DOMETHËNIET SHUMËDIMENSONALE TË SIMBOLIKËS SË SAKRIFICËS SË KURBANIT
Eudhu bil-Lahi mine’sh shejtani’rr rraxhim
Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim
الحمد لله مستحقِ الحمد بلا انقطاع، ومستوجبِ الشكر بأقصى ما يستطاع، الوهابُ المنان، الرحيم الرحمن. وأشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك له، أكرم مسؤول، وأعظم مأمول، وأشهد أن سيدنا محمداً عبده ورسوله، الوافي عهده، الصادق وعده، صلى الله عليه، وعلى آله وأصحابه وتابعيه وأحزابه، صلاة تُشْرٍِقُ إشراق البدور.
Falënderimet, lavdërimet dhe madhërimet më të sinqerta dhe më kulmore janë për Ty o Zoti ynë, Zoti i qiejve dhe tokës, dëshmojmë se askush përveç Teje nuk meriton të adhurohet në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë…Dëshmojmë edhe për Muhammedin si të dërguarin Tënd të fundit, me të cilin përmbylle pejgamberinë…
O Zoti ynë, mëshiroje Muhammedin, alejhi’s selam dhe ngrite atë në pozitat që ia premtove, kurse familjen, shokët dhe neve, pasuesit e tij, mos na ndajë nga mëshira Jote, na llogarit me të dhe na fut në Xhennet me të!
Të nderuar vëllezër besimtarë të pranishëm!
Dhe ju, telespektatorë të respektuar, që këtë ngjarje madhështore e përcillni nëpërmjet ekraneve tuaja anekënd vendit dhe botës!
Më lejoni që fillimisht t’iu përshëndes me përshëndetjen, burimi, esenca dhe reflektimi i së cilës është paqe, pra:
Es Selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!
Paqja, mëshira dhe dhuntitë e Allahut qofshin mbi ju!
Besimtarë të nderuar!
S’do mend se festat janë pjesë rekreative e jetës, pa të cilat vështirë se mund të paramendohet ajo…Edhe Islami si fe dhe sistem jete, i ka përvetësuar ato, vetëm se i ka rregulluar me norma dhe parime, të cilat, me gjithë praninë e sfondit të tyre prej gëzimi e hareje, prapëseprapë në thelb dhe esencë mbesin adhurim për Allahun. Pra, festat në Islam janë më shumë se argëtim…Ato përçojnë mesazhe devotshmërie dhe sinqeriteti, humaniteti dhe mëshire, solidariteti dhe harmonie, bashkimi dhe përafrimi…
Kështu, madhështia e ditës së sotme, festimin e së cilës veç e kemi filluar, tejkalon suazat e çdo dite tjetër festive…Sot festojmë Ditën, e cila në vete ngërthen një muze të tërë përkujtimesh; një botë plot e përplot mirësish; një falënderim të sinqertë për Allahun; një përkatësi të denjë tonën për Islam, kurse koincidenca e ditës së xhuma kësaj feste vetëm sa ia shton ndriçimin dhe madhështinë.
Vëllezër të dashur besimtarë!
(Sakrifica në përgjithësi…)
Një ndër ritualet më impozante të kësaj feste mbetet Sakrifica, të cilës edhe do t’ia kushtojmë këtë ligjëratë.
Sakrifica dhe vetëmohimi për Allahun e Madhëruar është alfa dhe omega e sinqeritetit dhe devotshmërisë së besimtarit, sikur që është A-ja dhe Zh-ja e kulturës dhe civilizimit në përgjithësi. Prestigji i saj rritet në saje të aspekteve që përfshin, e të cilat fillojnë nga më të thjeshtat e deri tek më e çmuara, më e shtrenjta, tek veta jeta… Sakrifica edhe vdekjes i jep kuptim…Allahu i Madhëruar thotë:
“إِنَّ اللّهَ اشْتَرَى مِنَ الْمُؤْمِنِينَ أَنفُسَهُمْ وَأَمْوَالَهُم بِأَنَّ لَهُمُ الجَنَّةَ
All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet….”. Et Teube, 111.
Pra, ata sakrifikuan me jetët dhe pasuritë e tyre e në këmbim Allahu i Madhëruar ua dha parajsën-Xhenentin.
Sakrifica, gjykuar nga këndvështrimi islam, nuk është alternativë, që mund ta bësh apo ta lësh. Ajo, deri diku është obligative ngase si pjesë e besimit paraqet të kundërtën e Fiskut, një term fetar ky që paraqet shkelësin e rregullave të fesë, siç është aluduar në Kur’an, në kaptinën Et Teube, ajeti 24 .
Besimtarë të nderuar!
