BallinaAKIDEAkide të ndryshmeIslami, fe e natyrshmërisë së pastër

Islami, fe e natyrshmërisë së pastër

Islami, fe e natyrshmërisë së pastër

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Secila foshnje lindet në natyrë të pastër islame, kurse prindërit e bëjnë të çifut, të krishterë apo zjarrputist, ashtu si kafsha e plotë e lind kafshën e plotë dhe pa mangësi.” Pastaj Ebu Hurejra lexoi ajetin: “…feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum: 30) (Buhariu dhe Muslimi)

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

Ky hadith sinjalizon për një çështje shumë të rëndësishme e ajo është se origjina te njeriu është besimi në Allahun e Lartësuar e shprehur me natyrën e pastër. Njeriu del nga natyrshmëria e tij përmes ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme si edukata, ambienti, arsimimi etj. I Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka ngjasuar gjendjen e njeriut në momentet e lindjes së tij në natyrshmërinë me shembullin e kafshës së plotë dhe pa të meta e mangësi në krijimin e saj, ndërsa kur ajo rritet ia këpusin veshët, hundën dhe ia ndryshojnë natyrshmërinë e saj. Kësisoj edhe njeriu i ekspozohet devijimit, ndryshimit të natyrshmërisë së tij përmes ndikimit të jashtëm. Sikur njeriu të jetonte i vetmuar, të edukohej i vetmuar pa ndonjë ndikim të jashtëm, do të rritej si besimtar, njohës i Allahut të Lartësuar.

Dobitë prej këtij hadithi:

1- Obligimi parë i robërve është njësimi i Allahut. Besimi në Allahun e Lartësuar është shprehur me natyrën e pastër që është vulosur në shpirtin njerëzor kurse e panatyrshme është shirku dhe marrja e zotëve të tjerë për Zot. Prandaj, gjëja e parë që i drejtohet njeriut, që është në këtë situatë, është njësimi i Allahut dhe mohimi i zotave të tjerë, ndërsa kush e ka problemin në çështjen e ekzistimit të Zotit, si ateisti, atëherë duhet t’i ofrojmë argumentet e ekzistimit të Allahut.

2- Natyrshmëria nuk mund të çrrënjoset. Ajo mund të fshihet, të mbulohet me elementet e kufrit (mosbesimit), por kur të zhduken ato njeriu kthehet në natyrshmërinë e tij të pastër, beson Zotin dhe i kthehet Atij.

3- Të qenët fetar me fenë e vërtetë konsiderohet domosdoshmëri njerëzore, që njeriu nuk mund t’i ikë e t’i shmanget kësaj apo ta fshijë nga lista e prioriteteve të tij.

4- Fëmijët e besimtarëve do të jenë të shpëtuar në Ditën e Kiametit dhe kjo është një prej çështjeve unanime ndërmjet dijetarëve. Kurse dijetarët janë në mospajtim lidhur me fëmijët e jobesimtarëve, të cilët kanë vdekur para moshës së pjekurisë. Por mendimi më i saktë dhe më i qëndrueshëm është se edhe ata do të jenë prej të shpëtuarve për faktin se kanë vdekur në natyrshmërinë para se të ndryshohen. Imam Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, lidhur me fëmijët e idhujtarëve thotë se: “Ata janë në xhenet”. Gjithashtu Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se ky mendim është i saktë dhe i zgjedhur nga dijetarët duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të Dërguar!” (Isra, 15) Gjithashtu prej argumenteve për shpëtimin e tyre është edhe hadithi i gjatë që shënon Buhariu nga Semurete b. Xhundub, hadithi i ëndrrës, ku i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “… burri i gjatë në kopsht ishte Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ndërsa fëmijët e vegjël rreth tij janë të gjithë ata fëmijë që vdesin para moshës së pjekurisë.” Disa të pranishëm pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Po fëmijët e jobesimtarëve? Ai u përgjigj: “Edhe fëmijët e jobesimtarëve.”

5- Gjykimi për shpëtimin e fëmijëve të jobesimtarëve në botën tjetër nuk nënkupton edhe ndryshimin e gjykimit të prindërve të tyre në këtë botë. Ata në këtë botë e kanë statusin e jobesimtarëve, trashëgojnë prindërit e tyre dhe trashëgohen nga ata dhe varrosen në varrezat e jobesimtarëve. Për këtë dëshmon fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kur është pyetur për fëmijët e jobesimtarëve, ai ka thënë: “Ata janë prej prindërve të tyre.” (Shënon Muslimi)

Përgatiti: Almedin Ejupi

Must Read