KUR EKSTREMISTËT E VËRTETË “EKSTREMIZMIN” LUFTOJNË!
“Këta janë vehabij, radikalë, ekstremistë, terroristë, të shitur, të rrezikshëm, të prapambetur, keqinterpretues, injorantë, të huaj, anti-kombëtarë e anti-shkencorë, kundër Amerikës e kundër Evropës.”
(“Të mençurit” e shek.XXI)
Pse gjithë këto etiketime dhe akuza?!
Këta thonë:
“Sepse ju na e sollët një fe të re, një rrymë të re, një ideologji të re, në krahasim me praktikën fetare të paraluftës; nuk jeni sikur muslimanët tradicionalë të paraluftës, ju doni t’i ndryshoni zakonet tona, ju jeni kundër përparimit të shqiptarëve, i shikoni vetëm interesat tuaja, ju doni sheriat (ligj) Islam në Kosovë; po e shohim sa po ju shkon atyre në lindje, e ju merrni modele prej tyre; ju mendoni me lidh njeriun vetëm me xhami dhe asgjë tjetër; të gjitha mediumet janë ngritur kundër jush, besa edhe shteti dhe çdo kush që ka gjak shqiptari, ju nuk i doni amerikanët, nuk e doni hyrjen në BE, ju thërrisni në dhunë dhe jotolerancë; e urreni çdo shqiptar që nuk bëhet si ju, nuk jeni fare modernë dhe nuk ecni fare me kohën, jeni të dyshimtë dhe me siguri se jeni të paguar nga Serbia për t’i përçarë shqiptarët etj.”
Ne u themi këtyre që “ecin me kohën” dhe që i mbushin mediumet dhe gojët e tyre gënjeshtare me shpifje e akuza të pabaza për ne, duke mos pasur as edhe një argument të vetëm, me të cilin argument mund ta bindnin një të mençur, një të pastër, se ai që e adhuron Zotin sipas parimeve kur’anore është “ekstremist, terrorist, i shitur”! Jo dhe jo, nuk pinë ujë këto fjalë boshe, këto i merr era, ju ka skaduar afati, janë tharbëtuar moti, kanë perënduar!
Njashtu ne u themi atyre atë që e ka thënë edhe Krijuesi Fuqiplotë: “Sillni argumentet e juaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Kur’an, 27:64)
Ne jemi ata që e kemi kuptuar jetën si duhet dhe e jetojmë si duhet, sepse ne nuk bëhemi mendjemëdhenj në tokë të Zotit, nuk i shitemi Atij “trima” dhe njerëzve “dikushi”, jemi adhurues dhe falënderues të Zotit dhe vëllezër e krah i njerëzve, dhe gjithmonë në jetën praktike e kemi dëshmuar se nuk adhurojmë dikë tjetër pos Allahut dhe se, sa herë të kërkohet ndihma dhe krahu jonë tek njerëzit, jemi të gatshëm, dhe s’jemi asgjë më shumë sesa dëshmitarë të Allahut në tokë për mbarë njerëzimin.
Kemi dy burime në fenë tonë, Kur’anin (librin e Allahut) dhe Sunetin (traditën profetike). Nuk filozofojmë, nuk kallëzojmë përralla, nuk shesim mend, i besojmë këta dy burime dhe i pranojmë në jetë, por jo ashtu siç propozoni ju që “besimi të jetë shumë intim dhe privat”, e në jetën shoqërore me një fytyrë tjetër. Andej tjetër, këndej tjetër. Jo ashtu jo! Nëse nuk kemi nevojë për Zotin tonë në rrugë, në shoqëri, në shkollë, në punë, në park, në udhëtim, në salla, në tubime, në zyre e parlament, dhe nëse nuk na duhet udhëzimi i Zotit në këto raste, në çdo gjendje, atëherë ç’besim është ai, e çfarë Zoti është Ai, që ne t’i bindemi të izoluar nga jeta? Veçse kur jemi vetëm?
