BallinaPraktikaZekati dhe SadakajaKategoria ne rruge te Allahut e Zekatit

Kategoria ne rruge te Allahut e Zekatit

 

Kategoria ne rruge te Allahut e Zekatit

Shkruar nga justinian topulli on 11 Tetor 2011.

بسم الله الرحمن الرحيم 

الحمد لله وحده و الصلاة و السلام على من لا نبي بعده

Siç dihet, argumenti bazë, i cili përcakton kategoritë se ku shpërndahet zekati, është ajeti 60-të i sures et-Teube, që thotë:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَابْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنَ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ 

“Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata që duhet t’u fitohen zemrat, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për në rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”

Stili gjuhësor arab, i përdorur në këtë ajet, njihet me termin el-hasr, që do të thotë kufizim, pra, ajeti i mësipërm kufizon dispozitën e shpërndarjes së zekatit, brenda kategorive të përmendura në ajet dhe përjashton çdo kategori tjetër jashtë tij, me përjashtim të faktit të zgjerimit të kuptimit të ndonjërës prej kategorive të përmendura në ajet.

Shpërndarja e Zekatit brenda kategorive të tij

Një pyetje e rëndësishme që shtrohet në çështjen e shpërndarjes së zekatit është se: A u duhet dhënë zekati të gjitha kategorive të përmendura në ajet, apo mjafton t’i jepet vetëm njërës prej kategorive? Dhe si është më e mira në këtë rast?

Dijetarët islamë nuk janë të një mendimi në këtë drejtim, shumica e dijetarëve mendojnë se lejohet që zekati t’i jepet vetëm një kategorie dhe nuk është aspak e detyruar që zekatin ta ndash tek të gjitha kategoritë e tij, kushdo qoftë ai që e ndan zekatin, vetë pronari i pasurisë apo ai që ngarkohet me përgjegjësinë e mbledhjes dhe ndarjes së tij, çfarëdo qoftë sasie e zekatit, shumë apo pak. Pra, lejohet t’i jepet vetëm njërës prej tetë kategorive të përmendura, ose edhe më shumë njërës. Po ashtu, lejohet që brenda një kategorie të vetme t’i jepet një personi të vetëm, me kusht që sasia e dhënë e zekatit, të mos e kalojë masën e asaj që i nevojitet atij si njeri (dhe familjes së tij).

Të këtij mendimi, me disa dallime të vogla, përgjithësisht janë: hanefijtë, malikijtë, po kështu, ky mendim dominon edhe në medhhebin hanbeli. Ky është mendimi edhe i disa prej selefëve si Hasan el-Basriu, Ata ibn Ebi Rebaha, Seid ibn Xhubejri, Sufjan eth-Theuri, Ebu Ubejde etj. Po kështu, të këtij mendimi përcillet se kanë qenë edhe sahabët Umer ibn Hatabi, Abdullah ibn Abasi dhe Hudhejfe ibn Jemani.

Imam Tabariu na përcjell në tefsirin e tij se Ibn Abasi ka thënë: “Në çfarëdo kategorie që ta vendosësh atë (zekatin), e ke shlyer detyrimin.” Na përcillet se të njëjtën gjë kanë thënë edhe Umeri dhe Hudhejfe. Gjithashtu, përcillet nga praktika e Umerit, se ai vetë pasi mblidhte detyrimin e zekatit, e shpërndante atë në një kategori të vetme njerëzish.

Ndërsa mendimi i dytë thotë se, zekati duhet të ndahet në të tetë kategoritë e tij, të përmendura në ajet, dhe nëse nuk gjenden të teta, vetëm atëherë mund të kufizohemi në kategoritë ekzistuese, qoftë kjo edhe një. Të këtij mendimi janë shafijtë, Imam Ahmedi në një prej mendimeve të tij, El-Hatabi, Ikrima dhe Zuhri nga tabiinët etj.

