BallinaPse ISLAMI?Të tjerët për IslaminMendjemadhësia - Dr. Shefqet Krasniqi

Mendjemadhësia – Dr. Shefqet Krasniqi

Askush nuk mund ta mohojë faktin se njeriu si krijesë e dobët, në veten e tij ka hajr dhe ka sherr. Ai është i përgatitur të bëjë mirë, por të bëjë edhe keq. Për këtë ka thënë Allahu:

Ai i ka në dorë të dy mundësitë, të jetë njeri i mirë, i sinqertë, i vyeshëm e i dobishëm për veten e tij, familjen dhe shoqërinë. Ashtu siç ka mundësi të jetë edhe njeri i keq, i dëmshëm për veten dhe të tjerët. Ai di të jetë i urtë, i mençur, i devotshëm, modest etj. ashtu siç di të jetë edhe i vrazhdë, përtac, kokëfortë, mendjemadh etj. Zaten, në këtë mënyrë edhe klasifikohen njerëzit.

Ndër cilësitë më të këqija dhe më të dëmshme që mund t’i ketë një njeri është edhe mendjemadhësia, t’i pëlqejë vetja e tij, t’i duket se askush nuk është si ai, e as më i mirë se ai. Kjo veti është ndër më të ligat dhe më të ulëtat, ndër më të urrejturat tek Allahu i Madhëruar.

Mendjemadhësia ia pezullon dhe ia tërheq njeriut cilësitë e mira dhe ia vesh të këqijat. Shumë herë shkakton edhe përçarje dhe urrejtje mes njerëzve. Mendjemadhësia e ndalon personin e tillë që t’i pranojë këshillat, sepse ai e ndjen veten më të madh sesa të tjerët dhe si i tillë ai nuk konsultohet fare me të tjerët, e edhe nëse e këshillojnë, ky ua refuzon, ngase uni i tij nuk e lë atë ta pranojë këshillën e tjetrit, madje edhe nëse ajo është në interes të tij. Duke qenë person i tillë, ky zakonisht më shumë gabon sesa ia qëllon.

Ç’është edhe më e keqe, ky person nuk ka mundësi të përmirësohet, sepse nuk e pranon hakun dhe kështu mbetet i ultë. Dhe e keqja e të gjitha të këqijave është se ai nuk e di se është i ultë, refuzon nëse këshillohet nga dikush, nuk pranon të përmirësohet e të ngritet dhe si i tillë mbetet i dëmshëm për shoqëri. Mendjemadhësia është veti e shejtanit të mallkuar, është vetia që e pengoi atë t’i përulet Ademit a.s. kur e urdhëroi Allahu xh.sh. dhe si i tillë u mallkua dhe u largua nga mëshira e Allahut.

Shejtani i mallkuar nxit dhe përkrah mendjemadhësinë. Çdo njeri që e ka këtë veti, ai ka një veti shumë të fortë të shejtanit. Kjo veti nuk i la shumë mbretër e njerëz tjerë ta pranojnë të vërtetën para profetëve apo të dërguarve të Allahut. Kjo veti edhe sot e kësaj dite nuk i lë njerëzit ta pranojnë të vërtetën, të përulen para hakut e realitetit. Mjerisht, kjo veti sot është e përhapur me të madhe edhe në shoqërinë tonë, në veçanti tek ata të cilët kanë bërë sado pak pasuri, apo kanë hipur në pushtet.

Shumë prej tyre u është rritur mendja aq sa hezitojnë t’u flasin të tjerëve, nuk njohin askënd, ngase janë bërë “të mëdhenj” dhe kjo është pasoja fatale e këtij vesi, të mendosh se je “ i madh”, se nuk ke nevojë për askënd, bile as për Zotin, e lëre më për të tjerët. Ata mendojne mu të kundërtën, që të tjerët kanë nevojë për ta.

Kjo veti nxit urrejtjen e të tjerëve, sepse përjetë, kurrë, askush nuk e do mendjemadhin, as familja e tij, të afërmit e tij, aq më pak të tjerët. Nëse të tjerët i nënshtrohen apo e përkëdhelin, e bëjnë këtë nga frika që kanë prej tij, nga nevoja apo interesi, e asnjëherë nga dashuria.

Atë nuk e do as Allahu, ai te Zoti nuk ka kurrëfarë peshe, dhe për këtë shkak, na ka treguar Pejgamebri a.s. se atë njeri Zoti do ta ringjallë të vogël sa një buburrec, por në formë njeriu, të cilin do ta shkelin të gjithë njerëzit pa e vërejtur fare.

Për më tepër, Pejgamberi a.s. në një hadith tjetër na ka treguar se personi i cili ka mendjemadhësi sa grimca nuk do të hyjë në xhenet.

Nga ky kontest islami synon që njeriun ta ngrisë, ta vetëdijësojë, ta pajisë me veti të mira e të dobishme në mënyrë që ai të jetë sa ma frytëdhënës për veten e tij, familjen dhe shoqërinë.

Islami nxit dhe stimulon njeriun të përpiqet në maksimum të pajiset me cilësi të mira, t’i luftojë veset e liga, duke u përpjekur që të zhvishet prej tyre dhe jo vetëm kaq, por edhe të lutet që Allahu t’ia bëjë moralin e etikën sa më të përsosur dhe ta ruajë nga çdo ves i keq, ves i shejtanit të mallkuar, i cili është shumë i interesuar që njeriun ta përulë, ta nënçmojë, ta poshtërojë në këtë botë para se të dalë në botën tjetër ku do të poshtërohen që të dytë, edhe shejtani edhe personi i cili e ka dëgjuar.

Pejgamberi a.s. lutej edhe në namaz që Allahu ta ruajë nga mendjemadhësia, ashtu siç lutej ta ruajë edhe nga çdo ves tjetër i keq, luste Allahun që t’ia përmirësojë etikën, moralin, karakterin. Kështu duhet të veprojmë edhe ne, të largohemi nga çdo ves i dëmshëm, e ndër ta edhe nga mendjemadhësia, nëse duam të jemi të mirë e të dashur tek njerëzit, në familje dhe në shoqëri.

Allahu na bëftë që të jemi sa më larg mendjemadhësisë dhe çdo vesi a dukurie tjetër negative.

Lusim Allahun të na pajisë me sa më shumë veçori të mira. Amin.

Dr. Shefqet Krasniqi

Must Read