BallinaSpikasimKërkimi i diturisë - rruga për në xhenet

Kërkimi i diturisë – rruga për në xhenet

Kërkimi i diturisë – rruga për në xhenet

“Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dije.” (Kuran, 58:11)

“Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman (mashkull ose femër).” Hadith.

Vlerat e diturisë
Allahu xh.sh., i Cili na krijoi dhe na dha mjetet e jetesës, na ka dhënë gjithashtu udhëzimin. Ai ka thënë: “Në të vërtetë ne e kemi krijuar njeriun në mundime dhe vështirësi… A nuk i kemi dhënë Ne atij një palë sy; një gjuhë, dhe një palë buzë; dhe ia kemi qartësuar të dy rrugët? (e së mirës dhe së keqes)” (Kuran, El-Beled: 4, 8-10)

Pasi na ka pajisur me aftësinë e të medituarit, të menduarit dhe të të dalluarit e gjërave, Ai na mësuar neve që ta njohim Atë, ti njohim Profetët e Tij dhe të njohim dinin e Tij, Islamin. Ai ka thënë: “Dije se nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut! Kërko falje për mëkatet e tua dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di se si silleni ju dhe ku qëndroni.”
(Kuran, Muhamed: 19)

Ky ajet tregon rëndësinë e diturisë dhe vlerat të cilat Allahu xh.sh. ia ka dhënë asaj. Kjo gjithashtu tregon se dituria vjen para veprave, sepse Allahu e udhëzoi të Dërguarin e Tij që ta dijë se Ai është i Vetmi i Cili meriton të Adhurohet. Pas kësaj, Ai e urdhëroi atë që të kërkojë falje për veten e tij, familjen e tij, dhe umetin e tij.

Nëse do ta kishin kuptuar me të vërtetë muslimanët rëndësinë që Islami i ka dhënë diturisë dhe vlerave të saj, ata pa dyshim se do të kishin qenë të etur për të mësuar dhe për t’i mësuar të tjerët. Do të kishin filluar me vetet e tyre dhe familjet e tyre; e pastaj fqinjët dhe bashkësinë në përgjithësi. Njëherë, Mu’avije Ibn Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur me të, dha një predikim në të cilin tha: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam duke thënë, “Nëse Allahu dëshiron t’i bëjë mirë një personi, ai e bën atë shumë të ditur në fe.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo sepse dituria është baza e të gjitha të mirave; ajo gjeneron vepra të cilat janë të bazuara në urdhrat e Allahut dhe udhëzimet e Profetit. Megjithatë, çdo musliman duhet të rrënjosë në mendjen e tij një dëshirë të madhe për dituri. Allahu xh.sh. e ka udhëzuar Profetin e Tij – dhe kështu të gjithë muslimanët – që ta lusë Allahun t’i dhurojë atij dije. Ai ka thënë:
“…dhe thuaj: Zoti im shtoma dijeninë.”
(Kuran, Ta-Ha: 114)

Edhe pse, fillimisht, të gjithë muslimanët janë të barabartë në shikimin e Allahut, ata që besojnë kanë takwa (frikë nga Allahu dhe ndershmëri) dhe kanë qenë të pajisur me dituri ngrihen në shkallë më të larta. Allahu thotë për ata të cilët kanë takvallëk:
“Me të vërtetë më i nderuari nga ju tek Allahu është ai cili ka më së shumti takva.”
(Kuran, El-Huxhurat: 13)

Dhe Ai ka thënë për ata që kanë besuar dhe kanë marrë dituri:
“Allahu do ti ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni.”
(Kuran, El-Muxhedileh: 11)

Kur një robi të Allahut i është dhënë dije, ai e vlerëson më shumë krijimin e Allahut dhe bëhet më i njohur me atributet dhe cilësitë e Allahut. Rrjedhimisht, ai me gjithë zemër dëshmon se Krijuesi i tij është i vetmi i Cili meriton të adhurohet e pastaj nënshtrohet para Tij i përulur. Kjo, nga ana tjetër, krijon në zemrën e tij një frikë, e cila është e barabartë me një falenderim të plotë dhe dashuri për Zotin e tij. Allahu xh.sh. ka dëshmuar këto cilësi për të mirën e robërve të Tij të ditur, falenderimi i plotë i Njëshmërisë së Tij dhe frika nga Ai. Ai e ka shpallur këtë në dy ajete, që do të recitohen deri në Ditën e Kiametit:
“Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka Zot tjetër përveç Atij, Të Plotfuqishmit, Të Urtit!”
(Kuran, Ali-’Imran: 18)

“Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.”
(Kuran, Fatir: 28)

I Dërguari i Allahut ka dhënë përgëzime të mira për çdonjërin që ndërmerr detyrën e kërkimit të diturisë. Ebu Hurejra transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Për atë i cili niset në rrugën e kërkimit të diturisë, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në parajsë.” Transmeton Muslimi.