Duket se argumenti i vetëm që ka ky grup dijetarësh është vetë ajeti që përmendëm më parë, që veç të tjerash, sipas tyre përcakton edhe faktin se zekati që ndahet duhet të kalojë në pronësi të të tetë kategorive të përmendura, duke qenë se ajeti e përcakton atë si pronë të tyre.

Ka edhe një mendim të tretë, të ndërmjetëm, i cili thotë se nëse sasia e zekatit është e madhe, sa të ketë mundësinë të ndahet në lloje të ndryshme, atëherë ai ndahet në mënyrë të tillë, e nëse është sasi e vogël, atëherë lejohet t’i jepet një lloji të vetëm. Ky mendim përcillet se është opinioni i Ibrahim Nehaiut, që i përket brezit të tabiinëve. Ndërsa ndonjë dijetar tjetër siç është Ebu Theuri është i mendimit se nëse zekatin e ndan prijësi i muslimanëve, atëherë ai është i detyruar të përfshijë të gjitha kategoritë, ndërsa nëse e shpërndan vetë pronari, atëherë atij i lejohet ta vendosë atë në një kategori të vetme.

Por gjithsesi, duket se mendimi më i saktë në këtë rast, është mendimi i shumicës së dijetarëve islamë, që lejon praktikën se zekati mund t’i jepet qoftë edhe një kategorie të vetme, prej tetë kategorive të përmendura në Kuran. Imam Tabariu duke komentuar këtë ajet thotë: “Allahu ka përmendur tetë kategoritë, për të treguar se zekati nuk del jashtë këtyre kategorive në kategori të tjera, dhe jo si detyrim që ai duhet të shpërndahet për të tetë kategoritë.”

Ajo çka e mbështet edhe më shumë këtë mendim, është edhe hadithi i Muadhit, ku Profeti (alejhi salatu ue selam) ndër të tjera thotë për zekatin: “Do t’ua marrësh atë të pasurve të tyre dhe do t’ua japësh të varfërve të tyre.” Të varfrit në këtë rast, janë vetëm njëra prej kategorive të zekatit dhe nëse nuk do të lejohej që zekati t’i shpërndahej vetëm një kategorie të caktuar njerëzish, Profeti nuk do të ishte shprehur në këtë mënyrë. Po kështu, nga jeta e Profetit (alejhi salatu ue selam) kemi raste ku ai ua ka dhënë zekatin një njeriu apo grupi të vetëm, si p.sh. Seleme ibn Sakhr el-Bejadhit i dhuroi zekatin e popullit të tij, apo në rastin kur u dhuroi zekatin e banorëve të Jemenit, kategorisë së atyre që kërkohet t’u afrohen zemrat me Islamin. Këto raste tregojnë se, nëse zekati nuk do të lejohej t’i jepej një kategorie të vetme, atëherë një veprim i tillë nuk do të ishte kryer nga i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam).

Në fakt ky mendim është edhe më i arsyeshëm, pasi në kohë dhe në vende të ndryshme, duhet t’u jepet përparësi atyre kategorive që janë më nevojtare, apo që kanë edhe më tepër dobi për Islamin dhe muslimanët. Imam Maliku –Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Ai (zekatdhënësi) duhet të përpiqet dhe të kërkojë vendin e nevojshëm mes kategorive, të vërë në radhë të parë ata që janë më të varfër e fukarenj; nëse shesh se në një vit ka më shumë të varfër e fukarenj, u jep atyre përparësi dhe nëse sheh se në vitin tjetër janë më nevojtarë udhëtarët e mbetur rrugëve, u jep atyre përparësi.”

Ndërsa Ibn Shihabi ka thënë: “Njerëzit që duhet ta përfitojnë më së shumti atë (zekatin), janë ata që janë më të shumtë në numër dhe më nevojtarët.”

