BallinaPraktikaHaxhiNdikime i haxhit dhe objektivat e tij në mes realitetit dhe asaj...

Ndikime i haxhit dhe objektivat e tij në mes realitetit dhe asaj që kërkohet

 

Pyetja:

I kam parë në televizion pamjet ku haxhilerët vërshojnë drejt Qabes – shtëpisë së Allahut dhe menjëherë emocionet e mia lëvizën dhe më lotuan sytë para kësaj pamjeje madhështore … ah sikur të kisha qenë me ta e të fitoja me një fitore të madhe.

     Pyetja ime është: Çfarë gjurmë te muslimanët dhe Islami lë ky tubim i madh? Dhe çka duhet të ketë parasysh haxhiu kur të niset drejt Shtëpisë së shenjtë të Allahut?

     Përgjigja:

     Falënderimi i takon Allahut …

     Të falënderojmë për këtë pyetje dhe interesimin e treguar dhe e lusim Allahun t’u jep sukses atyre që kanë bërë haxhin që t’iu falen mëkatet, e për ata që nuk e kanë bërë haxhin t’iu jep atë që dëshirojnë dhe t’i mbron nga ajo që nuk e dëshirojnë … Amin.

     Për sa i përket objektivave të haxhit dhe synimeve prej tij ato janë të mëdha dhe të larta, e këtu do t’i përmendim disa prej tyre:

1.  Lidhja me Pejgamberët (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ta) që prej babait tonë Ibrahimit i cili e ndërtoi Qaben e gjer te Pejgamberi ynë, Muhamedi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i cili e respektoi lartë shenjtërinë e Mekës. Haxhiu përkujton kur lëvizë për të kryer  ritet e haxhit ecjen e këtyre njerëzve të pastër në këto vende të ndershme.

     Muslimi transmeton nga Ibn Abasi i cili thoshte:

“Kemi ecur me Pejgamberin (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) mes Mekës dhe Medines dhe kur kaluam pranë një lugine tha: Cila luginë është kjo? Ata i thanë: Lugina El Ezrek. Atëherë ai tha: Po më duket sikur po e shikoj Musain (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) … i cili po kalonte në këtë lugine dhe kishte vendosur gishtat e tij në vesh dhe e thoshte telbijen me zë të lartë. Pastaj tha: Më pas kemi ecur gjersa kemi arritur në një ngushticë e ai tha: Cila ngushticë është kjo? Ata i thanë: Hersha apo Lift. Atëherë ai tha: Sikur po e shoh Junusin i cili po kalonte në këtë luginë dhe ishte i hipur në një deve të kuqe. Të veshur kishte një xhybe prej leshi e kapistra e devesë së tij ishte nga fijet e hurmave dhe e thoshte telbijen.”

2. Bardhësia e rrobave dhe pastërtia e tyre është tregues i pastërtisë së anës së brendshme, pastërtisë së zemrës dhe bardhësisë së mesazhit dhe metodologjisë. Me këto rroba largohet zbukurimi dhe publikohet nevoja e njeriut për Allahun. Me to përkujtohet vdekja ku ihramat janë rroba të ngjashme me qefinin, sikurse me veshjen e tyre njeriu përgatitet për të shkuar te Allahu i lartësuar.

3.  Bërja e nijetit nga Mikati e mishëron adhurimin dhe robërinë ndaj Allahut përmes respektit dhe nënshtrimit ndaj urdhrit dhe ligjit të Tij. Askush nuk e tejkalon mikatin, sepse ai është urdhër i Allahut dhe ligj është ajo që e ka ligjësuar Ai. Në këtë e shohim edhe unitetin mes umetit dhe sistematizimin dhe përpikërinë ashtu që të mos ndodh ndarje e as mospajtim në përkufizimin e mikateve.

4. Haxhi është simbol i tevhidit (besimit) që nga momenti i parë kur e fillon atë haxhiu. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur përshkruan mënyrën e kryerjes së haxhit të Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të):

“Pastaj thirri me tevhid(thirrjen e monoteizmit): Leb-bejkAllahum-me ve leb-bejk, leb-bejke la sherike leke leb-bejk. In-nel Hamde ven Ni’mete leke vel Mulk la sherike leke.”[1]

5. Përkujtimi i Ahiretit, atëherë kur të mblidhen njerëzit në një vend të vetëm në Arafat dhe në vendet e tjera dhe mes tyre nuk ka ndryshime e as grada, të gjithë në këtë vend janë të njëjtë askush nuk ka të drejtë më shumë se tjetri.

6. Haxhi është simbol i unitetit, ngase haxhi i ka bërë njerëzit të barabartë në rrobat, veprat, ritet, kiblen dhe vendqëndrimet e tyre askush nuk ka merita më shumë se të tjerët: Mbreti dhe njerëzit e tjerë, i pasuri dhe i varfëri janë në një peshojë.

