BallinaAKTUALEAnalizaIslami plazmor

Islami plazmor

 

Islami plazmor 

 

Dr. Xhafer Shejh Idris

 

Revista Bejan nr. 206, Nëntor 2004

 

Islami plazmor nuk është islam që i përket Allahut të Madhëruar, por është islam sipas tekave të të gjithë atyre që pretendojnë se i përkasin atij. Ky është një islam që nuk ka as formë dhe as përmbajtje, ai nuk mund të përkufizohet dhe as të përshkruhet, sepse ai është gjithmonë në ndryshim dhe merr pamjen e dëshirave të atij që i shkon pas duke mos pasur asnjëherë një formë fikse. Ky islam është gjithmonë në formësim të vazhdueshëm, sepse në vështrimin e plazmorëve, Kurani edhe pse është një tekst i shenjtë, të kuptuarit e tij ngelet gjithmonë një kuptim njerëzor dhe të kuptuarit njerëzor ndryshon, madje duhet që ai të ndryshojë sipas kushteve të atij që e lexon Kuranin, sipas kohës, vendit, kulturës dhe humorit të tij. Nëse të gjitha kuptimet janë njerëzore atëherë të gjitha janë të njëjta në kuptimin e Kuranit. E si ndryshe mund të jetë Islami i vlefshëm në çdo kohë dhe vend? Çfarë është Islami atëherë? Është e drejtë e çdo muslimani që t’i përgjigjet kësaj pyetje, sipas mënyrës që ai dëshiron dhe ai që nuk bie dakord me të nuk ka të drejtë ta kundërshtojë atë apo ta përshkruaj atë me cilësi kufri, bidati apo edhe gabim, sepse e vërteta nuk është pronë e askujt, por ajo është diçka relative që varet nga këndvështrimi i njerëzve dhe rrethanat e tyre. Pra, nuk ka dallim në mes sunive dhe shiitëve, as në mes suniut dhe eshariut, muteziliut, harixhiut, e as në mes atij që e pranon sunetin dhe në mes atij që e mohon atë, as ndërmjet selefiut dhe sufiut, kjo edhe nëse sufiu është prej atyre që besojnë në shenjtërinë e njerëzve të tillë që thonë:

E ç’është qeni dhe derri vetëm se Zoti ynë 

E Allahu nuk është gjë tjetër vetëm se murgu i kishës.[1]

Të gjithë këta janë njëlloj dhe kanë të drejtat e tyre ashtu si çdo kush që jeton në një vend musliman.

Islami është socializëm nëse pasioni i muslimanit është socializmi, Ebu Dheri ishte socialisti i parë dhe Hadixhja nëna e socializmit (këta janë tituj librash që janë shfaqur në vitet pesëdhjetë), Islami është kapitalizëm nëse pasioni i muslimanit është kapitalizmi, sepse Allahu e ka lejuar tregtinë, ndërsa kamata që Ai ka ndaluar nuk ka të bëjë me interesin e bankave të sotme, që është një domosdoshmëri e ekonomisë bashkëkohore, por Ai ka ndaluar kamatën e arabëve të kohës së injorancës, të cilët merrnin interes disa fish duke shfrytëzuar nevojën e njerëzve të varfër.

Islami është demokraci, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin” (Esh-shura:38) E ç’mund të jetë tjetër shura vetëm se vetë demokracia? Por, Islami gjithashtu është diktaturë, sepse ai urdhëron bindjen ndaj të parit të vendit dhe nuk e lejon daljen kundra tij.

