BallinaPraktikaFikhuA LEJOHEN VOTIMET?

A LEJOHEN VOTIMET?


A LEJOHEN VOTIMET?

NGA DIJETARË TË NDRYSHËM


Pyetje: A i lejohet një myslimani që jeton në një vend jo islamik të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare?

Përgjigje: Falënderimi absolut i takon Allahut, Zotit të botëve, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij! Çështja e shtruar rrok një problematikë që zgjidhet me ixhtihad, i nënshtrohet analizave dhe ekuacioneve në mes interesave të mundshme dhe dobive që pjesëmarrja në to mund t’u sjellë myslimanëve dhe dëmeve që eventualisht mund t’u sjellë një pjesëmarrje e tillë. 

Kështu, nëse dobitë që mund të vilen nga pjesëmarrja në zgjedhje janë më shumë sesa dëmet, atëherë kjo pjesëmarrje lejohet; nëse dëmet janë më të mëdha, nuk lejohet. Në bazë të kësaj që u tha, dispozita e daljes apo mos-daljes në zgjedhje dallon sipas vendit, shteteve, sistemeve, njerëzve etj. Kështu pra, nëse në një shtet pjesëmarrja e myslimanëve në zgjedhje sjell dobi, kjo nuk përjashton mundësinë që ato të jenë të dëmshme në një vend tjetër. Kjo vlen edhe për kandidatët, pra, nëse disa njerëz mund të jenë të dobishëm për t’u votuar, nuk do të thotë se syresh të tjerë mund të cilësohen njësoj, kundër dallimeve përkatëse. Asambleja e Fikhut (Jurisprudencës Islame), lidhur me këtë çështje, pra “pjesëmarrja e myslimanëve në zgjedhje me jo myslimanët”, nxori këtë vendim:

“Falënderimi absolut i takon vetëm Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!

Këshilli i Asamblesë së Fikhut, në sesionin e tij të XIX, i mbajtur në selinë e Lidhjes së Botës Islame, në Mekën e nderuar, në periudhën 22–27.10.1428h, që përkon me datat 3–8.11.2007, përveç të tjerash shqyrtoi edhe çështjen e pjesëmarrjes së myslimanëve në zgjedhje me jo myslimanët në vendet jo islamike, temë e parashtruar nga sesioni i XVI, i mbajtur në intervalin prej 21–26.10.1422 h., që përkon me datat 5–10.01.2002, me qëllim të shqyrtimit të saj në mënyrë sa më analitike. Pas leximit të kumtesave dhe diskutimeve të anëtarëve rreth tyre, këshilli vendosi si më poshtë:

Pjesëmarrja e myslimanëve në zgjedhje me jo myslimanët në vendet jo islamike është çështjet e politikave të Sheriatit, në të cilat nxirret vendimi në dritën e ekuacionit mes interesave dhe dëmeve, dhe kështu, vendimi mund të ndryshojë sipas kohëve, vendeve, rrethanave etj.

Për myslimanët që gëzojnë të drejtat e qëndrimit në një vend jo mysliman lejohet të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe të ngjashme për shkak të interesave të shumta që arrihen nga pjesëmarrja e tyre në zgjedhje si p.sh. paraqitja e imazhit realist të Islamit, mbrojtja e interesave të myslimanëve në vendin e tyre islamik, arritja e të drejtave fetare dhe materiale të pakicave, forcimi i rolit të tyre në pikat e ndikimit, bashkëpunimi me organizmat e drejtësisë për të realizuar bashkëpunim të ndërsjellë të bazuar në drejtësi në përputhshmëri me këto kritere:

që pjesëmarrësi mysliman në ato zgjedhje të ketë për qëllim kontributin e tij në arritjen e interesave të myslimanëve dhe largimin e dëmeve nga ta;

që myslimanët pjesëmarrës në zgjedhje të kenë parasysh se është më e mundshme që pjesëmarrja e tyre të çojë në efekte pozitive, nga të cilat përfitojnë vetë myslimanët e atyre vendeve duke forcuar pozitën e tyre, paraqitjen e kërkesave të tyre te organet vendimmarrëse dhe timonierët qeverisës, ruajtjen e interesave të tyre fetare e materiale;

që pjesëmarrja e myslimanëve në zgjedhje mos të rezultojë me diç që çon në mospërfilljen e tyre të Islamit.