     Njerëzit janë të barabartë në të drejta dhe obligime. Ata në këtë Shtëpi të Shenjtë janë të barabartë dhe nuk ka dallim mes ngjyrave, nacionaliteteve dhe askush nuk posedon të drejtën të bëj dallime mes tyre.

            Unitet në ndjenja … unitet në rite dhe simbole

                   Unitet në synim … unitet në vepër

     Unitet në fjalë: “Njerëzit janë prej Ademit dhe Ademi është krijuar nga dheu. Arabi nuk ka të drejta më shumë se i huaji e as i bardhi më shumë se i zi, u vetëm se me devotshmëri.”

     Më shumë se dy milion myslimanë qëndrojnë në një vend të vetëm .. me rroba të njëjta … për një synim … nën një simbol .. e adhurojnë një Zot .. dhe e pasojnë një Pejgamber … e çfarë uniteti është më i madh se ky.

Allahu i lartësuar thotë:

S’ka dyshim se ata të cilët nuk besuan dhe pengojnë prej rrugës së All-llahut dhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes), të cilën Ne e bëmë të barabartë për njerëz, qofshin vendas ose të ardhur, dhe kushdo që të përpiqet të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat, Ne kemi për t’ua shijuar një dënim të idhët. (El Haxh: 25)

7. Haxhi është edukim për vetëmjaftim në rroba dhe vendbanim. Haxhiu vesh një copë dypjesëshe dhe i mjafton dhe banon në një vend sa për të fjetur dhe edhe kjo i mjafton.

8. Frikësimi i jobesimtarëve dhe të devijuarve me këtë tubim madhështor të myslimanëve, sepse edhe nëse ata janë të ndarë dhe kanë mospajtime tubimi i tyre me gjithë mospajtimet mes tyre në një kohë dhe vend të caktuar tregon për mundësinë e bashkimit të tyre për diçka tjetër.

9. Sqarimi i rëndësisë së bashkimit dhe unitetit mes myslimanëve. Ti e sheh se çdo njeri udhëton i vetëm ndërsa në haxh e gjen se udhëton në shoqëri të një grupi …

10. Njohja për së afërmi me gjendjen e myslimanëve përmes burimeve të sigurta. Ku myslimani dëgjon prej vëllait të tij drejt për së drejti për gjendjen e vëllezërve të tij myslimanë në vendin prej të cilit ai vjen prej tij.

11. Përfitimi i ndërsjellë  i të mirave dhe përvojave në përgjithësi.

12. Tubimi i mendimtarëve, dijetarëve dhe njerëzve me pozitë dhe ndikim nga të gjitha vendet ku i studiojnë gjendjen e myslimanëve dhe nevojat e tyre si dhe rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit mes vete.

13. Realizimi i adhurimit ndaj Allahut me qëndrimin në vendet e riteve të haxhit ku haxhiu e lë Xhaminë e Shenjtë e që është vendi më i mirë për të qëndruar në Arafat.

14. Falja e mëkateve për shkak të fjalës së pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të):

 “Ai që e kryen haxhin dhe nuk ka folë e as nuk ka vepruar keq lirohet nga mëkatet e tij, sikurse ka qenë ditën kur e ka lindur nëna e tij.”

15. Hapja e derës së shpresës për mëkatarët dhe edukimi i tyre në lënien dhe anashkalimin e mëkateve në ato vende, ku shumë prej tyre i lënë shumë tradita të tyre të këqija gjatë periudhës së Haxhit dhe në vendet ku kryhen ritet e tij.

16. Sqarimi se Islami është fe e rendit ku në haxh ritet dhe koha janë të sistematizuara. Çdo gjë kryhet në vendin e tij dhe në kohë e përcaktuar për të.

17. Edukimi i vetes në dhënien e pasurisë në punë të mira dhe largimi nga koprracia. Haxhiu për shkak të haxhit shpenzon shumë para udhëtimit,  gjatë rrugës dhe në vendet e kryerjes së Haxhit.

18. Përfitimi i përmirësimit të zemrave dhe arritja e devotshmërisë së tyre përmes madhërimit të riteve të Haxhit. Allahu i lartësuar thotë: Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave. (El Haxh: 32)

19. Edukimi i të pasurve me lënien e dallimit në rrobat dhe vendbanimin e tyre dhe barazia e tyre në rroba dhe vendet ku kryhen ritet e Haxhit sikurse: Tavafi, Sa’ji dhe gjuajtja e gurëve. Në këtë për të pasurit ka edukim për modesti dhe njohje të ultësisë së kësaj bote.

20. Vazhdimësia e haxhiut në respekt ndaj Allahut dhe përmendja e Allahut  të lartësuar në ditët e Haxhit, ku ai kalon nga një vend në tjetrin dhe nga një vepër në tjetrën e kjo i ngjan një kursi intensiv në respekt ndaj Allahut dhe përmendjen e Tij.