Allahu, i Cili shpalli Islamin sistem të jetës, thotë: “O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij (në tërësi dhe në çdo situatë)”. (Kur’an, 2:208)
Këtë pyetje e bëra sepse shumë po akuzohemi për shtrirjen e Islamit në jetën sociale dhe publike, një numri të islamofobëve i ka kapur frika, gjumin si gjumë nuk e bëjnë. Le të mos e bëjë i qetë! Tërë kohën është shqetësues për njerëzit e mirë. Sheh një të ri duke e falur namazin, një tjetër e sheh në rrugë duke i përshëndet shokët e tij me selam, tjetrin e sheh në bibliotekë duke lexuar Kur’an, thjesht sheh njerëz që adhurojnë, madhërojnë Zotin e çdo gjëje dhe përhapin fjalën e paqes, dashurinë dhe respektin. E ku qëndron e keqja këtu? Pse t’i frikësohemi, a pritet prej një të riut, i cili sapo ka dalë nga fakulteti me librat e shkencave të ndryshme, që posa t’ia mësyjë xhamisë, “të shpërthejë” ndonjë bombë prej tij, apo ta rrahë e ngacmojë dikë, apo të shkaktojë konflikte e përçarje në mes të dikujt?! Kurrë asnjëherë, as që ke me pa ndonjëherë, po pse gjithë këto akuza, etiketime dhe fjalë, kur të kundërtën e ka thënë Zoti?!
Allahu thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin të qetë nëpër tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” (Kur’an, 25:63)
Çka dallojmë ne besimtarët e pasluftës me ata të paraluftës vetëm se në numër dhe cilësi, asnjëherë në burim, parime e bazë, asnjëherë! Por tashmë shihet një rizgjim dhe vetëdijesim më i madh i muslimanëve, dhe kjo ka bërë që tash të mos jenë xhamitë e mbushura vetëm me të moshuar dhe aty-këtu ndonjë të ri, por të jetë e kundërta, shumica të rinj dhe atë, rinia më e shëndoshë dhe më e pjekur, pastaj hapësira për t’i kryer ca obligime fetare është më e gjerë. Dhe si rezultat disa nga obligimet islame që nuk janë praktikuar para luftës në mesin e shqiptarëve, por që kanë pasur bazë fetare, shkaku ishte se komunizmi ngushtonte hapësirat e tyre, tashmë pas luftës janë ringjallur, por nuk janë shtuar e shpikur, sepse në Islam ndalohet futja e risive në çështje të besimit, ne jemi në një zinxhir të përbashkët me pejgamberin e Zotit! E ku qenka e keqja?!
Komunizmi shkoi, e i humbtë fara përgjithmonë! Po çka t’u bëjmë gjurmëve të komunizmit, disa komunistëve, që tashmë janë pa librezë, por të njëjtën dinakëri e luajnë! Ateizëm në shek.XX, ateizëm në shek.XXI, sikur futbollistët, shpeshherë i ndërrojnë stadiumet dhe fanellat, por lojën assesi, të njëjtën e luajnë, edhe këta që janë bërë “hiper-modern”, e quajnë vetën laikë apo sekularistë, dhe maskohen këtu, duke u mbështetur në demokracinë bashkëkohore. Problemin e kemi me këta dinakë, manipulues e propagandues. Ua rikujtoj fjalën e një poeti, i cili ka thënë: “O ju komunistë, komunizmi shkoi, e ju mbetët gjallë, as që u ndalën xhumatë, e as që u shuan bajramet, e askush s’ka qarë për juve, xhumatë i kemi falë edhe në kohën e juaj, edhe në kohën tonë, nuk është mërzit askush për ju që keni shkuar”.
Duhet ta dimë një gjë. Është dëshira e Krijuesit që këta shqiptarë që deri dje e kishin të dobësuar fenë, t’ua forcojë dhe ringjallë në jetën praktike, me të vetmin qëllim, që t’ua rregullojë mirëqenien e jetës dhe në fund t’i mëshirojë dhe t’i bëjë prej banuesve të Xhenetit! Udhëzimi i drejtë është dëshira e Tij. E pse t’u vijë keq e rëndë atyre, sulmuesve të fesë? Është e habitshme. Shihet qartë errësira e zemrave dhe mendjeve të tyre. Mosbesimi i qartë!
