BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeNëse ka mundësi komentimin e hadithit

Nëse ka mundësi komentimin e hadithit

 

Nëse ka mundësi komentimin e hadithit

 

Pyetja:

Nëse ka mundësi komentimin e hadithit. Kur derisa një ditë dielli perëndoi, i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi alejhi selam e pyeti njërin prej sahabëve, shokëve të tij, Ebu Dherr El Gifarijun: “A e di se ku shkon Dielli?!” I përgjigjet si zakonisht: “Allahu dhe i Dërguari i tij më së miri e dinë!” Pejgamberi alejhi selam u thotë” “E vërtetë është se ai shkon dhe i përulet, i bën sexhde, Allahut xh.sh. nën Arshin e Tij dhe i kërkon leje që ta përsëritë lindjen e tij (si zakonisht aty) nga lindja dhe si zakonisht gjithnjë, çdo ditë, i lejohet që të dalë, të lindë! Por një ditë, pasi t’i përulet Allahut xh.sh. nën Arshin e Tij dhe i kërkon leje si zakonisht që të lindë, atë ditë nuk e lejon, por do t’i thotë: “Kthehu prej nga ke ardhur, perënduar.” D.m.th. dil, lind nga perëndimi dhe dielli lind nga horizonti i perëndimit!” (Buhariu, Texhridus sarih: 1312)

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Muslimani fillimisht obligohet të vërtetojë saktësinë e argumentit, pastaj obligohet automatikisht ta besojë atë ashtu siç ka ardhur dhe të veprojë sipas tij, por kjo nuk e ndalon atë më pastaj të orvatet në kuptimin e atij citati aq sa i lejohet dhe është në kompetencat e mendjes së njeriut.

Hadithi i lartpërmendur është i transmetuar gjithashtu edhe nga Muslimi, Taberiu dhe Ahmed ibn Hambeli, por me një formë tjetër të përafërt me atë të Buhariut.

Obligohet besimtari të besojë çdo gjë që është nga Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij dhe se kjo është cilësia e parë me të cilën është përshkruar besimtari në Kuran, siç thotë Allahu Fuqiplotë: “Të cilët e besojnë të fshehtën …” (Bekare 2). Gjithashtu jemi obliguar të besojmë shumë gajbe të tjera, si ekzistimin e xhinëve, melekëve, kataklizmën, xhehenemin, xhenetin pastaj mrekullitë e Pejgamberëve, të gjitha këto gjëra nuk janë të vërtetuara shkencërisht, por a do të thotë kjo të mos u besojmë këtyre gjërave?

Gjithashtu, shkenca dhe zbulimet nuk kanë përfunduar, por sa herë që zbulojnë dijetarët diçka të re, ata me të e kuptojnë apo e pranojnë injorancën që kanë pasur para se te zbulonin atë dhe se gjithësia është më e gjerë sesa e kanë menduar ata.
Edhe për përkuljen (sexhden) e diellit, ndoshta në të ardhmen e afërt do të zbulojnë dijetarët formën e saj dhe me të nuk bëhet asgjë përpos që vërtetohet një hadith i të Dërguarit tonë.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selam deshi me këtë rast të pohojë se Dielli është krijesë prej krijesave të Allahut të Lartësuar, që përfill urdhrin e Allahut Fuqiplotë dhe se besimi i cili mbizotëronte në kohën e tij, se Dielli është zot dhe se i duhet përulur atij, duhej të ndryshohej nga mendjet e njerëzve.
Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij na informoj për shume mrekulli dhe formën e saj në mënyrë që të na forconte bindjen (imanin) tonë dhe për disa nuk na ka informuar në mënyrë që të na testojë imanin tonë. Sikur të informoheshim nga Allahu Fuqiplotë për çdo gjë me argumente që preken apo shihen, atëherë çfarë dobie do të kishte imani dhe se si do të dalloheshim nga melekët dhe gjërat e ngurta.