Pra, është shumë e rëndësishme që të ardhurat e zekatit të kenë një orientim sa më realist për nevojat, sa më largpamës dhe vizionar në shpërndarjen e tyre dhe pikërisht në ato sfera, ku edhe dobia dhe shpërblimi është edhe më i madh. Nëse e shohim me sy realist dhe gjithëpërfshirës situatën e nevojës së muslimanëve në këtë vend, patjetër që do të biem dakord se sfida më e madhe me të cilën përballemi, është ruajtja e identitetit islam dhe dinjitetit tonë si muslimanë. Më shumë se varfëria materiale e muslimanëve në këtë vend, rrezikohet identiteti i tyre fetar, i cili absolutisht nuk mund të mbahet në këmbë, ndër të tjera, edhe pa mbështetjen materiale e financiare. Kjo nuk do të thotë aspak që duhen lënë pas dore nevojat sociale të shtresave të ndryshme të muslimanëve, që përbëjnë edhe kategoritë e tjera të zekatit, por këtu po flasim për një përparësi jetike, e cila mungon, për shkak të një vështrimi të ngushtë në mënyrën se si aplikohet ndarja e zekatit, në gati shumicën e rasteve në vendin tonë. 

Kategoria “në rrugë të Allahut”

Kategoria e shtatë ku jepet zekati, është ajo që përfshihet në shprehjen “në rrugë të Allahut”. Lind pyetja: Ç’kuptim ka kjo shprehje?

Ibn Ethiri thotë: “Rruga e Allahut, është një shprehje e përgjithshme që vlen për çdo vepër të sinqertë, me të cilën ndiqet rruga për të shkuar drejt afrimit me Allahun, duke kryer detyrimet, vepra fakultative dhe lloje të ndryshme të veprave vullnetare. Kur kjo shprehje vjen e papërcaktuar, në të shumtën e rasteve nënkupton xhihadin, aq sa nga përdorimi i shpeshtë për të, duket sikur është e kufizuar vetëm për të.”

Nëse i kthehemi përdorimit të këtij togfjalëshi në Kuran, do të shohim se ai përdoret 65 herë në kontekste të ndryshme. Kur togfjalëshi “në rrugë të Allahut” vjen përkrah shpenzimit të pasurisë, ai merr dy kuptime:

1- Kuptimi i përgjithshëm, i cili përfshin të gjitha llojet e bamirësisë, si p.sh. në ajetin 261 të sures el-Bekare, ku thuhet: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr, nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra.” Apo në ajetin 262 më pas, ku thuhet: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, pa e përcjellë atë me përgojim apo fyerje, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.”

2- Kuptimi i dytë është ai i veçantë dhe nënkupton shpenzimin e pasurisë që bëhet për xhihadin, apo thënë ndryshe, për luftën për lartësimin e fesë së Allahut dhe mbrojtjen e Islamit. Këtë kuptim e përcakton konteksti i fjalive dhe e dallon nga kuptimi i përgjithshëm, si p.sh. në suren el-Enfal, ajeti 60, ku thuhet: “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë, përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” Apo në suren el-Hadid, ajeti 10: “Atëherë, çfarë keni që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, ndërkohë që vetëm Atij i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës? Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores, me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas.”

Pra, ashtu si kuptimi gjuhësor, edhe ai Kuranor, i jep këtij togfjalëshi një dykuptimësi, për shkak të të cilit edhe dijetarët nuk kanë rënë në një mendje, pra, a kufizohet kjo dispozitë e zekatit vetëm në kuptimin e saj të veçantë, që është xhihadi, apo ajo përfshin edhe atë të përgjithshëm, ku hyn çdo shpenzim që bëhet për bamirësi?

