Mendjemadhësia ky mëkat i madh dhe ves i përçmuar!2 min read

0
427

Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi sa një thërrmije.“ (E shënon Muslimi, numër 147)

Komenti

Feja islame është fe e moraleve fisnike dhe virtyteve të larta, prandaj urdhëroi për butësi, thjeshtësi e mëshirë, sikundërqë ndaloi nga mashtrimi, mendjemadhësia dhe kryelartësia.

Ky hadith përmban paralajmërimin e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) për mendjemëdhenjtë, të cilët i nënvlerësojnë njerëzit dhe tregohen kryelartë ndaj tyre. Pra, mendjemëdhenjtë nuk do të hyjnë në Xhenet. Allahu i kërkojmë falje dhe shpëtim!

Kuptimi i fjalës së të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem): “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi sa një thërrmijë.” është tregues se mendjemadhësia është çështje e rrezikshme, madje edhe nëse është e paktë sa një thërrmijë, e cila është njësi jashtëzakonisht e vogël.

I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) na ka treguar kuptimin e mendjemadhësisë, kur ka thënë: “Mendjemadhësi është refuzimi i së vërtetës dhe nënvleftësimi i njerëzve.” (E shënon Muslimi, numër 91)

Ajo që tregon për ndalimin dhe përçmimin e mendjemadhësisë është fjala e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem): “Ai që lavdërohet ose ecën me mendjemadhësi, do ta takojë Allahun duke qenë i hidhëruar me të.” (E shënon Buhariu në el Edeb el mufrad, numër 549) Zinxhiri i transmetuesve është xhejjid (i mirë). Kur e dimë se mendjemadhësia është mëkat i madh dhe ves i përçmuar, është obligim yni të largohemi prej saj dhe të veprojmë vepra të mira që na largojnë nga ajo, fjala vjen, pranimi i këshillës, dorëzimi para së vërtetës, dashuria e fukarenjve, të dobëtëve, nevojtarëve, shërbëtorëve etj.; sjellja butë ndaj tyre, kujdesi për ta e thjeshtësia ndaj tyre, se kjo e pastron zemrën dhe e liron egon nga mashtrimi, vetëlavdërimi dhe mendjemadhësia.

Burimi:
Libri: Dyzet hadithë për fëmijë
Autor: Muhamed ibn Sulejman el Muhema