E Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne. (Enbijā, 35).
Gjithçka që na shoqëron në jetën tonë, shëndeti, nafaka, pasuria, puna, fëmijët e hajrit etj… respektivisht gjithçka që e konsiderojmë të mirë, duhet ta shohim edhe si sprovë e cila duhet të na inkurajojë të jemi falënderues dhe të bëhemi njerëz edhe më të mirë. Një raport të njëjtë duhet ta kemi edhe ndaj sprovave dhe problemeve që na ndodhin. Besimtari çdo gjë duhet të shoh në dobinë e tij. Në lidhje me këtë Muhamedi a.s. ka thënë: “Gjendja e besimtarit është e çuditshme, çdo gjendje e tij është e hajrit, dhe kjo s’i ngjet askujt veç tyre. Kur i ndodh diçka e mirë, falënderon dhe kjo është e hajrit për të. Kur i ndodh ndonjë fatkeqësi, duron dhe kjo është sërish e hajrit për të.”
Burimet e së mirës
Edhe pse gjithçka që ndodh, ndodh me përcaktimin e Zotit dhe vullnetin e tij, Allahu xh.sh, në librin e Tij na i ka zbuluar mënyrat dhe rrugët të cilat nëse i ndjekim do të shtojmë mirësinë dhe të mirat që do të na bëjnë dobi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër çka është edhe qëllimi i besimtarit.
a) Devotshmëria
Kur flet për devotshmërinë, Kurani thotë: “dhe kini frikë Allahun që ashtu të gjeni shpëtim“.
Dhe në të vërtetë, ai që i frikësohet Zotit do të veprojë vetëm atë që Allahu është i kënaqur dhe në çdo situatë do të përmbahet vlerave morale duke qenë i vetëdijshëm se për çdo vepër të tij, qoftë e hapur apo e fshehur do të jap llogari para Zotit.
b) Ndjekja e udhëzimit të Zotit
Duke ndjekur udhëzimin e Zotit, njeriu largon fatkeqësitë dhe devijimin: “kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër). (Taha 123)
Pra, çdo sadaka, çdo naamaz, çdo fjalë e mirë dhe punë e hajrit dhe çdo dispozitë e Zotit që e praktikojmë do të na sjell vetëm të mira dhe do të na largojë nga fatkeqësitë që i dimë dhe nuk i dimë.
c) E mira si e tillë
Burimi i së mirës është vetë e mira si e tillë, e cila nëse bëhet, vetëm sa shtohet edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, parandalon dhe “fshin” të keqen: “S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat. (Hud)
Burimet e së keqes
– Shpirti që anon nga e keqja (Epshi i keq)
Kurani fisnik na zbulon edhe rrugët e së keqes. Kurani flet për dy burime që njerëzit i çojnë drejtë të keqes.
Burimi i parë është epshi i keq që gjendet tek çdo njeri dhe pa ndërprerë e nxit për vepra të këqija dhe e largon nga e vërteta: “Unë nuk e shfajësoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që falë e mëshiron shumë. (Jusuf, 53)
Shejtani
Burimi i dytë i të keqes për të cilën flet Kurani është djalli. Si krijesë shejtani i nxit njerëzit nga e keqja dhe për këtë mund ta quajmë si ndihmës i epshit të keq: “Ai ju urdhëron vetëm me të këqija e turpëri, dhe ju shtyen të thoni për Allahun atë që nuk e dini. (Bekara, 169).
Një nga mënyrat e shejtanit për të mashtruar njeriun është ajo që njerëzve të mirën ua tregon si të keqe dhe të keqen si të mirë. Ndërsa çelësi i çdo të keqe sipas dijetarëve muslimanë është dashuria e tepërt ndaj kësaj bote dhe shpresa se nuk vdes kurë.
Andaj për fund, duke iu falënderuar Shpalljes, mendjes së shëndosh dhe përvojës së jetës së tij, njeriu është në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja dhe të kuptojë se e mira është ajo që e bën të lumtur dhe të qetë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Almir Fatiç / Përshtati: Arsim Dauti