BallinaAKTUALETë ndryshmeIzraeli nuk ndryshon qëndrimin për Kosovën

Izraeli nuk ndryshon qëndrimin për Kosovën

 

IZRAELI NUK NDRYSHON QËNDRIMIN PËR KOSOVËN

Ambasadori i Izraelit në Beograd, Artur Koll ka thënë se nuk ka ndryshim të qëndrimit të Izraelit ndaj Kosovës. Pasi ka folur për nevojën e krijimit të shtetit të Palestinës dhe siç ka thënë ai, për dëshirën e Izraelit për këtë shtet, Koll ka shfaqur frikën se ky shtet mund të njihet nga Kombet e Bashkuara dhe ai këtë gjë e ka quajtur të rrezikshme. Në një intervistë për gazetën serbe Veçernje Novosti, i pyetur nëse sheh ngjashmëri ndërmjet Palestinës e Kosovës, Koll është përgjigjur se “ato janë dy çështje të ndryshme”. Ndërsa në konstatimin e gazetës, se Izraeli i mbetet qëndrimit të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, Koll ka thënë se nuk ka ndryshim në qëndrimin e Izraelit, se konfliktet duhet të zgjidhem me negociata dhe me marrëveshje të drejtpërdrejta bilaterale. “Izraeli nuk i përkrah aksionet e njëanshme”, citohet të ketë thënë ambasadori Koll, raporton Telegrafi.

PANAIRI I PRISHTINËS, BOTUESIT TË PAKËNAQUR ME SHITJET

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë. Ky ishte edicioni i parë i organizuar nga Unioni i Botueseve të Kosovës, një panair që i shtohet atij që do të organizohet nga Shoqata e Botuesve në qershor. Ky panair hapja e të cilit u shoqërua me polemika, u çel më 3 maj dhe u mbyll në datën 9 maj. Por duket se në përfundim të tij, botuesit nuk kanë qenë shumë të kënaqur nga shitja e librave. Rreth 80 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj., u kanë ofruar lexuesve rreth njëmijë tituj librash të rinj. Një pjesë e atyre që iu përgjigjën ftesës së këtij panairi janë skeptikë, nëse pas një muaji do të vijnë sërish në Prishtinë për panairin tjetër, duke qenë se për ta është kosto financiare.

NË MITROVICË DO TË NDËRTOHET XHAMIA MË E MADHE

Myftiu i Komunës “Bajram Pasha” të Stambollit të Turqisë, Izet Shener, gjatë një vizite në Mitrovicë ka prezantuar projektin për ndërtimin e një xhamie të re në qendër të qytetit, e cila, sipas tij, do të jetë xhamia më e madhe që ka pasur ndonjëherë Kosova. Myftiu Shener, pas një takimi me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se ndjehet mirë që gjendet në Mitrovicë, komunë kjo me të cilën komuna e “Bajram Pashës” në Stamboll mban kontakte vëllazërore. Xhamia e re, më e madhja dhe më moderne në Kosovë, do të ndërtohet në qendër të qytetit, në vendin ku tani ndodhet Xhamia “Isa Beg”, apo siç njihet nga qytetarët, Xhamia e Zallit, e cila do të rrënohet, pasi është dëmtuar gjatë luftës nga kriminelët serbë. Ajo do të ketë rreth 2.500 metra katrorë hapësirë të shfrytëzueshme, duke përfshirë këtu edhe hapësirat për mësim-besim dhe do të ketë dy minare me lartësi prej 48 m. Punët në realizimin e këtij projekti pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa përfundimi i xhamisë në tërësi shpresohet të bëhet brenda një afati dyvjeçar.

KISHA NË KALANË E SHKUPIT DO TË NDËRTOHET

Kisha në Kalanë e Shkupit, objekti kontestues për të cilin u bë mjaft zhurmë do të ndërtohet, nëse Qeveria e ardhshme udhëhiqet nga VMRO- DPMNE-ja.  Në “Manifestin” që prezantoi kjo parti para pak ditëve në pjesën e lokaliteteve arkeologjike thuhet se në Kalanë e Shkupit do të vazhdohet me konservim, restaurim dhe rekonstruktim të objekteve arkeo-arkitektonike, në të cilat do të vendosen “gjetjet arkeologjike”. “Kjo në fakt paraqet një mesazh të qartë, se VMRO-DPMNE nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ndërtimi i Kishës në Kala. Deshëm apo s’deshëm ne kisha tashmë është ndërtuar gjatë mandatit të kaluar të Qeverisë, por  është e qartë se VMRO-DPMNE nuk i ka marrë seriozisht vërejtjet e BDI-së kundër ndërtimit të kishës dhe do të vazhdojë me ndërtimin e saj edhe pas zgjedhjeve të 5 qershorit nëse fiton një mandat të ri”, vlerësojnë ekspertët shqiptarë për trashëgiminë kulturore.