Islami është feja e bukurisë, ai nuk bie ndesh me artet e bukura, qoftë kjo pikturë apo skulpturë dhe as ndaj veprave që prodhon ky art, me njerëz të veshur apo të zhveshur, të lëvizshëm apo statikë, përderisa qëllimi i tij është shijimi i së bukurës dhe kënaqësia e shpirtit. Islami është feja e kënaqësisë së pafajshme, ndaj ai nuk e refuzon këngën dhe muzikën dhe as vallen në mes burrave dhe grave. Si e ndaloka ai këngën dhe muzikën kur edhe vetë zogjtë cicërijnë e këndojnë me zëra muzikal e plot melodi? Islami është feja e paqes, ndaj s’ka vend në të për luftë dhe përleshje, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Tërhiqni duart tuaja nga lufta, falni namazin dhe jepni zekatin!” (Nisa:77) E Xhihadi nuk është gjë tjetër vetëm se lufta me vetveten, e Xhihadi është fjalë dhe sqarim, sepse thirrja për tek Allahu bëhet vetëm me urtësi dhe fjalë të mira. E, si mund të ketë luftë në Islam ndërkohë që është e vetmja fe që e pranon tjetrin, e sidomos kur tjetrit i përket fesë Abrahamike? Feja e Allahut është Islami, dhe të gjithë Profetët janë muslimanë, dhe çdo gjë që ata kanë sjellë në emër të fesë ishte islam, ndaj çdo kush që i përket këtyre feve është musliman, nuk ka dallim në mes tij dhe nesh që ndjekim fenë Muhamedane.

Nëse ne besojmë se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, atëherë edhe të krishterët sot besojnë se nuk ka shpëtim vetëm se duke adhuruar Mesinë, birin e Zotit. Judenjtë besojnë se nuk ka shpëtim vetëm se ai që i përket popullit që ka zgjedhur Zoti. Pra, le t’ia lëmë Krijuesit të gjykojë në mes krijesave të Tij.

Islami është feja e lirisë, sepse nuk ka dhunë në fe, ai që dëshiron të hyjë në të le hyjë, e ai që dëshiron të dalë le të dalë, askush nuk ka pse të kritikohet, si ai që hyn ashtu edhe ai që del nga Islami. Në kohën tonë nuk duhet folur për daljen nga feja dhe as për renegatin. Koha jonë është koha e lirisë së shprehjes, ndaj lëreni çdo njeri të thotë çfarë të dojë dhe si të dojë, të ftojë në të dhe të mbrojë mendimin e tij. Lërini mendimet të ndeshen dhe mos e privoni asnjërën prej tyre të hyjë në arenën e lojës.  

Nëse një musliman dëshiron të emigrojë në një vend tjetër jomusliman dhe të jetojë mes njerëzve të atij vendi, ka gjithë të drejtën ta bëjë këtë, sepse toka i përket Allahut dhe Islami është feja e Allahut. Por çdo kush që shkon në këto vende për të emigruar duhet të solidarizohet plotësisht me shtetin që ai ka zgjedhur, të pranojë kushtetutën e tij e sidomos nëse kjo kushtetutë është kushtetutë demokratike. Kush jeton për shembull në SHBA duhet t’i këndojë në veshë të porsalindurit të tij kushtetutën amerikane ashtu siç i këndon ezanin në veshin tjetër.[2] Ai duhet të festojë të gjitha festat që banorët e atij vendi festojnë, siç është Dita e Falënderimeve dhe të therë gjelin e detit ashtu siç bëjnë edhe ata. Ai duhet t’i urojë banorët e atij vendi për festat e tyre të veçanta të krishtera dhe hebraike.

