BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaEDUKIMI I BESIMIT TEK FËMIJËT (Rritja e fëmijëve tanë me besim)

EDUKIMI I BESIMIT TEK FËMIJËT (Rritja e fëmijëve tanë me besim)

EDUKIMI I BESIMIT TEK FËMIJËT

Me emrin e Allahut Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit

Në emër të Allahut, falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen, shokët e të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vështirësitë që përballon umeti në ditët tona është për shkak të një lufte të ashpër kundër bazave të fesë dhe shtyllave islame, e cila i bie fesë mu në zemër. Nuk kemi mundësi ta përballojmë këtë vetëm se me akide të hekurt e besim të fortë e të patundur. Pastaj, historia na tregon se ka lidhje të ngushtë ndërmjet akides së saktë e fesë e ndërmjet fitores madhështore. Në çdo kohë kur umeti është i kapur për akiden e saj të pastër, interesohet për të e është krenare me të, ngrihet lart e mbizotëron përparësia mbi të gjithë botën. E në çdo kohë që janë shfaqur bidate, shthurje, e devijime nga rruga e drejtë u thye e i shijoi të gjitha të hidhurat.

Ne në këtë material do të flasim për rëndësinë që ka rritja e fëmijëve tanë, rritje me besim, në mënyrë që ta ruajë fenë nga dyshimet e humbura, e t’i përgatisim që të mbrojnë atë. Edhe pse origjina e materialit është edukimi i të vegjëlve, me këtë nuk i drejtohemi vetëm babait të cilit do të edukojë fëmijët e tij apo nënës e cila do të rrisë fëmijët e saj, porse ia çojmë edhe çdo dijetari e imam xhamie që interesohet për edukimin e dëgjuesve të tij apo profesor në shkollë i cili mëson nxënësit e tij apo thirrës ndërmjet njerëzve… të cilëve u themi të gjithëve: Akiden së pari… akiden së pari… akiden së pari.

Përse të vegjlit?!

Është përqendrimi tek të vegjlit në domosdoshmërinë e edukimit në akide të pastër për disa çështje të rëndësishme, nga këto janë:

Së pari:sepse fëmijët e sotëm janë shpresa e së ardhmes, janë brezi i cili do të mbajë lart flamurin e fjalës: LA ILAHE IL ALLAH MUHAMED RESULULLAH. Nëse ne do t’i përgatisim për një gjë të tillë do ta ngrijnë e do ta nxjerrin fitimtar e nëse i lëmë pas dore e humbën dhe e lëshuan përtokë. Ashtu siç kanë thënë edhe disa dijetarë: “Nëse ne jetojmë me turpin e mos fitimit, gjëja më e paktë që të bëjmë është të edukojmë fëmijët tanë të arrijnë këtë fitim.”

Së dyti: sepse fëmijëria është guri kryesor në ndërtesën e akides së besimit e thithjen e vlerave dhe parimeve, me atë natyrën e tyre të kthjellët ku mund të pranojnë çdo gjë. Siç ka thënë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem: “Çdo fëmijë është i lindur me natyrë të pastër, e prindërit e bëjnë jehud apo kristian apo mexhus” pastaj lexoi Ebu Hurejra: “Natyra e pastër e Allahut i cili i ka krijuar njerëzit në të.”

Së treti:sepse ajo që mësojnë fëmijët qysh në vegjëli nga vlera e parime të akides origjinale qëndrojnë të gdhendura në trurin e tij gjatë gjithë jetës së tij, është vështirë të ndryshojnë e të devijojnë prej saj.

Së katërti: lidhja e ngushtë që është ndërmjet akides së pastër e moralit të mirë e në të kundërt ndërmjet akides së devijuar e moralit të prishur. Pra akidja ka ndikim të paimagjinueshëm tek njeriu.

Interesimi i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem për fëmijët

Ajo që na bën neve të interesohemi për edukimin e të vegjëlve është se ne kemi gjetur të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem të interesohet për të vegjlit njësoj sikur interesohej për të mëdhenjtë. Ndoshta tek disa kjo mungon, e kjo për shkak të dijes së paktë e mos studimit në këtë drejtim.