Tri janë mendimet në lidhje me këtë çështje:

1- Mendimi i parë thotë se zekati për këtë kategori, ka për qëllim vetëm luftën në rrugë të Allahut, pasi ky është edhe kuptimi më i shpeshtë i përdorur si në Kuran, ashtu edhe në Sunetin e Profetit (alejhi salatu ue selam). P.sh në hadithin që transmeton Ebu Daudi nga Ebu Seid el-Hudri, Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Nuk lejohet zekati për të pasurit, vetëm se për pesë njerëz: luftëtarin në rrugë të Allahut, administruesin e zekatit, borxhliun, njeriun që e ka blerë atë (mallin që është dhënë si zekat) me pasurinë e tij dhe për njeriun, i cili ka për fqinj një njeri të varfër, të cilit i kanë dhënë zekat dhe ai ia dhuron atë, të pasurit.” Të këtij mendimi janë shumica dërmuese e dijetarëve, duke filluar që nga ata të hershmit, e duke përfshirë edhe katër medhhebet e fikhut islam e më tej.

2- Mendimi i dytë thotë se në kategorinë e zekatit “në rrugë të Allahut”, futet përveç xhihadit, edhe haxhi e umreja. Ky mendim është bazuar në disa hadithe dhe disa transmetime nga sahabët, ku kontributi për të dërguar njerëzit në haxh, konsiderohet në rrugë të Allahut. Të këtij mendimi përcillet se kanë qenë: Ibn Abasi, Ibn Umeri, Hasan el-Basriu, Is’hak ibn Rahuje, Imam Ahmedi në një prej transmetimeve të tij… etj.

3- Mendimi i tretë thotë se, në kategorinë e zekatit “në rrugë të Allahut” futen të gjitha llojet e bamirësisë, pasi fjala e përdorur është e përgjithshme dhe nuk lejohet ta kufizosh atë, vetëm se me argument të saktë. Sipas tyre, nuk ka argument të saktë që e kufizon këtë kategori të zekatit vetëm për xhihadin, apo edhe për haxhin. Të këtij mendimi janë kryesisht dijetarë të vonshëm, siç është Fahrudin Razi, El-Kasani, Sidik Hasan Han, Reshid Rida, ish-Shejhu i Ez’herit Mahmud Sheltuti, ish-Myftiu i Egjiptit Hasenin Mahluf, komentuesi i Kuranit Ahmed Mustafa el-Meragi, Mena el-Katan, Sanani etj, dhe ky i fundit thotë në librin e tij “Subulu Selam” se i këtij mendimi, duket se ka qenë edhe imam Buhariu.

Nga shqyrtimi me hollësi i argumenteve të tre mendimeve të mësipërme dhe debatit rreth tyre, si dhe duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, dilet në konkluzionin se kategoria e zekatit që përfshihet në ajet dhe që është ajo “në rrugë të Allahut”, duhet të kufizohet vetëm te xhihadi, pasi nëse ajo do të përfshinte çdo bamirësi, atëherë do të përfshinte edhe shtatë kategoritë e tjera të zekatit dhe nuk do ta kufizonte atë, kështu që përmendja e tyre në ajet dhe stili gjuhësor kufizues i ajetit, do të ishte pakuptim. Duke qenë se diçka e tillë është e pamundur, atëherë është e domosdoshme që kategoria “në rrugë të Allahut”, të ketë vetëm një kuptim, atë të xhihadit në rrugë të Allahut. Vetëm se xhihadi në këtë rast, e shohim me vend të theksojmë, se nuk duhet të kufizohet dhe nuk mund të kufizohet vetëm te lufta e armatosur, por edhe te daua, apo thirrja e njerëzve në fenë e Allahut dhe propaganda që bëhet për mbrojtjen e saj. Cilat janë argumentet për këtë gjë dhe kush janë dijetarët e këtij mendimi, po i rendisim më poshtë, si vijon:

Xhihadi në rrugë të Allahut përfshin xhihadin me trup dhe me armë, por ai gjithashtu përfshin edhe xhihadin me gojë dhe me shkrim, pra, xhihadin me dije, duke iu kundërvënë kështu dyshimeve dhe akuzave që hedhin jomuslimanët ndaj Islamit dhe Profetit të tij. Gjithashtu, ky xhihad bëhet për të treguar vlerat e fesë sonë, superioritetin e saj dhe mundëson demaskimin e të pavërtetës dhe humbjes, në të cilën ndodhen të gjithë armiqtë e Islamit dhe muslimanëve.