Tek Allahu është i tërë suksesi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.”

(Marrë nga: http://www.themwl.org/Fatwa)

Përktheu: Muhamed DËRMAKU


Pyetje: Hoxhë i nderuar, AbduRahman b. Nasir el-Berrak, cili është vendimi i fesë për votimet dhe pjesëmarrja në to? Cili është vendimi për hyrjen në parlament?

Dijetari AbduRahman elBerak dha këtë përgjigje: Allahun e falënderojmë, paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem. Votimet që mbahen në vendet islame, pa marrë parasysh nëse kanë të bëjnë me zgjedhjen e kryetarit të shtetit, apo të deputetëve të parlamentit, është risi mes myslimanëve, ka ardhur tek ata nga popujt jobesimtarë, për shkak të zotërimit të tokave myslimane prej tyre dhe për shkak se shumë myslimanëve u pëlqejnë metodat e jobesimtarëve, edhe pse bien ndesh me logjikën dhe Fenë. Sepse përcaktimi i delegatëve bëhet në baza materiale, burojnë nga epshet dhe interesat njerëzore. Më pas, një defekt i këtyre kritereve lidhet me faktin se kandidati për kryetar shteti nuk propozohet nga populli; populli thjesht voton kandidatin e propozuar paraprakisht. Zgjedhja bëhet në bazë të propagandës, andaj ai që ka propagandë më të madhe dhe pretendime më të mëdha, ai fiton. Ata gjatë këtyre votimeve mbështeten në shumicën e votës, e cila vjen nga shtresat e ndryshme të popullit, duke shkaktuar barazi mes të mençurve dhe mendjelehtëve, dijetarëve dhe të paditurve, burrave e grave. Pastaj, numërimi i votave nuk është i ndershëm dhe i pastër; në to ka edhe ryshfete, premtime e mashtrime, të cilat ndikojnë jo pak. Kjo ndodh në vendet e cilësuara si vende të civilizuara, të “zhvilluara” dhe “demokratike”. Në vendet që ecin pas tyre, siç janë shtetet arabe dhe islamike, në zgjedhje nuk ka as realitet, as alegori. Kryetari mbetet kryetar dhe zakonisht votohet me 99% të votave, apo më shumë. Pos kësaj, ai që ka të drejtë të zgjidhet nga umeti, si inteligjentët, dijetarët, të mirët e umetit dhe ata që këshillojnë, ata që e dinë interesin e umetit në fenë dhe dynjanë e tyre, e në të gjitha çështjet sociale, ekonomike dhe politike, ata nuk kanë gjurmë në këto votime, këta janë “të larguarit”, nuk zgjidhen dhe nuk ka votë sipas tyre, ose i rrethuar me një shumicë dërmuese që ka të drejtë votimi dhe zgjedhjeje nga shtresat dhe grupime të ndryshme të shoqërisë. Kështu që është e qartë se këto votime janë shumë larg nga cilësia e zgjedhjes së Imamit (Kalifit), siç është përcaktuar në “rregullat e imamit” tek myslimanët. Po ashtu, edhe kushtet e të propozuarve në këto zgjedhje janë në kundërshtim me shumicën e kushteve të pranuara tek Imami, legjitimiteti i të cilit konfirmohet me zgjedhje, siç është përcaktuar në librat e fikhut islam. Nga kjo që thamë, është e qartë se këto votime janë risi mes myslimanëve dhe janë të kota, organizimi i tyre është haram, për shkak se është përngjasim me jobesimtarët, mbështetet në propagandë, blerje të votave, pretendime të rrejshme dhe në shumicën mendjelehte, e cila i shet votat e veta, madje, ua jep votat atyre që realizojnë epshet e tyre, duke mos llogaritur aspak moralin dhe fenë.

