Namazi i sabahut dhe mynafikët
Atëherë, a e falë namazin e sabahut me xhematë në xhami çdo ditë?
Dije vëlla, se përkujdesja për namazin e sabahut me xhematë ka rëndësi të veçantë.
Nga Ebu Musa el-Esha’rij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Kush e fal sabahun dhe ikindinë do të hyj në Xhennet.”
Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Dy rekatet e sabahut janë më të vlefshme sesa e gjithë dynjaja dhe çka ka në të.”
Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Përgëzoni ata që ecin natën drejt xhamive me dritë të plotë ditën e gjykimit.”
Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Kush e fal sabahun është nën mbrojtjen e Allahut.”
Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Kush e fal namazin e jacisë me xhematë është sikur të jetë falur gjysmën e natës, dhe kush e fal sabahun me xhematë është sikur të jetë falur gjithë natën.”
Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk do të hyj në zjarr ai që është falur para se të lindë dielli dhe pasi të perëndon.”
Transmetohet se Haxhaxhi e ka urdhëruar Salim b Abdilah që ta mbytë një person, por Salimi e pyeti atë: “A e ke falur sabahun?” Ai (njeriu) iu përgjigj: “Po.” Salimi i tha: “Largohu.” Haxhaxhi e pyeti: “Çka të ndaloi që mos ta mbysësh? Salimi tha: “E kam dëgjuar babin tim se ai e ka dëgjuar Muhamedin, alejhi selam, duke thënë: “Kush e fal sabahun është nën mbrojtjen e Allahut”, dhe e urreja ta mbysja dikë që është nën mbrojtjen e Allahut.
Muhamedi, alejhi selam, na ka lajmëruar se namazi më i rëndë për mynafikët-hipokritët është namazi i sabahut dhe jacisë.
Shejtani vrapon që të ndaloj besimtarin nga punët e hairit, por të përmendurit e Allahut nga ana e besimtarit i jep atij forcë në vete, ia hap gjoksin, dhe ia largon përtacinë.
Shkaqet që të ndihmojnë për faljen e namazit të sabahut:
1- Veprimi i punëve të mira gjatë ditës.
2- Sinqeriteti për Allahun dhe ky është udhëheqësi-emiri i punëve të mira.
3- Dhikri i gjumit, dhe fjetja duke qenë me abdes.
4- Lutja
5- Të fjeturit herët.
6- Vendosmëria për t’u ngritur për namazin e sabahut.
7- Bashkëpunimi mes vëllezërve për ta ngritur njëri-tjetrin për namaz.
8- Përdorimi i orës, telefonit për t’u zgjuar.
9- Nëse të del gjumi ngritu menjëherë nga shtrati.
10- Shpërblimi i përgatitur për faljen e namazit
11- Porositja e fqinjëve që të thërrasin për namaz.
Përmblodhi dhe përshtati: Valdet Kamberi
Burimi: www.islamifejaevertete.com