18 Marsi është dita përkujtuese e një nga betejave dhe lavdive që është shkruar në historinë moderne, të gjyshërve tanë. Pra, beteja e Çanakkalasë.
Në shumë epitafe, të dëshmorëve të kësaj beteje, gjeni mbiemra Gashi, Krasniqi, etj, etj, të cilët tregojnë gatishmërinë e pashoqe të gjyshërve tonë, për ta mbrojtur shtetin e tyre aso kohe (Perandorinë Osmane).
Veçantia e këtij ballafaqimi është se përballë trupave osmane, ishin fuqitë aleate (forcat detare angleze të përkrahura edhe nga anijet franceze me gjithë ushtrinë dhe makinerinë luftarake të fuqive aleate të Antantës, të cilëve me potencial njerëzor u arritën ndihma me vullnetar edhe nga vende shumë të largëta si Australia dhe Zelanda e Re), të cilat u mundën turpshëm në këtë betejë.
Se gjyshërit tonë ishin burra të vendosur(me besim të palëkundur te Zoti i madhërishëm), dhe të cilët nuk u dorëzuan asnjëherë në mbrojtje të vatanit dhe identitetit të tyre, tregojnë edhe eksponentë të lartë ushtarakë dhe politikë, të forcave aleate.
“Ne na mundi jo forca materiale e turqve, por forca moralo-shpirtërore e tyre! Sepse atyre s’u pati mbetur as baruti për të qëlluar! Kurse ne i vëzhguam forcat që zbrisnin nga qielli!” (Komandanti anglez, historiani Hamilton i cili kishte marrë pjesë në luftën e Çanakalasë).
Me këtë rast është interesant të theksohen edhe deklaratat e ish ministrit anglez të luftës Vinston Çerçil, i cili gjerë atëherë ua kishte mbushur mendjen aleatëve, veçanërisht qeverisë angleze që lëkundej, për ta marrë vendimin e sulmit, duke u dhënë garanci pas garancie duke iu shprehur atyre që të mos bëhen merak “se pikërisht me ato rrobe marine që kishte mbi trup do të ulej mbi fronin e osmanëve”, ndërsa ishte nxjerrë para gjykatës pas disfatës, në një çast kur ishte vënë shumë ngushtë nga pyetjet e rënda e qortuese të trupit gjykues, bërtiti kështu: “A nuk e kuptoni se në Çanakala ne luftuam jo me osmanët, por me Zotin? Dhe, natyrisht që do të mundeshim!…”
Se sa i fortë ishte nami dhe lavdia e kësaj beteje(Çanakkalaja), ndër shqiptarë, tregon më se miri kënga/poezia e kënduar brez pas brezi ndër ne.
Çanakkale
N’Çanakkale u nisa unë pej Stambollit
Oh lumja nona ku po m’qon karshi dushmanit
Oh për t’rijt tonë aman
N’Çanakkale mrena topi bubullon
Oh ku po bjen gjylja vlla, aty ujë gufon
Oh për t’rijt tonë aman
N’Çanakkale mrena, n’fusha t’mejdanit
Aty ishin kanë mbledhun vlla, trimat e xhihadit
Oh për t’rijt tonë aman
N’Çanakkale mrena,u vrava, u varrova
Tri ditë pa m’dalë shpirti vlla, vorrin e kërkova
Oh për t’rijt tonë medet
N’Çanakkale mrena,na u ba terr e zi
Ah t’vramit e t’varruemit, nër çadër tuj shti
Oh për t’rijt tonë medet
N’Çanakkale mrena, nisi me ra shi
Ah n’atë zavallë t’shpirtit vlla, m’mur malli për shpi
Oh për t’rijt tonë aman
N’Çanakkale mrena, ni bunar mjedis
Oh mos e pini ujtë oh vllazën, e kan xeherlisë
Oh për t’rijt tonë aman
Dola pej Stambollit, me pa selamet
Ah nanës tonë e babës tonë, ymri ju k’putë krejt
Oh për t’rijt tonë aman
N’Çanakkale mrena,na mloj tymi i zi
Oh urdhni erdh pej mbretit vlla, hygjym me singi
Oh për t’rijt tonë aman
N’Çanakkale mrena, dola me ni skejë
Oh ballanat po shkojnë përpjetë, xhyphane tue djegë
Oh për t’rijt tonë aman