(Kurbani dhe historiku i tij)
Urtësitë dhe sekretet e sakrificës së Kurbanit do të preferoja t’i paraprijmë me një rezyme të shkurtër rreth Kurbanit dhe historikut të tij! Kurbani është kafsha, e cila, rëndom, theret për Festën e Kurban Bajramit, qoftë si rit në kuadër të ritualeve të Haxhit, apo edhe si traditë për ata që nuk janë në Haxh. Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar Muhammedin, alejhi’s selam duke i thënë:
” فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَٱنْحَرْ
Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”. El Keuther, 2.
Kurbani, si rit, daton që nga ekzistenca e fesë. Me të përmendur këtë, vetvetiu vëmendja zhvendoset tek Ademi, alejhi’s selam, respektivisht, tek dy bijtë tij, që për zgjedhjen e një kontesti ndërmjet tyre, u desh që të ofrojnë Kurban për Zotin, dhe cilit do t’i pranohej Kurbani, ai do të ishte në të vërtetën. Nga këtu fillon por vetëm si rit dhe përkushtim ndryshe gjatë historisë ai ka pësuar ndryshime në praktikën rituale. Tek vet bijtë e Ademit, alejhi’s selam ishte zjarri ai që e ngrëni Kurbanin e jo therja, siç daton nga Ibrahimi, alejhi’s selam për të vazhduar kështu deri në amshim…
Kurbani është i njohur shumë edhe tek të ashtuquajturat fe tokësore, por me dedikim dhe ritual që përkon më shumë me natyrën idhujtare se sa atë monoteiste.
Besimtarë të nderuar!
Urtësitë e sakrificës së Kurbanit, marrë përgjithësisht, kanë një shtrirje vertikale, në raport me Allahun, dhe horizontale, në raport me njeriun, dhe një kategorizim apo selektim i thjeshtë i tyre ato do t’i bënte të degëzuara kështu:
• Urtësi në sferën e kredos apo besimit islam
• Urtësi në sferën e adhurimit
• Urtësi në sferën sociale të muslimanëve, dhe
• Mësime për edukim të mirëfilltë.
Le të shohim diç më konkrete nga këto që përmendëm.
1. Në sferën e kredos apo besimit islam, Kurbani paraqet besimin e pastër në Allahun e Madhëruar, besim ky që dallon Islamin nga besimet tjera. Derisa më parë Kurbani therej për idhuj, të vdekur, xhinë, në Islam, ai, si pjesë përbërëse e tij, patjetër se duhet të jetë vetëm për Allahun e Madhëruar si çdo vepër tjetër dhe duhet të jetë, kur bëhet fjalë për therje, në përputhje të plotë me rregullat e legjislacionit. Allahu i Madhëruar thotë:
” قُلْ إِنَّ صَلاَتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve”. El En’amë, 162.
” فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ
Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”. El Keuther, 2.
Në koment të këtij ajeti është thënë: Njerëzit faleshin dhe thernin kurbane për idhuj kështu që Allahu e urdhëroi profetin e Tij, Muhammedin, alejhi’s selam, që adhurimi dhe kurbani i tij dhe tërë njerëzimit të jenë ekskluzivisht vetëm për Të.
Kurbani si rit paraqet edhe një aspekt shumë të rëndësishëm të besimtarit. Emocionet e tij dhe ndjenjat nuk janë para parimeve. Thirrja e Zotit është më parësore për tu respektuar se çdo gjë tjetër. Ibrahimi, alejhi’s selam natyrisht se kishte dhimbje për të birin por urdhri i Allahut të Madhëruar për të ishte para çdo gjëje, dhe shih për këtë edhe u nderua me epitetin Halilullah – dost i Allahut, epitet ky që vërtet nderon atë shumë.
Kurbani në këtë aspekt paraqet edhe një diagonale vertikale e cila bën një lidhje tjetër, atë të të gjithë profetëve. Identifikimi i Kurbanit si rit me Ibrahimin, alejhi’s selam, sa shpreh këtë po aq shpreh edhe transparencën e Islamit, i cili me aprovimin e parimit për besim të obliguar në të gjithë profetët dëshmon tolerancën dhe gatishmërinë e tij për një rend fetar unifikues në botë, ku asnjë profet nuk do të nënçmohej, ku Zoti nuk do të adhurohej sipas tekeve e qejfeve, ku Atij nuk do t’i përshkruheshin fëmijë e bashkëshorte, me një fjalë ku besimi i proklamuar nga të gjithë profetët do të merrte timonin e drejtimit të botës për çka si rezultat do të kishte harmoninë dhe bashkëjetesën e lumtur të të gjithë njerëzve.
Besimtarë të nderuar!