Thotë Allahu në Kuranin Famëlartë: “Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë. A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se do t’i shpëtojnëdënimit Tonë?! Sa keq që gjykojnë ata! Kush shpreson takimin e Allahut, ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të arrijë. Ai dëgjon dhe di gjithçka. Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë.” (Ankebut 1-6)

Kurse dijetarët, kur kanë komentuar këtë hadith, janë ndarë në tre mendime:

Grup i parë kuptoi hadithin se Dielli realisht shkon në një kohë të caktuar dhe i bën sexhde Allahut të Lartësuar nën Arshin e Tij. Bazuar në këtë kuptim ata mohuan hadithin dhe akuzuan transmetuesit e hadithit, edhe pse ata janë të saktë (të drejtë). 
Ata e arsyetuan këtë qëndrim duke u mbështetur në atë që ka arritur astronomia, se Dielli nuk largohet nga Toka për asnjë çast, por ai perëndon në një pjesë dhe mbetet me një pjesë të saj (Tokës). Pra, me këto argumente ky grup refuzoi hadithin e saktë.

Kurs grupi tjetër thanë se hadithi është i saktë dhe se Dielli shkon çdo ditë dhe bën sexhde nën Arshin e Allahut Fuqiplotë dhe se kjo ndodh me largimin e tij nga Toka. Pra ky grup e mohoi atë që shihet dhe është realitet apo atë që kanë arritur astronomët.

Që te dy grupet sipas Ehli Sunetit janë gabim dhe se bëhet i qartë gabimi i të dy grupeve nëse komentohet hadithi fjalë për fjalë.

E para: Dielli perëndon.
E dyta: Dielli lëviz.
E treta: Dielli bën sexhde nën Arsh.
E katërta: Dielli kërkon leje dhe i lejohet atij.
E pesta: Dielli lëviz derisa të qëndrojë nën Arsh dhe se Arshi është vendqëndrimi i tij.
E gjashta: Dhe se në fund Dielli do të lindë nga perëndimi.

Këto fjali gjendën në hadithin e lartpërmendur dhe të shikojmë se cila nga to është në kundërshtim me realitetin dhe atë që shohim.

Pjesa e parë: Dielli perëndon

Në këtë pjesë të hadithit nuk ka kurrfarë problemi sepse ai realisht perëndon dhe gjithashtu nuk është problem nëse perëndimi apo humbja e diellit ndodh me lëvizjen e Tokës. Tek arabet përdoret shprehja se ka perënduar kodra, duke pasur për qëllim të thonë se është fshehur, edhe pse kodra është e palëvizshme thuhet se ka perënduar, por edhe ata që thonë se Dielli qëndron në një vend thonë se Dielli ka perënduar dhe ka lindur.

Pjesa e dytë: Dielli lëviz 

Nuk ka dyshim se Dielli lëviz sepse edhe dijetarët e astronomisë pohojnë se Dielli lëviz rreth vetes së tij, kurse disa të tjerë thonë se sillet rreth një planeti tjetër dhe se rrotullimi nuk mund të ndodhë pa pasur lëvizje në kurrfarë mënyre.

Pjesa e tretë: Dielli bën sexhde nën Arshn e Allahut Fuqiplotë

Allahu i Lartësuar na informon në Kuranin e Tij të madhëruar se çdo gjë që ekziston në tokë dhe qiej i bën sexhde Allahut. Ai thotë: “Gjithçka ka në qiej e në tokë i bën sexhde vetëm Allahut me dëshirë ose me dhunë, (i bëjnë sexhde) edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje.”(Rra`d 15), pastaj: “A nuk e di për Allahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe kodrat, edhe bimët edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre …” (Haxhxh 18), pastaj në një citat tjetër thotë: “Edhe yjet edhe bimët i bëjnë përulje (dëshirës së Rrahmanit).” (Rahman 6) Ashtu sikurse na rrëfen Allahu Fuqiplotë për nënshtrimin e të gjitha krijesave, na rrëfen se ato të gjitha e madhërojnë Atë. Thotë në një citat Allahu i Lartësuar: “Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bënë tesbih), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën e tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë.” (Isra 44). Nuk është për qëllim këtu sexhde sikur sexhdeja e atyre që kanë logjikë, por ka për qëllim njërën nga këto kuptime :