Allahu thotë: “Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Vet”. (Kur’an, 6:88)
Lëndohen pse hoxhallarëve iu është dhënë hapësirë më shumë sesa para lufte, pasi dikur fjala e tyre dëgjohej vetëm në ceremoni të vdekjeve, apo në ndonjë gëzim të rrallë, dhe atë fjalë me rezerva, e nganjëherë edhe me kushtëzime. Ndërsa sot, hoxhallarët, për këtë falënderojmë Allahun dhe e lusim t’i forcojë hoxhallarët në thirrjen e tyre të drejtë, janë në nivele më të larta të besueshmërisë dhe dijes së pastër. Shohim hoxhë apo thirrës Islam në emisione televizive duke ligjëruar apo diskutuar tema të karakterit fetar, apo duke i qarë hallet me popull, apo duke ofruar përgjigje për pyetje të caktuara; shohim ndonjë hoxhë apo autor islam duke shkruar tema të karakterit fetar nëpër gazeta ditore e portale elektronike, gjithashtu edhe në radio, dhe kudo ku zëri dhe fjala është publike, ani pse ka nevojë t’u jepet edhe më shumë mundësi e hapësirë, por në krahasim me të kaluarën, tashmë ka një përparim në këtë drejtim. Pikërisht kjo i lëndon armiqtë e përparimit, të këndelljes, të zgjimit. Ne i porosisim ata që të shkojnë në “barnatoren” e quajtur Kur’an dhe aty do ta gjejnë menjëherë ilaçin shërues për dhembjet e tyre.
Dhe i ftojmë mediet tona, ku kumbojnë zërat e këtij lloji njerëzish, që të na japin edhe neve hapësirë që ta themi fjalën e Allahut! Fjalën e Krijuesit të çdo gjëje. Fjalën e burrave të mëdhenj, fjalën e sinqertë, të drejtë e të vërtetë. Edhe nëse do t’u shkaktonte neveri atyre. Le të mësohen të lexojnë e dëgjojnë mendimin ndryshe, atë që mendojmë e besojmë ne.
Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Nuk do të ketë shtëpi në të cilën nuk do të depërtojë Islami”. (Hadith Sahih, i vërtetë, transmeton Ahmedi, Ibën Hibbani, Hakimi)
Gjithashtu Allahu, Krijuesi i kësaj bote thotë: “Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, për ta bë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët”. (Kur’an, 9:33)
Ata inatin, urrejtjen, fanatizmin, mllefin dhe smirën që e kanë ndaj muslimanëve, mundohen ta shprehin në emër të “luftës anti-terror dhe anti-radikalizëm e anti-ekstremizëm”, duke u mbështetur gjithashtu në “lirinë e shprehjes”, pastaj edhe pushteti po i lejon dhe po i mbron. E kështu ata shkruajnë e flasin dhe zhvillojnë propaganda e projekte anti-fesë dhe anti-zgjimit të muslimanëve, mundohen t’i kthejnë përsëri në gjumë. Por jo, ka kaluar koha, drita ndriçoi, alarmi i zgjimit është dëgjuar dhe të përgjumurit po kthjellen. S’kemi më kohë. S’do të lejojmë që ju ta bëni jetën tuaj sipas qejfeve tuaja, ndërsa ne të jetojmë të mbyllur e të shtypur!
Ekstremizmi bie mbi ju, ju jeni armiqtë e dijes, sepse i luftoni dijetarët dhe hoxhallarët, të cilët janë mësuesit e njerëzimit dhe shtresa më e ndershme në tokë pas pejgamberëve, për të cilët Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve”. (Hadith i vërtetë, transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi)
Allahu, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, thotë: “Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët”. (Kur’an, 3:18)
Një dijetar, Ibën Kajimi, Zoti e mëshiroftë, kur fliste për vlerat e dijetarëve i radhiste kështu: “Së pari; ata janë dalluar nga njerëzit e tjerë për të dëshmuar, së dyti; Allahu e ka barazuar dëshminë e tyre me dëshminë e Tij, së treti; Allahu e ka barazuar dëshminë e tyre me dëshminë e melaikeve; së katërti; kjo nënkupton garanci për fenë, besimin dhe sinqeritetin e tyre, së pesti; Allahu i ka cilësuar ata si të dijshëm”.(Marrë nga libri i tij: Miftah Dari-s-Seadeh)
Andaj të mos u besoni atyre që nxisin urrejtje ndaj këtyre dijetarëve dhe hoxhallarëve, merreni fenë prej hoxhallarëve që kanë bërë studime të mirëfillta të Kur’anit dhe Sunetit, librit të Zotit dhe traditës profetike, kemi kuadro të mrekullueshëm hoxhallarësh që kanë studiuar në botën arabe me vite të tëra, të suksesshëm dhe shumë të mençur, e si të mos jenë të mençur kur ata ditë e natë notuan nëpër detin e quajtur Kur’an, duke i nxjerrë margaritarët më të mirë dhe më të shtrenjtë prej tij?!
