Shkaku i njëzetetretë (i lumturisë):
Neve na mjafton Allahu dhe sa Ndihmëtar i mirë që është Ai
T’ia besosh çështjen Allahut, të mbështetesh tek Ai, t’i besosh premtimit të Tij, të jesh i kënaqur me të bërat e Tij, të kesh mendim të mirë për Të dhe ta presësh rrugëdaljen nga Ai është prej fryteve më të mëdha të imanit dhe prej cilësive më të larta të besimtarit. E mu atëherë kur robi të jetë i qetë duke pritur përfundim të mirë dhe të mbështetet tek Zoti i tij në çdo çështje të tij, atë botë do ta gjejë mbrojtjen, mbikëqyrjen, mjaftueshmërinë, përkrahjen dhe ndihmën:
E kur mbrojtja me sytë e saja të të ketë shikuar, flejë
Se të gjitha telashet të janë siguri
Pasi që Ibrahimin alejhis-selam e hudhën në zjarr tha: HasbunAllahu we ni’mel wekil (Na mjafton Allahu, e sa ndihmës i mirë që është Ai); atëherë Allahu e bëri zjarrin të ftohtë dhe shpëtim për të, e gjithashtu edhe Pejgamberi ynë alejhis-selam dhe shokët e tij pasi që u kërcënuan nga ushtritë e pabesimtarëve dhe çetat e idhujtarëve thanë: “Neve na mjafton Allahu, e Ai është mbrojtësi me i mirë dhe u kthyen me begati dhe mirësi të mëdha nga Allahu pa i gjetur kurrfarë e keqe; dhe e pasuan kënaqësinë e Allahut, e Allahu është Dhurues i Madh”(Kuran).
Vërtetë njeriu vetëm nuk mund që të përleshet me telashet, t’i rezistojë fatkeqësive dhe të ballafaqohet me vështirësi, ngase ai u krijua i dobët dhe i pamundësi, por atëherë kur ai të mbështetet në Zotin e tij, t’i besojë Atij dhe vetëm Atij t’ia besojë çështjet, se përndryshe çfarë është mundësia e këtij robi të varfër e të dobët kur atë ta kaplojnë fatkeqësitë e ta rrethojnë brengat: “Tek Allahu mbështetuni nëse jeni besimtarë”(Kuran).
O ti që dëshiron të këshillohesh, mbështetu në të Fortin, të Pasurin e të Gjithëfuqishmin, që të të shpëtoje nga mjerimet dhe brengat, le të jetë simboli yt: HasbunAllahu we ni’mel wekil. Na mjafton Allahu, e sa ndihmës i mirë që është Ai; nëse të pakësohet pasuria jote, të rritet borxhi, të zbrazet buxheti e të thahen burimet, thirr: HasbunAllahu we ni’mel wekil. Nëse të sulmon sëmundja dhe të ashpërsohet e të vazhdon, të shtohen telashet dhe belatë thuaj: HasbunAllahu we ni’mel wekil. Kur të frikësohesh nga armiku, të tronditesh nga zullumqarët e të shkaktojnë kokëçarje vështirësitë pëshpërit me bindje: HasbunAllahu we ni’mel wekil.
“Të mjafton ty që Zoti yt të jetë Udhëzuesi dhe Ndihmësi yt”(Kuran).
Aid El-Karni