BallinaAKIDEGajbiKuptimi i jetës së njeriut dhe tri fazat kryesore të saj

Kuptimi i jetës së njeriut dhe tri fazat kryesore të saj

Kuptimi i jetës

Titulli ndoshta është pak i habitshëm, sepse shumica prej jush kanë një mendim për kuptimin e jetës. Por, a mund t’u jepni përgjigje këtyre pyetjeve: Përse linda, kur nuk doja?! Përse askush nuk më pyeti?! Përse nuk zgjodha kombin, racën, gjininë, fizionominë trupore, flokët, sytë, lëkurën?! Përse të gjitha këto m’u dhanë papritur dhe papritur do të më merren?!…
Ju lutemi, mendoni me kujdes rreth këtyre pyetjeve. Le të mundohemi ta kuptojmë këtë gjë, të kuptojmë qëllimin e saj.
Lexues i dashur! Nëse arsyetojmë mirë, do të shikojmë se e gjithë jeta e njeriut përbëhet prej tri fazave kryesore:
1) Faza e paralindjes
2) Faza e jetës – paslindja
3) Faza e pasvdekjes
Mendo mirë dhe do të kuptosh se njeriu nuk zgjedh asnjërën nga këto faza. Ai nuk zgjedh se kur do të lindë, sa do të jetojë dhe po ashtu nuk zgjedh as se kur do të vdesë. A e di pse kështu? Sepse njeriu nuk ka në dorë asgjë, madje as trupin dhe shpirtin e tij. Po ta kishte në dorë trupin, nuk do të dëshironte t’i plakej kurrë, e
nëse do të kishte në dorë shpirtin, nuk do ta nxirrte kurrë nga trupi i tij. Të gjitha këto i ka në dorë Allahu i Plotfuqishëm.