Gjëja më e çuditshme që kam lexuar në këtë pikë është çka ka transmetuar Abdurrezak në përmbledhjen e tij radiallahu anhu ku thotë. “E kam parë të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem kur bën marrëveshjen me të krishterët e beni tagleb që të mos i bënin fëmijët e tyre të krishterë. E nëse do t’i bënin atëherë s’ka marrëveshje me ta.

Thuhet në këtë përmbledhje: “Erdhën disa burra nga beni tagleb tek Amr radiallahu anhu e u tha: “Me të vërtetë që ju keni pasur një vend në kohën e injorancës prandaj merreni edhe në Islam këtë vend. (porse ata e refuzuan të futen në Islam) u pajtuan me kusht që t’u dyfishohej taksa (xhizja) e mos i futnin fëmijët e tyre në krishterizëm.

Ka pasur Muxhahid një djalë të krishterë e vazhdimisht i thonte: “O Xherir futu në Islam!” Pastaj tha: “Kështu vepronin sahabet me shërbëtorët e krishterë që kishin.”

Në një hadith të saktë tek Buhariu nga Enesi radiallahu anhu thuhet: “Ishte një djalë prej jehudëve, shërbente tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i cili u sëmur. Shkoi tek ai i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem për vizitë i cili u ul pranë kokës së tij e i tha: “Prano Islamin!” Shikon djali babanë e tij, i cili i tha: “Bindu Eba Kasemit -salallahu alejhi ue selem-“ E pranon Islamin djaloshi e Pejgamberi salallahu alejhi ue selem del prej tij duke thënë: “Falënderimi i takon Allahut i cili e shpëtoi atë prej zjarrit.” Trasmeton Buhariu.

E në një transmetim tjetër thuhet: “Dëshmo se s’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguar i tij!” Shikoi nga babai i tij, i cili nuk foli. Pastaj përsëri për së dyti e për së treti ku i tha babai i tij herën e tretë: “Thuaj ashtu sikur të thotë.” Tha ashtu e më pas vdiq. Deshën jehudët ta marrin për varrim e i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem u tha: “Ne kemi më të drejtë se ju për këtë”. E lau dhe e qefinosi i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e ia fali xhenazen.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem interesohej për besimin e djelmoshave, ashtu siç interesohej për besimin e të rriturve. Në kohën kur ftoi Ebu Bekrin për në Islam, ftoi edhe Aliun i cili në atë kohë kishte vetëm shtatë apo dhjetë vjet. Ashtu siç u interesua për Tufejl ibn Amru Edeusi të cilit i foli dhe e ftoi për në Islam, gjithashtu u interesua për Ebi Kursafe, bariu i vogël. Tregon Ebu Kursafe: Fillimi im në Islam ishte: unë jam rritur jetim me nënën e me tezen ku shumë shpesh shkoja tek tezja. Isha bari i disa bagëtive të mia. Tezja gjithmonë më thoshte: “O biri im, mos kalo nga ky burrë se të flet e të humb.” Shkova ditën e parë e dëgjova e u ktheva me delet barkboshe. I pa tezja e më tha: “Ç’kanë delet sot që janë kthyer me bark bosh?” I thashë nuk e di. Ditën e dytë bëra të njëjtën gjë edhe të tretën e qëndrova kështu derisa pranova Islamin, i dhashë premtimin dhe u takova me të. Iu ankova atij për tezen time e më tha –salallahu alejhi ue selem- m’i sill delet, ia solla ku i fërkoi kurrizin e tyre e bëri dua për bereqet. U mbushën plot me qumësht, e kur shkova tek tezja ime më tha: “Kështu është bariu.” I thashë: “Oj teze, atje ku i kam kullotur përditë i kullota edhe sot, porse unë ta tregoj historinë. E i tregova historinë dhe se si unë shkova tek Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. I tregova gjithashtu edhe historinë dhe fjalët e tij. Tha nëna dhe tezja: Na ço tek ai, shkova unë, nëna e tezja ku e përshëndetëm Resulallahun dhe pranuan Islamin tek ai –salallahu alejhi ue selem-. (Ka thënë Hejthemi se e ka trasmetuar Taberani me transmetues të saktë).