2. Sferën e adhurimit dhe falënderimit, Kurbani, para së gjithash e shpreh edhe nga vet domethënia e tij gjuhësore për faktin se si emër rrjedh nga folja karrebe që d.t.th. ofron, afrohet me diç te dikush…dhe Kurbani është afrim i njeriut me të tek Allahu. Megjithatë, urtësia e Kurbanit është shumë më e madhe. Ai në vete gërsheton adhurimin dhe falënderimin për disa nga arsyet në vijim:
1. Është kulm adhurimesh për faktin se është vepër me të cilën përmbyllen veprat e mira. Nëse Hixhreti u përmbyll me pendim, siç qëndron në ajetin 31 të kaptinës En Nurë; nëse Xhumaja vjen si përmbyllje e adhurimit javor; nëse Fitër Bajrami vjen si përmbyllje e agjërimit, atëherë Kurban Bajrami na vjen si përmbyllje e dhjetë ditëve më të mira të Allahut të Madhëruar, madje vet dita e tij është dita e mirë, siç është vërtetuar në hadithin e Edu Davudit të verifikuar si të saktë nga Albani. Madje si festë konsiston me një tjetër festë, atë të përmbylljes legjislative të Islamit, e cila në krahasim më Fitër Bajramin, që shënonte fillimin e shpalljes islame, paraqet fundin legjislativ por jo edhe valid dhe funksionues të fesë islame. Rrëfimi i Omerit me një arab çifut, i shënuar në koleksionin e Buhariut, është i njohur për ju.
2. Kurbani paraqet pastërtinë shpirtërore. Shlyerjen totale të mëkateve në Haxh, të cilën e paralajmëroi Muhamedi, alejhi’s selam, disa nuk mund ta merrnin me mend, kështu që thënies së tij autentike i dhanë komente të ndryshme. Megjithatë, nëse ndalemi tek ritualet e Haxhit, do të shohim se për qëllim është pastrimi nga të gjitha mëkatet. Ja përse. Ndalesat ose punktet rituale, nëse mund t’i quaj kështu, që janë bërë para ardhjes tek Qabeja, tek vizita kryesore, fshehin në vete një urtësi, të shpalosur nga njëri prej gjeneratave tona të hershme. Ai, pozitën e Arafatit jashtë Haremit, e kishte arsyetuar me faktin se Qabeja është shtëpia e Allahut ndërsa Haremi është dera e (shtëpisë së) Allahut andaj kur muslimanët të vijnë, ata delen së pari te dera. Më pas ata, figurativisht, hyjnë në korridorin e shtëpisë së Allahut, hyjnë në Muzdelife, e cila paraqet portën e dytë, dhe pas kalimit të kësaj porte vjen momenti i takimit por paraprakisht njeriu i hedh vetes edhe një shikim për të parë në mos i ka mbetur ndonjë papastërti, që thënë me gjuhën e Haxhit e edhe të ligjëratës sonë, ther Kurbanin, dhe pas kësaj hyn në shtëpinë e Allahut të Madhëruar.
3. Kurbani, shikuar me syrin e një besimtari, është falënderim për mirësitë e Allahut të Madhëruar, dhe siç është tradite e trashëguar nga Pejgamberi, alejhi’s selam, sa herë që njeriu begatohet me diç, ai në vend të përbuzjes, mashtrimit apo mosmirënjohjes, duhet të tregohet më modest, më i drojtur dhe rrjedhimisht edhe më falënderues. Ai ka moto moton e Muhammedit, alejhi’s selam:
” أفلا أكون عبدا شكورا
A të mos jam rob falënderues?!”. Transmetim unanim.
Muslimanë të respektuar!
3. Në sferën solidare, Kurbani është botë më vete. Njeriu, thotë gruaja e Pejgamberit, alejhi’s selam, Aisheja, është i krijuar ta dojë atë që i bën mirë dhe ta urrejë atë që i bën keq. Vështruar nga ky konstatim që ka bazë profetike ngase në hadith qëndron “Shkëmbeni dhurata (që) të duheni” , Kurbani arrin të shënojë rezultate të kënaqshme në përafrimin e njerëzve. Madje vet qëllimi tij është ky ngase:
” لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَكِن يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنكُمْ
Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…”. El Haxh-xhu, 37.
Madje, thënë të vërtetën, solidarizimi me myslimanët nuk është krejt çështje opsionale. Nëse myslimanët i ngjajnë një trupi që po ankoi një gjymtyrë ankon i tërë trupi, atëherë ikja nga kurbani ose qëllimi i tij nuk ka sens për besimtarin. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam muslimanëve të parë ua ndaloi deponimin e mishit të Kurbanit më shumë se tri ditë. Vitin tjetër hoqi këtë ndalesë me arsyetimin: “Hani, ushqeni të tjerët dhe depononi ngase vitin e kaluar ua ndalova këtë për shkak se njerëzit patën një krizë kështu që desha participimin tuaj në tejkalimin e saj”. Buhariu.