Lënia e mjekrës është pjesë e zakoneve dhe nuk ka lidhje me adhurimet, e nëse njerëzit dikur e shihnin mjekrën si zbukurim për burrat dhe si dallim në mes tyre dhe grave, kultura e sotme shkon drejt afrimit në mes burrit dhe gruas duke fshirë dallimet në mes tyre, ndaj nuk ka asnjë problem që muslimani ta rruajë mjekrën dhe mustaqet e tij edhe pse dikur është thënë se ai kështu i ngjan gruas së tij. Rregullimi i çështjeve të politikës dhe ekonomisë janë çështje të kësaj bote, për të cilat Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Ju i njihni më mirë çështjet e botës tuaj.” Ndaj nuk ka asnjë problem për muslimanët sot të aplikojnë sisteme qeverisëse të përshtatshme me kohën e që përmbushin interesat e tyre. Përderisa sot rryma e përgjithshme shkon drejt barazisë në mes burrit dhe gruas në çdo gjë, atëherë duhet të ndryshojmë dispozitat e trashëgimisë, ku të mos ketë dallim në mes meshkujve dhe femrave. Femra duhet të konkurrojë të zërë vendin e saj në rreshtat e parë të xhamisë, t’u ligjërojë për ditë xhumaje namazlive dhe t’u prijë atyre si imam njëlloj si burrat. Të njëjtën gjë ajo duhet të bëjë edhe në vendin e punës, në bankat e shkollës, dhe të vishet si t’i pëlqejë dhe çfarë të dojë, përderisa ajo veshje në kohën tonë konsiderohet veshje që ruan nderin, sepse turpi është çështje relative që ndryshon sipas kulturave dhe traditave zakonore.

Pse duhet të persekutohen ata njerëz që Zoti i ka krijuar të tillë që të jepen pas të njëjtit seks, qofshin këta meshkuj apo femra? Ne duhet tu japim atyre të drejtat e tyre në vendet tona islame ashtu siç u jepen në vendet e zhvilluara. Ndërsa historinë e popullit të Lutit dhe ndëshkimin që Zoti u dërgoi atyre duke i përmbysur, ne e interpretojmë ashtu siç thoshte O’Leary – një nga prezantuesit e stacionit amerikan FOX- se ajo është një histori simbolike që nuk ka asnjë realitet historik, ndryshe pse Zoti nuk e përmbysi qytetin e San Franciskos? –siç thoshte ky prezantues. Nëse është e drejta e tyre të shfryjnë epshin e tyre sipas mënyrës që iu imponon atyre natyra e tyre, po kështu edhe pjesa tjerët e burrave dhe e grave duhet të marrin lirinë e tyre, qofshin këta të martuar apo beqar, përderisa janë në moshë të rritur dhe të pa imponuar. Kështu veprojnë vendet e zhvilluara, e kështu duhet të bëjnë edhe muslimanët, nëse duan të jetojnë kohën e tyre. E, nëse thuhet se përzihet atësia, i themi se sot kemi të zgjidhur këtë çështje me ilaçe që ndalojnë plotësisht shtatzëninë. Nëse praktikojmë këtë gjë do të shpëtojmë edhe nga poligamia dhe problemet që e shoqërojnë atë. Për ne është e qartë se Kur’ani nuk e lejon këtë gjë, sepse ai e ka lejuar me një kusht për të cilin na ka thënë se është i pamundur të përmbushet, Allahu thotë në Kuran: “e, nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua” (Nisa:3) dhe thotë në ajetin tjetër: “Ju nuk do të mund të silleni drejt midis grave tuaja, edhe sikur të dëshironi.” (Nisa: 129).

Ky është islami plazmor elastik që dëshiron Perëndimi* dhe kënaqet prej tij, ndërsa çdo islam tjetër është islami i njerëzve radikalë, islami i vehabive dhe të tjerëve si ata, të cilët vazhdojnë të besojnë se i gjithë Kur’ani është Fjala e Allahut, dhe se duhet t’i bindemi çdo hadithi të saktë që na vjen nga Profeti (alejhi salatu ue selam), siç duhet t’i bindemi edhe gjykimit që ka zbritur Zoti.       

 

_______________________________ 

 

[1] Shih “Nefehat el-Akdesije” Muhamed Behaudin el-bejtar fq. 338, dhe “Insanul Kamil” Abdul Kerim el-Xhili. Kjo thënie i atribuohet sufiut Feridudin Atar që ka jetuar në shekullin e XII të erës sonë.

[2] Këtë fjalë e ka thënë vërtetë një hatib xhumaje në një nga xhamitë e Amerikës.

 

Referenca: http://jtopulli.wordpress.com/

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read