Jetimi

 

Jetimi

 

Çdo gjë është e mirë për sa kohë që nuk mund të zotërohet. E unë ëndërrova një ëndërr që gjatë gjithë ditës veç për atë bëra fjalë, e kur i mora fjalët që ta shpjegojë ëndrrën, nuk arrita ta bëjë sikurse e ëndërrova. Çdoherë zemrën e njeriut e bren mungesa e dikujt, dhe askush tjetër përveç tij s’mund ta zë vendin e të munguarit në zemrën e njeriut. Misionari i të Vërtetës ishte jetim në këtë botë, andaj në sytë e botës u bë njeriu më i vërtetë. E kuptova se uji e fshiu gjurmën që lashë në rërë, por zemra s’e harroi kurrë gjurmën që në mua e la “uji”. Njeriu s’mund t’ia zgjasë dorën e ndihmës dikujt nëse s’ia dinë hallin e vuajtjes, ngase gjërat janë të rëndomta, mirëpo mosnjohja e tyre, i shkakton huti njeriut. Nga një i urtë e mora këtë urtësi: “Ai që e barti Fjalën u rrit pa nënë, ndaj edhe zemra s’iu gëzua kurrë nga fjalët e nënës, por vetë ia shqiptoi ca fjalë nënës kur Fjalën e bartte!” Ku ka vullnet, s’ka vepër të vështirë, e ku ka durim, s’ka vështirësi që nuk mund të tejkalohet. Edhe trungu i palmës s’i ndali dot lotët kur Jetimi e la të vetëm, se mungesa e dikujt që do është prezenca e tërë botës dhe përjetimi i zbrazëtisë së zemrës. Ai erdhi në botë që ta plotësojë Tullën e Fundit të Shtëpisë, ngase syri mund që të sheh pavërejtur, e zemra s’mund të ndiejë pa parë. Nuk e kuptova nga cila anë më erdhi një zë, por e kuptova porosinë që më tha: “Përsipër mora një Fjalë, e unë në udhëtimin tim u ndava prej Atij që më jepte mbështetje, ku loti u thà në faqe, sepse jeta bëhet e mundimshme kur nuk e ke dikë që kuptohesh me fjalë!” Me një fjalë u thanë grumbuj ndjenjash zemre, e zemra s’e tha kurrë një ndjenjë që e përjetoi prej një fjale të pathënë, ndaj dua të jem atje ku ndjenja rrah për mua, e unë e ndiejë nga afër edhe pas jam larg dikujt që ndjenjat m’i dha me fjalën të dua. Kur në fytyrë e bëra një buzëqeshje, kuptova se nuk më kushtoi asgjë, porse ndjeva se përfitova një zemër që kushton shumë. E tani, në heshtje u dëgjua zhurma e fjalës që nuk mundi zhurmshëm të thuhet, se zemra s’pati forcë t’i bëjë ballë nxitjes së brendshme që kërkonte ndjenja t’i jepet atij që do. Si rrjedhojë, ajo që e brente zemrën time më dha një shtytje që ta orientojë atje, e kur u gjenda atje, më mungonin fjalët ta them qëllimin e ardhjes. Por, vërejta se pa pirë ujë nga Burimi s’mund ta vazhdojë pjesën e mbetur të udhëtimit, se arritja këtu më lodhi, e tash nuk mund të nisem në udhëtim pa e shijuar ujin që jam duke e vërejtur. Gjatë ecjes i vëreja gjurmët që mbeteshin pas nga balta, e në çast u kujtova mbi krijimin tim, që edhe unë si baltë lashë gjurmë në një zemër, ku syri s’arriti ta sheh kurrë, por kurrë s’u largua nga mendja. E unë, u nisa në takim me atë që më s’do ta takojë kurrë, ku malli për ndarjen e mbisundoi gëzimin e takimit, e në fund, mori fund takimi dhe u ktheva nga u nisa!  

 

Shkroi: Blerim Muhaxheri

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

 

Must Read