Kurse sa i përket pjesëmarrjes në votime dhe hyrjes në parlament, kjo është hapësirë e ixhtihadit; nëse sjell dobi të sigurt fetare, ndihmon të vërtetën dhe pakëson të keqen e zullumin, duke mos përdorur mëkat ose duke mos u mbështetur në ndonjë rregull të kufrit, ose të pajtohet me ndonjë vendim prej vendimeve të tagutit, që është në kundërshtim me sheriatin, pjesëmarrja në këtë formë është e ligjshme, duke e zbatuar ajetin Kur’anor: “Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit”. (Et-Tegabun: 16). Ai që mendon se pjesëmarrja sjell këto dobi dhe largon të këqijat, nëse kjo shoqërohet me nijet të mirë, atëherë nuk ka mëkat, e nëse mendon se pjesëmarrja e tij nuk sjell këto dobi dhe nuk garanton se nuk bie në vepra të kota, atëherë për të s’është gabim nëse i shmanget tërë këtyre grupimeve dhe i këshillon për hir të Allahut, këshillon për Pejgamberin dhe mbarë myslimanët, ashtu siç ka thënë Allahu, subhanehu ve teala: “Nuk është ndonjë mëkat për të dobëtit, as për të sëmurët, e as për ata që nuk kanë me çka të përgatiten, kur janë të sinqertë ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, pra për të mirët nuk ka rrugë qortimi. Allahu falë shumë, është mëshirues”. (Et-Teube: 91).

Kjo është ajo çka m’u lehtësua të përmbledh, Allahu e di më së miri.

Përktheu: Bekir HALIMI


Pyetje: Disa myslimanë që jetojnë në vende jo islamike, dëshirojnë të dinë nëse lejohet apo jo që të marrin pjesë në votime; më konkretisht këtu, nëse lejohet apo jo të votojnë për parti jo islamike. Thonë se, parti të caktuara, po të fitonin, do të mund t’i shërbenin myslimanëve?

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid dha këtë përgjigje: Falënderimi i takon vetëm Allahut, subhanehu ue teala. Pyetja e shtruar përbën një nga çështjet ku fetvaja ndryshon sipas kohës, vendit dhe rastit. Lidhur me këtë çështje, nuk kemi të drejtë të japim një fetva, që do të vlente për çdo rast. Në disa raste, nuk është e udhës që myslimanët të marrin pjesë në votime, sidomos kjo në syresh ku myslimanët nuk përfitojnë asgjë, apo në të tjera, ku vota e myslimanëve nuk ka ndonjë ndikim te partitë e përfshira në votime, që do të thotë se, votuan apo s’votuan, çështja nuk ndërron. Kjo vlen edhe për raste të ngjashme, siç ndodh në rastet kur kandidati në votime ka qëndrim negativ ndaj myslimanëve, njëlloj si ai që ish para tij… Mirëpo, ka raste kur nga votimi mund të vijë ndonjë dobi fetare, madje, dukshëm, siç mund të jetë zvogëlimi i konflikteve dhe dëmeve. P.sh., nëse njëri prej kandidatëve jo myslimanë tregon më pak armiqësi ndaj myslimanëve sesa tjetri, dhe, në anën tjetër, vota e myslimanëve ndikon në rezultatin e zgjedhjeve, në këtë rast themi se s’ka asgjë të keqe nëse votohet. Sidoqoftë, këto çështje mbështeten në rregullin e sheriatit “dëmet dhe dobitë – el-mesalih uel mefasid”. Për këtë duhet të pyeten dijetarët, që i njohin mirë përkufizimet e këtij rregulli. Çështja dhe rasti i atij vendi ku jetojnë ata myslimanë, ligjet e vendit, kandidatët, rëndësia për të votuar, rezultatet e çështje të tilla duhet t’u parashtrohen në detaje etj. Askush s’ka të drejtë të mendojë se kush lejon votimet pajtohet dhe ndihmon kufrin, sepse kjo bëhet për dobinë e myslimanëve, jo për dashuri ndaj kufrit dhe qafirëve.Dihet fare mirë se, myslimanët u gëzuan me fitoren e romakëve ndaj persianëve. Po ashtu, u gëzuan me fitoren e Nexhashiut ndaj atyre që donin t’i merrnin mbretërinë. Kjo dëshmohet qartë në librat e historisë, por ai që mendon të mos përzihet në votime, është i lirë. Fetvaja që dhashë vlen për votimet, ku mund të zgjidhen njerëz që do të ndikonin për të mirën e myslimanëve. Allahu e di më së miri.

Përktheu: Omer BERISHA

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read