Nëse qëllimi i xhihadit me armë, siç bëhet e qartë në mjaft thënie të Profetit, është lartësimi i fjalës së Allahut, atëherë po të njëjtin qëllim e përmbush sot edhe thirrja islame dhe në veçanti, ajo që bëhet në vende ku nuk sundon Islami dhe muslimanët.

Ka kohë që xhihadi me armë në mes muslimanëve nuk është më si dikur, ai është i kufizuar në territore të caktuara dhe vetëm për mbrojtje, apo për çlirimin e territoreve të pushtuara, por ndërkohë, muslimanët sot ngado që janë, përballen me një luftë edhe më të ashpër se sa ajo me armë. Dhe kjo luftë, është pikërisht lufta ideologjike, kulturore dhe sociale, e cila synon dobësimin dhe zhdukjen e identitetit islam në mesin e muslimanëve. Viktimat e kësaj lufte në radhët e muslimanëve janë më të shumtë në numër dhe me pasoja shumë më negative për Islamin, sesa ata që humbasin jetën në konfliktet e armatosura, pasi këta njerëz humbasin fenë e tyre dhe përfundimi i tyre në botën tjetër është shumë i rëndë, duke shtuar këtu faktin se humbje të tilla dobësojnë gjithmonë e më tepër pozitat e Islamit dhe muslimanëve në këtë botë. Pra, xhihadi sot më shumë se kurrë shtrihet në një plan shumë më të gjerë sesa vetëm ai fizik dhe tërheqja nga kjo luftë e gjithanshme, i ngjan tërheqjes nga fusha e betejës.

Argumentet fetare që i japin këtë kuptim xhihadit, janë si më poshtë:

1- Allahu i Lartësuar duke iu drejtuar të Dërguarit të Tij për Kuranin, thotë: “Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani)!” (el-Furkan: 52)

Ibn Kajimi në “Zadul Mead” duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Kjo është një sure mekase dhe në të, Allahu ka urdhëruar që të luftohen jobesimtarët me anë të argumentit dhe sqarimit të së vërtetës e të luftohen me anë të përhapjes së Kuranit.” Ndërsa, shejhul islam Ibn Tejmije në “Minhaxhu Suneh” ka thënë: “Dihet se xhihadi është luftë që bëhet me dorë, po ashtu edhe me argumente, me shpalosjen e së vërtetës dhe me anë të thirrjes islame. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur të donim Ne, do të dërgonim në çdo qytet paralajmërues. Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani)!” (el-Furkan: 51-52). Allahu në këtë ajet urdhëron që jobesimtarët të luftohen me forcë me anë të Kuranit. Kjo sure ka zbritur në Mekë, pra, para se të emigronte Profeti (alejhi salatu ue selam) e para se ai të urdhërohej të luftonte me armë, pra në një kohë kur atij nuk i ishte dhënë leje për këtë gjë, por xhihadi në këtë kohë bëhej me anë të dijes, zemrës, sqarimit të së vërtetës dhe thirrjes islame dhe jo nëpërmjet luftës me armë.”

Pra, në këtë këndvështrim, edhe lufta jonë në këtë vend, është një xhihad për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit tonë të trashëguar islam dhe si e tillë, ajo merr vlerën e një xhihadi të vërtetë.

2- I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) në një hadith të tij, që e përcjell Ebu Daudi ka thënë: “Luftojini idhujtarët me pasurinë, me veten dhe me gjuhën tuaj!”

