Fjalë të arta nga të parët tanë të devotshëm, selefu sahih,
për namazin e natës (2)
Dije, Allahu të mëshiroftë, se kur përtacët dëgjojnë tregime për përpjekjet e selefëve (të parëve tanë të devotshëm) për namazin e natës, mendojnë se ky është një lloj tejkalimi i tepruar dhe ngarkim i vetes me atë që s’mundet. Me të vërtetë ky mendim është injorancë dhe humbje e qartë.
Për shkak se na është dobësuar imani, na ka kapluar neglizhenca, janë shuar mallëngjimet për xhenet dhe është pakësuar frika nga zjarri (xhehenemi), kemi anuar nga pushimi, përtacia, gjumi dhe pakujdesia. Çuditemi kur dëgjojmë për lajmet e asketëve dhe të adhuruesve, se si kanë bërë përpjekjeje në ibadet, dhe i refuzojmë ato.
Kur zemrat e selefëve (të parëve tanë të devotshëm) kanë qenë të lidhura me Allahun e Arshit dhe ambiciet e tyre të drejtuara drejt xhenetit, te ne u transmetuan këta shembuj të artë që lanë pas ata. E, kur ne u kthyem nga dynjaja dhe bëmë gara për të, mbërritëm në këtë gjendje.
Zgjohu vëlla i dashur nga kjo pakujdesi, kanë shkuar ata që bënin adhurim natën, ndërsa për ne ka mbetur përtacia dhe jastëku.
1. Mesruk bin Exhda, Allahu e mëshiroftë
Ka thënë gruaja e Mesruk bin Exhdas, Allahu e mëshiroftë: “Pasha Allahun, nuk ka ndodhur që Mesruku të zgjohet e mos t’i ketë këmbët e fryra nga namazi i gjatë i natës. Kur e zgjaste namazin dhe lodhej, falej ulur e nuk e linte atë kurrë.”
2. Ebu Hazimi, Allahu e mëshiroftë
Ebu Hazimi, Allahu e mëshiroftë: “Kemi takuar nga njerëzit (të parët tanë), të cilit kishin arritur në adhurim kulmin e tij, saqë nuk pranohej më shtim (në të).”
3. Ibrahim bin Ed’hemi, Allahu e mëshiroftë
I është thënë Ibrahim bin Ed’hemit, Allahu e mëshiroftë: “Unë nuk mund të falem natën. Tregoma ilaçin.” I tha: “Mos i bëj Allahut mëkat ditën, ta mundëson të zgjohesh për t’u falur natën. Se qëndrimi yt para Tij natën është merita më e madhe për ty, kurse mëkatari nuk e meriton këtë.”
4. Sufjan Etheurij, Allahu e mëshiroftë
Ka thënë Sufjan Etheurij, Allahu e mëshiroftë: “Nuk kam mundur ta fal namazin e natës për pesë muaj për shkak të një mëkati që kam bërë.”
5. Hasen Basrij, Allahu e mëshiroftë
I është thënë Hasen Basriut, Allahu e mëshiroftë: “O Ebu Sejid, unë e dua namazin e natës dhe përgatitem për të, por ç’është halli im, nuk mund të zgjohem.” Ia ktheu: “Mëkatet të kanë lidhur.”
6. Hasen Basrij, Allahu e mëshiroftë
I është thënë Hasen Basriut, Allahu e mëshiroftë: “Nuk mund të falem natën.” Ia ktheu: “Gabimet e tua po të pengojnë.”
7. Ibn Omeri, Allahu e mëshiroftë
Ka thënë Ibn Omeri, Allahu e mëshiroftë: “E para gjë që do të pakësohet nga ibadetet është namazi i natës dhe ngritja e zërit duke u falur natën.”
8. Ata Hurasanij, Allahu e mëshiroftë
Ka thënë Ata Hurasanij, Allahu e mëshiroftë: “Njeriu, kur ngrihet për të falur namazin e natës, e ndien një gëzim, e gjen atë në zemrën e tij. E, nëse fle në kohën e namazit të natës, ngrihet i dëshpëruar, zemërthyer, si të ketë humbur diçka. Me të vërtetë ka humbur gjënë më të çmuar, më të dobishme (namazin e natës).”
9. Makel bin Habibi, Allahu e mëshiroftë
Pa një ditë Makel bin Habibi, Allahu e mëshiroftë, disa njerëz duke ngrënë shumë e u tha: “Nuk po shoh që shokët tanë dëshirojnë ta falin namazin e natës.” (Domethënia këtyre fjalëve ishte se ushqimi i tepërt është shkak që pengon të falet namazi i natës.)
10. Alij bin Bekari, Allahu e mëshiroftë
Alij bin Bekari, Allahu e mëshiroftë, ishte adhurues i Allahut. Kur robëresha ia përgatiti shtratin, ai e lëmoi shtratin me dorën e tij dhe tha: “Pasha Allahun, ti me të vërtetë je i bukur! Pasha Allahun, ti me të vërtet je i freskët! Pasha Allahun, nuk do të fle te ti sonte.” Dhe u fal deri në mëngjes.
11. Fudejl bin Ajadi, Allahu e mëshiroftë
Ka thënë Fudejl bin Ajadi, Allahu e mëshiroftë: “Kam takuar njerëz që janë turpëruar nga Allahu në errësirën e natës (kur janë falur). Kur ishin duke fjetur dhe u dilte gjumi, lëviznin nga ana që ishin e në anën tjetër thoshin: “Nuk është kjo për ty (i flisnin vetes). Zgjohu dhe merr hisen tënde nga bota tjetër!”
12. Hisham Ed-Destevaij, Allahu e mëshiroftë
Ka thënë Hisham Ed-Destevaij, Allahu e mëshiroftë: “Allahu ka robër që e luftojnë gjumin duke pasur frikë se mos po u vjen vdekja në gjumë.”
Rashid Zulfiu