BallinaAKIDETeuhidDOBITË E TË BESUARIT NË KADER

DOBITË E TË BESUARIT NË KADER

 

DOBITË E TË BESUARIT NË KADER

 

Shkruan: Justinian Topulli

 

Para se të përmendnim dobitë që ka një besimtarë nga të besuarit në kader, duhet të theksojmë se Islami, ndaj përcaktimit të fatit të njeriut; mban një qëndrim të mesëm. Qëndrim i cili nuk bie në fatalizëm, ku për çdo gjë, të mirë apo të keqe që i ndodh njeriut në jetë, bëhet përgjegjës vetëm kaderi dhe njeriu nuk është i përgjegjshëm për asgjë, por as dhe në ekstremin tjetër i cili mohon para-dijen e Allahut dhe përcaktimin e Tij, për gjithçka që ndodh në të tashmen dhe të ardhmen.

Natyra e Kaderit, që ne besojmë sipas mësimeve të Islamit, përbëhet nga rruga e mesme ndërmjet këtyre dy skajeve, dhe është një e fshehtë e Allahut thelbin e së cilës Ai e ka mbajtur të fshehtë ndaj njerëzve.

* Të besosh tek Kaderi do thotë të plotësosh besimin se Allahu ka nën kontrollin dhe nën zotërimin e Tij gjithçka. Kaderi i Zotit është pjesë e veprimeve të Tij, ndaj dhe besimi në të prek këtë aspekt të Imanit.

* Të besosh tek Kaderi do të thotë që njeriu në çdo çështje t’i kthehet Zotit të tij. Duke ditur dhe besuar se çdo gjë që ndodh në jetë e mirë apo e keqe është në dorë të Allahut, atëherë patjetër njeriu duhet t’i drejtohet Atij që ka në dorë lumturinë dhe hidhërimin e tij, që t’i largojë atij vuajtjet dhe t’i japë atij kënaqësinë, e cila është dhuratë nga mirësitë e panumërta të Allahut.

* Duke besuar në Kader njeriu njeh pozitën dhe vlerën e vetes së tij, ndaj nuk krenohet kur ai bën diçka të mirë.

* Kur njeriut i ndodh një fatkeqësi ai është në gjendje ta mund dhimbjen dhe t’i lehtësojë pasojat e saj, sepse ai e di që ajo vjen prej Allahut. Zoti i madhëruar thotë në Kuran:

”Asnjë fatkeqësi nuk ndodh pa lejen e All-llahut dhe kush i beson Allahut, Ai do ta udhëzojë zemrën e tij, Allahu është i Gjithëditurpër çdo gjë.” (Sure Tegabun: 11)

Alkalme, një komentator i hershëm i Kuranit, duke komentuar këtë ajet thotë: Ky ajet flet për atë njeri të cilit kur bie një fatkeqësi, e di se ajo vjen prej Allahut, ndaj dhe ndjehet i kënaqur me caktimin e Zotit dhe ia dorëzon çështjen Atij. Profeti i Islamit e ka shprehur mjaft bukur këtë aspekt: ”Puna e besimtarit të habit, gjithçka për të është e mirë, dhe kjo nuk i takon vetëm se besimtarit; nëse atij i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon dhe kjo është diçka e mirë për të, e nëse atë e zë ndonjë fatkeqësi ai duron dhe kjo është diçka e mirë për të”[1]

* Besimi në Kader të shtyn të njohësh dhe të falënderosh Atë që me të vërtetë ishte burimi i mirësisë. Nëse nuk beson në Kader ti do t’ia dish për nder vetëm atij që u përcaktua si shkak për këtë gjë. Ndaj s’të çudit fakti tek sheh shumë njerëz që u servilosen pushtetarëve apo edhe të tjerëve, kur përfitojnë atë që duan, dhe harrojnë ta falënderojnë Allahun. S’ka dyshim se njeriu duhet t’i falënderojë njerëzit, siç thotë edhe Profeti (alehji salatu ue selam): ”Kush ju bën ndonjë të mirë; kompensojeni atë.”[2] Por nuk duhet harruar asnjëherë se burimi i çdo të mire vjen nga Allahu dhe se është Ai që e bëri shkak këtë njeri për të dhuruar ty këtë të mirë.