Pra, edhe në këtë hadith tregohet qartë, se xhihadi nuk është i kufizuar vetëm me armë. Dijetarët kur kanë komentuar këtë hadith, kanë përmendur se Profeti (alejhi salatu ue selam) e nxiste Hasan ibn Thabitin të thurte poezi, me të cilat ai sulmonte jobesimtarët kurejshë, sepse kjo gjë i lëndonte ata më tepër sesa goditja e shigjetave, madje Profeti lutej që Xhibrili të ishte me të, kur ai t’i sulmonte ata me vjersha.

Nëse poezia ishte një nga metodat e kohës për t’iu kundërvënë armikut, padyshim se sot një nga metodat e kohës sonë janë librat, shkrimet dhe artikujt që bëhen po për të njëjtin qëllim dhe kanë të njëjtin efekt.

3- Imam Ahmedi na ka përcjellë një hadith të Profetit se ai thotë: “Xhihadi më i mirë është fjala e vërtetë, para një sundimtari të padrejtë.” Në një hadith tjetër që e përcjell imam Muslimi, Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Çdo profet që ka dërguar Allahu te njerëzit para meje, ka pasur në gjirin e popullit të vet pasues që ndiqnin udhëzimin e tij dhe u bindeshin urdhrave të tij. E pas tyre vijnë njerëz të tjerë, të cilët thonë atë që nuk e bëjnë dhe bëjnë atë që nuk janë urdhëruar të bëjnë. Ai që i lufton ata me dorën e tij është besimtar, ai që i lufton ata me gjuhën e tij është besimtar dhe ai që i lufton ata me zemrën e tij është besimtar. Pas kësaj, nuk ka besim as sa një kokërr sinapi (hardalli).”

Nëse nga këto hadithe, kundërvënia ndaj së keqes brenda një shoqërie islame, përcaktohet si xhihad, padyshim që në një shoqëri si e jona, ku dominon mosbesimi dhe ku muslimanët dhe feja e tyre janë kategoria më e diskriminuar, mbrojtja e kësaj feje është me plot gojën “xhihad”.

4-Dijetarët kanë përmendur se të tetë kategoritë ku jepet zekati ndahen në dy lloje: në llojin e parë hyjnë ato kategori njerëzish, të cilëve iu jepet zekati për shkak të nevojës personale, që janë: i varfëri, nevojtari, skllavi, udhëtari që ka mbetur në rrugë dhe borxhliu, që është zhytur në borxhe për nevojat e tij personale. Ndërsa në llojin e dytë futen kategoritë ku zekati jepet për nevoja dhe dobi të përgjithshme, dhe që janë kategoritë e atyre që administrojnë mbledhjen e zekatit, atyre që kërkohet t’u afrohen zemrat me Islamin, borxhlinjve që hyjnë në borxh për interes të përgjithshëm dhe në fund, ajo që jepet për në rrugë të Allahut.

Shejh Abdullah ibn Xhibrini në lidhje me këtë gjë ka thënë: “Padyshim që dobia e thirrjes në fenë e Allahut, shpalosja e mirësive të kësaj feje, përgjigjja ndaj ngatërrestarëve dhe jobesimtarëve, hedhja poshtë e dyshimeve që mbjellin qafirët dhe munafikët, e të tjera si këto, janë ndihmë ndaj fesë së Allahut, fe të cilën Ai e do dhe është i kënaqur vetëm prej saj, fe të cilën Ai ia ka bërë obligim mbarë njerëzimit. Nëse kjo derë ngelet e mbyllur, sepse nuk ka kush të shpenzojë për të, që ta çojë atë përpara, që të kontribuojë për thirrësit dhe njerëzit që edukojnë shoqërinë aq sa ata të përballojnë vazhdimësinë e punës së tyre, atëherë është detyrë (vaxhib) që detyrimi i zekatit të jepet në këtë drejtim, sepse këtë e kërkon interesi i përgjithshëm islam. Shpenzimi në këtë drejtim mund të jetë më i rëndësishëm sesa për ndonjë nga ata që u përmendën, siç është lirimi i skllavit, apo udhëtari që ka ngelur në mes të rrugës, sepse ata mund ta përballojnë këtë gjë edhe me durim, e nevoja e domosdoshme që kanë këta njerëz, nuk është si nevoja e domosdoshme për t’i vënë kufi ngatërrestarëve dhe për të ndalur munafikët, nuk është si nevoja për të përhapur dijen, për të botuar Kurane, libra fetarë, kaseta islame, që tregojnë të vërtetën e Islamit dhe qëllimet e tij dhe që hedhin poshtë dilemat që u bien në vesh njerëzve me besim të dobët. Nëse nuk kontribuohet (vullnetarisht) në këto drejtime, atëherë lejohet që zekati të shpenzohet për të gjitha këto dhe të ngjashme me to, sepse zekati është ligjëruar pikërisht për të përmbushur objektivat e Islamit, për aq sa ato kanë nevojë.”