Ata janë drita e syve tanë, janë kategoria më e artë e njerëzve të kësaj kohe, janë gjithmonë të freskët në mendje, me plot kuptimin e fjalës janë në shërbim të popullit ditë e natë, interesin e popullit e kanë parësor dhe para interesave vetjake, sa e sa halle dhe probleme i diskuton populli me ta dhe gjithmonë dëshmojnë gatishmëri t’u ofrojnë zgjidhje për ato probleme, zgjidhje, të cilat i marrin nga fjala e Allahut, Kur’anit Famëlartë, çështje, të cilat shumë sociologë e psikologë nuk mund t’i zgjidhin, a thua pse?! Sepse Islami është sistem jete. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët”. (Kur’an, 17:82)
A duke e luftuar thirrjen e hoxhallarëve në besim, dije e punë, tolerancë, mëshirë e paqe, bashkëpunim e bujari, ju synoni të fitoni pikë e nivele në karrierë dhe famë para njerëzve?! Duke i sharë, nënçmuar e etiketuar, të cilët kanë dhënë kontribut në luftë edhe në paqe?! Dhe jo që janë kundër Evropës e Amerikës, përkundrazi, kemi materiale prej tyre ku ata janë mirënjohës ndaj ndihmës që ka ardhur nga vendet e ndryshme të Botës, qoftë Amerika apo Arabia; ata s’janë kundër Evropës e kundër Amerikës, përkundrazi, ata i shohin me admirim arritjet, dhe thonë se ne duhet të marrim shembullin e mirë në shumë gjëra, sepse kemi shumë sende tona që ne i kemi humbur, ndërsa ata i kanë marrë prej nesh, prej fesë sonë të pastër dhe kanë ecur përpara; prej saj, vlera e pastërtisë në rrugët publike, por ne nuk shkojmë duarthatë, u ofrojmë vlerën e besimit dhe vlera tjera që vërtetë tradicionalisht i kemi trashëguar e kultivuar me shekuj! Një pjesë e botës vuan që t’i ketë sikur ne, si për shembull kemi vlerën e mikpritjes, bujarisë, respektit etj., kemi familjen; kështu ne në BE i gërshetojmë vlerat dhe kompletohemi si duhet, por jo t’i shesim dhe humbim vlerat tona e pastaj të bëhemi imitues të verbër në gjithçka, qoftë e mirë ajo që ndiqet apo e keqe. Ne jemi kundër shpërbërjes së familjes, jemi kundër shfrytëzimit të femrës si objekt kënaqësie, jemi kundër keqpërdorimit të pasurisë, jemi kundër shthurjes morale të rinisë, por ne njëkohësisht vlerësojmë atë që është e pastër dhe e bukur, kudo qoftë ajo, në Evropë apo Amerikë. E keqja nuk duhet ndjekur e vlerësuar qoftë edhe në shtëpitë tona! Jo, s’jemi kundër askujt veçse gjërave që shkatërrojnë njerëzimin. Duhet të jetojmë si shoqëri e përbashkët, dhe globalizimi po na afron dita-ditës, nuk synojmë të jetojmë në Hënë, jemi në tokë, por mos ta harrojmë Krijuesin e qiejve dhe të tokës. Thirrja jonë, ta njohim esencën e jetës, të ekzistencës.
Dhe teza se lindja (vlerat islame) dhe perëndimi (vlerat euro-perëndimore) përplasen dhe nuk mund të bashkëjetojnë, dhe se hoxhallarët po mundohen të sjellin kulturë arabe, është tezë e paargumentuar si duhet, është larg prej të vërtetës, sepse e ceka më lartë, me gërshetim të vlerave dhe vendosje të secilës në vendin e duhur, duke mos dalë nga parimet bazë, mund të bashkëjetohet dhe bashkëveprohet, dhe hoxhallarët që kanë studiuar në botën arabe dhe tash punojnë si imamë dhe thirrës në Kosovë, mund të jenë të ndikuar prej kulturës arabe, por jo pse e sjellin kulturën e tyre në trojet tona. Synimi është, mësimet islame. Çdo thirrje e tyre ose e ka vendin në Kur’an (librin e Allahut), ose në Sunet (traditën profetike).