Tani le të përpiqemi t’i analizojmë këto tri faza.
1) Faza e paralindjes.
Këtu fshihet shembulli i mrekullueshëm për të kuptuar përse jetojmë dhe çfarë qëllimi duhet të kemi në këtë jetë.
Po të shihnim një foshnje në barkun e nënës, do të vërenim se ka sy, veshë, gojë etj.. Përse i ka këto, kur dihet që nuk i nevojiten atje? Foshnja me sy nuk ka ç’të shohë, me dorë nuk mund të ushqehet dhe as të shkruajë! Po këmbët përse i ka? Ajo nuk mundet të shkojë askund me to! Pse…?! Përgjigja është sepse këto do t’i nevojiten pasi të lindë. Foshnja me siguri që nuk e di, por do ta kuptojë kur të dalë në këtë botë. Nëse asaj i themi që me gishtat do të shkruajë apo do të shtypë në kompjuter, ajo do të përgjigjet: ‘Çfarë është ky kompjuter? Mos flisni fjalë pa kuptim!’ Pra, ajo nuk mund ta paramendojë se çfarë e pret në këtë botë. Po kështu është kur dikush thotë se në botën tjetër njeriu nuk do të vdesë asnjëherë, nuk do të flejë, nuk do të lodhet, nuk do të ndiejë uri as etje, por do të ushqehet për shkak të kënaqësisë dhe të shijes, do të ketë pallate prej diamanti, ari dhe argjendi, nuk do të ketë jashtëqitje, por ushqimi do t’i shndërrohet në djersë me erë misku (parfumi)… E, të gjitha këto dhe më tepër se këto do t’i kenë besimtarët në Xhenet. Pra, tani jemi në pozitën e foshnjës dhe na thuhet se ekzistojnë ato që sapo përmendëm më sipër, por ne përgjigjemi: “Ç’janë këto? Mos flisni fjalë pa kuptim!”
Shembulli i jetës së kësaj bote ndaj botës tjetër është si shembulli i jetës së paralindjes krahasuar me botën që jetojmë. Përse na vjen çudi që do të ringjallemi? A thua Ai, Allahu, që na krijoi për herë të parë, s’mund të na krijojë përsëri? “… Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë ne në jetë?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë!” (Kuran, 17:51)
Kur njeriut i thuhet nga Zoti i tij që ta falë namazin(faljen) në mënyrë që të pastrojë trupin dhe shpirtin e tij, që ta falënderojë Krijuesin e tij, pasi të gjitha këto do t’i nevojiten në botën e ardhshme, njeriut nuk i besohet. Pse nuk e kuptojmë që këto punë dhe vepra do të na duhen më vonë, ashtu siç do t’i nevojiten foshnjës në barkun e nënës dora, syri dhe këmbët kur të dalë në jetë?
Dhe unë ju them se me të vërtetë çdo kusht i Islamit do të na nevojitet më vonë (pasi të vdesim). Jeta është si një test për t’u plotësuar. Nëse e plotëson ashtu siç duhet, do ta marrësh shpërblimin, “Diplomën”, por nëse hyn në test dhe e humb kohën duke luajtur me të, atëherë do të dëshpërohesh. Nëse sheh një makinë luksoze, a mendon se është formuar ‘rastësisht’? Atëherë? E, si mund ta shohë njeriu atë ‘makinë’ pa menduar se është me miliona herë më i përsosur se ajo? Nëse ajo makinë gërvishtet, nuk mund të rigjenerohet, nuk ka logjikë që të mendojë… E, njeriu përsëri thotë se është krijuar rastësisht! Këtë mund ta thotë vetëm dikush që nuk di të logjikojë. A nuk e vëren ai se çdo gjë që na rrethon e ka krijuar Zoti për ne, kurse njeriun e ka krijuar të falënderojë e të mos mohojë? “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj ju (me shpërblim). Më falënderoni e mos më mohoni.” (Kuran, 2:152)
Kafshët mund të jetojnë pa njeriun, gruri mund të jetojë pa njeriun, edhe drurët e malet, edhe dielli, por njeriu nuk mund të jetojë pa to. Allahu të gjitha i ka bërë për njeriun, kurse njeriun e ka krijuar që ta dëgjojë dhe t’i bindet Atij. Por dikush thotë: ‘Mua më mjafton që e kam zemrën e mirë dhe nuk i dua të keqen askujt.’ Jo për Zotin, kjo nuk mjafton, sikurse nuk mjafton nëse hyn në punë dhe shefi të thotë të punosh, ndërsa ti i thua: ‘O shef, unë nuk ta dua të keqen dhe as nuk t’i vjedh paratë.’ A thua se do të mjaftonte kjo që ti të marrësh rrogën në fund? Asnjëherë. Po kështu, nuk mjafton vetëm zemra e mirë dhe të mos t’ia duash të keqen askujt, por duhet të bësh punën
tënde. “E kush ia dorëzon veten Allahut duke qenë edhe punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të sigurt dhe vetëm tek Allahu është përfundimi i çështjeve.” (Kuran, 31:22)

2) Faza e jetës.
Të gjithë ne gjendemi në këtë fazë dhe nuk e dimë kur do të mbarojë jeta jonë. Për këtë arsye ne duhet të punojmë me kohë, t’u përmbahemi urdhrave të Zotit dhe Librit të Tij, nëse duam të shpëtojmë. Zoti nuk na pyeti kur na e dha shpirtin, po ashtu nuk do të na pyesë as kur do të na e marrë atë. “…dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri.” (Kuran, 63:10)

3) Faza pas vdekjes.
Në këtë fazë, ata që kishin dëgjuar urdhrin e Krijuesit të tyre nuk do të frikësohen, por do të gëzohen Ndërsa ata të cilët nuk i dëgjuan urdhrat e Tij, pikërisht ata janë të dështuarit dhe të pikëlluarit.
Koha nuk kthehet pas, e tashmja nuk përsëritet më. I mençuri mendon dhe punon, ndërsa mendjelehti dhe i hutuari e humb kohën kot dhe kur i vjen fundi, dëshiron të kthehet në botë e ta përmirësojë gabimin, por nuk do të mundet.
“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi (kthim nuk ka), e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” (Kuran, 99-100)

Burimi:
Libri: “Kthehu te Krijuesi”

Must Read