Po kështu, ish-Myftiu i Arabisë Saudite, shejh Muhamed ibn Ibrahim Ali Shejh ka thënë: “Këtu kemi një çështje të rëndësishme, për të cilën lejohet të jepet zekati, dhe që ka të bëjë pikërisht me përgatitjen e një potenciali financiar që do t’i shërbejë thirrjes islame, si dhe për të larguar dyshimet që hidhen ndaj fesë. E gjitha kjo konsiderohet xhihad dhe është një nga veprat më të mëdha në rrugë të Allahut.”

Janë pikërisht të gjitha këto pikëvështrime dhe argumente, e të tjera veç tyre, që i kanë bërë shumë prej dijetarëve të sotëm ta konsiderojnë thirrjen islame si xhihad në rrugë të Allahut, dhe në veçanti, në vende si Shqipëria. Kështu, Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë, që mbledh dijetarë nga e gjithë bota islame, në sesionin e saj të 8-të, të zhvilluar në shkurt të vitit 1983, “vendosi me shumicë absolute se, thirrja për tek Allahu i Madhëruar dhe çdo gjë që i vjen në ndihmë dhe e mbështet atë, hyn te kuptimi i shprehjes “në rrugë të Allahut”, shprehje kjo që përmendet në ajetin e zekatit.”

Nga dijetarët pjesëmarrës, të cilët miratuan këtë vendim, ishin: Kryetari i Këshillit të Akademisë së Fikhut: Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz, Nënkryetari: Dr. Abdullah Umer Nesif, Anëtarët: Dr. Talal Umer Bafekih, Abdullah ibn Abdurrahman Al Basam, Mustafa Ahmed Ez-zerka, Muhamed Mahmud Es-sauaf, Muhamed ibn Salih ibn Uthejmin, Muhamed Esh-shadhili En-nufejr, Ebu Bekr Xhumi, Dr. Ahmed Fehmi Ebu Nieh, Muhamed El-habib ibn El-huxheh, Dr. Jusuf El-kardaui, Muhamed ibn Salim ibn Abdul Uedud, Ebul Hasan Ali El-hasen En-nedeui.

Po kështu, “Organizata Botërore Islame për Ekonominë dhe Financat” në maj të 2007-ës, zhvilloi një seminar me temë: “Çfarë përfshihet në kategorinë “në rrugë të Allahut”. Pas diskutimeve nga ana e pjesëmarrësve rreth kësaj kategorie të zekatit dhe problematikës së ngritur rreth saj, 86 % e pjesëmarrësve pranuan si mendim më të saktë, mendimin, i cili përcakton kategorinë e zekatit “në rrugë të Allahut”, si përfshirës të xhihadit me kuptimin e tij të përgjithshëm, ku në të bën pjesë lufta me armë dhe thirrja për tek Allahu, me mjetet e saj të ndryshme.