21. Edukimi i vetes në bamirësi ndaj njerëzve, ku e udhëzon atë që ka humbur, e mëson të paditurin, e ndihmon të varfrin dhe u qëndron afër të paaftëve dhe të dobëtëve.

22. Stolisja me morale të larta sikurse urtësia, toleranca ndaj shqetësimeve të tjerëve, sepse haxhiu patjetër se do t’i eksponohet kallaballëkut apo ndonjë mospajtimi e të ngjashme. Allahu i lartësuar thotë:

Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. (El Bekare: 197)

23. Edukimi në durim dhe përballim të vështirësive sikurse përballimi i të nxehtit, rrugës së gjatë, largimit nga familja dhe kalimi përmes vendeve ku kryhet haxhi dhe kallaballëkut në to.

24. Të ushtruarit për të lënë zakonet, doket dhe traditat. Haxhiu është i obliguar për ta zbuluar kokën e tij dhe për t’i lënë rrobat e tij si dhe e lë atë që është mësuar me të qoftë vendbanim, ushqim apo pije.

25. Gjatë kryerjes së Sajit mes Safasë dhe Merves i kujtohet se ai që e respekton Allahun, i mbështetet dhe i përmbahet mësimeve të Tij, atëherë Ai nuk e humbë atë por e ngritë çështjen e tij. Ja kjo është Haxherja – Nëna e Ismailit – kur i tha Ibrahimit:

 “Allahu të ka urdhëruar me këtë?!” Ai tha: “Po”. Ajo tha: “Atëherë ai nuk do të na humb.”Allahu e ka ngritur çështjen e saj kështu që njerëzit kanë filluar që atëherë të bëjnë Saj, e në mesin e tyre edhe Pejgamberët (Allahu qoftë i kënaqur me ta).

26. Edukimi i vetes në mos pesimizëm nga ndihma e Allahut sa do që vështirësohen punët dhe rriten fatkeqësitë ngase, në dorë të Allahut është çlirimi. Ja kjo është nëna e Ismailit ku foshnja e saj për pak sa nuk vdiq dhe ajo vraponte nga një kodrinë në tjetrën dhe e priste çlirimin dhe ai erdhi prej nga ajo nuk e llogariste ashtu që një melek zbriti në tokë dhe i mëshoi asaj dhe doli uji zemzem i cili përmban në vete shërim për zemrat dhe trupat.

27. Haxhiu duhet të kujton se në këto vende është në mikpritje të Gjithëmëshirshmit. Tubimin e haxhit nuk e ka thirrur ndonjë qeveri, komitet, mbret apo kryetar, por e ka thirrur Zoti i gjithë botëve dhe e ka bërë vendtakim ku myslimanët takohen në të dhe janë të barabartë ku askush nuk ka meritë dhe të drejtë më shumë se të tjerët. Allahu i lartësuar thotë:

Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (El Haxh: 27)

     Nesaiu (2578) transmeton nga Ebu Hurejre se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“ Delegacion i Allahut janë tre persona: Luftëtari, haxhiu dhe ai që kryen umren.” (Albani e konsideron të saktë në librin e tij Sahih En Nesaijj me nr: 2462)

28. Miqësimi ndaj besimtarëve dhe kjo shfaqet në fjalën e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i cili thotë:

“Vërtet gjaku i juaj, nderi dhe pasuritë e juaja janë të shenjta (nuk lejohen të cenohen pa të drejtë) sikurse shenjtëria e kësaj dite, e këtij muaji dhe e këtij vendi tuaj.”(Buhariu me nr: 65 dhe Muslimi me nr: 3180)

29. Me rastin e Haxhit shfaqet ndasia e plotë nga idhujtarët dhe jobesimtarët, ngase ndalohet prezenca e tyre e çfarëdo forme qoftë ajo. Përderisa u është ndaluar atyre të hyjnë në Harem në çfarëdo kohe dhe çfarëdo qëllimi. Allahu i lartësuar thotë:

O ju që besuat, vërtet idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më xhamisë së shenjtë. Nëse i frikësoheni skamjes, Allahu me dëshirën e vet do t’ju pasurojë me mirësitë e Tij. All-llahu është i gjithëdijshëm, është i urtë.(Et Tevbe: 28)

Buhariu transmeton se Ebu Hurejre ka thënë:

“Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) atë haxh më kishte dërguar së bashku me telallët. I ka dërguar ditën e Bajramit të thërrasin në Mina: “Që nga sot të mos bëj haxh asnjë idhujtar dhe të mos e kryejë askush tavafin lakuriq.”

     Allahu e dinë më së miri dhe paqja e mëshira qofshin për Pejgamberin, familjen dhe shokët  e tij.

 
Jahja Ibn Ibrahim El-Jahja
Përktheu: Driton Lekaj – Burimi: IslamHouse.com – Shqip
 


[1] Muslimi me nr: 2137.

 

Must Read