Përkundrazi, ateistët, figurat e njohura që kanë pasur ndikim në shqiptari, ata kanë sjellë kultura të huaja, sepse ata të rinjve tanë në shkolla ia kanë futur nëpërmjet shkollave të artit, tragjedinë e dashurisë ndërmjet Romeos dhe Xhulietës; kjo është kulturë italiane, fare me ne s’ka të bëjë, por ata e kanë bërë të veten, i kanë arritur qëllimet, duke u munduar me i nxjerrë nga Islami, u kanë futur brenda kultura të huaja, duke ju qit hi syve, duke ua mjegulluar rrugën drejt Islamit, lloj-lloj kulture e vlere ua kanë futur brenda, dhe i kanë gjetur disa të dobët dhe i kanë mashtruar.
Artikujve dhe projekteve të fundit të publikuara sidomos në mediumet e shkruara ua kanë pa sherrin ata njerëz, që nuk kanë qenë të informuar sa duhet me realitetin e Islamit dhe muslimanëve, se sa i ëmbël është ky Islam dhe se sa mirë që është të jesh i vëllazëruar me muslimanë, ata të kundërtën e kanë bërë, krejt për qëllime të kësaj bote, interesa të ndryshme, duke u thirrur në “shpëtimin e rinisë prej vehabizmit, terrorizmit, arabizimit, prapambeturisë e zhveshjes nga identiteti shqiptarë etj”, thuajse ne kemi sjellë kushtetutë të re etj.
Harrojnë se të njëjtin Kur’an që e kishte planprogram Muhamedi alejhi selam me shokët e tij, dhe gjeneratat pas tij, e kemi edhe ne, fjalë për fjalë, verset për verset, kaptinë për kaptinë, nuk e di ku po e shohin terrorizmin këtu, ku po i shohin risitë, ku po i shohin thirrjet anti-shkencore e anti-kombëtare, kur ne shpeshherë lexojmë dhe marrim mësime nga ato versete kur’anore që na nxisin për paqe, për dije, për punë, për bashkim, për tolerancë, për mirëkuptim, për bujari e zhvillim, pastaj ku është rreziku tek unë që ta pasoj një libër, i cili e konsideron vrasjen e një njeriut sikur vrasje masive të mbarë njerëzimit, dhe shpëtimin e një njeriut sikur shpëtim masiv të mbarë njerëzimit, ku është rreziku këtu, të shpëtosh njerëz është ekstremizëm?!
Le ta përcjellin ata një “ekstremist” besimtar nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke ia vëzhguar për së afërmi veprat dhe fjalët e tij, dhe pastaj le të na tregojnë neve si ishte dita e atij, ekstreme, apo … !
Ku qëndron rreziku që ne të marrim mësime dhe udhëzime nga hoxhallarët dhe dijetarët e mirëfilltë, të cilët janë sikur ilaçi për sëmundje dhe sikur drita për errësirë, të cilët nuk janë si qiriu, i cili bën dritë për të tjerët, ndërsa vet digjet, por janë sikur dielli, dritë për vete dhe dritë për të tjerët, janë sikur trëndafili, erë të mirë për vete dhe erë të mirë për të tjerët. Të cilët përpiqen të sqarojnë hallallin (të lejuarën) dhe haramin (të ndaluarën), të cilët duke iu referuar 850 ajeteve kur’anore që nxisin në dituri, ata porositin të shkohet në shkollë dhe universitet të gjithë, që të nxirren kuadro dhe intelektualë të vërtetë, ku ka rrezik të pasohen këta dijetarë, prijësit më të denjë të Umetit Islam (komunitetit të muslimanëve)? Për të cilët Muhamedi alejhi selam ka thënë:“Banorët e qiejve dhe banorët e tokës, madje edhe peshku në ujë kërkojnë falje për dijetarin, vlera e dijetarit para adhuruesit të thjeshtë është si vlera e (ndriçimit) hënës para (vezullimit të) yjeve”. (Hadithi i vërtetë, në Sunenin e Ebu Davudit dhe të Tirmidhiut)
Sa e sa probleme të pazgjidhura i ka shoqëria jonë shqiptare, që duhet kohë, punë dhe investime të mëdha për të ardhur deri te zgjidhja e tyre, probleme që vërtetë na e kanë dëmtuar imazhin para botës, intelektualisht na kanë çuar prapa, duke rritur kështu shkallën e analfabetizmit, sipas statistikave niveli i analfabetizmit është 40%, krime mbi krime, kontrabanda mbi kontrabanda, korrupsion mbi korrupsion, papunësi etj, që në krahasim me botën ne as në bisht s’kemi vend për t’u ulur!