Të gjithë e dimë hadithin e Ibn Abasit radiallahu anhu në të cilin i mësoi i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem çështje të besimit e baza të imanit, e dihet se Ibn Abasi ishte vetëm 13 vjeç kur vdiq i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem. Thotë Ibn Abas: Isha mbrapa Resulallahut salallahu alejhi ue selem një ditë e më tha: “O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë: Kije ndërmend Allahun, Allahu do të ruajë ty. Kije ndërmend Allahun, Allahun do ta gjesh para teje. Kur të kërkosh, kërko prej Allahut. Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut. Dije, sikur tërë populli të tubohej që të të ndihmojë në diçka, nuk do të të ndihmonin, përveç atë çka të ka caktuar Allahu. E nëse do të tuboheshin që në diçka të të bëjnë dëm, nuk do të të dëmtonin, përveç në atë çka Allahu tashmë të ka caktuar. Janë ngritur lartë penat dhe janë tharë faqet.(d.m.th.: çdo gjë është caktuar dhe mbaruar.” (Transmetoi Ahmedi dhe Tirmidhiu ka thënë se është hadith i mirë).

Gjithashtu edhe hadithi i Muadh ibn Xhebel radiallahu anhu: Isha bashkë me Profetin (salallahu alejhi ue selam) hipur në një gomar, kur më tha: “O Muadh, a e di se kush është e drejta e Allahut tek robërit e Tij dhe e drejta e robërve tek Allahu?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë!” Ai më tha: “E drejta e njerëzve tek Allahu është që ta adhurojnë e mos i shoqërojnë atij askënd, ndërsa e drejta e Allahut te robërit e Tij është që të mos dënojë askënd që nuk i shoqëron atij dikë.” I thashë: “A t’i përgëzoj njerëzit?” Ai më tha: “Mos i lajmëro, sepse dembelosen.” (Mutefekun alejhi)

Kur e urdhëroi Allahu i madhëruar të Dërguarin e Tij salallahu alejhi ue selem që të shfaqë shpalljen e tij në familje e në kombin e tij të cilët i mblodhi e i lajmëroi se ai është i Dërguari Allahut për ta e për të gjithë njerëzimin, u tha ndër të tjera: “O Fatime, bija e Muhamedit, bëj vepra të mira (puno) sepse unë nuk mund të bëj dobi tek Allahu me asgjë”. Në këtë kohë Fatimja radiallahu anha ishte e vogël në moshë. Tregohet se ajo ka lindur kur Pejgamberi salallahu alejhi ëe selem ka qënë 41 vjeç.

Nëna e Enesit i thoshte Enesit e ai akoma foshnjë në gji: “O Enes!! Thuaj La ilahe il Alllah.”

Ndërsa Ebu Hurejra radiallahu anhu kur kalonte pranë disa djelmoshave e u thoshte disave prej tyre: “O Biri im, nëse e takon Isain të birin e Merjemes thuaji se Ebu Hurejra të bën selam.”

Ishte kjo mënyrë e tij vetëm për të hapur dyert e dijes para fëmijëve që të mësonin akiden e muslimanëve në çështjen e Isait i cili do të zbresë në kohët e fundit dhe si shenjë nga shenjat e Kiametit siç na ka treguar i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem.

Pra, qëllimi im këtu ishte të vëmë në dukje interesimin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, të sahabeve, e të parëve tanë të mirë në mbjelljen e imanit në zemrat e të vegjëlve, gjë e cila kërkohet edhe prej nesh.

Lus Allahun e madhëruar për ne dhe për fëmijët tanë udhëzim e drejtim!

Burimi:
Përktheu: F. Gurra
Burimijetes.info

Must Read