PALESTINË: FATAHU DHE HAMASI NËNSHKRUAN PAJTIMIN

Organizatat politike palestineze Fatah dhe Hamas kanë arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të përkohshme dhe kanë caktuar një datë për zgjedhje të përgjithshme, theksoi shërbimi informativ egjiptian. Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar. “Konsultimet u përmbyllën me marrëveshje për të gjitha pikat e diskutuara, përfshirë krijimin e një qeverie të përkohshme dhe përcaktimin e detyrave të veçanta për vendosjen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme”, -theksojnë burime egjiptiane për Al-Xhaziran.

IZRAEL, SHBA: SHQETËSIM PAS MARRËVESHJES PALESTINEZE

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me shqetësim pas shpalljes për arritjen e marrëveshjes për pajtim ndërmjet lëvizjeve palestineze Fatah dhe Hamas, që aktualisht kontrollojnë qeveritë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Izraeli tashmë e ka hedhur poshtë perspektivën e qeverisë së unifikuar palestineze, që e përfshin Hamasin, duke thënë se paqja nuk do të jetë e mundshme, për shkak se Hamasi vazhdon të bëjë thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe nuk ka hequr dorë nga dhuna. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë, e cilësoi Hamasin si grup “terrorist” dhe tha se çfarëdo qeverie e ardhshme palestineze, që shpreson arritjen e paqes me Izraelin, duhet të shpallë se tërhiqet nga dhuna dhe ta njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Prej vitit 2007, Hamasi qeveris Rripin e Gazës, pasi e kishte përmbysur Fatahun, i cili nga ana tjetër ka nën kontroll vetëm Bregun Perëndimor./rel/

EGJIPTI DO TË LËRË HAPUR KUFIRIN ME RRIPIN E GAZËS

Egjipti do të lërë hapur për një kohë të gjatë kalimin kufitar me Rripin e Gazës për të zbutur bllokadën, që Izraeli ka ngritur kundër territorit palestinez. Këtë lajm e bëri të ditur ministri i jashtëm egjiptian, Al Arabi. Kalimi kufitar në Rafah është i vetmi, që nuk do të kontrollohet nga Izraeli. Egjipti e hapi këtë kalim vitin e kaluar vetëm për raste të nevojave humanitare. Pas marrjes së pushtetit nga Hamasi, Izraeli në 2007 kishte ashpërsuar edhe më tej bllokadën e Rripit të Gazës./dw/

“S’KA KTHIM NË KUFIJTË E VITIT 1967”

Kryeministri izraelit pritet të paraqesë “vizionin për paqe” para Kongresit Amerikan, por thekson se Izraeli “nuk mund të kthehet në kufijtë e pambrojtshëm të vitit 1967”. Gjatë fjalimit në konferencën e Komitetit Amerikano-Izraelit të Punëve Publike në Uashington, Netanjahu theksoi se Izraeli nuk mund të kthehet në kufijtë e pambrojtshëm të vitit 1967,– diçka që presidenti Obama e kishte sugjeruar pak ditë më parë. Netanjahu theksoi se “ky konflikt i ka rrënuar për gati një shekull, ngase palestinezët nuk duan t’i japin fund. Ata refuzojnë të pranojnë shtetin hebre. Kjo është arsyeja e vazhdimësisë së konfliktit.”

MINISTRI I JASHTËM EGJIPTIAN ZGJIDHET KREU I RI I LIGËS ARABE

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Nabil El-Arabi, është konfirmuar si udhëheqësi i ri i Ligës Arabe. Konfirmimi i tij bëhet vetëm disa orë para se 22 ministrat e jashtëm të organizatës, që ka 22 vende anëtare, u mblodhën që të gjejnë një zëvendësim për ish-ministrin e jashtëm egjiptian, Amër Musa, i cili ka lënë të kuptohet, se ai mund të kandidojë për President i Egjiptit. Katari e tërhoqi kandidaturën e vet për kreun e ligës pak para konfirmimit të El-Arabit, si Sekretar i Përgjithshëm. 

Solli: Genc Plumbi

Burimi: Albislam.com

www.IslamiFejaeVertete.com


Artikulli paraprakHoxhë Arben Ahmetaj
Artikulli tjetërHoxhë Fadil Musliu

Must Read