Mund të ketë për qëllim nënshtrim dhe dëgjueshmëri, gjithashtu edhe në fjalorin e njerëzve e gjen të përdorur kështu (pra përdoret si sexhde në këtë kuptim). Thotë Allahu i Lartësuar kur përmend fjalën sexhde me këtë kuptim (nënshtrim dhe dëgjueshmëri): “… me dëshirë ose me dhunë, (i bëjnë sexhde) edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje …” (Rra`d 15)
Ose mund të përmendet në kuptimin që dëshmon si argument për ekzistencën e Allahut të Lartësuar, pra se kjo krijesë dëshmon ekzistencën e Allahut të Lartësuar dhe se Ai është i vetmi që meriton t’i bëhet përulje (sexhde).

Kurse shprehja se bën përulje nën Arsh aludon për kulmin e përuljes dhe nënshtrimit, është njësoj si të thuhet se filani përulet nën këmbët e filanit, pra kjo aludon për kulmin e nënshtrimit.

Pjesa e katërt: Dielli kërkon leje dhe i lejohet atij

Qëllimi final i kësaj metafore është respektimi apo nënshtrimi i tij ndaj Zotit të tij, sepse i nënshtruari kërkon leje nga nënshtruesi dhe se i nënshtruari gjithsesi respekton urdhrat e atij që i është nënshtruar. Kjo është e përhapur tek fjalori i komunikimit, si p.sh.: kjo foto na rrëfen shumë për të kaluarën, ose kjo shpatë ankohet për mospërdorimin e saj prej një kohe të gjatë. 

Pjesa e pestë: Dielli lëviz derisa të qëndrojë nën Arsh dhe se Arshi është vendqëndrimi i tij.

Sa i përket pjesës së parë, se lëviz, e kemi përmendur më lart, kurse për qëndrimin e tij nën Arshin e Allahut Fuqiplotë themi se është për qëllim kthimi drejt Allahut të Lartësuar. 
Sipas argumenteve fillimi i krijimit të Tokës është bërë nga Qabja dhe se ajo është mesi i Tokës (kërthiza e saj), një gjë tanimë e vërtetuar. Me perëndimin e Diellit, i bie që Dielli të qëndrojë poshtë mesit të Tokës, gjegjësisht pikërisht poshtë Qabes. Mbi Qabe është Bejtulmamur dhe në drejtim të Qabes është Arshi. Nëse e shikon këtë formë, del se Dielli kur perëndon është nën Qabe dhe i kthyer në drejtim të Arshit, ku konsiderohet se i bën sexhde Allahut Fuqiplotë.
Kurse Arshi, si vendqëndrim i tij është në fund, kur urdhërohet të bëhet kataklizma.

Pjesa e gjashtë: Dielli do të lindë nga perëndimi

Kjo do të ndodhë atëherë kur jep leje Allahu i Lartësuar që të bëhet kataklizma dhe shkatërrimi i kësaj bote dhe fillimi i një banimi më të mirë për robërit e Tij.
Pra, lindja e Diellit nga perëndimi është shenjë nga shenjat e kataklizmës.
Sido që të jetë, hadithi aludon se Dielli është i nënshtruar ndaj Allahut dhe kryen urdhrin e Tij ashtu siç i është përcaktuar atij, si të ishte nga krijesat që mendojnë dhe dëgjojnë.

Allahu e di më së miri!
 

Fatmir Raçi

26.10.2008

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com

 

Must Read