Duke e mbyllur, do të përmendja edhe diçka tepër të rëndësishme. Ekziston një bindje e drejtë se Islami do të triumfojë në mbarë botën. Por, shpeshherë kjo bindje nuk është shumë e qartë për shumë besimtarë, se si do të ndodhë. Në mjaft variante optimiste që vërtiten nëpër imagjinatën e tyre, ata hamendësojnë një Islam që vetëm rritet dhe rritet dhe nëse ai për një moment ndalet, nuk bën vaki që të rrudhet! Por a është e vërtetë një gjë e tillë? Pa u zgjatur për të përmendur hadithet e Profetit dhe argumente të tjera fetare, do të mjaftohem vetëm me shembuj nga historia. Le të kujtojmë këtu muslimanët që sunduan Spanjën për gati tetë shekuj; e kujt i shkonte ndërmend se ata do ta linin atë, pas një kohe aq të gjatë?! Le të mos harrojmë shtetin islam të osmanlinjve, që sundoi për gati pesë shekuj në Evropën Juglindore, por sot, edhe ata i qajnë këto toka, siç qajnë të tjerët Andaluzinë e bukur…

E në vijim po ju rrëfej një bashkëbisedim ndërmjet Hafiz Ali Korçës dhe Telat Pashës, kryeministrit osman të kohës, të cilit ai i thotë: “Unë sa për hisabin tim, kurrën e kurrës nuk e dëshiroj ndarjen me kalifatin islam. Por Zoti mos e dhëntë, se në rast të ndonjë lufte që mund të ndodhë, dhe mos e dhëntë Zoti, sikur pak të mundet Turqia, sipas programit që ka sot Evropa –ku futet hëna del, e ku futet kryqi s’del-, atëherë ka mundësi që Turqia të copëtohet dhe Shqipëria jonë të pjesëtohet midis shteteve ballkanike.”

Por, mesa duket kryeministri osman kishte qenë më dritëshkurtër dhe hoxha më largpamës.

Kështu që Telat Pasha iu përgjigj Hafizit: “Mos kini frikë, sepse Rumelia nuk del kurrë prej dorës së Turqisë.” E Hafizi i tha: “Dashtë Zoti, ashtu qoftë! Mirëpo Turqia ka patur një të katërtën e lëmshit të dheut, e si i la pastaj një nga një…?!”

Pra, Islami do t’i rezistojë kohërave dhe rrebesheve, por në mënyrë absolute, kjo nuk do të thotë se ai do të vazhdojë të jetojë edhe në Shqipëri. Edhe Shqipëria mund të ketë fatin e Andaluzisë, të Athinës dhe Beogradit. A nuk e tregoi historia këtë gjë, para dyzet vjetësh?! Asnjë garanci nuk kemi prej Allahut, se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe me ne, ndaj dhe përgjegjësia që diçka e tillë të mos përsëritet në radhë të parë bie mbi ne dhe më pas mbi brezat që do të pasojnë.


Përgatiti: Justinian Topulli

Burimi: LidhjaHoxhallareve.com

www.IslamiFejaeVertete.com



Literatura e shfrytëzuar:

-Fikhu Zekat, Dr. Jusuf Kardaui.

-Nudhum el-Kauaid el-Fikhije, Abdurrahman es-Sadij.

-Kararat el-Mexhma el-Fikhi el-Islami.

-Kararat Hejetul el-Alemjie el-Islamije li-Temuil uel Iktisad.

-Fetaua Ulema el-Beled el-Haram, Halid el-Xhurejsi.

-Buhuthat Hejetul Kibar el-Ulema, Abdullah ibn Sulejman el-Meni’.

http://www.islam/-qa.com/ar/ref/121551/ زكاة الدعوة

-Subulu Selam, Muhamed ibn Ismail es-Sanani.

Lidhja e Hoxhallareve te Shqiperise
http://www.lidhjahoxhallareve.com/al/index.php?option=com_content&view=article&id=169%3Akategoria-ne-rruge-te-allahut-e-zekatit&catid=41%3Astudime&Itemid=258

Must Read