THUAJ “BISMILAH” DHE HA ME TË DJATHTËN
Nga Omer ibn Ebi Seleme –radijallahu anhu– përcillet të ketë thënë:
Isha i vogël, nën përkujdesjen e të Dërguarit të Allahut -sal-lallahu alejhi ve sel-lem-, dora ime endej në enë (gjatë ngrënies), ndaj i Dërguari i Allahut –sal-lallahu alejhi ve sel-lem– më tha:
“O vogëlush, përmende Allahun (thuaj bismilah), ha me të djathtën dhe ha para vetes!”
Pas kësaj, vazhdimisht veproja kështu gjatë ngrënies.
Këtë hadith e shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky është citati i Buhariut.
Domethënia e hadithit
Pejgamberi -sal-lallahu alejhi ve sel-lem– u martua me Ummu Selemen pasi i vdiq asaj burri, Ebu Seleme. Omeri, i biri i Ebu Selemes jetonte me nënën e vet në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Një ditë prej ditësh, djaloshi u ul për të ngrënë ushqim me Pejgamberin –sal-lallahu alejhi ve sel-lem– kurse dora e tij nuk qëndronte në një vend të ushqimit, kështu që Pejgamberi –sal-lallahu alejhi ve sel-lem– ia mësoi atij disa rregulla të ushqimit, e ato janë:
1. Që në fillim të të ngrënit të thotë: Bismilah;
2. Të hajë me dorën e djathtë;
3. Të hajë nga ajo që e ka afër vetes, e të mos e zgjasë dorën në ushqimin që është afër tjerëve.
Omeri vepronte sipas urdhrit të Pejgamberit –sal-lallahu alejhi ve sel-lem– dhe kjo gjë u bë zakon në mënyrën e tij të të ushqyerit.
Dobitë e hadithit
1. Besmeleja (thënia bismil-lah) në fillim të të ngrënit.
2. Ngrënia me dorën e djathtë.
3. Të hajë njeriu nga ushqimi që e ka para vetes e të mos e zgjasë dorën në ushqimin që është përpara tjerëve.
4. Në qoftë se ka lloje të ndryshme të ushqimit, atëherë i lejohet të hajë nga ushqimi që nuk e ka afër.
Burimi:
burimijetes.info
Përktheu: Jusuf Kastrati