Sikur mos të kishte pasur asnjë hadith tjetër përveç këtij mbi rëndësinë e diturisë, ky do të kishte qenë i mjaftueshëm për muslimanët. Megjithatë Profeti bëri më shumë se kjo:

Ai i nxiste shokët e tij që të kërkojnë diturinë. Ibn Mes’ud transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Vetëm dy personave ia vlen t’ua marrim lakmi; një personi të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe i jep mundësi që ta shpenzojë për qëllime të mira dhe një personi të cilit Allahu i ka dhënë dituri me të cilën ai gjykon dhe i mëson të tjerët.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Ai i përgëzonte sahabët e tij sa herë që ata nxjerrnin një gjykim të mirë ose përgjigjeshin saktë në ndonjë pyetje. Imam Muslimi transmeton se njëherë Profeti alejhi selam e pyeti Ubej Ibn Ka’bin: “A e di se cili ajet në Librin e Allahut është më i madhi?” Ubej-i u përgjigj duke recituar Ajet-ul-Kursinë (ajetin e Fronit, El-Bekare: 255): “Allahu! S’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, I Gjalli, Mbikqyrësi i përhershëm dhe i përjetshëm…) I Dërguari me mirësi i rrahu krahët, duke i thënë: “Përgëzime, Ebul-Munthir për këtë dituri.”

Ai e luste Allahun që t’u dhurojë atyre diturinë e drejtë dhe kuptimin e kësaj feje. Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton, “Njëherë Profeti më kapi (përqafoi) dhe tha, ‘O Allah! Dhuroj këtij diturinë e Librit (Kur’anit).” Transmetuar nga Buhariu.

Ai i urdhëroi të gjithë sahabët e tij dhe kështu secili musliman që posedon dituri – edhe në qoftë pak vetëm sa një ajet – ta përhapin atë që dinë tek të tjerët: Ai ka thënë: “Barteni (atë që keni mësuar nga unë) qoftë edhe një ajet…” Transmeton Buhariu.

Ai bëri një dua të veçantë (lutje) për ata të cilët i mësojnë thëniet e tij dhe i transmetojnë ato tek të tjerët. Zejd Ibn Thabit transmeton se Profeti ka thënë: “Allahu e ndiçoftë fytyrën e atij personi i cili dëgjon atë që kam thënë unë dhe e mban mend, e pastaj e bartë atë tek të tjerët: sepse nganjëherë ai i cili e ndëgjon nga tjetri e mban mend më mirë se sa vetë ai që e ka dëgjuar fillimisht.” Transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Ai i siguroi të gjithë ata të cilët e shpërndajnë diturinë nga ai se do të marrin të njejtin shpërblim me secilin musliman që vepron në bazë të asaj dije. Ebu Hurejra transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë, “Ai i cili e fton tjetrin që të udhëzohet do të ketë shpërblimin e njejtë me shpërblimin e atij i cili e pason pa iu mangësuar asnjërit prej tyre shpërblimi.” Transmeton Muslimi.

Ai na tregoi pozitën fisnike të njerëzve të ditur të ummetit të tij. Ebu Umameh transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Një i ditur është i ngritur mbi një besimtar (të zakonshëm) aq sa unë jam i ngritur mbi më të ulëtin ndër ju.” Dhe shtoi: “Allahu, engjëjt e Tij dhe të gjithë ata që janë në qiell dhe në tokë, edhe milingonat në zgavrat e tyre e peshku në det, kërkojnë bekimin e atyre që i udhëzojnë njerëzit në diturinë e dobishme.” Transmeton Tirmidhiu.

Edhe më mirë, ai deklaroi se ‘ulematë’ (ata që posedojnë dituri Islame) janë trashëgimtarët e tij: Ebu Derda tregon se e ka dëgjuar Profetin alejhi selam duke thënë: “Ulematë janë trashëgimtarët e Profetëve dhe Profetët nuk lënë trashëgim ndonjë dirhem ose dinar, por (ata lënë) vetëm dituri. Ai i cili merr dituri, ai merr një pjesë të madhe.” Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Pas leximit të gjitha këtyre premtimeve dhe lajme të gëzuara, dikush mund të pyesë: Ç’do të na nevojitej më shumë se kjo për ta zgjuar ndërgjegjen tonë? Na është premtuar një rrugë e lehtë për në xhenet, trashëgimia e Profetit tonë; një gradë shumë e lartë, pozitë e lartë dhe fisnike; bekim nga Allahu dhe lutje nga të gjithë ata që janë në qiell dhe në tokë; fytyrë të rrezatuar nga shkëlqimi dhe bukuria në Ditën e Gjykimit, kur fytyrat e tjera do të jenë të vuajtura dhe të zymta. Pra, të ngarkojmë plaçkat për rrugën drejt xhenetit; le të kërkojmë diturinë që nga sot.

Habib Ahmed
Marrë nga www.missionislam.com

Must Read