë: Prandaj dyshoj se ajo mund të korrë sukses në vendet e muslimanëve.
Tha: Atëherë, le të marrim nga demokracia atë që pajtohet me sheriatin dhe të braktisim atë që ka të bëjë me “kufijtë e lirisë”!
I thashë: Ndoshta, por atëherë do të jetë e pasaktë ta quajmë demokraci, meqë po e zhveshë demokracinë nga veçoria më thelbësore e saj.
Pyeti: Kush është mendimi jot lidhur me atë që thotë: sistem demokratik islamik?
I thashë: Kjo është t’i bashkosh dy të kundërta, sikurse të thuash: demokraci komuniste, komunizëm islamik, socializëm kapitalist, kamatë islame!!
O vëlla, Islami, demokracia dhe socializmi janë sisteme të jetës së gjithanshme që përfshijnë sistemin kulturor, shoqëror, politik dhe ekonomik.
Secilin sistem për ta parë sesa është i suksesshëm duhet ta marrësh në tërësi, përndryshe do të krijosh një sistem të shëmtuar, hibrid, të shtrembëruar dhe kundërthënës. Ky është shkaku i dështimit të shumicës së përvojave politike në shtetet arabe, kur dikush deshi që atje të zbatojë socializmin apo kapitalizmin, që si rrjedhojë sollën sisteme politike të brishta dhe prapambetje ekonomike, shoqërore dhe kulturore që nuk i pa historia më herët.
Bashkëbiseduesi më tha: Ti pra nuk përkrah as votimet dhe kandidimin?!
I thashë: Nëse votohet kundër ndonjë ligji të Sheriatit unë e kundërshtoj votimin, e nëse ka të bëjë me gjëra tjera, çështja është e gjerë, madje Allahu e urdhëroi të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue selem, t’i konsultojë shokët e tij duke i thënë: “e bisedo me ta për punë të jetesës” (Ali Imran), dhe Profeti konsultohej me shokët e tij për çështjet madhore të shtetit, saqë edhe për çështjet e pajtimit dhe të luftës, ku kishte derdhje gjaku.
Më tha: Mirëpo pjesëmarrja e komunitetit në kontroll, mbikëqyrje dhe kërkim llogarie është nga rrënjët e demokracisë?!
I thashë: Kjo është më se e ditur edhe në Islam. Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, e konsideroi xhihad “fjalën e vërtetë tek pushtetari i padrejtë” (Tirmidhiu), si dhe ka thënë: “feja është dashamirësi” Për kë o i Dërguar i Allahut? – e pyetën. “Për Allahun, të Dërguarin, udhëheqësit dhe njerëzit e tjerë” (Buhariu). Megjithëse Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, i vinte Shpallja shokët e tij, madje edhe gratë e asaj kohe – Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata – diskutonin dhe debatonin me të për shumë çështje.
Përcillet se Omeri, radijallahu anhu, kishte thënë: “Nëse lakoj më drejtoni!” ndërsa një nga të pranishmit tha: “Nëse ti lakon, atëherë kemi për të të drejtuar me shpatë”.
Për në fund o vëlla fisnik:
Demokracia është sikur çdo sistem tjetër njerëzor. Do të ishte e bukur të marrim nga ajo atop mjete që janë të dobishme, mirëpo ekuilibri është i domosdoshëm. Sikur nuk na ka hije të refuzojmë dhe fyejmë gjithçka që vjen nga perëndimi ashtu nuk na lejohet që përvojave njerëzore t’u japim shenjtëri apo të supozojmë se janë shembullore ose të përsosura.
Shoku im fisnik: Nëse je në dyshim, në qoftë se je hutuar atëherë dorëzoja mendjen tënde Shpalljes së Zotit tënd, e shpëton veten dhe e qetëson zemrën.
Porosis veten dhe ty me këtë lutje profetike, që e përcjellë nëna jonë Ajshe, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kur e pyetën: Me cilën lutje Profeti e fillonte namazin kur falej natën? Ajo tha: Kur ngrihej natën për tu falë, e fillonte namazin me këtë: “O Allahu im! Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit! Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti që di të fshehtën dhe të dukshmen! Ti gjykon mes robërve Tu për gjërat që janë kundërshtuar! Më udhëzo në të vërtetën e çështjes së kundërshtuar me lejen Tënde. Vërtet, Ti e udhëzon atë që do në rrugën e drejtë” (Muslimi).
Përfundoi dialogu mes dy shokëve… deri në takimin tjetër…
Nga arabishtja: Omer B. – ALBISLAM.COM