Në vend se të merremi shembull me uljen e shkallës së papunësisë, si ta shtojmë prodhimtarinë në tokat shqiptare, si të krijojmë vende pune me standarde të larta, si ta nxjerrim nga kriza atë rini që trafikohet dhe abuzohet ditë e natë dhe torturohen për një kafshatë buke, sa e sa kontrabanda me drogë e elemente tjera që vrasin moralin e popullit dhe e varrosin atë menjëherë, ndodhin, sa me pak seriozitet shkon mënyra e dhënies dhe marrjes së diturisë në institucionet tona arsimore, ku kemi mungesë të kuadrove, e pastaj problemet sociale, si vetëvrasja e vëllavrasja, e të panumërta, gazetarët në vend se të merren me trajtimin e këtyre problemeve pak më shumë, ata e konsiderojnë kulminacionin e suksesit të tyre kur në ballinë të gazetës së tyre publikojnë përshembull temë me titull: “Kosova rrezikohet nga radikalistët islamikë!”
Radikalizëm ju duket mbajtja e mjekrës, po ju jeni ata që kur të lind një fëmijë mashkull i thoni: “U rritsh e u bëfsh plak me mjekër!” Po edhe “babadimri” ka mjekër, për çdo festë të vitit të ri ju i qoni fëmijët të fotografohen me “babadimrin”, i cili e ka mjekrën e shprishur dhe tejet të madhe! Pastaj ju jeni ata që kur e shihni fotografinë e Skenderbeut me mjekër në çdo klasë të çdo shkolle, nuk e ngrini zërin kundër mjekrës së tij, e mjekër kishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari, e shumë figura tjera, po ju ka bërë zhibël në sy vetëm mjekra e muslimanëve. Mjekër kishin rilindësit tanë. Kanë fytyrat më të ndritura. Ishin ekstremistë e radikalë?!
Pastaj ju duket ekstremizëm mbulesa e femrave muslimane! Mbulesa e Terezës në rregull, hë? Po mbulesa e valltareve të ansamblit “Shota”, as mbulesa e gjysheve dhe stërgjysheve tona, as mbulesa e “motrave të nderit”, por vetëm mbulesa e muslimaneve?! Çfarë gjykimi skandaloz!
Shfletojeni Kur’anin, në kaptinën nr.24, ajeti nr.31, dhe do të bindeni se mbulesa ka bazë në Kur’an, dhe qëllimi i mbulesës është mbrojtja dhe sigurimi. Kjo është e drejta e femrës, të cilën të drejtë e ka në duart e saj, të garantuar nga Allahu, e ty të doli rendi me i thanë “në shkollë të mos shoh të veshur”? Ty që të ka marrë pusi, që e ke harruar Allahun, Krijuesin tënd, ke humbur veten synon t’i humbësh edhe të tjerët?! Ti s’ke fituar gjë, edhe nëse fitove një pozitë, një ditë gjithçka në pluhur do të kthehet!
Ju pastaj na akuzoni neve kinse ne thërrasim në Sheriat, faktikisht ne Sheriatin e mbrojmë dhe do ta mbrojmë deri ditën e Gjykimit, sepse nuk ka sistem në botë që është ideal për çdo njeri, për çdo kohë dhe për çdo situatë, sikur Islami! Këtë gjithsecili një ditë do ta kuptojë dhe do të bindet. Po Sheriati është e drejta e Allahut në tokë, edhe nëse unë thërras, mos po thërras në ndonjë ideologji apo sistem timin, jo asnjëherë, Allahu thërret që e drejta e Tij të vendoset në tokë që të mbizotërojë harmonia dhe paqja, ku ke pa ti si punëtor i ndonjë kompanie mos ta përfillësh rregulloren e kompanisë dhe në fund t’ia kërkosh rrogën, mendon se paguhesh nëse krye në vete punon?! Allahut i takon shembulli më i lartë, por njerëzit nuk e kuptojnë.