Kurbani njëherësh është edhe aspekt teknik i festave. Ai synon qetësimin shpirtëror nga mungesa e të mirave materiale të të gjithë muslimanëve, të paktën këtë ditë festive. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam kishte qortuar ashpër ata që kanë mundësi e nuk therin Kurban. Ibni Maxheh transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush ka mundësi materiale dhe nuk ther Kurban, atëherë ai le të mos i afrohet faltores sonë”.
Aspekt tjetër prej nga rrezaton fuqishëm solidariteti i Kurbanit është edhe pozita e tij si vazhdimësi e ceremonisë ku u proklamua zhdukja e dy negacioneve më të mëdha të solidaritetit. Fjala është për fjalimin më madhështor të mbajtur ndonjëherë nga njeriu, fjalimin e Muhammedit, alejhi’s selam në Arafat, ku fajden-kamatën dhe vrasjet e hakmarrjet i zhduku nga praktika dhe tradita e muslimanëve për t’i zëvendësuar ato me këtë sakrificë, e cila afron e nuk ndan, bashkon e nuk përçan, sjell dashuri e jo urrejtje…Pra, nëse doni t’iu ndihmoni njerëzve, atëherë dijeni se kamata është rruga e gabuar kurse alternative hallall keni këtë, kurbanin dhe ndihmat tjera vullnetare.
Besimtarë të nderuar!
4. Në sferën edukative, mësimet e Kurbanit sigurisht se na kthejnë në retrospektivë, atje tek Ibrahimi dhe Ismaili, alejhim’s selam. Këtë edhe e synojmë këtu. Duam që sot sakrifica e tij, flijimi i tij, të jenë model për të rinjtë tanë, të cilët, të dhënë pas epsheve dhe kënaqësive kalimtare janë duke trasuar rrugën e gabuar, rrugën e arrogancës ndaj prindërve. Me keqardhje konstatoj se sot na bie të dëgjojmë edhe për dhunë fizikë të fëmijëve ndaj prindërve, madje raste kur kjo kalon në ekstremitet dhe prindi pëson edhe me jetë, dhe tash më lejoni që t’ua bëj një pyetje: Po t’i thuhej Ismailit, alejhi’s selam se ka edhe fëmijë të tillë, sigurisht se nga habia ndoshta edhe do të alivanosej. Ai me gjasë rinisë sonë do t’ia përkujtonte këtë insert të tregimit të tij të regjistruar në Kur’an:
” فَلَمَّا بَلَغَ مَعَهُ السَّعْيَ قَالَ يَا بُنَيَّ إِنِّي أَرَى فِي الْمَنَامِ أَنِّي أَذْبَحُكَ فَانظُرْ مَاذَا تَرَى قَالَ يَا أَبَتِ افْعَلْ مَا تُؤْمَرُ سَتَجِدُنِي إِن شَاء اللَّهُ مِنَ الصَّابِرِينَ
Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”. Es Saffat, 102.
E shihni, Ibrahimi, alejhi’s selam edhe deshi të kërkonte nga i biri do të thosha me gjuhën e të rinjve të sodit një absurditet, kasapllëk, pashpirtësi, e ku ta di çka tjetër, por megjithatë gjeti përveç gatishmërisë edhe moralin dhe sjelljen shumë të kulturuar të tij. Ismaili, alejhi’s selam, edhe në ato momente kur jeta e tij ishte në pyetje, babait nuk iu drejtua me emër, madje as me “baba” por përdori shprehjen ledhatuese dhe përkëdhelëse, e cila shpreh dashurinë që kishte ndaj babait.
Besimtarë të nderuar!
Dhe për fund fare, më lejoni që tua përkujtoj se Kurbani nuk theret para faljes se namazit te Bajramit, ndryshe ai nuk gëzon statutin e Kurbanit por vetëm të një sadakaje – lëmoshe të rëndomtë. Kurbani, doemos, duhet te theret pas namazit të Bajramit, dhe për të gjithë ata që nuk kanë mundësi t’i therin kurbanat në shtëpitë e tyre, Bashkësia Islame organizon therjen dhe distribuimin e tyre në nivel të Kosovës, në vendet më të nevojshme. Ju mund të lajmëroheni në Këshillat lokalë të Bashkësisë Islame ku mund të gjeni detajet tjera përkatëse.
Besimtarë të nderuar!
Në ndarje nga kjo ligjëratë, më lejoni të mbetem me shpresë se mesazhet dhe mësimet e kësaj dite dhe kësaj sakrifice do të mishërohen me ju dhe do të reflektojnë edhe në sjelljet dhe veprimtaritë tuaja.
Ju faleminderit shumë!
Wes selamu alejkum!
Burimi:
Dr. Sedat Islami
sedatislami.com