Frymori e mori Fjalën

 

Frymori e mori Fjalën 

Nga qielli zbriti Fjala që u fut në “Fjalën”, e pastaj “Fjala” u mësua përmes Fjalës se si t’i drejtohet Atij që gjendet në qiell. Në zemër shpërtheu një ndjenjë që as zemra s’arriti ta kontrollojë këtë ndjenjë, porse mbeti si një shpërthim i papritur në çast. Për një copë herë më përfshiu frika nga e panjohura, ku syri s’arriti të sheh diçka që filloi të bëhet pjesë e imja përherë.

Kur njeriu do të mbetet i shtangur nga diçka që s’di ta emërojë, e në fakt, kjo ka emër, ky shtangim e privon që ta emërojë gjënë që mbeti në njeriun. M’u kjo i ndodhi të Dërguarit kur i zbriti Shpallja, e ky zbriti te Hadixheja që t’ia rrëfejë ndodhinë e Shpalljes. Njeriu sa më afër ta ndiejë veten pranë personit të zemrës, m’u aq më të lumtur do ta bëjë zemrën. E mbuloi trishtimi i Fjalës së pathënë, andaj mbështetjen e gjeti në një fjalë të shkurtër: “Më mbulo!” Një zë që u shqiptua nga ana e të padukshmit depërtoi thellë në qenien e të dukshmit, e prej tij arriti të shqiptohet veç një fjalë: “Nuk di!” Kur zemra e përjeton ndjenjën që s’arrin ta kuptojë ç’është duke përjetuar, do të mund që ta gjejë kuptimin në një fjalë zemre.

Në vetminë e shpellës krahas territ që mbretëronte, ai çdoherë shihte depërtueshëm, kurse në shpellë depërtonte aq thellë saqë kurrë s’e ndiente vetminë. Në errësirë iu mundësua ta pranojë Leximin, aty ku pa dritë s’mund të lexosh, e të Palexuarit s’i bëri pengesë errësira. Për një çast, një fjalë e tha zemra në heshtje: “Një fjalë na çliron nga tërë pesha dhe dhimbja e jetës, ajo fjalë është dashuria!” I Dërguari iu afrua personit të zemrës që ta qetësojë zemrën, se rrahjet e zemrës nga frika mund t’i ngadalësojë veç mbështetja në dikë që ta fali zemrën. Dhimbja të jep një mësim që të mësosh, se të kuptosh jetën ku jeton nuk të duhet të ndjesh dhimbje, por të mësosh mbi dhimbjen. I mençuri lexon që ta kuptojë më mirë heshtjen, përkundër të paditurit i cili e përdor heshtjen veç kur s’ka kujt t’i flasë. Në pyetjen e Pyetësit që të lexojë, i mbet ta shpreh panjohurin në lexim, e që në jetë, tjerët do t’i nxis në lexim përmes pyetjes.

Vështirësia në ballafaqim me të Panjohurin në shpellë, i dha një kuptim në jetë, të çlirohet nga terri i shpellës dhe ta kuptojë leximin e të Panjohurit në jetë. Fryma iu ndal, e shikimi iu përqendrua diku ku qepallat e syrit s’lëviznin nga vendi prej ku vinte zëri i Frymës. O njeri! Dije se jeta është një rrugë udhëtimi njëkahëshe, ndaj vetëdijesohu e kape jetën me dije se rruga njëkahëshe ka veç një udhëtim destinacioni. Shtrëngimi e pengoi frymën lirshëm të dalë, e me fjalët e Hadixhesë, mori një dritë shprese se do lirohet, por më vonë do të has në pengesë kur do të dalë Fryma. Kur e mori udhën e zbritjes nga shpella, jeta më i mori një udhë tjetër që ia dha Zbritja. E kur u nisa të largohem nga vendi prej ku erdhi Urdhri, m’u duk sikur zemra mbeti në vend e palëvizur, se nuk arriti të japë përgjigjen e duhur për pyetjen e shtruar. Tjetrit ia tregova Leximin, krahas mosdijes së leximit tim, e mua më ngeli Leximi në kujtesën time, që ta kujtojë Leximin derisa të shkojë tek Urdhërdhënësi. Lexo, u urdhërova, e unë kërkova strehim me fjalën Më mbulo!, jo që ta mbulojë leximin, por të më mbulojë frymëzimi që ta kuptojë Leximin. Andaj, lexo të lexohesh!

 

Përgatiti: Blerim Muhaxheri

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read