* Nëpërmjet besimit në Kader njeriu njeh urtësinë e Allahut të lartësuar; duke parë se çfarë transformimesh kolosale ndodhin në këtë gjithësi, që nga atomi e deri tek galaktikat super gjigante, çdo gjë ndodh me përcaktimin dhe gjykimin e urtë të Allahut. Kushdo që nuk e mbart me vete këtë besim nuk do të mund ta shohë siç duhet kurrë urtësinë e kësaj gjëje.

* Besimi në Kader e shpëton njeriun nga shirku. Shumë filozofë mendonin se vetëm e mira vinte prej Zoti, ndërsa e keqja shkaktohej nga perënditë e vogla që ishin nën të! E gjithë kjo doktrinë e Perëndisë së të mirës e të dritës dhe perëndive të së keqes e të errësirës, nuk është veçse një doktrinë e prapambetur pagane e cila synon të mos bëjë përgjegjës, sipas tyre, Allahun Zotin e madhërishëm për fatkeqësitë që ndodhin! Dhe kështu për zoroastrianët kishte dy krijues: Drita e cila krijonte të mirën dhe Errësira që krijonte të keqen! Në një pozitë të tillë kanë rënë edhe sekte islame të cilat mohojnë se Allahu është Ai i cili krijon veprimet e njerëzve, dhe kështu pa e kuptuar sajuan një krijues të dytë veç Allahut! Besimi në njësimin e Allahut nuk mund të plotësohet nëse nuk pranohet se vetëm Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, dhe se vullneti i Tij zbatohet tek të gjithë krijesat e Tij. Të gjithë ata që mohojnë Kaderin, nuk e njësojnë Zotin e tyre dhe nuk e njohin Atë ashtu siç duhet. Besimi në Kader është udhëkryqi ku ndahet rruga e Teuhidit me atë të Shirkut. Besimtari që beson në Kader e pranon se kjo gjithësi dhe çka në të është vepër e një Zoti, e një të adhuruari, e një hyji, e ai i cili nuk e ka këtë besim patjetër që do të bjeri në shirk.

* Besimi në Kader të jep kurajë dhe të bën të guximshëm, të bën të mos trembesh nga vështirësitë. A nuk e keni lexuar nëpër histori sesi besimtarët nuk stepeshin nëpër luftëra, sepse ata e ndjenin në çdo moment se jeta dhe vdekja është në dorë të Zotit. A nuk keni parë sesi ai që beson në Kader nuk trembet të thotë të vërtetën edhe para tiranëve sepse jetën, rrizkun dhe të ardhmen e tij e ka në dorë vetëm Allahu. Ndaj besimi në Kader nuk është një thirrje për në plogështi dhe pesimizëm por një nxitje për të luftuar, e përpjekur në çdo moment të jetës drejt së mirës. Ata që nuk ndihen të tillë nuk e kanë kuptuar Kaderin siç duhet.

Dhe thuaju: “Punoni! Allahu do t’i shohë punët tuaja, edhe i Dërguari i Tij, edhe besimtarët. Dhe ju do të silleni përsëri tek i Gjithëdituri i së fshehtës dhe i së hapurës, kur Ai do t’ju njohë ju me punët që keni bërë.”(Teube:105)

 

Literatura e shfrytëzuar:

-Sahihul Muslim

-Sherh El-akidetu El-uasitije, Muhamed ibn Salih el-uthejmin.

-El-kada uel kader, Umer Sulejman el-Eshkar.

 


[1] Trs. Muslimi.

[2] Trs. Ebu Daudi 1672, Nesaiu etj.

 

www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read