Ne s’jemi të pagabueshëm, gabojmë, por nëse unë gaboj, mos i etiketo të tjerët në faqen e gabimit tim, dhe mos e merr gabimin tim ta vësh në portretin e Islamit, ti me qenë polic në trafik dhe po shkela në semaforin e kuq, ti në këtë rast çka bën, a më ndalon vetëm mua, apo i ndalon të gjithë shoferët, të fajshëm e të pafajshëm?!
Gazetarët do të duhej të ishin shërbyes të shoqërisë. Jo rrënues të saj. Të jenë më të drejtë, më të devotshëm. Janë bartës të lajmit, të asaj që ndodh. Por nuk po qëndron kjo. Një pjesë e madhe e gazetarëve i zmadhojnë problemet dhe po i portretizojnë në faqen e Islamit dhe komunitetit të muslimanëve në Kosovë! Kjo një përpjekje shumë e ulët, që dëshmon joprofesionalizmin dhe jokorrektësinë e gazetarëve. Andaj le të jenë sa më të argumentueshëm, sepse populli nuk jeton gjithmonë në mjegull, edhe nëse ua bëni mjegull, ata i ndezin dritat kundër mjegullës dhe ecin para për ta parë realitetin. Pra, s’është aq budalla ky popull të hajë gjithçka që i ofrohet. E lodhën popullin, siç e lodhi dje armiku. Sot po e bëjnë bijtë e tij!!!
Pra, unë që nuk e ndoti mjedisin kurrë dhe që nuk pështyj në tokë kurrë sepse besoj se ndotja dhe dëmtimi i mjedisit m’i cenon bindjet time fetare, duke e konsideruar haram, qenkam ekstremist?
Unë mendoj që nuk ka nevojë t’i mësohet peshkut noti, andaj mos na tregoni neve çka është Islami, pse ti e ke një emision në një TV, apo e ke një faqe në një gazetë, apo një portal në internet, mos e keqpërdor me propagandë kundër fesë së këtij populli! Mjaft më! Po ia qet vetëm vetes faqen e zezë, askujt tjetër. Ruaju hidhërimit të Sunduesit të çdo gjëje!
Le të bëhemi ura lidhëse e jo mure ndarëse, të bëhemi miq e jo armiq, përderisa po jetojmë në të njëjtin vend, jemi të një kombi e gjuhe, besa edhe si muslimanë ndoshta deklarohemi që të dy, pse atëherë t’ia bëjmë njëri-tjetrit gropën?!
Këto çka ndodhën, ndodhën, mund të mos ndodhin më, afroni hoxhallarët sepse ata ju tregojnë se si shkohet në Xhenet, ata ju tregojnë si të dilet nga kriza dhe si t’i rregullojmë raportet me gjithçka në paqe e dashuri, mëshirë e tolerancë; ata ju ofrojnë zgjidhje për problemet e mëdha që i ka kjo shqiptari, thojini lamtumirë atyre bindjeve të gabuara që i ka mbjellë komunizmi për hoxhallarët, se, ata janë kështu e ashtu, se feja është opium, se njeriu jeton e vdes dhe asgjë më shumë, se këta janë “ekstremistë” etj. Bota më e zhvilluar po i kthehet Islamit, besimit në një Zot të vetëm! Bëjeni edhe ju. Ndiqni zhvillimin. Zgjimin.
Le ta hapim tash një faqe të re të jetës, të bëhemi të sinqertë, seriozë dhe të vërtetë, e jo ekstremistë, se ekstremizmi është i urryer, ta njohim Zotin si Ai kërkon, në urtësi e maturi, paqe e dashuri!
Ejani të bashkohemi për të mirën e të gjithëve.
Mjaft kemi vuajtur.
Le të sundojë paqja, le të përparojmë!
Autor: Labinot Kunushevci
Redaktura fetare: Hoxhë Fadil Musliu
Redaktura gjuhësore: Prof. Avni Tafili
Burimi: Albislam.com