BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeHadith i dobët rreth vlerës së faljës së namazit në Xhaminë Profetike

Hadith i dobët rreth vlerës së faljës së namazit në Xhaminë Profetike

 

Pyetja:

Kam dëgjuar se ai që fal në xhami të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dyzet namaze i shënohet kjo si pastrim prej dyfytyrësisë. A është ky hadith i vërtetë?

    Përgjigja:

     Falënderimi i takon Allahut …

     Këtë hadith e transmeton imam Ahmedi me nr: 12.173 nga Enes b. Malik se Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Ai që fal në xhaminë time dyzet namaze duke mos i kaluar asnjë namaz, i shënohet atij një pastrim prej zjarrit, shpëtim nga dënimi dhe pastrohet nga dyfytyrësia.” Ky hadith është i dobët.

     Shejh Albani e ka përmend në “Es Silsiletu Ed Daife” me nr: 364 dhe ka thënë: I dobët. Dhe e ka përmendur në librin e tij “Daifut Tergib” me nr: 755 dhe ka thënë: Munker. (Shumë i dobët).

     Shejh Albani e ka përmendur në librin e tij “Mënyra e haxhit të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)” në fq. 185 se prej bidateve (risive) gjatë vizitës së Medinës Pejgamberike është: “Ngulmi i vizitorëve të Medines që të qëndrojnë në të një javë në mënyrë që të kenë mundësi të falin në Xhaminë Pejgamberike dyzet namaze që të ju shënohet si pastrim prej dyfytyrësisë dhe pastrim nga zjarri.”

    Shejh Ibn Bazi thotë:

“Ajo që është përhapur te njerëzit se vizitori qëndron në Medine tetë ditë gjersa të falë dyzet namaze kjo edhe pse është transmetuar në disa hadithe: “Ai që falë në të dyzet namaze i shënohet atij pastrim prej zjarrit dhe pastrim prej dyfytyrësisë.” Por ky hadith është i dobët te dijetarët dhe as nuk mund të mbështetemi e as të argumentohemi me të. Vizita nuk ka përkufizim të caktuar edhe nëse e viziton një orë apo dy, apo një ditë apo dy, apo më shumë se kaq bën.”[1]

     Dhe mjafton në vend të këtij hadithi të dobët, hadithi të cilin e transmeton Trimidhiu me nr: 241 i cili flet për vlerën e kujdesit për zënien e tekbiretul ihramit me xhemat dhe të cilin e transmeton nga Enes b. Maliku i cili transmeton se Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Kush falet për Allahun dyzet ditë me xhemat duke e arritur tekbirin fillestar i shënohen dy pastrime: Njëri nga zjarrri e tjetri nga dyfytyrësia.” [2]

     E vlera e përgatitur sipas këtij hadithi përgjithëson çdo xhami ku falen me xhemat, në çdo vend dhe nuk e specifikon me Xhaminë e Shenjtë (Qaben) apo Xhaminë Pejgmaberike.

    Duke u bazuar në këtë ai që kujdeset të falet dyzet ditë duke e arritur tekbirin fillestar me xhemat i shënohen dy pastrime: Një pastrim nga zjarri dhe një pastrim nga dyfytyrësia. Dhe qoftë kjo në ndonjë xhami të Medinës, të Mekës apo xhamitë e vendeve të tjera.

E Allahu e dinë më së miri.

 
Muhamed Salih El-Munexhid
Përktheu: Driton Lekaj – Burimi: IslamHouse.com – Shqip
 


[1] Fetava Ibn Baz: 17/406.

[2]  Shejh Albani e konsideron të mirë në librin e tij “Sahih Et Tirmidhi” me nr: 200.

 

Must Read